E premte, 26.04.2024, 05:11 AM (GMT+1)

Mendime

Kostaq Xoxa: Një skandal i panevojshëm, që duhej shmangur nga autorët e tij

E shtune, 26.09.2009, 06:05 PM


Një skandal i panevojshëm, që duhej shmangur nga autorët e tij

Nga Kostaq Xoxa

Maqedonia është ndër shtetet më të reja, të cilin shumëkush e quajti FYROM, por ajo vetë kërkonte të emërtohej Maqedoni. Sidoqoftë Shqipëria qé e para ose e dyta që e njohu si shtet. Ne kemi atje afërsisht 40 % të banorëve shqiptarë. Janë edhe ata të interesuar të kenë shtetin e tyre. Marrëdhëniet për vajtje-ardhje matanë e përkëtej kufirit kanë qenë të mira. Shkëmbimet tregtare, po ashtu. Në një kafe tre shokësh, një miku ynë i dilte në mbrojtje Maqedonisë për emrin që duhej të ndërronte ky shtet, sipas Greqisë, që kishte veton në dorë. Ai arsyetonte: - “Është çështje e brendshme, mor jahu! Gjeorgjí ka një shtet të SHBA-ve, por ka edhe një shtet në Azinë e Afërt. Edhe Manastiri ndodhet në Maqedoni; por me këtë emër kemi edhe një qytet bregdetar të Tunizisë”. Veçse ky dashamir i Maqedonisë, sikur i rrudhi buzët më vonë, kur shteti maqedonas e mori dashamirësinë tonë, në përgjithësi, si dobësi: Ky komshiu ynë u tregua i padrejtë me Universitetin shqiptar të Tetovës; i diskriminoi shqiptarët gjer në ngritjen e armëve; nuk respektoi si duhet marrëveshjen e Ohrit; maqedonasit lanë nam në një qytet të Italisë jugore, ku ndërtuan një bust të Nënë Terezës, me cirilike në piedestal, duke e quajtur si maqedonase; po orvaten t’i prishin edhe shtëpinë nobelistes së njohur në të gjithë botën . Përse? Për të ndërtuar një kishë! . . .
E tani, së fundi, na dalin me një të ashtuquajtur Enciklopedi të Akademisë, me në krye një antishqiptar me emrin Bllazhe  Ristovski, që duket se është profan në shkencat historike. Sigurisht, përderisa në këtë Enciklopedi, me kontribut édhe të taksapaguesve shqiptarë të Maqedonisë , shkruhet për këta se janë kaçakë, të egër, shpellarë, bashkëpunëtorë të barbarisë turke; se shqiptarët u krijuan si shtet nga Gjermanët, në Luftën II Botërore (!), se mbajtën nën kontroll popullsinë autoktone të vendit...”. Akademiku Ristovski i quan maqedonasit pasardhës të sllavëve. Ndërsa, duke rënë në kundërthënie, diku shkruhet se janë pasardhës të maqedonasve antikë! A nuk e njeh ky “intelektual” vetinë kalimtare të mosbarazimeve, se (a<b) ^ (c <a) ? c<b ? Sllavët kanë zbritur nga Uralet e Karpatet në sh. VII pas Krishtit, ndërsa Aleksandri i Madh ka pasë jetuar 350 vjet para Krishtit! A mos u ka marrë koka erë, kur del si deduksion se Leka i Madh mund të shkruante sllavisht, në cirilike? Nuk qenkan harruar falsitetet para njëzet vjetësh të Vuk Drashkoviçit, sipas frymëzimeve të Vasa Çubrilloviçit?
Një enciklopedi e tillë ka zemëruar opinionin publik shqiptar, në Maqedoni dhe jashtë saj. Doktor Berisha, në takimet e veta në Nju-Jork gjatë punimeve të Asamblesë Parlamentare të OKB-së, foli me presidentin e Maqedonisë, George Ivanovin. Ia vuri në dukje këtë botim absurd presidentit maqedonas. Ivanovi i premtoi Berishës tërheqjen nga qarkullimi të enciklopedisë me terma fyese për shqiptarët. Por skandali shpërtheu, amà! Mos prisnin urimet këta injorantë të abecesë historike? Kanë filluar të japin dorëheqjen akademikët shqiptarë në Maqedoni. Shtypi në Shqipëri është i përditshëm për këtë veprimtari të shëmtuar. Nga etja e botëkuptimit të Naçetarnie-s dhe të dallimeve të hershme dhe të tanishme në dëm të kulturës shqiptare dhe të të drejtave arsimore të këtyre, qarqet akademike serbe e kanë futur veten në një qorrsokak, bash në gjendjen kritike në të cilën ndodhet tani Maqedonia. Shqiptarët, brenda dhe jashtë këtij shteti të ri me etnitet të paqartë - ose pa etnitet fare, - kanë ngritur një ortek kundërvënieje tepër të fuqishëm, që e kanë dëmtuar rëndshëm  reputacionin e vendit të tyre në arenën ndërkombëtare. Dihet lashtësia e shqiptarëve, e vërtetuar  që në kohë të vjetra e të reja. Prejardhja ilire e shqiptarëve është vulosur nga shkencëtarë të kalibrit të Tomashekut, Kreçmerit, Krahes, Joklit, Vuliçit, në krahasim me të cilët këta enciklopedistë të falsitetit, do të dukeshin si milingonat para elefantëve! Diskreditimi i liliputëve është i plotë.A mund të portretizohen në atë mënyrë këta njerëz krenarë që kanë ruajtur dinjitetin, gjuhën dhe flamurin kombëtar, duke qenë bashkështetas me etnitet të pastër, të padyshimtë?
*   *   *
Kemi menduar të bëjmë një ballafaqim me njërën prej enciklopedive më me prestigj në Itali. E kemi fjalën për veprën e madhe të Institutit të Enciklopedisë Italiane, që mban emrin e themeluesit të saj, Xhovani Trekanit (Treccani). Në vëllimin XXI të saj gjendet zëri Macedonia (f. 751-767, viti 1934). Në titullin Etnografia, në shekujt V dhe IV para Krishtit, etniciteti i banorëve ndahet dy mendimesh. Në kohën e Filipit, as skllevërit nuk donin të krahasoheshin me maqedonasit, të cilët i quanin barbarë. Izokrati është i mendimit se familja mbretërore maqedonase është me origjinë greke dhe e ka zanafillën te Herakliu. Krejt në kundërshtim me këtë hipotezë është Demostheni dhe mendimi i përgjithshëm është se maqedonasit  nuk e kanë aspak fillesën te grekët: “Janë njerëz të një race tjetër. S’kanë asgjë të përbashkët në ngjashmëri me ne, grekët”.
Në vitin 433 para Krishtit filloi grindja ndërmjet Perdikës dhe vëllait të tij, Filipit të 1-rë, që kishte mbështetje tek Athina. I biri i Filipit, Aleksandri,  vazhdoi veprën e babait të tij që në moshën njëzetvjeçare. Aleksandri arriti që t’ua bashkëngjisë armët greke  atyre të Maqedonisë. Me këtë dyfishim armësh dhe me flotën greke në përdorim të tij, Aleksandri i Madh nisi luftën kundër Persisë (334 para K).
Vijmë te viti 219. Tani Filipit ia prishin ekuilibrin ilirët, të cilët Filipi i 1-rë i quante të rrezikshëm.  Ndërkaq në këtë vit romakët pushtuan Apolloninë dhe Durrësin (Epidamno), si edhe bregdetin Adriatik, që zotërohej nga Dhimitër Fari . Ndërkaq iliri Skerdilajdi, kishte pushtuar disa lokalitete të Maqedonisë dhe ishte shtrirë edhe në truallin ndërmjet Ohrit dhe Prespës. Filipi luftoi kundër Skerdilaidit për disa vite me humbje në det, pavarësisht nga disa suksese të vogla tokësore, pranë kufirit. Romakët nuk u dëbuan dot nga Iliria. Për më tepër përforcuan pozicionet në Greqi. Maqedonisë po i ngushtohej laku. Filipi V i Maqedonisë bëri besëlidhje me Antiokun III të Asirisë, por pa ndonjë përfitim. Romakëve u interesonte kjo dobësi e maqedonasve. Romakët korrën një fitore të madhe në Kinoqefalí (197 para K.) dhe Filipit iu desh të tërhiqej nga të gjitha zotërimet në Greqi. Ai dorëzoi flotën dhe robërit. Filloi të përgatitej për një mësymje të re, por vdiq në vitin  179, para se të vinte në zbatim përgatitjet. U mundua i biri, Perseu, (171-168), por ra rob. Kështu mori fund mbretëria e Maqedonisë.
Maqedonia u bë provincë romane.
Dhe vijmë në Mesjetë. Në sh. III (pas K), vërshuan vise barbare (të jashtme). Maqedonia ra në honin e mjaft luftërave dhe në kaos etnik dhe politik. Dhe nuk e mori dot më veten. Në sh. VI, u pushtuan nga hunët. Por këta  u shpërndanë në verilindje, pas vdekjes së udhëheqësit të tyre, Atilës.
Sllavët e parë u dukën në Maqedoni në vitin 552. Më pas erdhën avarët dhe, më vonë, bullgarët. Sllavët u shtynë në tokat djerrë, të zbrazura dhe të shkretuara nga luftat. Në sh. VII mund të thuhet se sllavët u rrasën mirë në Maqedoni dhe u krye operacioni etnik. Maqedonia u quajt nga shkrimtarët grekë, gjatë këtij shekulli e më tej,  “Slavinia”. (De Boor, f. 347). Në shekullin VIII u krye shformimi përfundimtar etnik. Si nga ana e të folurit, ashtu edhe nga etnia, Maqedonia u bë një vend sllav, pavarësisht se mbeti politikisht  një provincë bizantine, gjer në sh. IX. Pushtuesit sllavë nuk përbënë një komb dhe nuk patën një organizim dhe një kulturë të tyren. Ishin më tepër si një masë amorfe. Të vendosur këtu, nuk ndërtuan dot një shtet, megjithatë.
*   *   *
Gjer këtu, paraqitëm fare përmbledhtazi një sasi faqesh  që do t’i korrespondonte nja 50 faqeve të formatit A4 të printuar. E sigurojmë lexuesin se, pavarësisht nga shkurtimi në këtë shkallë, nuk i jemi shmangur as një thërrime tekstit në origjinal. Para se të vazhdojmë më tej, këtu komenti është i domosdoshëm, për të nxjerrë në pah falsifikimin trashanik të Enciklopedisë maqedonase, nëpërmjet disa pyetjeve: Maqedonasit, me një histori të lavdishme në kohën e Lekës së Madh, a e ruajtën gjuhën maqedonase të lashtësisë? Po flamurin e tyre? Kur themi maqedonas, a kemi  ndonjë gjurmë të kombësisë së tyre të lashtë? A e mohojnë dot në ditët e sotme se janë sllavë? Cila është gjendja e tyre etnike e tanishme? Ata vihen midis Shilës dhe Karibdit kur përmendin shqiptarët, se krahasimet janë shkatërrimtare për këta pseudoakademikë që kanë rënë në gracka të tilla. Shqiptarët kanë pasë folur shqip në lashtësi dhe po atë gjuhë flasin edhe sot. Një gjuhë që s’ka të bëjë fare me gjuhët sllave. Një gjuhë kombëtare, që s’ka të ngjashme me të, asnjë gjuhë tjetër.  Një gjuhë krejtësisht të individualizuar, në bashkësinë e gjuhëve indoeuropiane. Po flamurin? Flamuri i Skënderbeut është edhe ai yni, i ditëve të sotme. Sa për etnicitetin, kur thua shqiptar  ke folur për një kombësí plotësisht të përcaktuar.
Shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të themi se janë sot në gjendje të pushtimit, në shtetin tonë fqinjë. (Madje, edhe po ta dëshironin një gjë të tillë, kjo do të ishte e pamundur, sot). Por a mos, vallë, në nënvetëdijen e disa qarqeve, qofshin këto edhe intelektuale, ekzistojnë ndjesi të përdhosura, të pleksura me xhelozi, dhe kërkojnë të përballen me një lakmi meskine të brendshme?  Dhe të dëshirojnë ta shohin edhe gjysmën e tyre, - të përkorë e të panjollosur nga tallazet e furtunave historike, - të krahasueshme me gjendjen e tyre? Ne do të dëshironim të kundërtën. Të krijoheshin konditat që të dy palët të jetonin si vëllezër, me sinqeritet ndaj njëri-tjetrit. Historikisht, për fat të mirë, Maqedonia nuk ka ndjesi të përftuara nga konfliktet si ato të Serbisë ndaj kombit tonë. Kësisoj vepra si ato që janë bërë objekt i këtij shkrimi, nuk duhet të kenë vend në një shtet në të cilin, të dy palët përbërëse të këtij shteti, do të shkojnë, bashkërisht, në Bashkimin Europian. 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora