E diele, 28.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Faleminderit

Pse jane harruar martiret e Grudes dhe Zef Miliqi!?

E shtune, 15.12.2007, 10:53 PM


Nga Gjeke Gjonlekaj /New York

Luftërat sjellin dhëmbje e rrënime të mëdha. Këto rrënime e dhëmbje i përjetoi rëndë popullli shqiptar gjatë dy luftërave botërore. Ata që përjetuan Luftën e Parë Botërore nuk jetojnë më. Ndërsa nga Lufta e Dytë ende jetojnë disa dëshmitarë, që i kanë parë ngjarjet me sytë e tyre.Disa nga ato dëshmi janë shënuar gabimisht, ose janë trilluar për qëllime të caktuara. Pastaj është edhe një rregull  tjetër jo i drejtë, që historinë e shkruajnë ata të cilët e  fitojnë luftën. Popujt e Ballkanit ka thënë Winston Çurçhilli “prodhojnë tepër shumë histori”. Eshtë problem i madh, sepse tregjet ballkanike të historisë  janë të vogla. Përveç tjerash, këto prodhime nuk janë kualitet dhe, pas një kohe humbin vlerën. Si Shtëpi Botuese që veprojmë ligjërisht këtu në Shtetet e Bashkuara, disa herë kemi bërë përpjekje për t’i futur disa nga ato vlera në tregjet e kulturës amerikane, por jo gjithmonë kemi pas sukses, sepse amerikanët nuk i shijojnë aq shumë disa prodhime tona. Albanologët amerikanë kanë kundërshtuar përkthimin  anglisht të disa këngëve kreshnike që, sipas tyre kanë më shumë karakter terrorist se heroik. Bile disa pasardhës të atyre “kreshnikëve” sot e kësaj dite i këndojnë dhe i kultivojnë këto këngë dhe, ata që nuk e miratojnë “vlerën” e tyre i bëjnë armiq.

Ashtu si te gjitha viset tjera te Ballkanit, edhe Malësia e Madhe në të dy anët e kufirit përjetoi dhëmbje e rrënime  gjatë Luftës së Dytë Botërore. Por,  sot e kësaj dite, nderohen më shumë ata që  shkaktuan  ato tragjedi e dhëmbje, se ata qe i përjetuan. Ata, gjoja luftëtare, i nderonte Partia dhe Pushteti. Ndërsa populli bënte të kundërtën,  këndonte për trimërinë dhe lavdinë e atyre që janë vrarë.  Disa nga ato vargje  kanë mbetur të  pashlyeshme në kujtesën tonë. Edhe pse kaluam pothuajse 40 vjet në tokën  e Amerikës, e ndjejmë thellë tragjedinë dhe trishtimin e disa malësorëve shqiptare, që dhanë jetën si trima në altarin shqiptar të nderit. Dhëmbja e respekti për këta burra legjendare të Malësisë u rrit edhe më shumë, duke lexuar vepra  të fesë e të kulturës. Në Ungjillin e Shën Gjonit, Jesu Krishti thotë: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: “të japë jetën e vet për  miqtë e vete”. Pas Ungjillit asnjë dokument tjetër nuk është më i fuqishëm në mbrojtjen e mikut se Kanuni i Lekë Dukagjinit, i cili thotë: “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit dhe e mikut” dhe “po iu pre kuj miku, kanuja i ka lane dy udhe: a te fiket a te koritet”. Mbrojtja e mikut në traditën shqiptare ishte vepër e shenjtë. Kur është fjala për mbrojtjen e mikut, asnjë kod i vjetër nuk mund të krahasohet me Kanunin e Lekë Dukagjinit, përveç kodeve antike të Japonisë. Këto përfundime janë nxjerrë nga dijetari i sotëm japonez, Kazuhiko Yamamoto.

  Pasi e lexuam shumë herë me vëmendje Ungjillin dhe gjithë ato nene të Kanunit, na u përfytyrua trimëria legjëndare  e Zef Miliqit, për të cilin këndohet e flitet me respekt për më tepër se 60 vjet.  Nuk kemi dëgjuar dhe nuk kemi lexuar që një shqiptar tjetër t’i ketë zbatuar në këtë mënyrë porosite e dy librave të lartëpërmendur. Në moshën tonë të re, disa herë e kemi vizituar vendlindjen e tij, Selishten, që është një vënd  piktoresk, në krahun e djathtë, nalt  mbi lumin Cem. Për nderin, trimërinë  dhe urtinë e Selishtit kanë shkruar autorë të përmëndur shqiptarë, midis tyre edhe Pater Gjergj Fishta e Pater Anton Harapi, bile në kryeveprat e tyre letrare  “Lahuta e Malësisë” dhe “Andrra e Pretashit”. Jo rastësisht Dede Gjo’Luli është martuar me një bijë fisnike të vëllazërisë Lulgjuraj, nga Selishti. Të gjitha këto tregojnë vlerat e larta morale, që arritën kulmin me tragjedinë e Zef Miliqit.

Një ditë dimri, të Mërkuren e Përhime, me 12 shkurt të vitit 1945, që në kalendarin fetar katolik shënohet si dita e përgatitjeve për mundimet e Krishtit dhe të Ringjalljes, një skuadër pushkatimi jugosllavo-komuniste, në krye me Bajo Stankoviqin hynë në Selishtë, në kërkim të 3 vëllezërve Lulgjuarj të akuzuar për pjesëmarrje  në Kryengritjën anti-komuniste të Këlmendit. Rastësisht në shtëpi të Zef Miliqit gjetën Losh Gjokun e Hotit, me të cilin Zefi  kishte lidhur kumari për pajtim gjaku. Pas një debati të gjatë me Zefin, komandant i skuadrës së pushkatimit ia vuri prangat Loshit dhe tërbimi i tyre shtazarak jepte shënjat e një tmerri të madh. Zefi ofroi pëng  jetën e vet, për shpëtimin e kumarës mik në shtëpinë e tij,  por më kot, sepse terroristët nuk e përfillën fare. Zefi ngulte këmbë përsëri dhe, më në fund, ofroi për flijim dy djemtë e tij, Nikollën e Markun për të shpëtuar kumarën, por as kjo sakrificë biblike nuk ishte mjaft për xhelatët. Më në fund, Zef Miliqi vëndosi me dhënë jetën me kumarën dhe u nis bashkë me të për të bërë  “Rrugën e Kryqit”,deri në vëndin e pushkatimit, te Kisha e Grudës. Zefi i qëndroi pranë  kumarës në ato orë trishtuese, para vdekjës. Komandanti i togës së pushkatimit iu lut Zefit të kthehej në shtëpi, bile për ta frikësuar e qëlloi me plumba në këmbë. Pas atyre plagëve të rënda, ua ktheu gjoksin për t’u treguar, se nuk kishte frikë vdekjën. Këtë udhëtim tragjik e bënë së bashku me 3 vëllezërit martirë të Grudës,  bijtë e Prenkë Tom Lulgjuarj; Lucën,  Dodën e  Gjergjin. Atë ditë, nëpër atë rrugë tragjike, kishte kaluar edhe Kolë Gjeli i Trieshit. Më në fund arritën në vendin e pushkatimit, afër Kishës së Grudës. Arritën pranë asaj Kishe Historike, për t’u bërë hi e pluhur nga të shtënat breshër të atyre monstrumeve anti-shqiptare dhe anti-njerëzore. Secili ra në vorrin e vet. Zefin  e  lanë të fundit, të bindur se do të ndryshojë qëndrimin,por jo trimi i paepur i shikoj drejtë në sy e u tha; bini mos më kurseni. Krisi batarja dhe ra për dhe vigani shqiptar Zef Miliqi i Grudës. Shëmbuj të tillë nuk gjëjmë shumë as në kohërat biblike, ose antike, përveç qëndresës heroike të meshtarëve shqiptare, në diktaturën  staliniste të Enver Hoxhës. Një fjalë e urtë popullore thotë:”O Zot mos na provo”. Atë ditë u hap lajmi për Golgothën e Grudës. Ushtoi gjama e dhëmbja për atë tragjedi, burra e gra vajtuan ndërsa rapsodët kënduan:

                             “U hap lajmi në atë Malësi
                            Se në Grude u ba i kerdi
                            Shumë janë met burra dai
                            Shumë janë vra e shumë janë gri
                           Zef Miliqi me shoke të tij”

Dy dëshmitare të asaj tragjedie, që kanë jetuar në Podgorice, kanë treguar gjërësisht për qëndresën heroike të Zef Miliqit. Ata thonë se kanë qënë ushtare dhe, nuk kanë bërë  pjesë në skuadrën e pushkatimit.  

Populli shqiptare i atyre trojeve ka treguar gjithmonë respekt për   gjashtë martirët e Grudës , në krye me Zef Miliqin.  Nikolle Zeli, siç e quajnë në Malësi, dy ditë pas pushkatimit i ka nxjerrë prej  gropave dhe me ndihmën e dashamirëve, të gjithë i ka varrosur në Selisht. Që të dy vëllezërit, Nikolla e Marku nderohen për sjelljet e tyre fisnike dhe për heroizmin mitologjik të babës. Nikollë Zeli, që është dëshmitari më i vërtetë i kësaj ngjarje, jeton në Tuz. Qysh atëherë  janë shkruar shumë histori, monografi e vepra të llojeve të ndryshme, por nuk kemi dëgjuar se është bërë dicka serioze për këtë masakër, që është e veçantë nga masakrat e tjera. E bën të veçantë sakrifica e Zef Miliqit dhe e tre vëllezërve Lulgjuraj. Masakra e ushtrisë sërbe kundër tre vëllezërve Bytyçi që shkuan  nga Amerika  vullnetarë në Luftën e Kosovës, në vitin 1999, ishte lajm botëror. Pse mos të  ishte lajm botëror edhe masakra te Kisha e Grudës. Kuptohet se në atë kohë sundonin diktaturat dhe nuk kishte internet.

Trimëria e Zefi Miliqit është e pashoqe në jetën shekullore. Si e tillë duhet të ndërohet. Vlerat morale të një sacrifice si kjo meritojnë respektin kombëtar dhe gjithënjerëzor.  Trimat legjendar si Zef Miliqi respektohen edhe në qytetërimet e huaja, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që është shquar në luftërat më të mëdha të botës, për ruajtjen e demokracisë dhe lirisë njerëzore. Eshtë detyrë e jona dhe e brezave pas nesh, t’i nderojmë dhe t’i respektojmë ata dhe të tjerët, që dhanë jetën për ideale të tilla. Do të ishte vepër fetare dhe kombëtare, nëse atje në vëndin ku janë vrarë të ngrihej një kryq dhe një monument dhe, për çdo vit të Mërkuren e Përhime, të  kujtohen me ceremoni fetare e qytetare dhe ajo tokë e përgjakur të vizitohet prej shqiptarëve dhe të huajëve.Tragjedia e tyre  është vepër e madhe për fe, për histori dhe për të gjitha artet. Një fjalë e urtë thotë; heronjtë mund të vriten dy herë. “Atëherë kur vriten dhe, kur  harrohen”.

 Autori është publiçist dhe ish gazetar i Zërit të Amerikës.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora