E enjte, 02.02.2023, 06:25 PM (GMT)

Kulturë

Marius Chelaru: Dashuria dhe dhimbjet e shpirtit

E merkure, 17.02.2010, 09:34 PM


Dashuria dhe dhimbjet e shpirtit

(Kostaq Duka, Trëndafili që çelte në janar,

Botim i BKSHR, Bukuresht, 2010)

Nga Marius Chelaru

Një tjetër poet shqiptar, që kaherë jeton në një kontinent tjetër, është Kostaq Duka, një autor i  talentuar nga Shqipëria, tashmë banor i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa u implikuar në aventurat e ushtrimit të „përcaktimit” stilistik, apo të vendosjes së autorit në një „platformë” të caktuar të poezisë shqipe, mund të themi se një nga linjat zotëruese të poezisë së tij në këtë vëllim, është largimi nga atdheu dhe jeta e emigrantit: „Jemi larg dhe jemi afër/ Male s’shohim në Çikago/ E malet e Shqipërisë i kemi mbi shpinë/ Dhe këngët dhe burimet,/ Dhe dashuritë, dhimbjet e shpirtit,/ Zërat e fqinjëve dhe varret e të ikurve.” Por, paralisht me këtë, mund të flasim edhe për direkcione tjera, siç është „një revoltë e përgjunjur” në një epokë në të cilën „përparimin e ngulmojmë”, në të cilin, gjatë netëve, „Shpellave përtypim injorancën tonë”, duke i përkujtuar kështusoj kohërat në të cilat „Bëjmë sikur revoltohemi/ E prapë nuk dimë ç’kërkojmë.” Por edhe një revoltë e të shpërngulurve që e braktisin atdheun për një jetë më të mirë, dhe arrijnë të këndojnë për vdekjen e ëndrrave të veta („Ëndrra e vrarë/ E të braktisurve/ Të dëbuarve/ Të revoltuarve/ Apo emigrantëve të marrë.”)

Largimi nga shtëpia, ndërrimi i mënyrës së jetës së përjetuar përmes një vizioni tjetër mbi botën, por pa e harruar vatrën e atdhedashurisë, mund të vërehet në çdo hap të këtyre poemave. Ishte një kohë kur, thot autori, „Shikoja  në fund të ujërave/ Figura reale dhe ireale/ Ndërsa femrat shikimet i varnin/ Dhe seriozisht mërziteshin/ Gëzoheshin apo buzëqeshnin”. Kjo kishte të bëjë me atë kohë kur ishte në shtëpi, atje ku ishte një kohë „Kur gjithçka ishte e tepërt”. Tani këtu, „Tani kafen e rrufis nxituar me makinë / Ndërsa cigaren e shuaj/ Pasi e thith dy herë”. Apo, ja, në një valencë tjetër, largimin nga shtëpia, malli për të mbeturit, në poezinë „Ju më prisni”: E di, ju më prisni./ Dhe unë do të vij”, shkruan autori në një tekst që mund t’u dedikohet stërgjyshrëve të tij:  „Edhe veç me një sy,/ Edhe veç me zemër/ A ndoshta si një tingull,/ Si një ofshamë pa fund”. Do të kthehem, thekson ai, „Ngase kam urdhër hyjnor/ Urdhër malli e dashurie”.

Por si duket Amerika e parë përmes syrit të poetit? „Hapi qenka i vogël/ Këmba fuqi s’ka”. Kjo ngase „Jeta nuk pulson me ritëm atleti” dhe „Marathonomaku”, ngase „Hapësirë s’kanë në autostradat e mëdha”. Njeriu duket të jetë „Fuqiploti i tokës”, ai është ai që komandon „Lëvizjen gjigantike/ Mbi tokë, në ajër,/  Thellësive të oqeaneve”, por mbetet „atlet i zakonshëm i botës antike”. Ndërkaq, kur mbjell lule dhe i fut gishtërinjtë në dhe, sheh se si „dheu është po ai dhe”, dhe kështu...bota i duket „kaq e vogël”.  Nostalgjia dhe mendimet e shpijnë poetin në shtëpi: „Në oborrin e shtëpisë së vjetër/ Duke çarë me thonj/ Nëpër kaçurrelat e serta, gjithë gurë”. Dhe atëherë, gishtërinjtë i fut më thellë „Si për të mbritur prej këtu e tutje” (Mbjell lule në Amerikë). Duke analizuar ndjeshmërinë e poetit, kuptojmë se nuk është fjala mosadaptim, por për mallin ndaj shtëpisë dhe për një shpirt të brishtë, i mbushur me kujtime, ngase dheu i vendlindjes i tregon se është i njëjti, gjithandej në botë, madje edhe atje,  ku ketrat e Çikagos „Lozonjare,/ Tinëzare,/ Elegante në kërcim”, i duken se duan ti bëhen mike.

Kostaq Duka flet edhe për dashuri, për gëzimin për të jetuar („trëndafili i shpresës sime/ i gëzimit për jetë”), për jetën e ditëpërditshme në Amerikë (për një pianiste që u shua apo për dy nëntëdhjetëvjeçarë që, për çdo natë zbresin me ashensor në pishinë, duke përjetuar në vetmi „avujt e ngrohtë të ujit” të vetmuar, apo për rendjet pranverore të mëngjezit në park, kur dy pleq janë të dashuruarit e parë që i takon atje, për ëndrrën e dhe dashurinë ndaj të birit të tij që e sollën nga vatra e shtëpisë në SHBA, „për një jetë të re në dheun e ri”, për guximin (të cilin në poem e sheh si një „fryt i buzëqeshjes”) „për ta shndërruar ëndrrën në jetë”, pa të cilën, „në turmën shumëngjyrëshe” do t’i „trishtonte netët pa shpresë”. Apo për „kontrastin” ndërmjet  gjeneratave, për vetminë e atyre që e mbajnë jetën „mbi shpinë të përkulur/ përmbi eshtrat/ e mbështjella me damarët blu”. Për besimin ndaj Krishtit dhe kryqëzimit të Tij të përsëritur, ngase, „Po të mos kishim kaq kryqëzime/ Ai nuk do të mbetej frymëzim për ndryshim”. Apo për poezinë, për puthjet,  për përlindjen e dashurisë dhe rrezet e saj që depërtojnë në gjak...

Nganjëherë duket se autori kultivon me përgjegjësi, një poetikë të minimales, „banales” së përditshmërisë që e komponon „realen” në të cilën bën pjesë. Pleqëria është një temë e mirëprezantuar në këtë vëllim, në hipostaza të ndryshme, nga vetmia dhe mënyra për ta kuptuar jetën, dashurinë, kontrastin ndërmjet gjeneratave, e deri te ata që ua mundësojnë pleqve që ta kalojnë jetën më lehtë, duke arritur „orën e 100-vjeçarëve”, një poem me të njëjtin titull, ku atori ka zgjedhur heshtjen dhe „gulçimin” e fjalëve për ata që „S’dremisin në karrige/ Me sy mbyllur”, por  „Lëvizin në hapësira të reja/ Kur papritur/ Ndërpresin komunikimin me botën hyjnore”. Apo për „Shtëpinë e pleqve” të brengosur, në të cilën „E sotmja është vetëm dekor”. Janë pjesë e faqeve poetike të këtij autori, të dukshme përmes një mënyre të re në pasqyrën e vargut. Amerika sipas frymëzimeve të shkrimtarit shqiptar duket si një vend ku çdo gjë është e madhe, e buzëqeshur dhe e gjerë: rrugët, shpirti, shtëpitë, dhomat, pishinat dhe etja për jetë.

            Duke konkluzionuar, Kostaq Duka shkruan poezi, së paku siç duket nga ky vëllim, njësoj sikur të donte t’i rrëfente lexuesit për vetveten, për sentimentet e tij, për botën dhe për ata që e rrethojnë, për largësinë, për shtëpinë, apo për vendin e tij të ri. Kemi folur për mallin ndaj shtëpisë, por vlen të nënvizojmë se nuk duket të jetë poezia e një të tëhuajësuari, nuk kemi të bëjmë me braktisje dhe mënjanim, por përkundrazi, me një shqiptar të frymëzuar që e ripërkujton mënyrën në të cilën jeton, duke u raportuar në një paradigmë të dyfishtë, e rrënjosur thellë, atë të shtëpisë, e para, dhe të dytën, gjithmonë të dytën: në shtëpinë e tij të re. Toni duket më parë deskrtiptiv/konstativ, se sa i prekur nga trishtimi, edhepse nostalgjia është njëra nga nyancat që dominon jo vetëm në sfond.  Një univers që duket të jetë një papërkulshmëri e brendshme. Autori thuajse dëshiron ta mbajë disi në distancë përbujshmërinë e çastit të atyre që gjenden larg shtëpisë, të vrrullit të Kontinentit të Ri, të cilin shpeshherë e lë të përpëlitet në varg.
Kostaq Duka shkruan për ëndrrat e mërgimtarëve që gërshetohen me dashurinë dhe dhimbjet e shpirtit. Autori prezanton një vëllim me një mobilizim të lirizmit shpesh të menduar thuajse i mirëseardhur në një stil afërsisht monokrom, në të cilin metaforat janë një element i përfaqësuar në mënyrë tejet elegante. Ai nuk praktikon një retorikë dimensionesh të gjera, por duket se ka aftësi për t’u përkufizuar në botën e brendshme, ndërsa bota e jashtme duket nganjëherë, si një pjesë e së parës, përmes shtresimit, duke kaluar nëpër filtrin e ndjenjave dhe mendimeve të tij. Me një fjalë, fjala është për një libër të suksesshëm, të një poeti shqiptar, të njërit nga ata që jetojnë tejmatanë brigjeve të Shqipërisë, një album vlerash të zgjedhura poetike, i cili falë Baki Ymerit vjen me mjeshtri artistike, edhe në gjirin e lexuesve të gjuhës rumune.


(Vota: 9 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora