Faleminderit
Patër Zefi dhe domethania e të vërtetës
E diele, 14.10.2007, 12:03 AM
Nga Migjen Kelmendi
![]() |
Pater Zef Pllumi dhe kryredaktori i "Javes" Migjen Kelmendi. Shkoder, 2003 - Tubimi i shkrimtareve "Exodus" |
Kur na ra n’Shkodër edhe me u pa e njoftue, ai nuk kurseu gzimin e tij, e une fjalët ma admiruese e dashninë ma të madhe që kisha për nji ikonë shqiptare. Më ndau menjihere nga ai grup shkrimtarsh tubue nga Ministria e Kulturës e Shqipnisë në “Exodus 2003”, dhe me afrinë që vetëm e vërteta e përbashkët e krijon, shkuem bashkë në çelën e tij, aty ku edhe kishte shpinë. Ndejëm nji copë kohe shoqnue me përkthyesen franceze të librave të tij, Odile Daniel, dhe u çmallëm.
At Zefin, jetën dhe veprën e tij e kam reliktin ma të randësishëm temin për të vërtetën shqiptare mbas triumfit të Revolucionit Proletar n’Shqipni. Me vdekjen e tij nuk ka vdekë e vërteta për këte civilizim shqiptar që u ruinue e u përçudnue me eksperimentin ma të madh shoqnor komunist n’Ballkan. Rrrno vetëm për me tregue, vepra e tij jetësore asht e gjallë. Njashtu si e vërteta për te. Njashtu si dashnia e respekti jem për te. Njashtu si dashnia e respekti i shumë patriotëve shqiptarë për të cilët, e vërteta e Shqipnisë asht e paçmim dhe e vlen çdo sakrificë.
At Zefin e kam shembull se sa e randësishme për njeriun asht e vërteta. Sa shumçka mun përballon njeriu vetëm e vetëm me mbet gjallë e me dëshmue. Devotshmënia ndaj Zoti, dhe dashnia ndaj atdheu jam i bindun se ja kanë mëkue shpirtin gjatë asaj kohe kalue burgjesh komuniste shqiptare.
Nuk kishim nevojë shumë me folë mes vedi e me u njoftue. Folshim si dy njerëz të afërt, si dy njerëz që e dijnë se çka ka ndodh me këte vend e me këte civilizim. E vetmja gja që na preokuponte ishte sa shpejt e sa ka me kushtue riparimi kulturor e shpirtnor i këtij civilizimi.
Interesohej për Kosovën, për situatën politike. Interesohej për Gegnishten dhe mundësinë që Gegnishtja me e fitue bile n’Kosovë nji status shoqnor. Më pytte a ka tjerë andej që dijnë këte që na dy e dijmë, e une më duhej mos me ja thanë tanë të vërtetë për mos e me e zhgënjye. Si me i kallxue që n’Ferizaj kemi enverista që janë të gatshëm me u ba prrallë tashti për ‘të vërtetën’ e tyne – Enver Hoxhën – e po kërkojnë me emnue rrugë e sheshe.
Cila asht e vërteta për këte civilizim? Si përcaktohet ajo? Kush e përcakton?
Kultura shqiptare e pati nji gjegje në këto pyetje, nji model jete e vepre, trupi e shpirti, që u flijue dhe jetoi për të vërtetën shqiptare.
Kjoft bekue!