E diele, 28.04.2024, 07:19 PM (GMT+1)

Faleminderit

Gjergj Gjokaj ishte misionar i vërtetë pajtimesh

E merkure, 19.12.2007, 10:29 PM


(Me rastin e 10-vjetorit të vdekjës)

Nga Gjek Gjonlekaj / New York

Pritje ne prag te Krishtlindjeve 1996, ne familjen Gjonlekaj. I pari nga e majta Gjergj Gjokaj, Ismail Kadare dhe Elena Kadare. Ne kembe Gjeke Gjonlekaj
Në traditën e popujve të qytetëruar është detyrë përkujtimi i ngjarjeve historike dhe personaliteteve që kanë dhënë jetën ose kanë vepruar dukshëm për të mirën e shoqërisë. Përkujtimet  janë të rëndësishme por lutjet fetare për shpirtin e tyre janë edhe më të rëndësishme. Krishtërimi ka një traditë të shkëlqyeshme kur është fjala për këto nderime.Eshtë një e vërtetë që shihet përditë.Bota  perëndimore zbaton traditën e lashtë kishtare. Gjatë ceremonive përkujtimore ngrihet morali i familjes dhe shoqërisë. Këtë praktikë  e zbatoi Papa Gjon Pali i Dytë më shumë se asnjë tjetër. 

Me këtë rast e pamë të udhës të përkujtojmë me një shënim Gjergj Gjokaj me rastin e 10-vjetorit të vdekjes.Lajmin për vdekjën e tij e morëm nga Luigj Camaj në aeroportin John Kennedy në New York në mbrëmjen e 30 dhjetorit 1997.Tome Gjonlekajt që është djali i vëllaut tim i shkuan lotët kur e dëgjoi lajmin për vdekjen e Gjergjit.  Toma e Gjergji edhe pse të moshave të ndryshme ishin shumë të dashur dhe kishin kultivuar një respekt reciprok. Në nëntor të vitit 1989 Gjergj Gjokaj me ftesën e Familjes tonë erdhi në Amerikë për të marrë pjesë në dasmën e Tomës dhe me këtë rast u prit mirë nga Komuniteti i Malësisë në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte vizituar Amerikën edhe një herë më parë në vitin 1981.

Më 28 nëntor 1997 dëgjova emisionin e Zërit të Amerikës dhe reportazhin e korrespondentit Ali Salaj në lidhje me kremtimin e Ditës së Flamurit në Ulqin ku Gjergji kishte mbajtur fjalimin e rastit. Nga toni dhe niveli i zërit shihej se është shumë i ftohur. Ai zë tepër i lodhur paralajmëronte vdekjen e tij. Dy ditë me vonë mjetet shqiptare të informacionit duke përfshirë këtu edhe Zërin e Amerikës dhanë lajmin për vdekjen e Gjergj Gjokaj. Ali Salaj përsëri u paraqit në Zërin e Amerikës me një shënim special për vdekjen  e tij.Shqiptarët e Amerikës sidomos malësorët treguan ato ditë dhëmbje e respekt  si për asnjë përsonalitet tjetër të Malësise. Gjergj Gjokaj që në Malësi njihej edhe me emërin Gjergj Daku lindi në një prej familjeve më fisnike të Malësise së Madhe. Kjo është një e vërtetë e pakontestueshme. Prindërit: Daku dhe Tolja kanë qënë të nderuem në mesin ku kanë jetuar. Dak Leka  kishte tiparet  e një burri të vërtetë, ndërsa nëna e tij Tole Lekja ishte punëtore dhe fetare e madhe. Bashkohanikët e tij thonë se Gjergji qysh në fëmijëri është dalluar për sjellje të mira. Por vulën e edukatës serioze e fitoi në Seminarin Jezuit të Shkodres. Aty mori  bazat themelore të arsimit dhe kulturës. Në seminarin Jezuit dhe Franceskan të Shkodrës janë edukuar shumë personalitete të njohura  të kulturës shqiptare midis tyre edhe Faik Konica. Por diktaturat komuniste në Ballkan bënë që arsimi dhe kultura fetare  të zbehtë ose të zhduket fare për një gjysmë shekulli. Mosha e re dhe kushtet politike të kohës e detyruan edhe Gjergjin t’i përshtatet ambientit që siguronte jetesë dhe ardhmëri më te mirë. Shumica e të arsimuarëve shqiptarë vepruan në këtë mënyre, kështu veproi edhe poeti Martin Camaj, i cili edhe pse kishte mbaruar Gjimnazin Jezuit të Shkodrës pohonte haptas se është agnostik. Diktaturat kush më pak e kush më shumë bënë dëme të mëdha në shoqërinë shqiptare duke futur frikën dhe  ndjenjën e vetëmohimit.Këto komplekse dëmtuan përparimin e vërtetë të shqiptarëve kudo. Ekzistenca dinjitoze në ato kushte ishte shumë e vështire. Ata të cilët u qëndruan besnik bindjeve fetare e kombetare u dënuan rëndë sidomos në Shqipëri.Gjergj Gjokaj dallonte në këtë fushë sepse nuk ishte inferior ndaj gjuhës shqipe dhe kulturës kombëtare, sic ka ndodhur me disa shqiptarë të tjerë në Mal të Zi. Dashurinë për gjuhën dhe traditën kombëtare e tregoi në arsim në kulturë dhe mjetet shqip të informacionit por me kujdes dhe i rezervuar duke mos luhatur shumë peshojen e regjimit. Menjëherë i kuptoi rregullat e lojës komuniste  dhe kishte frike pasojat. Horizontin e gjuhës dhe kulturës  e zgjeroi edhe më shumë gjatë studimeve universitare në Beograd gjegjësisht në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsise Shqipe. Atje u njoh me shumë intelektuale të Kosovës dhe Shqipërise.Në vitet 50’dhe 60’ punoj shumë për arsimin kulturën dhe radio-transmetimet në gjuhën shqipe. Gjatë këtyre dy dekadave për arsye që kuptohen nuk ishte shumë aktiv në jetën shoqërore. Politika në atë kohë kërkonte personazhe që kishin një karakter tjetër.Gjergji nuk mund të ishte aktor me rëndësi në lojen e tyre diskriminuese ndaj shqiptarëve në Mal të Zi. Pakica shqiptare vuante nga diktati i shumicës dhe nga elementi anti-shqiptar, bile Gjergji disa here eshte ballfaqua edhe fizikisht me ata bandit nëpër zyrat shtetërore të Podgoricës. Për pothuajse dy dekada e studioi këtë ambient shoqëror dhe politik  dhe më në fund hyri trup e shpirtë  në orbiten shqiptare. Dëgjoi dhe lexoi shumë sharje e fyerje kundër popullit shqiptar shumë herë pa arsye e ndonjëherë edhe me arsye.Ndjehej i fyer para qytetarëve të Malit të Zi dhe më gjërë për disa vepra ç’njerëzore të shqiptarëve. Një nga ato ishte tradita barbare e gjakmarrjes kundër njerëzve të pafajshëm. Ky gjenocid antinjerëzor qe fatëkeqësisht zbatohet sot e kësaj dite në disa vise të Shqipërise ishte për Gjergjin i papranueshëm. Të gjithë intelektualët, klerikët dhe njerëzit e ndershëm ishin kundër këtij fenomeni shfarosës dhe të turpshëm.Kjo epidemi e rëndë shoqërore e shtyri Gjergjin të kërkoj ilacin për sherim dhe në vitin 1970 filloi fushatën serioze  kundër kësaj gangrene dhe në bashkëpunim me autoritetet fetare dhe krerët e popullit arriti marrëveshjen historike që tani njihet me emërin  “Besëlidhja e Malësisë”. Kjo Besëlidhje që ka edhe karakter biblik u miratua  Ditën e Shën Pjetrit në Tuz që është kryqyteti i Malësisë në Mal të Zi. Por disa ore pas betimit të malësorëve shqiptare, bandat kriminale anti-shqiptare organizuan vrasjen e Lekë Kolës dhe këtë e realizuan nëpërmjet një atentatori shqiptar. Shtypi qendror i Jugosllavisë e priti mirë këtë lajm trishtues, duke pohuar se shqiptarët shkelën Besën dhe të gjitha ato komente  ishin trillime të gabuara. Një ditë më vonë në ceremoninë mortore të Lekë Kolës, ungji i tij burri fisnik Nua Vuksani i Hotit  deklaroi se do t’i qëndrojë besnik Besëlidhjes së Malësisë dhe nuk do të këtë gjakmarrje kundër atyre që nuk janë fajtor. Të nesërmen Gjergj Gjokaj iu përgjigj shtypit qëndror jugosllav që Besëlidhja e Malësisë u perforcua edhe më shumë pas këtij akti tragjik. Kjo ishte një fitore historike për popullin shqiptar në Mal të Zi dhe më gjërë. Gjergj Gjokaj dhe Nua Vuksani me këtë vepër u bënë përsonalitetet më të nderuara në Malësi.Gjergji i qëndroi besnik këtij Institucioni deri më 30 nëntor të vitit 1997 kur mbylli sytë përgjithmonë. Zoti e kishte pajsur me  fuqi të jashtzakonshme për pajtime, për paqe dhe për marrëveshje ndërnjerëzore.Kishte vullnet të jashtzakonshëm për veprimtari në këtë fushë.Nuk luante rolin e gjykatësit as të prokurorit  dhe jo se jo  të avokatit. Ishte një pajtimtar i vërtetë dukej si ëngjëll ndërmjet palëve të gjakosura dhe në ato çaste rrezatonte paqe  e dashuri. Në këtë veprimtari ka treguar sinqeritetin e tij të vërtetë dhe pikërisht për këtë ka pas sukses. Gjithmonë citonte një thënje personale  “ Pajtimet bëhen me zemër të pastër” Gjergji nuk ishte burrë pleqërish ishte misionar pajtimesh. Kurrë nuk transmetonte  fjalë të  këqija të palëve armiqësore që mund të demtonin pajtimin. Kishte fuqinë e meshtarit të vërtetë dhe akuzat e ndërsjellta i ruant me besënikërin më të madhe.Misioni i tij ishte një porosi e madhe që e kishte lexuar në Testamentin e Ri. Në këtë veprimtari nuk është korruptuar asnjë çast të vetëm  pasi ky ves i keq do ta kishte shkatërruar gjithë misionin e tij qysh ditën e parë. Kishte një pamje impozante dhe të kujtonte ato figurat e kohës biblike, ishte misionar i vërtetë, evokonte kohën e jezuitëve të paqes në tokat shqiptare. 

Prania e tij në Amerikë ndjehej menjëherë. Pas pajtimeve një pjesë të kohës e kalonte me njerëz që nuk silleshin mirë në shoqëri dhe politikisht tepër të mbrapshte. Ishte i vetëdijshëm për gabimet e tyre por nuk shqetësohej shumë. Nuk i lavdëronte por as nuk prishte miqësi me ta.Këtu në Shtetet e Bashkuara merrte pjesë në të gjitha  gëzimet dhe hidhërimet e shqiptarëve, mbante fjalime në vdekje dhe në dasma, u dallua me nje fjalim ne vdekjen e Profesor Arshi Pipes ne Washington. E donte jeten,por edhe  kryet e vëndit. Ne të gjitha dasmat shqiptare e pranonte titullin e kryetarit të dasmorëve që për ne ishte e pakuptueshme sepse kishte pretendime të larta intelektuale.  Nuk kishte shumë  prirje për shkencë dhe nuk gëzohej shumë për sukseset e miqëve dhe shokëve. Në çdo aktivitet dhe vepër shikonte rolin dhe pozitën personale. Nëse nuk ishte aktori kryesor nuk shpenzonte shumë energji.Kishte prirje krahinore dhe fisnore.Nuk ishte disident sepse pozitën personale nuk e vënte në rrezik për kurrgjë. Deri pas shëmbjes së komunizmit nuk hyri në kishe dhe gjatë meshës qëndronte në oborr. Kështu vepronin edhe komunistët tjerë të Malësisë. Në shoqëri me shqiptarë muhamedanë ishte shumë i butë dhe kishte një kulturë të jashtzakonshme të bashkëpunimit ndërfetar, ndoshta ishte edukata edhe ambienti i vëndlindjes. Ai tregonte se bashkëfshatarët e tij  muhamedanë nuk e quanin Gjergji i Dakut por Gjergji Ynë. Në Amerikë pas fillimit të rënjës së Jugosllavisë ka marrë pjesë aktive në levizjën e shqiptarëve për lirinë e Kosovës. Ka dëshmuar në Kongresin amerikan per çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi. Në bashkëpunim me Beqir Alinë ka bërë fushatë financiare për ngritjen e Shtëpisë së Kulturës në Tuz. Ajo shtëpi meritonte emërin e Gjergj Gjokaj. Nëse shkolla tetëvjeçare e Tuzit meritonte emërin e Mahmut Lekiqit edhe Shtëpia e Kulturës meriton emërin e Gjergj Gjokaj. Këtu në Amërike institucionet e tilla pagëzohen me emëra personalitetesh e jo emërtime malesh,luginash e pyjesh.Nga ana tjetër Tuzi nuk është Firenca. Gjergj Gjokaj për më shumë se dy dekada ka qënë figura qëndrore e veprimtarisë shoqërore në Malësi dhe më gjërë. Eshtë figurë e  nderuar dhe arkitekti i Besëlidhjes që më vonë u bë shëmbull për Kosovën dhe pajtimtarin e njohur Anton Çetën.Për vdekjen e Gjergj Gjokaj ishte trazuar edhe moti ato ditë.Shqiptarët e Amerikës e nderuan me një pjesëmarrje të madhe në varrimin e tij, që ishte treguesi më i mirë  i respektit për Gjergjin. Qysh atëherë Malësia është në kërkim të një figure që mund ta zevëndesojë Gjergj Gjokaj, por pa sukses. Kushtet janë pjekur dhe në horizont duket ndonje përsonalitet që mund të luaje rolin e tij. Do të ishte në nderin e shqiptarëve që me këtë rast të themelonin një shpërblim më emërin e tij që mund të quhej “Shpërblimi Gjergj Gjokaj për Pajtim”. Eshtë koha që të shkruhet një vepër serioze për këtë personalitet që tani është pjesë e historisë së popullit shqiptar. Ky dhe shumë shqiptar tjerë nga ato troje meritojnë respektin tonë dhe të brezave pas nesh.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora