E premte, 26.04.2024, 05:14 AM (GMT+1)

Faleminderit

Dodë Progni: Pjetër Mehmeti i Shalës- Një yll i nacionalizmit shqiptar

E premte, 10.09.2010, 09:59 PM


PJETËR  MEHMETI  I  SHALËS – NJË YLL I NACIONALIZMIT SHQIPTAR

 

Me rastin e 63-vjetorit te renies

 

Nga Dodë Progni, historian

 

Pjetër Mehmeti u lind në fshatin Pecaj të fisit të Shalës në vitin 1910. Ishte i biri i patriotit të shquar Mehmet Shpendi–i pari i Djelmnise së Shalës dhe njëri nga luftetarët e prijësit më të njohur të këtij fisi në kryengritjet e mëdha antiosmane të viteve 1910-1911-1912, si dhe në mbrojten e tërësisë tokësore të shtetit shqiptar nga synimet grabitëqar serbo-malazezë në vitet 1913-1915. U vra nga forcat pushtuese serbo-malazeze në muajin Korrik te vitit 1915.

I ati e kishte lënë Pjetrin akoma pa mbushur pesë vjet. Por e ëma Zojë Sokolja-një grua që rridhte prej një familje me tradita të shquara patriotike, e bija e Sokol Kolës nga Pepajt e Shoshit, u kujdes për rritjen dhe edukimin e tij. Në fëmijërinë dhe rininë e herëshme, vëllai i madh Prekë Mehmet Shpendi dhe kushëriri Mark Sadiku së bashku me nënë Zojën iu bënë Pjetrit shokë e prindër. Ata i mësuan historitë e të atit Mehmet Shpendi  dhe shumë burrave të tjerë të Pecajve dhe të fisit të Shalës që brez pas brezi kishin luftuar e dhënë jetën për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë. I rritur në një ambjent të tillë patriotik,Pjetër Mehmeti, ashtu si i ati dhe paraardhësit e tij u bë një burrë trim e atdhetar i flakët, besnik i idealeve të nacinalizmit shqiptar.

Për disa vite sherbeu si tregëtar në krahinën e Nikaj-Merturit, ku kishte miq e shokë burrat më në zë të kësaj krahine si, Mark Tunxh Miftarin, atë të Nikajt Bafti Ndoun, si dhe Nikë Delinë e Shpend Sadik Bushatin nga Lekbibajt, Fetë Sadikun nga Palçi, Gjelosh Nosh Prognin nga Salca, Sylë Martinin nga Raja, Pal Nikën nga Currajt e Epërm, Nikë Sokolin e Mark Sadikun nga Bëtosha  e te tjere. Jo vetëm në Nikaj-Mertur, po edhe në Shalë, Shosh e me gjerë ai njihej e respektohej si burre trim, besnik e atdhetar.

Në vitin 1942, u bë anëtar i Organiizatës së Ballit Kombëtar, dhe që nga ajo kohë u zgjodh sekretar i kësaj organizate për Nikaj-Merturin. Duke qenë njëri nga anëtarët e drejtuesit më të devotshem të Ballit, ai luajti rol të rëndësishëm në propagandimin e përhapjen programit të tij - “Dekalogu“, për shtimin e radhëve të organizatës me elementë nacionalistë dhe për organizimin e funksionimin e degëve të Ballit në Nikaj-Mertur e Dukagjin. Në sajë të punës së pa lodhur të kryetarit Gjelosh Noshi dhe të sekretarit Pjetër Mehmeti, organizata Ballit Kombëtar për Nikaj-Merturin dhe Dukagjinin ishte nga më aktivet në të gjithë malësitë e Veriut. Duke mbajtur lidhje të vazhdueshme me krerët kryesor të Ballit në qendër si Mit’hat Frasheri,  Jup Kazazin, Xhelal e Enver Bushatin e te tjere, këta i dhane Organizatës së Ballit në  këto krahina orientim të qartë nacionalist dhe antifashist gjatë tërë viteve të luftës së dytë botërore. Pjetër Mehmeti u përpoq me të gjitha forcat për të vënë në jëtë parimet themelore të përcaktuara në “Dekalogun“ e Ballit Kombëtar siç ishin: ”Lufta për flamurin kuq e zi, për një Shqipëri të lirë, etnike e demokratike, me baza shoqërore moderne ku do të mbizotërojë liria e fjalës dhe e mendimit “ e te tjera.

Në gusht të vitit 1943, udhëhëqja komuniste shqiptare, pasi kish nenshkruar në Mukje marrveshjen e bashkëpunim me Ballin Kombëtar dhe grupimet e tjera nacionaliste shqiptare; për një luftë pa kompromis kundër pushtuesve  dhe për vetëvendosjen e popullit shqiptarë të Kosovës, e prishi atë në mënyrë të njëanëshme.Ky veprim, lëndoi thellë zëmrën patriotit Pjetër Mehmeti, i cili si shumë patriotë të tjerë shqiptarë kish ëndërruar për bashkimin e të gjithë shqipëtarve në luftë për një Shqipëri të lirë, etnike dhe demokratike. Qysh në atë kohë ai formoi bindjen se, ky veprim i dirigjuar nga komunistet jugosllavë, ishte një tradhëti kombëtare që do t’i vinte kazmën fatit të Shqipërisë dhe të Kosovës. Për nacionalistin Pjetër Mehmeti lidhjet e ngushta të komunistëve shqiptarë me ata serbo-sllavë përbënin njollën më të zezë të komunizmit shqiptarë. Ato i kundërviheshin çeshtjes kombëtarë shqiptare, prandaj u bë një kundërshtar i rreptë ideve komuniste dhe u përpoq me të gjitha forcat për të penguar përhapjen e tyre në Nikja-Mertur e Dukagjin.

Pasi kish hedhur poshtë marrveshjen e Mukjes, udhëheqja komuniste shqiptare për hirë të pushtetit, iu imponua me forcën e armëve, ballistëve, zogistëve dhe gjithë nacionalistëve shqiptarë, duke ndezur flakët e një lufte vllavrasëse në Shqipëri. Qysh me 1 tetor 1943, Enver Hoxha udhëzonte të gjitha Komitetet Qarkore të PKSH, se: “Ne duhet të ndërhyjmë e të godasim pa mëshirë Ballin Kombëtar. Asnjë hëzitim… ndryshe jemi të humbur. Balli nuk na liron pushtetin dhe askush tjetër në qoftë se nuk e rrëmbejmë me forcë … Mbaroi çeshtja e bashkimit me Ballin… tash ai duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare. Demaskimi të bëhët i vazhdueshëm dhe ne vemi drejt likujdimit të Ballit dhe jo të bashkimit me të. Në rast se ai vendoset në ndonjë fshat a qytet, duhet të veproni përnjëherësh edhe ushtarakisht kundër tij“.

Në fund të vitit 1944, kur pushtuesit gjermanë po largoheshin nga Shqipëria, edhe për ballistët, zogistët dhe gjithë nacinalistët e Nikaj-Merturit e të Dukagjinit, doli në plan të parë qëndresa antikomuniste, për të mos lejuar vendosjen e sundimit të tyre në Shqipëri. Pjetër Mehmet Shpendi ishte njëri nga organizatorët dhe luftëtarët më të vendosur të qëndresës antikomuniste të Nikaj-Merturit dhe malësive tjera të veriut, në Qafen e Kolçit dhe lumin e Merturit, kunder forcave të Brigades VI dhe XXV S të UNÇl që sulmuan krahinën, në nentor të vitit 1944.

Me 16 nentor 1944, këto forca u turrën në drejtim të Nikaj-Merturit dhe Dukagjinit për nënshtrimin e këtyre krahinave antikomuniste dhe për vendosjen e pushtetit komunist aty. Fillimisht në Qafën e Kolçit e më pas tek lumi i Merturit ata u ndeshën në rezistencën e armatosur të mbarë popullsisë. Pjeter Mehmeti se bashku me Nik Deline, Gjelosh Noshin, Ndue Gjelosh Prognin, Zef Binakun e te tjere, shkatërruan urën e lumit të Merturit duke  e bërë të pamundur marshimin e forcave komuniste në Nikaj-Mertur e Dukagjin. Të gjëndura nën zjarrin e mbi  400 luftëtarëve nacionalistë që ishin pozicionuar në anën e djathtë të lumit të Merturit, forcat e Brigades se VI, pas tre ditë luftimesh të ashpëra, ku patën disa të vrarë e të plagosur, u detyruan të lënë frontin dhe të kthehen për në Krasniqe. Aty moren në përforcim edhe Brigadën e XXV S të UNÇl, e cila në përbërje të Divizionit të V - të UNÇlSH ndodhej në Kosovë për të ndjekur forcat gjermane që po largoheshin nga Ballkani, por u kthyen për të ndihmuar Brigades VI Sulmuese, që të pushtonte Nikaj-Merturin, ku nuk kishte, dhe nuk kish pasur asnjë këmbë gjermani qysh me datë 17 prill 1944,kur 21 forcat e fundit gjermane, pasi kishin qëndruar rreth 2 muaj në Dukagjin e Nikaj-Mertur qenë dorëzuar tek misioni ushtarak i Aleatëve Britanikë. Të nisura nga Kolgecajt,këto dy brigada partizane, në bashkëveprim me njëra-tjetrën, risulmuan forcat nacionaliste që gjendeshin në Nikaj-Mertur nga katër drejtime kryesor:

1. Kolgecaj-Bujan-Gri-Shkambi i Rajës-Tëtaj. 2.Kolgecaj-Geghysen-Qafa e Kolçit-Shëngjergj. 3.Kolgecaj-Markaj-Shtylla e Grisë-Curraj Epër. 4.Kolgecaj-Dragobi-Qafa e Valbonës-Theth-Breglumi-Qafa e Agrit-Lekbibaj. Pas rezistencës që popullsia vendase u bëri këtyre forcave në Thethë, Qeresh-Mulaj, Qafë të Kolçit dhe Shkam të Rajës, ku pati disa të vrarë dhe të plagosur nga të dy palët, me 25 nëntor 1944, forcat komuniste arritën të pushtojnë krahinën. Me atë rast, nepërmjet dhunës e terrorit ngritën në Nikaj - Mertur e Dukagjin organet e  para   të pushtetit të tyre diktatorial, të ashtuquajtura “Këshilla Nacinalçlirimtare”.

Pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, Pjetri nuk u pajtua asnjë herë me atë regjim të cilin e konsideronte antikombëtar dhe antidemokratik. Përkundrazi, qëndrimi i tij u bë akoma më i rreptë e më i vendosur në luftë kundër tij. Për të mos iu nenshtrua diktaturës komuniste ai doli malit qysh në vitin 1945, dhe bashkë me 18 nacinalistë antikomunistë të tjerë të krahinës së Nikaj-Merturit e Dukagjinit si: Mark Tunxh Miftari, Gjelosh Noshi Progni, Mark Sadiku, Shpend Sadiku, Fran Ukshini, Nikë Sokoli, Pjetër Kukaj, Sadik e Gjeto Marku, Kolë Ndue Sadiku e te tjere. formuan çetën antikomuniste që komandohej nga Nikë Sokoli i Bëtoshës. Kjo çetë, e konsideruar nga regjimi i asaj kohe si njëra nga më të rrezikshmet në Shqipëri, qendroi nepër malet e ashpëra të veriut, në shi e dëborë, me bukë e pa bukë, në dimër e verë, nepër male e shpella duke luftuar me pushkë në dorë kundër forcave komuniste të ndjekjes deri në vitin 1948. Gjatë tërë kohës që Pjetër Mehmeti qëndroi në këtë çetë, ra disa herë në përpjekje të armatosur me forcat komuniste të ndjekjes, dhe në çdo rast u dallua si një luftëtar trim i pa epur. Në njërën nga përpjekjet më të ashpëra, në Qafën e Kolçit, shtator 1946, ai kreu një  akt të rrallë trimërie e guximi. Çeta ndodhej e rrethuar prej qindra forcave komuniste të ndjekjes. Pas një qëndrese heroike disa orëshe  asaj po i mbarohej municioni. Shpresa e luftetareve nacionalistë për të dal të gjallë nga rrethimi pothuaj se ishin shuar tërësisht. Por në këto çaste teje të veshtira, Pjeter Mehmeti shpalosi gjithë trimërinë dhe guximin që e karakterizonte. Pa ju trembur syri aspak, ai u turr në sulm me bomba mbi kundërshtarët, çau rrethimin dhe në mes zjarrit e flakëve ju prini shokëve e bashkë me ta doli jashtë rrethimit, çuditërisht pa asnjë humbje. Ai u qe betuar shokëve se, kurrë për sëgjalli nuk do të binte në duart të komunistëve. Lidhur me këtë, i kish lënë amanet mitralierit të çetës Mark Sadiku, se, po të ndodhte rasti që Pjetri gjatë luftimeve të mbetej i plagosur, të  mos largohej pa e qëlluar për vdekje atë, në mënyrë që kurrësesi të mos e linte të gjallë në duar të komunistëve. Një rast të tillë e solli fati në dhjetor të vitit 1946, kur çeta e tij e tradhëtuar nga të pabesët u gjend e rrethuar prej qindra forcash komuniste të ndjekjes në një stan të lagjës Prebibaj të fshatit Curraj të Epërm. Të vendosur për të mos rëne në duar të komunistëve, të gjithë pjestarët e çetës bënë një qëndresë heroike  disa orëshe. Me qënë se ata nuk po dorëzoheshin, forcat  e ndjekjes i futen zjarrin stanit për t’i djegur të gjallë kundërshtarët e tyre. Kjo i detyroi pjestarët e çetës të turren drejt derës për të çarë rrethimin. Mitralieri Mark Sadiku së bashku me trimin guximtar Pjetër Mehmeti, si kurdoherë, me bresherite e armëve të tyre u hapën rrugen shokeve për te dal nga rrethim. Pasi dolën të gjithë, ata me mitraloz dhe automatik në dore mes tymit, flakëve dhe plumbave qe u fërshëllenin nga të gjitha anët, u turrën drejt shtegut të oborrit për t’u bashkuar me shokët. Por, papritmas një plumb i mallkuar goditi gjoksin e trimit Pjetër Mehmeti  duke e lënë të plagosur rëndë. Marku me shpejtesi rrufeje u gjënd pran tij për t’a  ndihmuar që së bashku të dilnin nga rrethimi. Por, sapo i vuri dorën për ta tërhequr, Pjetri që po jepte shpirt kujtoi amanetin që i kish lënë Markut, prandaj i tha: “Mark! Merri këto dokumenta e shko pa humbur kohë! Mos  harxho fishek me mua se kam marre boll! Lamtumirë!“ Kështu pushoi së rrahuri zëmra e nacionalistit dhe atdhetarit të flaktë, trimit mbi trima Pjetër Mehmet Shpendit të Shalës. Duke dhënë jetën heroikisht për Shqipërinë e lirë dhe demokratike, ai mbeti një yll i ndritur i nacionalizmit shqiptar.



(Vota: 9 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora