E shtune, 27.04.2024, 03:22 PM (GMT+1)

Faleminderit

Tharmi evropian i një miqësie të pakohë: At Zef Pllumi dhe Ismail Kadare

E shtune, 15.12.2007, 09:28 PM


Nga Agron Gjekmarkaj

Takimi i Ismail Kadaresë me At Zef Pllumin në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Shkodër, prill 2007
Që kur At Zef Pllumi u shfaq në promovimin e librit “Dantja i pashmangshëm” të shkrimtarit Ismail Kadare dy vjet më parë, në disa ambiente mediatike e kulturore filloi një trazim i ri. Një mishelë befasimi dhe egërsie ndaj të dyve mori udhë. Dukej si një rikthim në një tjetër kohë kur shkrimtarët françeskanë etiketoheshin si antishqiptarë, agjentë, arkaikë, regresivë dhe shkrimtari me famë botërore si antigegë, antikatolik, antifishtë. Dikur një ndasi e tillë pat synuar asgjësimin dhe dobësimin e komponentëve më të fuqishëm kulturorë të vendit, zvetënimin e përkatësive perëndimore dhe zëvendësimin me një kastë shërbëtore të socrealizmit dhe politikës që e favorizonte. Ndryshimet demokratike në vend zyrtarisht i rehabilituan martirët e Kishës katolike dhe plejadën e madhe të shkrimtarëve françeskanë. Ndërsa ndaj Kadaresë në mënyrë sporadike apo të organizuar ca “tenja të kaltra dhe jeshile” vazhduan me të njëjtin stil për të njëjtin qëllim. I fundmi i të mëdhenjve françeskanë At Zef Pllumi u shndërrua në një ikonë mbarëkombëtare për së gjalli e vazhdon të sublimohet pas vdekjes për vitet e rezistencës antikomuniste, për veprën “Rrno vetëm për me tregue”, e për krejt aktivitetin e tij fetar, kulturor e social duke u konsideruar “një shumatore e vlerave më të mira shqiptare”. Në një segment të tërësisë së përcaktimeve, ai është simbol i klerit shqiptar, i disidencës, apostull i Fishtës dhe vijues i traditës gego-katolike. Sipas një skeme banale të ndërtuar nga skllevër të diktaturës komuniste Kadare duhej të ishte në grindje dhe armiqësi të detyruar me të për të vërtetuar tezat e “armiqësive të shumta” të tij. Orientimi i letërsisë së Kadaresë nuk ka nevojë të zbulohet sepse është i dukshëm! Nga pikëpamja sociologjike ajo është dëshmi historike e patjetërsueshme e lidhjes së vetme me qytetërimin e kontinentit në një kohë izolimi siç ishte koha e komunizmit. Në pamundësi për të mohuar veprën e Kadaresë dhe rëndësinë e saj për shkak të konfirmimit botëror të saj, mësyhet autori dhe marrëdhëniet e tij private apo publike përfshi këtu edhe marrëdhënien e këtyre tri viteve të fundit, mes tij dhe At Zef Pllumit. Miqësia ndërmjet këtyre dy personaliteteve e prishi mekanizmin e “kundërshtive të përjetshme e të kombinuara”. “Ishte arti i madh që i sheshoi pengesat e njohjes sonë” - pohon Kadare. Nga njëra anë “Rrno vetëm për me tregue” e nga tjetra “Çështje të marrëzisë”, ose “Çështjet shqiptare”, ndaj të cilave Ati ishte i ndjeshëm si pak kush. Duhet thënë që në krye të herës se e gjykuar nga shumë elementë që çuan në lindjen e saj ajo ishte një miqësi me tharm evropian. Romani i fundit i Kadaresë “Çështje të Marrëzisë” i pëlqeu më së shumti Padër Zefit. Jo pak herë ai e komentonte atë si një nga librat më emblematikë të problemeve historike e aktuale të botës shqiptare. Vargjet “Po të vjen vllau më i vjetër hem me gjuhë hem me fe tjetër” i krijonin një ndjesi të veçantë dhe e bënin të përsëriste shpesh “që aty është bërthama e krejt historisë sonë”. Jo pak herë shkrimtari dhe frati kishin qenë në sintoni me deklaratat e tyre për shumë çështje të historisë dhe aktualitetit, identitetit evropian të shqiptarëve dhe harmonisë fetare në shoqërinë tonë. Konsideratat e Zef Pllumit për romanin në fjalë, si vepra më e mirë apo ndoshta baras me “Kronikë në gur” të dyja të denja për çmimin Nobel, me sa duket kishin mbërritur tek Kadare dhe ishin vlerësuar prej tij si vlerësime të një rëndësie krejt tjetër nga ato që kishte marrë jo pak deri atëherë. Vlerësimi i ndërsjellë dhe vullneti i disa miqve të përbashkët që ata të takoheshin realizoi pa shumë “tratativa diplomatike”, një takim mes tyre. Në kishën tonë ishte bindja që binomi Pllumi-Kadare ishte më i veçanti ndër shqiptarët e sotëm dhe se ishim shumë të vonuar për këtë takim. Në vetvete takimi mes tyre ishte takim mes modernitetit të traditës dhe modernitetit të bashkëkohësisë. Zef Pllumi “si nëpër balada” kapërcen të gjitha “malet e pengesave” dhe i shoqëruar nga dy fretër të rinj troket në derën e apartamentit të Ismail Kadaresë. Shkrimtari e priste por jo në atë moment. Ishte befasuar. Prezenca e Padres në atë shtëpi kish “rrëzuar një mur” të propagandës anti-Kadare dhe kish “ndërtuar një urë”. Nuk ishin të ndryshme dikur idetë që bashkonin në miqësi Fishtën e Konicën. Evolucioni nuk ka prekur thelbin e problemeve shqiptare. Të dy kishin të pacënuar nga koha, adhurimin për Gjergj Kastriotin, pohimin e marrëdhënies gjenetike me Evropën dhe kulturën e saj, pranimin e raportit të letërsisë shqipe me krishtërimin dhe bindjen se rruga e vetme që shqiptarët duhej të ndiqnin në të ardhmen ishte ajo e integrimit evropian. Frati i kujtimeve i bëri komentet e veta mbi veprën e shkrimtarit ballazi dhe sigurisht, jo për çdo gjë ata ishin të një mendjeje. Që njohja e tyre të thellohej, u bë shkas Dante Aligeri, një nga idhujt e përbashkët. Kur At Zefit i mbërriti ftesa e institutit Alcide De Gasperi për të marrë pjesë në promovimin e veprës “Dantja i Pashmangshëm” të Kadaresë më tha: “Padre tashmë jam i shtym në mot dhe gjana të tilla s’janë për mue”. Mendova që s’do të paraqitej ndonëse më kërkoi librin që ta lexonte. Nuk vonova shumë për t’ia dërguar në shtëpi esenë “Dantja i pashmangshëm”, të cilin e lexoi mjaft shpejt po të kemi parasysh shëndetin e rënë dhe leximin me lupë. Dantja dhe libri për të e kishin bindur që të vinte në Pallatin e Kongreseve dhe magjia e atij takimi, qe fjala e tij që ja doli të emociononte dhe entuziazmonte sallën e tej mbushur me personalitete dhe dashamirës të letërsisë, të cilëve u lëshoi kumtin: “Komedinë Hyjnore”, Dante e ka shkruar për ne shqiptarët. Kështu u takuan për herë të dytë në holl menjëherë pas tubimit ku u ndanë me premtimin për tu riparë. Përshtypjen e Kadaresë për këtë ditë nuk do të vononim ta shihnim në parathënien e librit “Rrno vetëm për me tregue”. Së treti ata u shfaqën së bashku në Konferencën “Për identitetin evropian të shqiptarëve”, krejt të afërt në qëndrime. Kur në Presidencën e Republikës ishte në proces dekorimi i At Zef Pllumit me urdhrin e lartë “Nderi i Kombit”, shkrimtari i madh kishte deklaruar se “ai duhet nderuar si përfaqësues i vlerave më të mira shqiptare” dhe në ceremoninë e dekorimit ishte i pranishëm. Brenda një viti në shoqërinë e zonjës së tij dhe të botuesit të tij, Kadare do të shkonte tek Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit për vizitë, ku mes të tjerash ai vizitoi bibliotekën dhe varrin e poetit kombëtar At Gjergj Fishta. Gjatë ndalesës së parë në bibliotekë, ai i dhuroi bibliotekës së françeskanëve veprën e tij të plotë. Padër Zefi nga ana e vet i dhuroi Kadaresë një kopje të “Lahutës së Malcisë”, botim i vitit 1937. Kadare shkroi në librin e përshtypjeve të bibliotekës se “ishte fort i lumtur që vizitonte këtë institucion të kulturës shqiptare, ndonëse vonë”. Françeskanët bujarë dy herë shtruan drekë për nder të shkrimtarit, duke e vënë atë në krye të vendit. Gjeografia e bisedës tejkaloi çdo parashikim, u fol për gjuhën letrare dhe raportin e saj me gegënishten, për letërsinë e Buzukut, Bogdanit, Budit, Bardhit, Fishtës, për aktualitetin e kulturës shqiptare e shumë çka tjetër. Aty kujtuan murgun Gjon dhe shenjat e hershme kristiane të veprës së tij, gjë për të cilën ai nuk pat vështirësi për t’i komentuar e pranuar. E përcollën Kadarenë jo më pak se 20 françeskanë, kryesisht të rinj, duke i ripërsëritur që tek ta ishte gjithmonë i mirëseardhur e mik i përhershëm. Herën e dytë, Zef Pllumi nuk mund ta përcillte deri jashtë mikun e tij, por ishte ky i fundit që do ta shoqëronte atë nëpër korridorin e gjatë të Kuvendit, deri tek dhoma e tij. Kam pasur fatin të dëgjoj një nga ato biseda që rrallë në jetë ndodh ti dëgjosh. Frati i mbështetur mbi shkop i drejtohet Kadaresë duke i thënë “Nigjo Ismail, historia jonë është një histori llogoresh, sot unë e ti gjindna bashkë në të njajtën llogore në mbrojtje të kulturës dhe përkatësisë evropiane të shqiptarëve dhe e kam për nder. Siç e sheh, fuqitë janë ka më lanë, por unë kam me të pshtetë pa rezerva”.
Dhe darka e fundit me ftesë të At Pllumit ndërmjet dy të mëdhenjve, u bë pranverën e shkuar në shtëpinë e Tonin Shpatit pranë Kishës françeskane, në Tiranë. Tema nga më interesantet u rrahën në atë tryezë. Në fund të kësaj mbrëmjeje, pasi i përcolli deri në krye të shkallëve, ndenji dhe i shoqëroi të ftuarit e tij gjatë me sy. Kadare i tha: “Padre do të shihemi prapë në verë” - ai iu përgjigj – “Ehh, Padre, pleqnia asht e pabesë” dhe me gjestikulaconin e tij që shprehte më shumë se fjalët sikur thoshte: Kjo asht një miqsi e pakohë që ka fillue para se me u takue dhe si e tillë asht e pambarim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora