E diele, 28.04.2024, 07:47 AM (GMT+1)

Faleminderit

Vajza e Azem Hajdarit

E marte, 06.11.2007, 12:36 AM


Nga Mitro Çela

10 shtator 1999

Heroi i Demokracise Azem Hajdari
Me rastin e njëvjetorit të vrasjes shkova në shtëpinë e Azem Hajdarit, së bashku me Besnik Mustafain. Shtëpia është më shumë se një muzeum. Foto. Libra. Kompjuteri. Djali i vogël, që nuk ka mbushur vitin, të kujton më shumë se kushdo babain, sepse edhe emrin e ka Azem. Fatmira, gruaja e Azemit, mendon për shkollën e Kirit (djali i madh) në Francë. Po vajza?

Besniku: Vazhdon të shkruash?

Ajo: Po.

Besniku: Kur të mbarosh ndonjë cikël me vjersha, dua t‘i lexoj...

Ajo: Nuk bëj më vjersha. Po shkruaj kujtime për babin...

Ishte një bisedë e thjeshtë, që për një çast më ngacmoi. Por vetëm një çast, sepse duke vështruar disa foto të vjetra, biseda e Besnikut me vajzën e Azemit më doli nga mendja. Vetëm kur u ktheva në shtëpi, truri im u vu në lëvizje. Si e tha? Si shkruan? Çfarë mund të shkruajë një adoleshente?! Raporti midis vajzës dhe babait... Eskili... Kompleksi i Edipit... Krimi. Si e parafytyron një fëmijë ndëshkimin?!

Hapa kompjuterin. Nisa të shkruaj me mendjen te vogëlushja: Ishte një ëngjëll, që më nxiti për të ndjellur kujtimet për Azem Hajdarin (një pjesë janë botuar. Të shpërndara në kronika të ndryshme. Nuk më pëlqyen të shpërndara, ndaj i futa në këtë kronikë, që do të shërbejë si zanafilla e një libri të ardhshëm).

U VRA AZEM HAJDARI!

12 shtator 1998

TV Shijak. Reiz Çiço para mikrofonit: Sot, në orën 21:15 është vrarë Azem Hajdari... Kapa telefonin. U lidha me Partinë Demokratike... Azemi ishte në zyrë. Ra celulari. Dikush e kërkoi për t‘u takuar diku afër selisë blu (shumë muaj më vonë, më tregonte Berisha. "Një ditë para vrasjes, i thashë Azemit. Ki kujdes! Mos lëviz më këmbë, sidomos natën"! Ai qeshi, siç dinte të qeshte vetëm Azemi. -Nuk ka plumb për mua!...). Doli me dy shoqërues. Në kryqëzimin e rrugës, në krah të godinës së PD-së, e qëlluan. Ishte një oficer... Azemi ka vdekur në vend. Kishte marrë 4 plumba. Ka vdekur edhe një nga badigardët. Tjetri është në gjendje të rëndë. Në spital ka shkuar edhe Doktori...

Lajmi më tronditi... Një ide fantazmë përfshiu gjithë qenien time. Pas këtij krimi do të rrëzohej Kryeministri Nano..., do të tronditej nga themeli shteti... Vendosa të mbaj ditar. Të rrëmoj çdo ditë. Të shkruaj çdo ditë...

Hapa kompjuterin. Ngeca. Ditari kërkon lëndë të parë. Fakte të ditës... Midis mëdyshjes të shkruaj apo të mos shkruaj, bëra një kompromis me veten. Do ta filloj duke "gërmuar" në kujtesën time... Mendoja se i kisha harruar. Përkundrazi. Mendja filloi të punojë mbapsht.

FJALIM MES ARMËVE NË PËRMET

4 mars 1991

Në atë kohë punoja në gazetën "RD". Më thirri Doktori në zyrë. "Është nisur Azemi në Përmet! Atje gjendja është e rëndë. Kudo janë vullnetarët e Hysni Milloshit! Mund të shkosh në Përmet"?

U nisa së bashku me Filip Çakulin. Në Këlcyrë rruga ishte e bllokuar. U afruan dy policë: Nuk mund të shkoni në Përmet! Do të ketë trazira, sepse ka shkuar Azem Hajdari!... Dokumentet!

Polici mori pasaportën! "Shoku qytetar, mund të dilni nga makina"! Më tërhoqi mënjanë dhe më tha: "Nuk më njeh? Unë jam nga Brezhdani, fshati yt i lindjes! Jemi kushërinj! Shko në Përmet, por mos qëndro afër Azemit!... Do të qëllojnë"!

Azemin e gjeta duke pirë kafe. Në tavolinë ishte edhe kryetari i Degës së Brendshme. Azemi kërkonte që mitingu të bëhej në sheshin e qytetit... Jo, tha kryetari. Dje bëmë pagëzimin e sheshit. Tani quhet sheshi "Enver Hoxha"!

-Pse nuk e quajtën sheshi Enver-Stalin?! Tingëllon më bukur! Por dëgjo këtu kryetar! Mitingun do ta bëj në shesh! Nuk ka burrë nëne që të trembë Azem Hajdarin!... Unë nuk të garantoj jetën, tha polici!... Po të jetë fjala për mbrojtjen tënde, unë tani do të isha në arkivol!

Hipëm në tribunë. Azemi, Vasil Gjika, Agron Musarai etj. Pranë nesh edhe një oficer: Bujar Rama. Ishte i pari oficer që ishte ngjitur në tribunat e demokratëve deri në atë kohë. Turma ishte ndarë në tre skalione. Në skalionin afër tribunës ishte një grup fare i vogël që bërtiste: Liri-demokraci! Më tej ishte skalioni i dytë. Diku më larg, skalioni i tretë. Atje ishte shumica. Fjalën e mori Azemi. Foli ashpër. Gjithë bateritë i zbrazi mbi Enverin. "Ju nderoni me këtë emër sheshin, kur nuk kini bukë për të ngrënë, këpucë për të veshur, punë për të punuar. I vetmi investim janë parullat që kanë mbushur kodrat. Ky është turp, për ju përmetarë që jeni pasardhës të Naimit, Samiut, Abdylit!"... Ndërkohë, njerëzit u vunë në lëvizje. Tani nuk kishte më tre skalione. Ishin shkrirë në një. Azemi kishte vrarë një pjesë të frikës.

NË ZYRËN E ANDREOTIT

10 qershor 1992

Ne shkuam në Romë të tre: Azemi, Filip Çakuli dhe unë. Në fillim takuan Biondin. Në atë kohë nënkryetar i Partisë Liberale (vite më vonë, në qeverinë "Berluskoni", ai u bë ministër i Drejtësisë). Sebep për takimin u bë sekretarja e tij, Maria Tereza, arbëreshe që fliste mirë shqip. Biondi ishte avokat. Azemi e pyeste me hollësi për rrugën që ndiqte projektligji deri sa merrte vulën në Parlament.

Në orën 12:00 hymë në zyrën e Andreotit. Ishte ende Kryeministri më i fuqishëm i Italisë. I kërrusur. Me veshë të mëdhenj (m‘u kujtua një batutë nga një libër i Kadaresë: djali i kishte veshët aq të mëdhenj, sa po ta hidhje nga ballkoni, veshët ktheheshin në parashutë). Të tillë veshë kishte edhe Andreoti - ndoshta i ishin zgjeruar për të dëgjuar më mirë. Ndryshe nuk mund të shpjegohet fakti që qëndroi për 45 vjet në pushtet!

Andreoti: Më kanë folur për ju. Do ta mbani gjatë pushtetin?

Azemi: Po të kemi miq si ju, ne do të qëndrojmë në pushtet sa politikani më i madh i Italisë, Andreoti.

Andreoti: Ishin kohë të tjera për Andreotin. Tani kanë ndryshuar gjërat. Sistemi kapitalist për gjysmë shekulli ka mbijetuar me sistemin socialist. Me rënien e Murit të Berlinit, u shemb sistemi socialist. Këtu del problemi i mbijetesës. Nëse sistemi i sotëm kapitalist nuk ndryshon, atëherë ka rrezik që të na marrë socializmi me vete.

Azemi: Lexova në një gazetë një titull të çuditshëm. "Qeveria italiane është qeveri staliniste"! Është kjo propagandë, paradoks, apo...?

Andreoti: Është një fakt real. Në Itali ka shumë ndërmarrje shtetërore. Sipas ligjit, në ekonominë e tregut, si ndërmarrjet private dhe ato shtetërore duhet të luajnë si të barabartë. Mirëpo jo rrallë kërraba e qeverisë tërheq nga ndërmarrjet shtetërore... Këtu nis mentaliteti stalinist. Mos kujto se vdiq Stalini dhe u përmbys ideologjia e tij...

Azemi: Fjalë me vend. Në Shqipëri ka 7 vjet që ka vdekur Enveri. Por shumë njerëz e kanë Enverin në bark...

ZONJA ÇUDERU E GREQISË!

17 mars 1993

Përsëri të tre. Tashmë në Greqi. Na priste "zonja e Hekurt" në qeverinë e Micotaqisit, Çuderuja. Në atë mot ishte zëvendësministre e Jashtme. Na priti me një mirësjellje ku dalloheshin më tepër kortezia e diplomates, se sa delikatesa e gruas. Çfarë kishte ngjarë? Gjatë një vizite në Zvicër, ministri ynë i Jashtëm kishte bërë një koment për Greqinë. Komenti nuk i kishte pëlqyer Zonjës. Azemi kërkoi shpjegime. I tha Filipit të mbajë shënim (demek).

Azemi: Këtë problem do ta diskutoj me Presidentin Berisha, kur të kthehem në Tiranë.

Çuderuja: Ju jeni Heroi i Demokracisë që ka vrarë frikën në Shqipëri. Jeni djalë i ri, mund të jepni mendimin tuaj.

Azemi: Bëjmë një kompromis. Në fillim unë do të bëj dy pyetje. Pasi të marr përgjigje nga Ju, do të them mendimin tim për deklaratën e ministrit tonë!... Në Greqi jetojnë qindra mijëra shqiptarë. Kur mendoni se do të hapen shkollat në gjuhën shqipe për emigrantët? Së dyti, kur do të nisin debatet për kthimin e pronave të çamëve?

Çuderuja: Nuk mund të përgjigjem.

Azemi: Zonjë e nderuar! Paska censurë edhe në Greqinë anëtare të Bashkimit Evropian?! Tani po të përgjigjem për deklaratën e ministrit tonë të Jashtëm. Është një deklaratë e nxituar, që nuk rimon me politikën e qeverisë "Meksi".

TREGIMI I NJË MILITANTI

13 shtator 1998

Vrasjen e Azemit e dëgjova në radio. Shkova në PD. Ndenja gjithë natën. Lotët i "fshinim" me kujtime dhe me plane për hakmarrje. U gdhi një ditë e re. Ishte ora 10:00. Në ballkonin e selisë blu doli Doktori. Turma brohoriste me lot në sy. Djem që të marrin gjak në vetull. Ra qetësi:

-Demokratë! Duhet ta respektojmë Azemin! Ai është simboli ynë!

Demokratë! Heronjtë nuk vdesin. Ata rrojnë në zemrat tona, në kujtimet tona, në jetën tonë! Ne duhet të bëjmë të gjitha ceremonitë, sipas zakonit. Sipas nderit që i takon vetëm Azemit! Demokratë...

Ai u fut brenda. Ne qëndruam. U dëgjua një fjalë që u përhap si vetëtimë: "Të dalim në bulevard! Të shkojmë në Kryeministri". Nuk kishte komandë. Ishte fjala që komandonte. Turma u vu në lëvizje. Ndaluam para Ministrisë së Rendit. Turma afrohej. Policët largoheshin... Një makinë mori flakë. Nga pakujdesia, mendoj unë. Ndoshta e lanë policët të digjej... Turma arriti para Kryeministrisë. Në ballë një djalë. I fuqishëm si dem. Me automatik në dorë, si hero nga ata të filmave me kauboj. Ecte dhe qëllonte... në ajër. Nga ana tjetër qëllonte një ushtar. U kryqëzuan fishekët. Pastaj zjarri përfshiu makinat që rrethonin qeverinë. Tension. Krisma. Flakë. Kallashnikovë që villnin zjarr. Ngjitëm shkallët dhe u futëm brenda. Asnjë rezistencë. Kjo është një qeveri prej kartoni. Mund ta shembësh tri herë në ditë!

DITË PEZULL

14 shtator 1998

Në orën 10:00 shkova në sheshin "Skënderbej". Sheshi ishte mbushur plot. Si asnjëherë. Nuhata tension. Tek-tuk, poshtë xhakoventave, dalloheshin grykë armësh. Foli Berisha, Fatmir Mediu... Foli edhe djali i Azemit. I gjatë. Me flokë të dendura. I bukur. Fryma e babait e kishte zhbërë. As fëmijë e as burrë. Një automat. Një makinë. Një robot që lexonte. Njerëz të përlotur. Urrejtje. Një qetësi që nga çasti në çast mund të kthehej në furtunë. Punë minutash. Çështje sekondash. Edhe një orë për realizimin e ultimatumit të demokratëve për rrëzimin e Nanos. Pas orës 12:00, kish deklaruar Berisha, nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e turmës... Njerëz të dyzuar. Me sytë tek arkivolet. Me veshët tek radiot. Pritej haberi magjik për dorëheqjen e Nanos. Por asnjë lajm. Bode tha fjalën e fundit: "Tani duhet të shkojmë drejt varrezave!"... Hipa në makinë. Një arkitekt ishte shofer: Viron Hamzaj. Së bashku me mua: Vladimir Kristo dhe Njazi Kosovrasti...

U ndje një tallaz. Një drithërimë. Një vetëtimë në qiell. Turma ndryshoi rrugë. Njerëzit u derdhën drejt Kryeministrisë. Kurrë bulevardi "Dëshmorët e Kombit" nuk kishte mbajtur kaq njerëz, kaq dhimbje, kaq urrejtje. Në krye të turmës nuk kishte asnjë nga liderët. Paraprinin një grup djemsh me arkivolin në duar… Në eter përhapej lajmi: Turma ka kaluar hotel "Rognerin"... Jemi pranë Kryeministrisë. Turma qëndroi. Një lajm është përhapur: Nano ka dhënë dorëheqje... Jo! Jo! Nano ka braktisur zyrën një ditë më parë dhe është nisur drejt "Dajtit" për të përfunduar në Maqedoni.

Një grup njerëzish me arkivolin në krah po ngjisnin shkallët e Kryeministrisë. Qëndruan. Thonë se është me Kanun. I vdekuri shkon te vrasësi. Dhe vrasësi është brenda godinës së Kryeministrisë. Arkivoli u la te dera e Kryeministrisë. Disa të rinj u shkëputën dhe po godisnin derën me grushte. Qetësi. Një qetësi që ndjell vdekje. Pastaj shpërthime... Në eter fjala e telekronistit Enkel Demi: "Unë ndodhem te shkallët e Kryeministrisë. Tmerr. Po qëllojnë nga tarracat dhe nga brenda. Turma po shpërthente me shpejtësi. Arkivoli ka mbetur para qeverisë." ...Shpërthime. Granata. Kallashnikovë. Tomson. Arsenal armësh. Turma përsëri u rigrupua. Drejt Kryeministrisë janë nisur një grup tanksesh. Kanë dalë nga Garda. Kush urdhëroi? Turma i futi në mes. Tani tankset janë në duart e turmës. Qëllojnë mbi godinën e qeverisë"... Zëri i telekronistit u shua... Dëgjoheshin vetëm krisma...

Nisi një shi. Me shtama. Turma zhurmonte. Disa iknin. Disa bënin thirrje për t‘u kthyer. Drejt nesh po vinte një tanks. Mbi tanks qëndronin njerëz të armatosur. Dikush valëviste një flamur. Copa nga turma që brohoriste: "E shporrëm qelbësirën...". Nano ka dhënë dorëheqje...

DJALI I AZEMIT

Një turmë e vogël me arkivolin në krah na parakaloi. Në krye, djali i Azemit. Ai nuk ecte. As nuk vraponte. E shtynin përpara. Me dy gishta lart. I lagur. I zverdhur. I dizekuilibruar. Nuk fliste. Dukej sikur recitonte. Dy gishtat e tij të njomë ishin si një pishtar midis grykëve të kallashnikovëve.

Ora po kalonte një e gjysmë. Arkivoli përsëri u kthye te kolonat e Pallatit të Kulturës. Njerëzit ishin dehur, sepse kujtonin se dha dorëheqjen Nano. Ishin të vrarë, sepse ishte vrarë simboli i demokracisë. Ishin të ngjirur, sepse kishin shkarkuar të gjitha bateritë para Kryeministrisë. Ishin të shokuar, sepse nuk dinin çfarë bënin. Mungonte komanda, ishte shuar instinkti!... Rreth orës 15:00 turma u drejtua në varreza. Hipëm në makina. Në varreza turma u shtua. Midis turmës dallohej Berisha, Pollo, Bode...

Lamtumirë Azem!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora