E merkure, 30.04.2025, 05:20 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Hipokrizia e një proteste

E merkure, 23.09.2009, 08:50 PM


Hipokrizia e një proteste

Nga Halil Matoshi

Pse një fjali e vetme në intervistën e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Christopher William Dell, dhënë gazetës “Koha Ditore” është sfiduese për shoqërinë kosovare dhe kërkon një përgjigje masive? Pse organizatorët e protestës së 14 shtatorit mashtruan publikun dhe pse kryeministri i Kosovës po bën gabime shkollore, duke shpërfillur përmasat që po merr shtrirja e islamit politik si dhe injorimi i simboleve të shtetit?

Nëse analizohet protesta e 14 shtatorit në rrafshin e mendësisë dhe kontekstit kosovar qytetarit të Kosovës i mbetet hapësira manash, as brenda as mbi, pra as me qeverinë dhe as me lëvizjen VETËVENDOSJE! E para, Qeveria përdor retorikë disiplinuese të tipit “mshile gojën ose formo parti”, ndërkaq e dyta, vetëvendosja përdor sovranitetin e Kosovës si floskulë për ta instrumentalizuar masën, e në esencë është hipokrizi, sepse të hënën nuk u mbrojt sovraniteti i Kosovës, madje është cenimi i parë publik në rrafshin e fuqisë së simboleve, kur në marshin për mbrojtjen e këtij sovraniteti mungoi flamuri i këtij shteti sovran. Këtë, unë e quaj mashtrim.

Dhe në këtë rast, VETËVENDOSJE dhe Albin Kurti ka manipuluar me të gjitha grupimet e tjera pjesëmarrëse dhe me vetë qytetarët.

Historia e protestës së kuazi-shoqërisë civile kosovare mbetet me shumë të panjohura, por elementet përbërëse që e dizajnuan atë, më bëjnë të ndihem në anën tjetër të barrikadës. Pse?

Kisha pasur një bisedë telefonike me njërin nga organizatorët e kësaj proteste dhe, natyrisht për shkaqe që i kam theksuar në këtë kolumne në javën që shkoi, parimisht e kam përkrahur atë, mirëpo jam shokuar me shkallën e lartë të populizmit që e përshkoi, me qasjen hipokrite ndaj sovranitetit të atdheut tonë Kosovës, me nacionalizmin e profilit të lartë dhe me elemente shtesë që janë pikante për Jihadin islamik. Prandaj, e kam refuzuar pjesëmarrjen dhe e tërheq përkrahjen. Parullat tepër bajate, shoqërisht retrograde dhe me domethënie ultranacionaliste dhe jashtë kontekstit të proceseve të shtetndërtimit, si “EULEX, UNMIK – merri çantat edhe ik”, “Shqipëri etnike”, “UÇK” e të ngjashme, janë populiste dhe etnonacionaliste, së këndejmi nuk i kontribuojnë krijimit të një hapësire tolerante dhe një shoqërie të hapur që i ka interes nacional integrimet veriatlantike dhe në BE; por pjesët përbërëse të dizajnit të protestës si bartja ekskluzivisht e flamurit shqiptar duke e injoruar skajshmërisht simbolin e shtetit, sovranitetin e të cilit kinse po e mbronin si dhe përdorimi i librit të shenjtë mysliman Kuranit, si rekuizitë e manifestimit dëshmojnë hipokrizinë e një mendësie, e cila gënjeu turmat, se kinse po manifeston kundër protokolleve EULEX - Beograd si dhe kundër qeverisjes jokompetente të koalicionit PDK+LDK. Sidomos organizatorët mashtruan turmën kur thanë se ideja fillestare e protestës është për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës, e në anën tjetër doli se ishte legalizim i intencës për bashkim kombëtar dhe legalizim i elementëve Jihadistë në kryeqytetin e Kosovës. Liria e besimit është e drejtë e lindur, dija mbi fenë është e disponueshme për të gjithë, kurse libri i shenjt mysliman e ka vendin në xhami e jo në rrugë, vetëm aty lexohet e interpretohet me kompetencë, e në ato institucione fetare ka qasje të lirë secili që dëshiron, beson dhe militon. Abuzim më të paskrupullt të sovranitetit të atdheut të kosovarëve nuk mund të ketë dhe njëkohësisht doli të jetë edhe abuzim me ndjenjat e përkatësisë etnike dhe fetare.

Në anën tjetër, Qeveria e vendit, përkatësisht kryeministri thirri shoqërinë civile dhe sidomos lëvizjen VETËVENDOSJE, për garë demokratike te kutitë e votimit... Ku, ai mendon se do t’i mundë lehtë!? Ndoshta. Por, vajtuese është mënyra se si kryeministri Thaçi e ka konceptuar demokracinë. Sipas këtij perceptimi, kush flet e shkruan, kritikon e proteston, kush nuk bindet, ai nuk është demokrat i vërtetë, duhet me u sprovue para popullit, pra duhet me hy në garë më të, secili që e do Kosovën më të mirë pra u dashka të formojë parti politike dhe dalë në zgjedhje të lira... E çka nëse dikush kurrë s’do të hyjë në garë me të, (me kryeministrin) por që as nuk do të pajtohet kurrë më të?

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nëse mendon se secili që ka mendim kritik ose që nuk pajtohet me politikat qeveritare, duhet të bëjë parti rivale, sepse është armik politik, e ka kuptuar gabimisht ndërtimin e demokracisë. Të mendosh, të marrësh pjesë, të debatosh dhe të protestosh është e drejtë njerëzore dhe qytetare, madje edhe detyrë patriotike (patriotizëm konstitucional) nuk është monopol i vetëm partive politike. Demokracia, mbrojtja e saj dhe e vlerave të lirisë u përket të gjithë qytetarëve pa kushtin e partizimit. Prandaj, matja prej së larti me secilin që mendon ndryshe është gabim shkollor. Nëse tërë qytetaria përfshihet në parti politike, nëse krejt shoqëria civile dhe mediat po ashtu përfshihen, atëherë kështu, përmes participimit në pushtet, krijohen bazat (përmes koalicioneve politike ose interesave biznesore) për ta suspenduar demokracinë.

Gjë që nuk është interes i Kosovës, pra as i Qeverisë së saj. Por Qeveria e Kosovës duke qenë se Kosova është në prag të zgjedhjeve vendore e ka zgjedhur të heshtë, para rritjes së propagandës së nacionalizmit etnik antioksidental dhe islamit politik edhe në Kosovë.

Për fund t’i rikthemi fjalisë esenciale të ambasadorit Dell.

“Kosova është shtet sovran dhe askush nuk është duke e kontestuar sovranitetin e saj, përveç një shteti fqinj. A nuk mundemi që të pranojmë se Kosova është shtet sovran dhe të vazhdojmë? Ky konstatim dhe kjo pyetje e ambasadorit amerikan janë alfa dhe omega e projektit të pakryer kosovar. Në një pyetje të mirë gjithashtu mund të jepen edhe përgjigje të mira. E pyetja e Dellit është njëmilionëshe!? Partitë politike kosovare të përfshira në parlament nuk e komentojnë konstatimin dhe nuk kanë guxim qytetar t’i përgjigjen pyetjes, sepse frikësohen se mund t’i humbasin zgjedhjet. Pjesëmarrësit e protestës së 14 shtatorit e kontestuan hapur konstatimin e Dellit (pra, sipas tyre Kosova nuk është dhe nuk mund të funksionojë si shtet, por duhet të bashkohet me Shqipërinë) ndërkaq që përgjigjja e tyre në pyetjen njëmilionësh është “jo, nuk mundemi të pranojmë që Kosova është shtet, pra nuk mundemi të vazhdojmë...!?.

A mund të mbetët peng i manipulimit të një pakice agresive tërë një shoqëri dhe një shtet? Cila është përgjigjja e të zgjedhurve të kësaj shoqërie?

Nuk e di, por mendoj se në secilin variant shumica e qytetarëve vullnet lirë të Kosovës e duan shtetin e tyre dhe po e pranojnë këtë fakt për të vazhduar... U mbetet VETËVENDOSJES dhe Qeverisë të negociojnë ndërmjet vete se a është Kosova shtet apo jo, a duhet t’u thuhet qytetarëve ta duan këtë shtet apo t’u jepet sinjal që ta shkatërrojnë këtë sovranitet, për të luftuar për ndonjë sovran tjetër!?

Në protestën e 14 shtatorit nuk u kontestua as konstatimi dhe as nuk u dha përgjigje direkte, por u përdor mashtrimi. Kjo protestë ishte e dizajnuar kundër sovranitetit të Kosovës, hapur, ndonëse publikut i shitej si protestë në mbrojtje të sovranitetit e kundër aranzhmaneve të EULEX-it me Beogradin zyrtar.

Instrumentalizimi i vlerave të lirisë dhe manipulimi me ndjenjat e qytetarëve të Kosovës, qofshin ato etnike apo fetare është hapi i parë drejt monopolizimit të historisë, pushtetit dhe shkërmoqjes së një shoqërie, shkatërrimit të kohezionit territorial dhe kombëtar të një shteti të ri.

E trishtueshme!



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx