E premte, 26.04.2024, 08:01 AM (GMT+1)

Kulturë

Kostaq Duka: Magjia e Ditës së Verës

E hene, 26.07.2010, 09:57 PM


Kostaq Duka

 

Tregim

 

Magjia e Ditës së Verës

 

Kur filluan ta bëjnë zakon të festonin së bashku ditëlindjen e njëri tjetrit? Ai saktësisht këtë nuk e kujtonte. Dinte vetëm që në vitet si studentë kjo u bë e zakonshme.  Por mbase fillesën e kishte që në vitet e gjimnazit atëhere kur të dy ëndërronin të shkonin së bashku në Institutin e Lartë të Arteve në degën e dramaturgjisë. Edi, trup madh, biond me flokët e dredhura që shpesh i vareshin deri poshtë vetullave mbi ballin e gjerë, ishte gjithë energji, në lëvizje , në të ecur,në të folurën me pasion e zë të të lartë. Ai ishte i shkurtër, me flokë të valëzuara ngjyrë kafe, të cilat i ndante hijshëm me një vijë  saktësisht të drejtë dhe me dy sy larushë ku dominonte jeshilja. Fliste me një zë të butë, të ngrohtë dhe me fjalë të përzgjedhura mirë, herë , herë me ngjyrime poetike.

Kishin lindur në ditë të përafërta ai më l3-të mars dhe Edi më 14-të mars, Ditën e Verës. Kjo rastësi u bë shkak për të festuar ditëlindjet së bashku në kafenenë e preferuar, sipër në kisha e Shën Prokopit në kodra e gjelbëruar pranë Liqenit të Tiranës. Edi realizoi ëndrrën për të filluar studimet si aktor. Ai nuk mundi. Rregjisori i njohur i qytetit të tyre të lindjes, që të dy e kishin idhull i tha se ishte tepër i shkurtër për të pretenduar maja artistike por mundej të bëhej një dramaturg i shquar. Kaq u desh që ai të rrëzohej  dhimbshëm nga qiejt e shtatë dhe të zgjidhte degën që me sa dukej i përshtatej karakterit të tij: filozofinë.

Vitin e parë, ditëlindjen e festuan ashtu dyshe  ulur kokë më kokë në një tavolinë diku në qoshe nën degët e varura të një peme lotuese. Dy meze me kërnace dhe dy gota me verë që do të rimbusheshin tri herë.Ai do t’i kujtonte Edit proverbin japonez që në gotën e parë njeriu pi verën, në të dytën vera pi verën dhe ne të tretën vera pi njeriun. Dhe ata këtë dëshironin. Të zbrisnin poshtë kodrës për në bulevardin e Tiranës paksa të dehur. Gjatë rrugës copra, copra do bisedohej sa për artin e artistët famozë të botës aq edhe per femrat, dashurinë. Ato filozofet tënde i thosh Edi e kanë mëndjen tek librat këto tonat janë të shkrehura ti afrojnë puthjet vetë. E më tej Edi patjetër do i tregonte ashtu me pasion e tërë zhurmë , shoqëruar me lëvizje trupi e krahësh dhe klithma të papritura që thyenin qetësinë e natës ndonjë aventurë të shpejtë dashurie që ndizej e shuhej në studiot e provave, apo diku në fund të koridoreve të godinës së shkollës së arteve.

E pas kësaj shfryrjeje zhurmuese me një pamje triumfatori të ekzaltuar i thosh atij, që mblidhej nën vetvete duke u dukur edhe me i shkurtër seç ish.

-Po ti, ti ç’bën? Akoma gjimnazist i ndrojtur me çupat do jesh? Lëviz, lëviz, jeta ikën , ikën me shpejtësinë e dritës..

Dhe ai për të dhjetën herë do i tregonte për shoqen e bangës që e donte si motër Lindën së cilës ia tregonte te gjitha, të gjitha rregëtimat e zemrës për çdo vajzë, pastaj do i shprehej plot ngrohtësi për rrëmbimin e ndjenjave nga vajza me shtat të vogël, brunia me sy të zinj e shkollës së gjuhëve të huaja me të cilën rrinte e rrinte me orë tëra duke biseduar në mbrëmje aty para derës së konviktit aq sa herë herë do vinte kujdestarja e godinës e do të tërhiqte vëmendjen për vonesën.

Edi edhe pse temperament rrëmbyer e dëgjonte me vëmendje por kur shihte se ai s’rreshtëte së treguari fragmente bisedash me brunen e vogël, mbështjellë me nje tis romantik ndërhynte :

-Po mirë ti e do këtë brunen apo jo?

-E dua dhe ajo e ndjen këtë por...s'ia kam shprehur ende. Pastaj s'e kam ndarë mendjen më pëlqen dhe ajo pianistja me flokë të shkurtëra, të verdha në Liceun Artistik.E mban mend? Ta kam treguar.

-Po ma ke treguar. Duket e shkathët por a e di që eshtë më e gjatë se ty?

-E di dhe kjo më stepën. Edhe Linda e ka parë. E kuptova që s’mbeti e kënaqur.

Dhe kështu gjithë "dërdëllima" për dashurinë, nxitur edhe nga vera ecnin me këmbët që lëkundeshin sa andej këtej përgjatë bulevardit të madh të Tiranës derisa zhyteshin në rrugicat  në gjysmë errësirë që të çonin ne Qytetin e Studentit. Biseda të tilla zakonisht mbylleshin nga Edi për më shumë konkretësi në dashuri, me synim seksin.

Viti i dytë solli ndryshime. Edi shkëlqimin në etyde, në mjeshtërinë e aktorit dhe në një dramë ku luante rolin kryesor e  shoqëroi dhe me aventura serioze në dashuri.

-Nesër i tha një ditë atij do të të njoh me të dashurën time të re, Loran. Ajo është si të them, Afërditë. Jo më kot është balerinë. Ka një vit e devorcuar. Por për mua nuk ka rëndësi. S’ka rëndësi as që është tre vjet më e madhe. Po ç'them po ta shikosh duket gjimnaziste si të them si ajo tëndja në Liceu.

-Dhe ti e do vërtet?

-Sigurisht.

-Dhe do ta marrësh tre vjet më të madhe?

Edi ia plasi gazit. Por për të mos e prekur shokun e vet i hodhi duart mbi supe.

-Sa i mirë që je! Po pse patjetër duhet të mendojmë që tani për martesë?! Pastaj, pastaj ajo ma ka bërë të qartë. Nga ty pres vetëm dashuri dhe seks, seks jo filmik, seks te vërtetë. Mbrëmë isha në apartamentin e saj. Jeton vetëm, fare vetëm. Më mbyti me të puthura. Më xhveshi krejt me duart e saj duke më dhënë një të shtyrë në krevatin e saj dopio. U shkriva i gjithi. Më beso i gjithi. Ajo s'bëri zë. Veç në fund u prek, siç preken femrat. U përlot. U shqetësova. Thashë se mos e lendova si i çmendur që jam por ajo butësisht më tha :"Qaj kot , fare kot. Jam e dëshpëruar dhe e lumtur që të kam ty. Kur dolëm më përqafoi dhe më tha: “ të pres përsëri të shtunën”. Kur u takuam i fola për ty gjerë e gjatë. A ka ndonjë të dashur?- më tha. Edhe ka edhe s’ka i thashë. Bëra gabim?

-Jo,jo çfarë gabimi?! - i ktheu përgjigje ai i befasuar nga kthesa e madhe e shokut të vet.

Pas disa ditësh shkuan të tre në "Kafe Flora" Ai mori nje ponç portokalli , Edi një konjak dhe Lora akullore. Vërtet ishte e këndëshme, simpatike por më shumë i bëri përshtypje trupi i derdhur dhe gjoksi i saj i kërcyer i lënë si padashur paksa zbuluar ku ai me ndrojtje derdhi dy tre herë shikimin shkarrazi. Por me siguri asaj kjo nuk i shpëtoi.

-Ç'thonë filozofet - i tha ajo. Kam dëgjuar se andej nga gazetaria e juridiku ka vajza të bukura.

Ai mërmëriti ca fjalë si s'di si të them dhe e kaloi bisedën tek vajzat e Liceut Artistik.

-Të mira janë i tha Lora, por janë pak të lëvizura.

Ai u skuq në fytyrë, ashtu siç skuqej zakonisht kur diçka e prekte në sedër dhe mendoi se mos Edi i kish treguar diçka asaj për vajzën bionde me flokë të shkurtëra.

Pas këtij takimi ai nuk pati mundësi të takohej e bisedonte përsëri me Lorën. Por për të s’reshte së treguari Edi që sa vinte dhe thellohej në marrëdhënie. E dua, e dua  ashtu si di unë çmëndurisht, i thosh shpesh duke i sjellë drithma e  një ndjenjë  disi tmerri atij. Ky thosh me vete është  marrosur krejt. Dhe Edi sikur të ishte  aty në  mekanizmin  e përpunimit të mendimit, brenda trurit të tij  shtonte: Kjo femër do më bëjë të ik fare nga kjo jetë. Njëherë teksa arësyetonte kështu në ecje e sipër  duke zbritur shkallët e konviktit fare pranë tij i ra me grusht të fortë pasqyrës së madhe të katit. Ajo krisi me zhurmë  të madhe  duke rënë për tokë copra, copra.Dora e tij u gjakos.

Po afrohej marsi. Diku, dy, tre ditë para takimit të zakonshëm në kafeneja e kishës së Shën Prokopit për të festuar së toku ditëlindjen Edi i bëri një propozim që për të ishte shokues.

 -Këtë vit me 14 mars, në tavolina e qoshes, nën degët e lotuesit s’do të ulemi vetëm. Do të vijë dhe Lora e s’ka si të mos vijë. Një ditëlindje kam unë. Por edhe ti do vish patjetër me dikë.

Ai u bë piper në fytyrë. Mos po tallej Edi?!

-Ej e kam seriozisht! Eshtë rast i bukur. Fto kë ke më për zemër. Daç  atë të gjuhëve të huaja, daç atë të liceut. Ftesë shoqërore është.

Mire thonë, tha me vete, shkolla e artit dramatik eshte shkollë e të  marrëve. I ka mendtë ky? Si do vijë kështu tjera natën nga Liqeni? Pastaj ku të lenë kujdestaret e konvikteve?! Jo kjo s’bëhej. Megjithatë Edit nuk ia preu. Mirë i tha nesër do të jap përgjigje.

Duke u kthyer për në dhomën e tij në katin e shtatë, tek ngjitëte me nervozizëm e përtesë shkallët, krejt i zhvleftësuar si një qënie kot së koti, befas i lindi mendimi: “ Po sikur t’i them Lindës , shoqes se bangës? Edhe mund të pranojë, ajo më do si shok pastaj unë i kam folur aq shumë për Edin dhe që së bashku  festojmë ditëlindjet.”

Nuk u gabua. Linda u befasua, pastaj pasi e vështroi e përqëndruar në sy si për të provuar seriozitetin e këtij propozimi i tha: Po vij. Kur do takohemi?! Do të vish të më marrësh në konvikt?..Kur mbrëmja mbuloi qytetin e Studentit, ai nën pardesynë e bardhë, një dhuratë e çmuar dërguar prej vitesh nga gjyshi i tij në Amerikë u nis drejt godinës së vajzave. Edhe pse kishte shkuar me qindra here aty këtë radhë ndihej ndyshe, paksa nervoz dhe si i shpërqëndruar. Ishte hera e parë që dilte vete për vetë me Lindën. Ajo zbriti me gjallëri shkallët. Kur u takua me të ktheu vrulltas kokën me shikim nga dritarja e ballkonit të dhomës së saj. Kishin dalë gjithë shoqet e dhomës. I’a bënë me dorë me nje zell të tepëruar sikur ajo po largohej për jashtë shtetit, për një kohë të pacaktuar. Vajza budallaqe,  mendoi me vete.

Nën pardesynë ngjyrë mjalti të Lindës dukej minifundi i zi që bënte kontrast të dukshëm me kofshët dhe gjunjët e saj të bardha, të rrumbullakosura,në një lëkurë të tendosur dhe me bluzën e bardhë  aq të hollë sa nuk mund të fshehnin konturet e sytjenave gri. Ishte hera e parë që ai po ndjente tek Linda femrën e vërtetë.

Me Edin dhe Lorën u takuan aty para Institutit të Lartë të Arteve.. Edi ishte me një xhaketë me kuadrate kurse Lora me nje minixhaketë tepër të shtrënguar që bënte  të gufonin dukshëm gjinjtë që me sa dukej ishin krenaria e saj. Linda e pa këtë dhe ndoshta mendoi se  të dy  ishin të dalë mode...Këtë përshtypje  Edi edhe Lora e larguan  si pa gjë të keq me te folurën e humorin e tyre. Dukej që Linda e respektonte Edin e u shkonte pas fantazive dhe kapriociove prej aktori me të ardhme dhe të të riu modern.

Ja edhe tavolina jonë në qoshe me lotuesin e trishtuar. Pret të gjallërohet nga ne- tha Edi dhe thirri kamarierin.

 -Sot -tha zot i tavolinës jam unë. Cdo vit i kemi përgjysmuar paratë. Po kemi qënë dy qyqarë të mjerë. Sot jemi kavalierë. Dhe për këtë mbledhkë,  propozimi ishte imi. Kamarier dy shishe me verë !

 

Ku ,mbahej Edi?! Laura e shihte  buzëqeshur me përkedheli duke admiruar shpirtin e tij prej kalorësi.

Ai shihte Lindën me një buzëqeshje të ngrohtë si për t’i thënë. Kështu e ka Edi.Por do ta njohësh më mirë. Ka zemër të artë.

Tavolina u ngroh shpejt.Edhe vera bëri të sajën.Koha rridhte pa u ndjerë. Ora po shkonte afër mesnatës. Kamarieri mbylli llogarinë pasi solli dhe një verë të tretë megjithë këmbënguljen e Lorës për të mos pirë më. S’e mora për vete- tha Edi-, por për këtë zhuzhakun e vogël, që e dua shumë. Kaq, një pëllëmbë është por pi  sa një buall.

Ai nuk foli por tundi lehtas kokën në shënjë miratimi. Pastaj një pauzë...Të dukej sikur  dikush do të fillontë një këngë dashurie...Lora mbështeti kokën në supet e gjëra të Edit  dhe papritur e puthi fort..Dhe gati sinkron gjunjët e rrumbullakosur të bardha të Lindës u ngjitën pas këmbëve të tij.U drodh i tëri. Zbriti dorën e djathtë dhe e mbështeti në gjunjët e saj e pastaj  diku në pjesët më të buta. S’dihej ku do përfundonte zvarritja e dorës kur Edi si me komandë thirri : lëvizim! Eshtë mrekulli të zhytemi pak mes pemëve në këtë natë të magjishme të Ditës së Verës! Ai përfshiu pas beli Lorën dhe  u tret në errësirën magjiplotë. Linda i vuri krahun atij dhe me sy të përshkënditur, si të një ulkonje e drejtoi atë në kahun e kundërt. Ai i ishte nënshtruar krejtësisht urdhërit të Lindës që në fakt ishte dhe zëri i brëndshëm i vetvetes. U ngjeshën  të bërë një ,mbi trungun e gjerë të një peme.E puthi gjatë pa prere në buzë , në gjoks, në gushë.Këto çaste të paprovuara kurrë më parë  ai donte të vazhdonin gjatë, pa fund.Dhe me sa dukej të tilla u bënë se u dëgjua zëri i Edit që po i kërkonte.

Vazhduan në gjendje sonambuli ashtu me krahë tek njëri tjetri pa u ndrojtur nga prania e Edit dhe Lorës që nuk e fshehën  habinë,  përzierë me një nënqeshje gati të padukshme. U ndanë në fillimin e bulevardit. Edi dhe Lora morën autobuzin e linjës. Ai me Lindën më këmbë  ecën  rrugicave për në konviktin e vajzave. Ora ishte afër 2 e natës.Qyteti i Studentit bënte gjumin e shtatë. Përpara u doli roja e godinës së Lindës, me një fytyrë si të djegur dhe me nje hundë lëkurë rrjepur. Nga pamja ta shpifte por zemrën e kishte të mire.

-Solla kushërirën e parë. Festova ditëlindjen.-Tha ai.

-Mirë, mirë, po je shumë vonë, tha roja duke nxjerrë nga xhepi çelesat vënë në një zinxhir të gjatë.

Të nesërmen ata u ulën si gjithmonë pranë e pranë në auditor. Ai ndihej paksa fajtor ndaj Lindës. Por do kishin kohë të flisnin për këtë ose s’do të flisnin kurrë. Ai uli krahun e majtë nga tavolina  dhe papritur edhe ajo. Shtrënguan duart fort, deri në dhimbje. Pastaj ai mori një letër të bardhë dhe me një laps të kuq shkroi: Te dua shumë, shumë  si një shoqe të mirë. Dhe ajo shtoi: Të presin në konvikti i gjuhëve të huaja.

 



(Vota: 3 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora