E diele, 28.04.2024, 07:53 AM (GMT+1)

Faleminderit

Fishta - ndërgjegjja e kombit

E premte, 14.09.2007, 09:17 PM


Nga Ali Podrimja

1.
Në moshën katërmbëdhjetë vjeçare shfletova për herë të parë “Lahutën e Malcis”. Im atë nuk e di ku e kishte gjetur, në cilin kënd të antikuariatit të gjërave të çmuara, siç e quanim qytetin, aty nën Çabrat, ku dhuna serbe bënte çmos të zhbinte çdo vlerë tonën shpirtërore që mbante gjallë kujtesën.

Mbi tavolinë, aty në kënd të dhomës, ku qëndronte deri vonë llamba e ndezur, im atë e kishte vënë librin e anatemuar dhe kishte pëshpëritur: “Dy ditë ke afat ta lexosh”. Kisha pastruar tavolinën dhe kisha zënë ta shfletoja. Më bëhej se gëlltitja çdo gërmë, varg e këngë. Përballesha me poetin, për të cilin kisha dëgjuar shumë çka, sidomos për dinjitetin e guximin e tij prej krijuesi. Nga faqja e parë hyra në botën e imazhit të tij, ku lexoja dhembje njerëzore, që për dikë konsiderohej e rrezikshme. Po ç’ishte ajo: dhimbje për popullin e bërë pikë e pesë dhe vendin e kërcënuar nga fqinjët.

Ditën e tretë im atë ishte ndalur para dritareve me shikim kah Pashtriku, për të cilin thoshte se atje rrinë perënditë tona dhe kisha hetuar si i lëviznin buzët. Fishta qenka më i lartë se mali ynë, Baba, i kisha thënë. I buzëqeshur ai e kishte mbështjellë librin dhe ishte bërë frymë në natën e frikshme. Nuk e dija në cilin kënd të antikuariatit do ta vendoste. Pas një kohe im atë iu bashkua të tejmve në breg të Erenikut. Unë vështirë i bija në gjurmë Fishtës, të cilin fillova ta konsideroj fuqi hyjnore dhe të pajtohesha me atë që dëgjoja: Ai është ndërgjegjja e Kombit.

2.
Disa vjet më vonë, piramida e Shtetit ideologjik Shqiptar ishte bërë bezdisëse me retorikën e mugët. Të pranohej se ishte antikombëtar Fishta, i cili vendin e popullin i kishte ngritur në mit?! Mund të kapërcehej “Lahuta e Malcis” dhe të pajtoheshe me etiketat e kuzhinës së diktaturës? Në vitin 1940 morën pjesë në varrimin e tij nga të gjitha trevat shqiptare. Në krye ishte dhe kremi i letrave shqipe. Ata që kishin ardhur për ta përcjellë në udhëtimin e tij të fundit e dinin se kush kishte qenë Fishta, por gogolët e diktaturës nuk mund ta pranonin madhështinë e tij. Qëndrimi i tyre fyente dhe rrugëtimin historik të popullit. Akuzat ndaj veprës dhe personalitetit të Fishtës ishin absurde. Nuk kishin asgjë nga kodi ynë etik. Ishin pjellë e logjikës sllavo-otomane, e cila bënte çmos t’i shembte majat e kombit.

3.
Komunikimi me opusin letrar të Fishtës është i rëndë, pakëz i trishtë, por krenar. Shpalos ngjarje të mëdha, të kohës së artë të shqiptarizmit, kur atdheu ishte mbi çdo gjë. Kujtojini heronjtë nga Lidhja e Prizrenit (1878), u ngjanin atyre të kohëve mitike. Ishin tubuar të mbronin çdo pëllëmbë të vendit, i cili po e humbiste gjeografinë historike. Fishta nuk mund të çonte dorë, se Lidhjen e Prizrenit e konsideronte ngjarje kombi. Si ta kapërdinte këtë Piramida ideologjike kur veten e mendonte të paprekshme, ndërsa propaganda e fqinjëve kryente punët e veta. Shqiptarët besonin se do të prajnë krrokamat e gëlltitësve, po qe se Fishtën dhe bashkëmendimtarët e tij i rrokullisnin nga Panteoni shqiptar. Kujtesa është e çuditshme. Vështirë harrohet morbiditeti. Pas të ashtuquajturës LNÇ, brenda qenies sonë ndodhi gjenocid nacional. Mbetet i paharrueshëm pendimi i Mehmet Shehut para të birit: “Kishin ndodhur ekzekutime masive në Shqipërinë e Veriut” (Bashkim Shehu, “Vjeshta e ankthit”). Dhe shtrohet pyetja: Përse në Veri dhe pse ajkën e intelektualëve dhe kreun e Kishës Katolike Shqiptare? Sipas të gjitha gjasave, kasta politike po luante ndonjë karagjozllëk për ndonjë të huaj. Ky është ai turpi nacional, nga i cili duhet të lirohemi.

4.
Për potencën krijuese të Fishtës dëshmojnë poezitë lirike dhe ato satirike, vlera të pakontestueshme jo vetëm në letrat shqipe. Në “Lahutën e Malcis” ndeshemi me artikulim karakteristik burrëror, rrëmbyes. Ngjarjet lemeritëse Fishta nuk pranonte t’i harrojë populli. Mu për këtë kishte lexues-dëgjues të shumtë. Këta duhet të njiheshin me të kaluarën e tyre, konkretisht me ngjarjet që trajtonte në “Lahutën e Malcis”, duke u dhënë atyre përmasa mitologjike. Prizreni ishte dhe metaforë. Nga të gjitha skajet e vendit kishte tubuar luftëtarë për të mbrojtur nderin dhe një copë tokë. Bën të harrohen zonat e shkëputura nga trungu amë? Fishta ia kishte parashtruar vetes se shqiptarët duhet mbajtur të zgjuar, pa marrë parasysh cilit besim apo krahine i takonin. Ai qëndronte në ballë me atë kumbimin trimërues. “Lahuta e Malcis”, ishte në një farë mënyre, abetare historike. Të vetmin problem Magi e kishte ekzistencën e Shqipërisë. Kjo e bën të madh atë, ma të madhin ndër të mëdhenjtë.

Me rënien e diktaturës, gjërat ndërruan. Fishta i kapërceu kufijtë, u bë qytetar edhe i metropoleve. Njëri ndër përkthyesit e “Lahutës së Malcis” dr. Robert Elsie, në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë, me rastin e promovimit të eposit shqiptar në pyetjen: Si ia hyre përkthimit të veprës së Fishtës, ishte deklaruar: “Kisha në shtëpi një kasetë, të cilën Ali Podrimja ma kishte futur në xhep një ditë në Prishtinë, para shumë vitesh”(Gazeta “Korrieri”, prill 2006). Në të vërtetë, audiokaseta, për të cilën bën fjalë përkthyesi mbante ca fragmente nga “Lahuta”, në interpretimin e shkëlqyeshëm të aktorit kosovar Çun Lajçi. Kjo disi ma kujton dhe udhëtimin tim në Horën Arbëreshe. Aty mbahej Simpoziumi me rastin e 500 vjetorit të ngulitjes së shqiptarëve në Jugun e Italisë. Pasi i kisha lexuar ca poezi me motive arbëreshe, prifti i Kishës së Horës më ishte afruar dhe ma kishte dhuruar një ekzemplar të “Lahutës së Malcis”. Gjesti i tij më kishte prekur. Nuk e kishte biznes patriotizmin. Ishte i familjes së Arapit nga Vlora. Mua m`u dha rasti t’ia kaloja edhe tim eti. Dy kufij i kisha kaluar me librin e anatemuar pa fije frike. Ia vlente të ndëshkohesha për Fishtën, se po merrja me vete një copë të historisë.

I ngacmuar nga ca intelektualë, që trumbetonin se “Fishta është i papërkthyeshëm”, Robert Elsie megjithatë i ishte përveshur përkthimit duke arsyetuar “... kjo ishte vepra që duhej ta bëja të njohur patjetër”.

Në poezinë “Shkodër, (ri)varrimi i Gjergj Fishtës” (nga libri “Thesaret e frikës” 2005) përmes nëntë vargjeve, poeti Visar Zhiti na jep madhështinë e pavdekshme të poetit, por vë në mëdyshje edhe atë që kishte ndodhur pas (ri)varrimit:

Çka mund të bahet me to, o At veçse skeleti i dorës
që mbi dhé ka shkrue eposin e vdekun të t’gjallëve
e nën dhé eposin e gjallë të t’vdekunve

Qëndrimi i Zhitit është dinjitoz, qorton dhunën e Piramidës që ishte ngritur duke shkelur dhe vlera kombëtare. Fatkeqësisht, Fishta ishte njëri nga të fyerit. Si duket, libri ynë kombëtar nuk dihet kur do të kryhet, në të ndodhin çudira të pabesuara. Më parë nga libri nxorën të padëgjueshmit dhe të “dyshimtit”, tani kërkohet t’i heqin ca të tjerë në emër të katarsisit; do të thotë se libri ynë kombëtar nuk dihet se a do të kryhet ndonjëherë. Ky akrobacion nacional ka shqetësuar dhe Dritëro Agollin. Në gazetën “Korrieri”, prill 2006 deklaron: “Ne vazhdojmë të mohojmë kulturën tonë dhe nuk mendojnë se do të vijë një kohë pak më vonë, kur do të pendohen, siç pendohemi ne sot për mohimin e Fishtës”. Botuesi dhe analisti nga New Yourk-u Gjekë Gjonlekaj ka të drejtë që në vështrimet e tij ta ngrejë në çështje arrogancën sllavo-otomane ndaj At Gjergj Fishtës, se nuk i jepet ende vendi i merituar poetit kombëtar në Panteonin shqiptar. Kjo ndoshta ndodh se ende ca nga ne nuk janë liruar nga hija e Piramidës.

Toleranca ndërfetare mbetet njëra nga stolitë tona, për të cilën na e kanë zili të tjerët. Fishta kishte respekt për besimet shqiptare. Figurat historike nuk mund t’i ndante në myslimanë e të krishterë. Në galerinë e tij kishte vend për të gjithë. Si dhe pse ndodhi te ne islamizmi dihet. Por ekziston frika se mund të vihet në pyetje lashtësia iliro-shqiptare. Pansllavizmi ka kohë që merret me të kaluarën dhe origjinën tonë, duke lansuar gjithandej Evropës gënjeshtra, pikërisht për lashtësinë dhe autoktoninë tonë. Pra, ndodh një luftë e heshtur për dominimin e hapësirës Ballkanike. Mirëpo, ne vazhdojmë të mbështesim se identiteti ynë mbetet ai europian. Ky është realitet që nuk mund të ndërrohet për hir të askujt. Shkas ndoshta është njëra nga degët e besimeve tona që dëshmon për trungun nacional se kush jemi e nga vijmë. Të merremi tani me përkatësinë tonë të zgjidhur që në shekullin e nëntëmbëdhjetë nga rilindasit më bëhet se i fyejmë pararendësit tanë. Në këtë moment krucial për Kosovën ne shqiptarët si duket i paskemi zgjidhur të gjitha problemet!

Nëna Terezë na la një amanet që shpesh duhet ta kujtojmë: “Atdheun më shumë e doni, kur njëri-tjetrin ta doni më shumë”.

Ulpianë, maj 2006



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora