E premte, 26.04.2024, 08:10 PM (GMT+1)

Faleminderit

Fan Noli

E hene, 31.12.2007, 12:22 PM


Fan Noli
Fan Noli është artist dhe dijetar, përfaqësues i shquar i letërsisë demokratike, që u zhvillua në Shqipëri fill pas Rilindjes. Fan Noli dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës kombëtare. Lindi më 6 janar 1882 në Qytezë (turqisht: Ibrik Tepe), fshat shqiptar në Thrakë, jo shumë larg nga Ederneja. Si disa fshatra të tjera të asaj krahine të banuar nga shqiptarë, Qyteza kishte ruajtur me kohë gjuhën, doket dhe kostumet e të parëve. Noli e mbante fisin e vet me prejardhje nga Qyteza e Kolonjës. I ati, Stiliani, ndonëse trashgoi një pronë tokë, nuk u muar me bujqësi, po shërbeu si psallt në kishëzën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur. Fanoli hoqi sëmundje të rënda, ndaj shkollën e nisi me vonesë. Filloren dhe të mesmen i bëri greqisht. Por me shumë ndikoi tek ai krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip. Që në bankat e shkollës iu shfaqën karakteri i pavarur dhe fryma e revoltës. Për këtë shkak nuk iu dha diploma në kohën e duhur, gjë që e pengoi të emërohej mësues atë vit shkollor.
Më 1900 vajti në Greqi, me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belgjiane, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. S'i eci mbarë. Studime nuk beri. Atëherë u hodh në punë të tjera, si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatri shëtitës. Tek punote atje, iu ngjall dëshira të merej me dramaturgji. Më 1903 kaloi në Egjipt, ku zuri punë si mësues i greqishtes. Ndërkohë, njihet me lëvizjen kombëtare. I ndihmuar nga patriotë, nis veprimtarinë politike dhe letrare: shkruan artikujt publicistikë, përkthen greqisht "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është dhe ç'do të bëhet" të Sami Frashërit.

Më 1906, i nxitur dhe i përkrahur nga patroitët, Noli u nis për në SHBA, me qëllim që të ndihmonte në organizimin dhe në bashkimin e shqiptarëve të mërguar, që kërcënoheshin nga rreziku i përçarjes, për shkak të veprimeve të shovenistëve grekë. Bëri punë krahu si punëtor në një fabrikë sharre, si pjatalarës etj. Megjihtëse nuk kishte bindje të forta fetare, u dorëzua prift më 1908 dhe filloi luftën për shkëputjen e kishës ortodokse shqiptare nga kisha greke, duke bërë shërbesa shqip, duke shqipëruar libra fetare etj. Kjo gjë, për atë kohë, kishte rëndësi politike, sepse i priste udhën ndikimit të qarqeve shoveniste greke te shqiptarët me besim ortodoks. Ndërkohë, bashkëpunonte në gazeta, mbante ligjërata, organizonte shoqëri patriotike, të cilat, më 1912, u bashkuan në federaten pan-shqiptare "Vatra". Atë vit kreu studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit (Bachelor of Arts cum laude).

Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga I. Qemali. Erdhi në Shqipëri për të parën herë më 1913. Përseri shkoi në SHBA. "Vatra" e zgjodhi kryetar. Të kësaj kohe janë vjershat e tij të para dhe të parat shqipërime artistike. Më 1921 doli vepra e tij madhështore në prozë " Historia e Skënderbeut ". Në Shqipëri erdhi sërish në fillim të viteve 20. Gjeti një lëvizje mjaft të gjërë për sigurimin e pavarësisë kombëtare dhe të tërësisë tokësore. Si deputet në Këshillin Kombëtar, mbrojti platformën e Kongresit të Lushnjës dhe u bë udhëheqës i krahut demokratik kundër feudalëve, që kryesohej nga A. Zogu. Noli luajti një rol të dorës së parë në organizimin dhe në drejtimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit 1924, pas ngadhnjimit të të cilit u caktua kryetar i qeverisë. Por revolucioni nuk u çua gjer në fund. Noli me shokë treguan butësi dhe ngathësi. Revolucioni u thye nga bashkëveprimi i reaksionit të brendshëm dhe me forca te huaj. Më 24 dhjetor 1924, Noli mori udhën e mergimit politik dhe s'u kthye më në Shqipëri.

U vendos përkohësisht në Vjenë. Regjimi zogist e dënoi me vdekje në mungesë. Në periudhën 1925-1930, krahas veprimtarisë politike, zhvilloi një punë të dendur krijuese: shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, me hyrje kritike, botoi artikuj të mprehtë për mbrojtjen e Revolucionit Demokratik të Qershorit, për denoncimin e regjimit zogist dhe të reaksionit ndërkombëtar. Pas vitit 1930, Noli u largua nga Evropa dhe u vendos përfundimisht në SHBA. Aty ushtronte funksionin e peshkopit të kishës ortodokse shqiptare. Më 1947 botoi përpunimin që i bëri " Historisë së Skënderbeut", nxori në dritë një botim anglisht dhe më 1949 një variant të dytë shqip të saj: kurse më 1960 dha anglisht një " Autobiografi " të shkurtër mjaft tërheqëse. Vëllmin me vjersha "Album" u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjersha të fundit orgjinale dhe një tok shqipërime vjershash të poetëve të njohur. Më 20 nëntor vajti në Florida. Atje, në banesën e tij, në Fort Lauderdel, mbylli sytë përjetë, më 13 mars 1965, larg atdheut të shtrenjtë, që e deshi me zjarr të pashuar. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit.

Ketu do te keni mundesi te lexoni disa artikuj, fjalime, letra dhe vjersha te shkruara nga Fan Noli

----

Syrgjyn-vdekur
(Elegji per Luigj Gurakuqin)
Neno moj, mbaj zi per vllane,
me tre plumba na i rane,
na e vran´ e na e shane,
na i thane tradhetor.


Se te deshte dhe s´te deshnin,
se te qante kur te qeshnin,
se te veshte kur te zhveshnin,
Neno moj, te ra deshmor.


Neno moj, vajto, merr malin,
larot ta permbysen dajlin,
qe me Ismail Qemalin,
ngriti flamurin trimeror.


Neno moj, ma qaj ne Vlore,
ku te dha liri, kurore,
shpirt i bardhe si debore,
ti s´i dhe as varr per hor.


Neno moj, c´eshte perpjekur,
gojemjalte e zemerhekur,
syrgjyn-gjalle e syrgjyn-vdekur,
ky Vigan Liberator.

------

Hymni i Flamurit

O Flamurgjak, o Flamurshkabë,
o vend e vatr´, o nën e babë,
lagur me lot, djegur me flakë,
Flamur i kuq, Flamur i zi!

Fortesë shkëmbi, tmerr tirani,
s´të tremb romani, as venecjani,
as serb dushani, as turk sulltani,
Flamur i madh për Vegjëli…

Me Skendërben´ u lavdërove
dhe në furtun´ i fundmi u shove,
me Malon prapë lart vrapove,
yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj përdhe u shtrive,
me zjarr e zi u ndeze, u nxive,
po çdo mizor me shpat´e grive,
o fushëkuq, o shkabëzi!

Përpjetë prije Shqipërinë,
përlindja shpirtin dhe fuqinë,
diell për vllanë, yrnek për fqinë,
për botën ëndërr´e qiell i ri!


Mendime të kripura

Artikullshkruesit "Erë-mirë" ju shtua edhe një tjetër: Almiros (I kripur) i mirëpritur edhe ky te gazeta "Pirros" e cila, siç duket ka një koleksion të pambarueshëm prej kësish me ndryshimin se na i nxjerr nga furra një nga një, duket për të na bërë surprizë. Por ne nuk kishin nga "Pirros" pretendime më të shumta. Gjersa lexuesit e tij janë çunakë dhe s´duhet t´ua prish qejfin, është shumë e natyrshme që edhe artikull-shkruesit e tij të kenë një zhvillim intelektual të barabartë dhe aspirata të barabarta dhe dijeni të barabarta, të cilat po të përmblidhen të gjitha, do të paraqitnin një djepe vllahe, se nuk dyshojmë që edhe i nderuari "Almiros" do të jetë ndonjë opingar vllah gjersa kishte naivitetin t´i zgjidhte të gjitha çështjet brenda rrethit të ngushtë të mendimeve të tij fisnike, qarku i të cilit mund të


E pohon edhe vetë se s´ka haber prej shqipes dhe as të asaj me formë latine të shpikur nga Shahin Kolonja. Do të ishte shumë e natyrshme që t´i bënte dikush vërejtjen pas një pohimi të tillë se, gjersa nuk di asgjë, s´duhet të merret me të tilla gjëra. Por e kemi thënë edhe tjetër herë se logjika ishte një bimë, së cilës më kot do t´ja kërkonte dikush gjurmët në kopshtet e gazetarisë greke. Për grekët s´ka çështje që t´i shpëtojë qarkut të specialitetit të tyre. Privilegj i veçantë ky, siç e shihni, i stërnipëve të Demostenit.
Po le të mësojë z. Almiros se gjuha shqipe është një dhe nëse është në formë latine, kjo ndodh se shqipja, duke qenë shumë e pasur nga pikëpamja fonologjike, ishte e pamundshme të shkruhej me vizatohej me grepin e kërrabës së tij. 24 gërmat e alfabetit gerk. Përveç kësaj shtoj se vetëm çunakë të përciptë do të mund të shtronin për bisedim çështjen e formës latine, greke ose sllave në gjuhën shqipe, se ajo që ka rëndësi është substanca dhe substanca nuk do t´u pëlqente grekëve asnjëherë ne çdo formë.


Cilët janë miqtë tanë dhe cilët janë armiqtë? Tani do të flas edhe unë vllahçe. Gjersa na shani dhe ju shajmë, jeni armiqtë tanë. Ç´logjikë vllahe është kjo e juaja të insistoni për të na bindur patjetër se jeni miqtë tanë, gjersa punët flasin vetë? Foti mund të jetë i shenjtë për juve, për ne jo; mbaroi. Diçka është në mes që na ndan, o vllah! Po përveç këtyre në fund të fundit, as prej soji, as prej oxhaku jemi, prandaj shajmë. Por ju si do të justifikoheni për të lehurat tuaja?


Gënjeshtra dhe e vërteta, janë shumë gjëra të stërholla dhe intelekti juaj, që qëndron dhe përfaqësohet nga grepi i kërrabës suaj nuk i arrin. Për të provuar se Mitropoliti i Korçës nuk e lufton gjuhën shqipe, përmendni Homerin dhe së këndejmi na degdisni në librat e rëndësishme të evropianëve (!!!) se ju direkt nuk e bëni kabull përgjigjen (!!) (...)
Por megjithkëtë, nga ato të pakta (dhe janë të mjafta për të provuar budallallëkun tuaj) që bëni për kabull të përgjigjeni, tregohet shumë qartë se s´keni haber nga historia.


Dialektet jonik, atik, dorik, etolik etj. ishin dialekte helenike, por jo dhe dialekti maqedon, epirot, ilir dhe thrak.


Stërgjyshët tuaj fisnikë, siç e shihni, e bënin këtë dallim dhe i quanin barbarë ata që përfshiheshin në katër kombësitë e fundit të sipërpërmendura, stërnipër të të cilëve jemi ne. Shih Herodotin, Tuqididin, Demostenin (që e quante barbar Filipin dhe Demostenin vetë quhej nga kundërshtari i tij Eskili "barbar me gjuhë greke" se ishte nga Traka) dhe Strabon´n.


Apo morët mësimet të asimilimit politik nga evropianët savant (dijetar) dhe filluam t´ju pëlqejmë ne barbarët? (...)


Dhe tani, i nderuar "Pirros" nuk na pëlqen të trazoheni me krunde, po ma shitni mua këtë "Almiron" me kaq ndjenja të thella, shqiptar, se bëj koleksion dhe i kam pergatitur një vend në shtallën e kujdestrarit në Shibin (vend në Egjipt).


U botua në "Drita" më 1 maj 1906...Noli polemizon këtu një artikull të botuar në gazetën shoviniste greke "Pirros" nga një farë Almiros (gr., i kripur) i cili mbronte tezën absurde se ortodoksët shqiptarë, vllehë etj. ishin grekë.


Përgjigja jonë për disa kritika dhe këshilla


Kemi marrë nja tri letra nga tre këndonjës të ndryshëm, të cilët midis të tjerave, na japin këshilla e na bëjnë kritika mbi shkrimet dhe artikujt që janë botuar në ¨Republika¨. Kritika dhe këshillat janë këto:


1) Të mos shajmë po të japim vetëm këshilla të mira;


2) Të mos përdorim fjalë të ashpra por vetëm fjalë të buta;


3) Të mos përdorim fjalë turqishte, po vetëm fjalë shqipe;


4) Të mos përdorim fjalët turk dhe kaur;


5) Të mos përdorim fjalët kucovllah e çoban;


6) Të mos goditim asnjë përson.

 

Do t´u përgjigjemi botërisht, se kështu kursejmë kohë nga njëra anë dhe nga tjetra këndonjësit tanë dinë se janë bërë edhe kritika e jo vetëm lëvdata. Po këto kritika janë nga ato që s´peshojnë shume në kandar e që s´mundim t´i pranojmë si serioze. Do t´i marrim një e nga një, po jo me radhë.


Do t´u përgjigjemi botërisht, se kështu kursejmë kohë nga njëra anë dhe nga tjetra këndonjësit tanë dinë se janë bërë edhe kritika e jo vetëm lëvdata. Po këto kritika janë nga ato që s´peshojnë shume në kandar e që s´mundim t´i pranojmë si serioze. Do t´i marrim një e nga një, po jo me radhë.

Fjalët e huaja

Mospërdorja e fjalëve të huaja ka një emër, quhet purizmë dhe praktikonjësit e saj quhen puristë. Këta përpiqen si e si të përdorin fjalë të gjuhës së tyre dhe të eliminojnë çdo fjalë të huaj. Puristët janë përgjithësisht njerëz fanatik gjuhësorë që s´dinë etimologjinë, shkencën qe kërkon rrënjët e fjalëve. Sikur të dinin etimologji, do të mësonin se s´ka gjuhë në botë e cila të mos ketë fjalë të huaja dhe se nuk është e mundur ta qërosh një gjuhë nga fjalët e huaja pa e sakatosur. Puristi që e qëron gjuhën e tij nga fjalët e huaja, bën të kundërtën e saj që dëshiron. E prish gjuhën dhe nuk e ndreq. (…) Më e mira është pra t´i mbajmë siç e kemi dhe të mos i ndërrojmë, duke vënë në vend të tyre neologjizma të shëmtuara, të cilat shpesh nuk janë as shqipe (…)

Fjalë të buta

Pasi t´i qërojmë nga fjalori ynë të gjitha fjalët e huaja u dashka të bëjmë edhe një qërim tjetër; u dashka të nxjerrim me mashë çdo fjalë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, të thartë, të shëmtuar dhe të lëmë brenda vetëm fjalë të buta, të ëmbëla dhe të bukura. Po c´te bëjmë ahere kur është nevojë e domosdoshme të përshkruajmë një gjë të fortë, të ashpër, të rreptë, të hidhur, te thartë, të shëmtuar? Apo mos duhet ta përshkruajmë me fjalë të buta, të ëmbla, të bukura? Tamam, ja këtë na kërkon një këndonjës dhe kjo ka një emër, quhet eufemizëm dhe njerëzit që e praktikojnë quhen eufemistë. Pas kësaj metode në vend të fjalës së ashpër TRADHTAR duhet përdorur fjala e butë PATRIOT. Ahere nga eufemizma, katili bëhet jetëdhënës, vjedhësi dhuronjës, maskarai i ndershëm, budallai i mençur, i poshtri i lartë, i ligu i mirë, i shtrembëri i drejtë, prishësi ndreqës, e keshtu tutje. Jo, jo more vëllezër, s´kemi nge të bëjmë shaka e të tallemi me këndonjësit tanë. Çdo gjë ka emrin që i përket. Do t´i japim atë emër e jo tjetër. S´kemi hapur sheqerxhianë(ëmbëltore) për të shitur ëmbëlsira, po kemi nisur një gazetë ku duhet të japim pikturën e gjendjes së Shqipërisë, ashtu siç është, ashtu si e shohim, si mos më keq, nuk ua bëjmë dot këtë favor, se s´kemi nge për zbukurime. E vetmja nge për ne është vërtetësia. A janë të vërteta ato që themi? Këtu është e tërë puna. Posa janë të vërteta kanë bukurinë e tyre. Vetëm kjo bukuri na intereson (…).

Turk e kaur

Fjalët turk e kaur, me kuptim muhamedan e i krishterë kanë hyrë në shqipen aq thellë sa nuk shkulen lehtë. Shahin Kolonja, ish i mendjes që duhen mbajtur e përdorur, se populli nuk heq dorë prej syresh se kohë është ashtu siç është. Nuk jemi në një mendje me Shahin Kolonjën. Këto fjalë duhen shkulur e duhen eliminuar, po nuk mund të shkulen e të eliminohen me mënyrën që na thotë këndonjësi: duke mos përdorur këto fjalë. Këto fjalë do të zhduken kur të mos jenë të nevojshme, kur të mos ketë njerëz në Shqipëri që ta quajnë veten turk e kaur, kur shqiptarët nga raca të bëhen shqiptarë edhe nga ndjenjat, kur muhamedanët e të krishterët tanë të mos ndahen sipas fesë në dy grupe, po të bashkohen në një grup sipas kombësisë. Për këtë gjë po përpiqemi, këtë e kemi në program. Nuk është aspak faji ynë që i përdorim fjalët turk e kaur për ata muhamedanë e të krishterë që i pëlqejnë këto emra për vete të tyre. Plaga nuk shërohe duke e fshehur e duke mos e përmendur. Përkundrazi, duhet ta dimë që e kemi këtë plagë dhe që duhet ta shërojmë.

Kundër goditjeve personale

Është fare e drejtë që një gazetë duhet të luftojë më tepër parimet se sa personat e kundërshtarëve. Shumë e vërtetë, po kjo nuk domethënë se personat e kundërshtarëve janë të shenjtë e nuk duhen ngarë. Aspak. Duhen goditur edhe personat, se këta përfaqësojnë parimet, se shpesh është e pamundur të ndash personin nga parimi. Që ta themi më shkoqur, duhet të luftojmë më tepër parimin e feudalizimit se sa personat e feudalëve si Ahmeti e Vërlaci, po kjo nuk domethënë se s´duhet të goditim asfare personat e Ahmetit e të Vërlacit. Përkundër, këta duhet t´i goditim pa mëshirë se këta përfaqësojnë feudalizmin, se është e pamundur ta ndajmë parimin e feudalizmit nga personat e feudalëve. Në qoftë se luftojmë vetëm parimin e feudalizmit dhe nuk i ngasim personat e feudalëve as me trëndafil, ahere luftojmë në erë, se nga një luftë e atillë nuk u behet asnjë dëm as feudalëve, as feudalizmit. Për të rrëzuar kalanë e feudalizmit duhen rrëzuar kolonat e saj kryesore dhe këta janë feudalët, bejlerët me Ahmetin e Vërlacin në krye. Dhe përgjithërisht, për të mundur kundershtarin nuk arrin të goditësh vetëm parimet e tyre, i bie legenit më kot. Mund të jetë e papëlqyer, se hyn në sherr me njërin e me tjetrin, po s´ka si behët ndryshe. Dhe këtu s´kemi ardhur për të luftuar kundër erës me një mënyrë akademike, po kundër kaktorëve të gjallë të katasrofë kombëtare.

Jo sharje po këshilla.

Një nga këndonjësit na shkruan se nuk sheh asnjë ndryshim midis "Diellit" e "Republikës", se që të dyja gazetat, thotë, shajnë, si njëra edhe tjetra. Pastaj shton, se ai priste nga "Republika" jo shraje po këshilla të urta. Nuk do të qëndrojmë aspak për të thënë se fjala sharje nuk e ka vendin për shkrimet e "Republikës", se e dimë që shqiptarët i japin kësaj fjale një kuptim të gjerë që përmbledh brenda çdo bisedim a shkrim që kapërcen kufirin e muhabetit të ëmbël. Për hatrin e argumentit pra, e pranojmë që "Republika" paska bërë sharje. Po a është e mjaftë kjo sa të vërë "Republikën" në një radhë me "Diellin"? Në qoftë se po, ahereprogrami ynë s´paska asnjë rëndësi, se rëndësinë të tërë e paska ajo sharja më e vogël që paskemi bërë kundra ndonjë beu. Kështu? Ahere mundohemi më kot që nxjerrim një gazetë me një program, se programi s´u dashka fare, se këndonjësi nuk na përqas me kundërshtarët sipas programeve që mbrojmë, po sipas sharjeve që bëjmë. Jo, i dashur këndonjës, gjëja që ka rëndësi kryesore është programi ynë. Të tjerat janë hollësira pa rëndësi. Këtë program do ta mbrojmë me çfarëdo mjet, ashtu si dimë, ashtu si mundim, kur me fjalë të ëmbëla, kur me të ashpra, kur me këshilla, kur me kritika, si ta dojë puna, vendi e personi. Ujku duhet goditur dhe goditur me tërë forcën sa më fort aq më mirë. Kështu e dimë dhe kështu është. Do të gëzoheshim sikur të ishte ndryshe, sikur të gënjehej ujku me sheqerka dhe të mbarohej i tërë sherri me të mirë e me të butë. Po, ajme! Nuk është ashtu, jo, tri herë jo. Pyesni historinë t´ju thotë. Apo kemi fajin ne. Fajin e ka ajo. Dhe ajo s´lajthitet e s´gënjen.

Botuar në "Republika" më 4 dhjetor 1930.

Është një nga artikujt më të bukur polemikë të Nolit. Duke u dhënë përgjigje disa vërejtjeve kritike që i ishin bërë gazetës së tij. Noli në fakt nxjerr konkluzione të rëndësishme mbi karakterin parimor që duhet të ketë gazetaria dhe veprimtaria politike përgjithësisht. Ai kërkon që publicistika militante të frymëzohet nga një program thellësisht patriotik e demokratik dhe t´i qëndrojë në mënyrë konsekuente besnike parimeve të programit, pa bërë asnjë lëshim parimor; të thotë përherë të vërtetën hapur, pa drojtje, pa zbukurime.

Kabinet i Pykave

Qetësia, me të cilën më dëgjuat dje, më bëri një përshtypje të thellë. Veçanërisht, duke marrë ndër sy që midis dëgjonjësve, ndodheshin shumë kundërshtarë të metimeve tona politike. E ndjej pra, veten të detyruar të falënderoj të gjithë e të këshilloj miqtë tanë të dëgjojnë me atë qetësi kritikat e kundershtarëve, se, tërë mjeshtëria e politikës është të dëgjosh mejtimet e të gjithë palëve me durim e gjakëftohtësi, të përqasësh e t´i peshosh, dhe pastaj të votosh pas gjykimit e ndërgjegjes. U gëzova shumë që populli i Korçës dhe i rretheve e paskan këtë virtyt civil, dhe tani e ndjej veten time më kryelartë që jam qytetar i nderit i qytetit tuaj të urtë patriotik. Dha jam i lumtur që vinj sot përsëri përpara jush, që t´ju shpjegoj arsyet për të cilat kundërshtojmë qeverinë e sotme.


E kundërshtojmë se disorganizon shtetin, se shkel liritë, se s´kujdeset as për bukën , as për shëndetin, as për arësimin e popullit. Këto arësye i kemi shpjeguar dhe në parlament, po taje zëri ynë u mbyt prej gishtrinjve të deputetëve proqeveritarë. Dalim, pra, tani, përpara gjykatores së lartë të popullit që të na gjykojë e ta verë në vend cilindo me topuzen e votës.

Makiaveli i ndau qeveritarët në tri kategorira: Qeveritarët që kanë ment vetë e dinë ta rregullojnë shtetin me squatësinë e tyre, këta janë më të mirët: qeveritarët që s´kanë ment vetë, po përfitojnë nga sqotësia e këshilltarëve të tyre, dhe këta janë të mesmit: qeveritarët, të cilët s´janë të zotët as vetë, as dinë të përfitojnë nga këshillat e miqve të tyre, dhe këta janë ata më të humburit. Për fat të keq, qeveritarët tanë hyjnë në kategorinë e tretë.

Kabineti ynë i sotëm është në kuptimin e plotë të fjalës Kabineti i Pykave. Se ca janë pyka nga dituria e ca janë pyka nga vlera civile. Dhe është në natyrë të pykave të jenë të rrethuar me pyka e me dallkaukë.

Ideali i tyre nuk është të organizojnë shtetin, se as ata vetë s´dinë të organizojnë, as organizatorët nuk do t´i lenë të lirë. Ideali i tyre është të mbajnë kulltukët me çfarëdo çmimi. Mjetet e tyre për të arrirë këtë ideal janë druri dhe rushfeti.

Me drurin e me forcën brutale po përpiqen të skllavërojnë racën tonë e të përjetësojnë qeverimin tiranik të tyre. Shtypjen e Shqipërisë së Mesme përpiqen tani ta zbatojnë e në prefekturat e tjera, që kështu të mos mbetet asnjë krahinë e gjallë dhe e lirë që të përpiqen t´i kundërshtojnë.

Me rushfetin në formë të ndrydhme, me misione të papemëta(pafrutshme), duke me emërime nëpunës të pazotit, me krijimin e nëpunësirash të ra dhe duke çkallmuar arkën e shtetit, po përpiqen të fitojnë miq e partizanë më të djathtë e më të mëngjër. Nga kjo rrejth defiçiti i buxhetit, i cili është prej 5 meleunash, ndonëse këto 5 meleuno në kartë, nuk duken - shtimi i taksave dhe mospagesa e nëpunësve.

Nga padia prishën në vend që të mdërtojnë, çkulën një udhë moderne të ndërtuar në Berat prej austriakëve dhe e rindërtuan aq bukur sa u çkallmua posa ra shiu i parë. Për të zbukuruar Tiranën rrëzuan përmbi 150 shtëpi e dyqane, pa i çpërblyer popullit para, të cilët mbetën udhëve, dhe Tirana, sot është më e shëmtuar se më parë.

Bashkëme barangat e Vlorës që u shitën për dhjamë qeni, jo për banesa, po që të çkulen e të shiten si material, u shitën e disa ndërtesa prej guri të cilat kanë kushtuar qindra mijëra franga. Një ndërtesë e gurtë me një shije të bukur pranë Ujit të ftohtë që ka kushtuar të paktën 300 000 lireta u shit prej qeverisë sonë vetëm 150 000 lireta e tani nuk ekziston më.

Një debojë(depo armësh) afër Drashovicës, që përmbante vegla të ndryshme për të ndërtuar udhët që bënte meleunë lireta kishte mbetur e pacënuar gjersa arriu në vesh të qeverisë sonë lajmi i ndodhjes së saj. Po me të dëgjuar qeveria jonë emërtoi një kujdestar, që ta ruante: tërë ky thesar u çduk si me magji në këtë thes, dhe qeveria jonë dërgonte misione jashtë të blinte vegla që të ndërtonte udhët.

Nga padia s´u japin asjnë rëndësi dëgëve të bujqësisë, shëndetësisë e arësimit, degë të cilat janë për Shqipërinë çështje jete dhe vdekje.

Cili është programi ynë

Duam një qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit e më të ndërshmit. Më të emëruar nëpunësit, duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderi. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet tëmirë, vetëm e vetëm se hyri pak a shumë vonë në sheshin e Shqipërisë së lirë. Duam ta lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam t´i japim popullit liri e jo tirani. Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me tru, po me kanun e me drejtësi. Duam t´i rregullojmë financat e shtetit me kursim e jo ta shkatërrojmë shtetin me rushfete e me taksa. Duam të ndërtojmë e jo të prishim. Organizatorët e huaj nuk i duam vetëm për bukuri e për të gënjyer popullin, po për të punuar e për të organizuar me të vërtetë. Duam t´u japim rëndësi kryesore degëve të bujqësisë, të shëndetësisë dhe të arësimit.

Bujqësia

Shqipëria ka pasurinë që duket, e cila është përmbi tokë dhe pasurinë që s´duket, nën tokë. Uroj me gjithë zemër që pasuria nën tokë të jetë më e madhe se sa e kujtojmë, po është marrëzi të kryqësojmë duartë e të presim të gjitha të mirat nga kjo pasuri problematike e të lemë të pazhvilluar pasurinë parimtare, e cila sikundër na sigurojnë të gjithë ekspertët e huaj, është e mjaftë për të ushqyer dhjetë herë më tepër ndenjës(banor) se sa ka Shqipëria sot. Për të zhvilluar pasurinë e tokës, Shqipëria duhet ndarë në gjashtë a shtatë zona bujqësore, me një ekspert agronom shetitës në krye të cilitdo, i cili t´i mësojë katundarët tanë si të mbjellin, si të plehërojmë, si të lërojnë, ç´të mbjellin, si të mbjellin, si të rriten e si të korrin. Me pak harxhe nga anë e shtetit, ndofta më pak se ato që harxhon sot degë e bujqësisë, vendi ynë mund të nxjerrë më shumë drithë, pemë e begëti se sa i duhen për konsumin e brendshëm e të eksportojë tepricën, kur sot pothuaj të gjithë prefekturat importojnë së jashtëmi një pjesë të madhë të ushqimit të tyre.

Shëndetësia

Raca shqiptare po degjenerohet e po shuhet nga malaria, nga sifilia dhe oftika, nga mosmbrojtja e nënave dhe vdekësia e tmerruar e foshnjave. Me pak harxhe mund të merren masa efektive për të lëftuar tretjen e ngadalshme të racës sonë. Duam që Shqipëria të ndahet në 6-7 zona shëndetësore me mjekë ekspertë për sëmundjet e sipërme. Cilado prej këtyre zonave shëndetësore duhet të ketë dy a tri mamira eksperte shëtitëse, të cilat të kujdesen për nënat me barrë e për shëndetin e foshnjave.

Arsimi

Që ta vëmë arësimin në udhë duhet ta mbushim kokën njëherë e mirë që për shkollat e memse duhet të importojmë mësonj¨s të huaj, me anën e të cilëve të krijojmë mësonjës modernë për të nesërmen. Për këtë qëllim është absolutisht e nevojshme të fillohet një gjimnaz qendror i plotë, me një degë normale, një degë klasike, një degë teknike, një degë tregëtare, me mësonjës të huaj. Shtatë a tetë gjysmë gjimnaze pregatitëse duhen themeluar prapë me mësonjës të huaj nëpër qytete më me rëndësi për të ushqyer gjimnazin qendror. Veçanërisht duhet të importojmë mësonjës ekspertë të gjimnastikës e të muzikës, për të forcuar trupin, për të zbutur shpirtin e racës së re.

Nëpër katundet duhet adaptuar sistemi i mësonjësve shëtitës. Pastaj shkollat tona duhen frymëzuar me një mënyrë të atillë që të rriten njerëz për punë e qytetarë me karakter.

Problemet e sipërme e veçanërisht atë të arësimit s´mund ta zgjidhë një kabinet prej të paditurish dhe mediokrësh si i sotmi. Shërimi, pra, është në ndërrimin e kësaj guverne. Këtë e ka populli në dorë në zgjedhjet e afërme. Po që të mundin zgjedhjet të japin përfundimin e dëshëruar duhet siguruar vota direkte dhe e fshehtë drejt për drejt prej tërë popullit. Kam besimin të plotë që populli ynë është mjaft i zgjuar sa të dijë si ta përdorë votën e tij; jam i sigurtë që populli ynë është mjaft trim sa të votojë ashtu si i thotë ndërgjegja. Populli ynë vojti mjaft prej kësaj guverne sa të mos gënjehet t´ia japë votën përsëri. Se janë dhe do të mbeten të vërteta fjalët e presidentit martir të Shteteve të Bashkuara i cili ka thënë " Mund të gënjesh një pjesë të popullit për ca kohë, mund të gënjesh tërë popullin për ca kohë, po kurrë s´mund ta gënjesh tërë popullin për tërë kohën".

SHËNIME BIOGRAFIKE

6 janar 1882
Lindi në fshatin shqiptar të Ibrik-Tepesë (Qytezë) në Turqinë evropiane.

Viti i hyrjes në gjimnazin grek të Edernesë. Në vjeshtën e vitit 1900 mbaron gjimnazin.

1900
Largohet për fare nga vëndlindja. Në Athinë nuk arrin të vazhdojë studimet e larta dhe për të jetuar detyrohet të punojë si karrocier trolejbuzi, kopist, sufler dhe aktor.

Mars 1903
Fillon si mësues në shkollën fillore greke të Shibin-el-Komit (Egjipt) ku njihet me Spiro Dinen, i cili e ve në kontakt me Lëvizjen Kombëtare Shqiptare për çlirim nga zgjedha osmane.

Korrik-gusht 1904
Boton skicat e para letrare në revistën demokratike greke "Numas" me emrin Theofan Mavromati.

Shtator 1905
Bashkëpunon me gazetën "Drita" të Shahin Kolonjës, ku boton artikuj me të cilët u përgjigjet sulmeve të shtypit shovenist grek.

Prill 1906
Me propozimin e Thanas Tashkos e Jani Vruhos shkon të organizojë ngritjen e shoqërive atdhetare në SHBA.

31 maj
Shkon në Bufalo, qendër e shoqërisë "Mall´ i mëmëdheut". Për ca kohë punon në një sharrë.

Korrik
Fillon punë si redaktor i gazetës "Kombi" ku punon deri në maj të vitit 1907. Në "Kombi", gazetë e parë shqiptare në SHBA, boton artikuj ku ngre probleme të rëndësishme të lëvizjes kombëtare dhe para së gjithash çështjen e bashkimit të të gjitha forcave atdhetare përballë rreziqeve që i kanoseshin kombit.

1907
Boton dramën në tri akte "Israilitë dhe filistinë"

6 janar
Themelon në Boston shoqerinë atdhetare "Besa-Besën".

9 shkurt 1908
Merr përsipër misionin për themelimin e Kishës Shqiptare ortodokse në SHBA.

22 mars
Themelon Kishën ortodokse Shqiptare.

Dhjetor
Nis botimin e librave me karakter fetar, si "Shërbesat e javës së madhe" (Boston, 1908), "Libra e shërbesave të shenjta" (Bruksel,1909) , "Libra e të kremteve të mëdha" (Bruksel, 1911)

15 shkurt 1909
Boton numrin e parë të gazetës "Dielli" që e nxirrte shoqëria "Besa-Besën"

10 gusht
Viziton në disa vende të Evropës kolonitë shqiptare të Kishinievit e të Odesës, të Bukureshtit e të Brailës, si dhe të Sofjes dhe mban meshë në gjuhën shqipe.

31 mars 1912
Me punën e pandërprerë të Nolit themelohet në Boston Federata Panshqiptare "Vatra" që luajti një rol të shquar për mbrojtjen e interesave e të pavarësisë së Shqipërisë.

Qershor
Mbaron Universitetin e Harvardit.

Nëntor
Duke parë rrezikun që i kërcënohej Shqipërisë nga vazhdimi i Luftës Ballkanike, "Vatra" e nis me mision Nolin në Evropë.

Pranvëre 1913
Zhvillon një veprimtari të dëndur politike në Londër për një Shqipëri të pavarur brenda kufijve të saj etnike. I dërgon memorandume Ministrisë së Punëve të Jashtme të Anglisë për këtë çështje e boton disa artikuj në shtypin londinez.

2 mars
Noli shfrytëzon tribunën e Kongresit të Triestes ­ kundër copëtimit të Shqipërisë nga ana e Fuqive të Mëdha të mbledhura në aeropagun e Londrës.

Korrik
Viziton për herë të parë Shqipërinë, ku pritet nxehtësisht në Vlorë dhe Durrës. Në atdhe has në kundërshtime për themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Maj 1915
Pasi qëndron më se dy vjet në Evropë, kthehet në SHBA. Gjatë kësaj kohe Fan Noli zhvilloi një veprimtari të dendur politike e propagandistike, si dhe për themelimin e Kishës Autoqefale Shqiptare në Shqipëri.

Korrik
Zgjidhet kryetar u Federatës Pan-shqiptare "Vatra".

8 shkurt 1916
Boton në "Dielli" artikullin "Shqiptari i shkelmuar" ku akuzon Fuqitë e Mëdha për copëtimin e Shqipërisë në Konferencën e Londrës.

Korrik
Në emër të Kuvendit të "Vatrës" proteston pranë Fuqive të Mëdha kundër synimit për të vendosur protektoratin italian mbi Shqipërinë.

15 mars 1918
Fan Noli në emër të "Vatrës" u drejton një deklaratë disa personaliteteve politike dhe shtetërore amerikane duke përfshirë edhe presidentin Vilson, kundër ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha në problemin shqiptar.

Shtator
Me iniciativën e Nolit e nën drejtimin e tij, botohet numri i parë i "Revistës Adriatiku" (The Adriatic Review) në mbrojtje të interesave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

26 korrik 1919
Zhvillohet ceremonia për zgjedhjen e Fan S. Nolit peshkop.

10 Shtator
Botohet në "Dielli" intervista e Fan Nolit dhënë gazetës amerikane "Dejli Telegraf", në të cilën denonconte Traktatin e fshehtë të Londrës për copëtimin e Shqipërisë.

Nëntor 1920
Rrethet demokratike përshëndesin lajmet mbi ardhjen e Nolit në Shqipëri. Qeveria shqiptare e emëron kryetar të delegacionit të saj në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Dhjetor
Më 17 dhjetor Shqipëria pranohet anëtare e Lidhjes së Kombeve. Noli e ka cilësuar këtë akt si suksesin më të madh të arritur perj tij në karrierën diplomatike.

1921
Nën kujdesin e shoqërisë "Arsimi" botohet në Boston "Historia e Skënderbeut (Gjergj Kastrioti) mbretit të Shqipërisë, 1412-1468" prej peshkopit Theofan (Fan S. Noli).

Prill
Noli zgjidhet kryetar i Partisë Popullore, e para "parti" politike parlamentare në Shqipëri.

Gusht 1922
Me përpjekjet e vazhdueshme të Fan Nolit themelohet në Berat Kisha Ortodokse Autoqefale Shqiptare që mënjanonte Patriarkanën të ndërhynte në çështjet kishtare.

Nëntor 1923
Në kishën e Shën Gjergjit në Korcë bëhet dorëzimi dhe fronësimi i Fan Nolit si peshkop I durrësit, Gorës dhe Shpatit.

Dhjetor
Në zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese, Noli zgjidhet deputet i Korcës, e cila e kishte bërë edhe qytetar të saj. Opozita demokratike mundi të siguronte vetëm 1/3 e vendeve në Asamble.

1 Maj 1924
Noli merr pjesë në varrimin e Avni Rustemit në Vlorë, që u kthye në një manifestim të madh politik e mban një fjalim të zjarrtë përpara trupit të tij. Fjalimi e përshkojnë notat e revolucionit të afërm.

Maj
Në gjendjen revolucionare të krijuar, në Vlorë formohet Komisioni Politik Administrativ, i kryesuar nga Fan Noli, për drejtimin e lëvizjes kryengritëse që kishin shpërthyer forcat e Bajram Currit, të shoqërisë "Bashkimi" e të garnizoneve ushtarake të Shkodrës, Përmetit, etj.

10 qershor
Triumfon Revolucioni Demokratiko-borgjez. Noli ngarkohet të formojë qeverinë e re.

17 qershor
Fan Noli, në emër të qeverisë së re, shpall programin prej 20 pikash, që përbën një shprehje të aspiratave të shtresave të gjera të popullsisë.

10 shtator
Flet në seancën e 14-të plenare të Asmablesë së Lidhjes së Kombeve. Fjalimi u cilësua nga shtypi i huaj si "bomba e peshkopit shqiptar" dhe "një nga fjalimet që bënë më tepër bujë". Ai demaskoi veprimtarinë e Lidhjes së Kombeve se gjoja mbronte paqen apo synonte të zgjidhte çështjen e çarmatimit.

Dhjetor
Me anën e një proklamate, kryeministri Fan Noli, i drejtohet me një thirrje popullit shqiptar që të rrëmbejë armët për të mbrojtur fitoret e revolucionit nga ndërhyrja e bandave të armatosura të Ahmet Zogut, të ndihmuar materialisht e me trupa vrangeliste nga qeveria jugosllave.

24 dhejtor
Me gjithë rezistencën spontane të ushtrisë kombëtare e të forcave vullnetare, forcat e Ahmet Zogut hyjnë në Tiranë. Fan Noli e udhëheqës të tjerë u detyruan të largohen nga atdheu.

25 mars 1925
Forcat demokratike ­ revolucionare në emigracion themelojnë Komitetin Nacional Revolucionar (KONARE) e zgjedhin në krye të tij Fan Nolin.

1926
Boton në Bruksel në përkthim shqip veprat madhore të Shekspirit "Hamlet", "Makbethi", "Jul Qezari" dhe të H. Ibsenit "Armiku i popoullit" dhe "Zonja Ingra e Ostrotit", të pajisura secila me një analizë kritike.

28 nëntor
Në "Lirija Kombëtare" boton tri nga poezitë politike më të njohura të tij:

"Hymni i Flamurit"
"Syrgjyn vdekur" (Elegji për L.Gurakuqin)
"Shpell´ e Dragobisë"(Elegji për B.Currin)

8 dhjetor
Denoncon paktin italo-shqiptare, të ashtuquajturin Pakti i parë i Tiranës dhe e quan atë si preludin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.

1927
Boton në Vjenë (1926) versionin e parë të "Rubairave" të Omar Khajamit dhe në Bruksel versionin e plotë të pajisur me një analizë kritike dhe me shënime.

15 janar
Në gazetën e Nju-Jorkut "Herald Tribjun" u bën thirrje njerëzve paqedashës të mbarë botës për të ndaluar katastrofën që i kërcënohej Shqipërisë nga intrigat e fshehta të diplomacisë angleze e italiane për të ndezur zjarrin në Evropën Juglindore.

Prill
Zgjidhet kryetar i Komitetit të Çlirimit Nacional. Noli është ndër të parët që propagandon idenë për ta lidhur luftën e popullit shqiptar me atë të popujve të tjerë të shtypur të Ballkanit e të Evropës.

24 prill
Merr pjesë në hartimin e Deklaratës së përbashkët të Komitetit të Çlirimit Nacional e të Komitetit të Çlirimit të Kosovës.

1927-1928
Boton poezitë "Marshi i Barabajt" e "Kënga e Monarkisë".

1929
Merr pjesë në Kongresin Ndërkombëtar Antifashist që zhvillohet në Berlin.

Janar-shkurt 1930
Boton poezitë e mirënjohura "Moisiu në mal" dhe "Shën Pjetri në mangall". Afërsisht të kësaj kohe mund të jene¨edhe poezitë "Marshi i Krishtit", "Krishti me kamçikun", "Marshi i kryeqësimit", "Kirenari" dhe "Kryqësimi".

Prill-maj
Shkruan dy poezitë më të fuqishme të tij:

"Rent, or marathonomak"
"Anës së lumenjve"

Maj
Kthehet përsëri në SHBA, Ministri i Zogut në Uashington , Faik Konica, përpiqet ta bindë Nolin të heqë dorë nga rruga revolucionare.

1 nëntor
Fillon të botojë në Boston gazetën "Republika", me program që i përmbahej në vija të përgjithshme atij të KNÇ: Republikë, demokraci, pavarësi dhe kufi etnikë. Vazhdoi të dalë deri më 1933.

Mars-shtator 1932
Noli qëndron në Gjermani në pritje të vizës për t´u kthyer përfundimisht në SHBA.

Tetor-dhjetor
Kthehet në SHBA. Sëmuret rëndë nga pleumonia. Detyrohet të shtrohet në spital për t´u mjekuar.

1932-1933
Boton pjesën e parë të romanit "Don Kishoti" të Servantesit në pesë vëllime të shoqëruar me një analizë kritike.

1934
Sëmundja e rëndë, vetmia, braktisja e disa miqve e shokëve, si dhe perspektiva e paqartë dhe e zymtë e çuan Fan Nolin në një dëshpërim të thellë. Në këto çaste kaq të rënda psikologjike ai shkroi:

"S´kam më as nge, as qejf, as takat, për politikën… këllëçi im politik është varur në muze dhe nuk del s´andejmi kurrë".

1935
Kalon një jetë të vetmuar. Merret me studime nga më të ndryshmet dhe fillon mësimet në moshën 53-vjeçare në konservatorin e muzikës të Nju-Inglendit në Boston.

1936
Boton pjesë muzikore liturgjike nën titullin "Hymnore".

1937
Mbaron konservatorin e Muzikës.

28 qershor
Noli i jep një intervistë gazetës "Boston Post", ku ndërmjet të tjerash theksonte se ai nuk do të kthehej kurrë në Shqipëri, përderisa do të ishte në fuqi Zogu.

14 korrik
Gazeta "Dielli" boton një artikull që kritikon ashpër këtë intervistë të Nolit. Ne, theksonte gazeta, kishim mendimin se ai "kishte hequr dorë nga ngatërresat politike" dhe se kishte kuptuar më në fund "rëndësinë e tij si predikonjës i fjalës së perëndisë dhe, paskëtaj, nuk do të merrte më pjesë kundër mbretit as me fjalë tërthori, as me goditje drejtpërdrejt, as me rromuze në shtyp të huaj".

15 korrik
Përpara këtyre sulmeve, Noli u mjaftua të jepte një deklaratë të thatë dhe evazive se intervista e tij nuk ndiqte qëllime politike.

Prill 1939
Ndjek me shqetësim të madh lajmet tronditëse mbi përgatitjen për pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Me fillimin e Luftës II Botërore humbi çdo lidhje me Atdheun.

Maj 1943
Noli hodhi poshtë propozimin e Zogut për ta vënë atë në krye të një qeverie mbretërore në mergim, por u shfaq i gatshëm të ishte eventualisht këshilltar i saj.

Dhejtor 1944
Me anën e një telegrami që i drejton kryeministrit të Britanisë së Madhe, Uinston Çërçill, kërkon njohjen e qeverisë demokratike provizore shqiptare.

1945
Në moshën 63 vjeçare, Noli merr titullin doktor në filozofi nga universiteti i Bostonit për disertacionin "Gjergj Kastrioti ­ Skënderbeu, 1405-1468" (George Castrioti Scanderbeg) që botohet më 1947.

Tetor
Konferenca e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë e zgjedh Nolin kryetar nderi të saj për "kontributin e madh që ai kishte dhënë në fushën e kulturës dhe të letrave shqipe".

Janar 1947
Bashkatdhetarët festojnë 40- vjetorin e ardhjes së Fan Nolit në SHBA, koincidon me vënien në qarkullim të veprës "Bethoveni dhe revolucioni francez" ("Beethowen and the French Revolution").

1950
Noli boton veprën "Historia e Skënderbeut, kryezotit të Arbërisë (1405-1468)", variant i ri i botimit të vitit 1921.

Shkurt 1959
Noli shkruan "Dhjatën" apo testamentin. Një nga kërkesat e tij themelore ishte që të thjesht e pa shpenzime.

1960
Botohet "Pesëdhjetëvjetori i Kishës Ortodokse Shqiptare (1908-1958) nga Metropoliti Fan S. Noli".

Tetor-nëntor 1964
Shtrohet në një spital të Bostonit dhe më 2 nëntor operohet pa asnjë shpresë shpëtimi.

13 mars 1965
Pas një sëmundjeje të rëndë vdes në Florida në moshën 83-vjeçare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora