Faleminderit
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Kush ma i pari bani...
E hene, 24.08.2009, 07:18 PM

ME TETOVARËT NË GJERMANI
KUSH MA I PARI BANI…
Pikërisht në orën gjashtë të mbrëmjes në kafenenë e italianit, aty afër kambanares së kishës në Stolberg, takohen pensionistët e Tetovës. Po e kërkove ndonjërin prej tyre, do ta gjesh aty, po nuk e gjete, ta gjejnë ata që rrinë aty, si Sytkiu, Ibrahimi, Shafiu, Ahmeti, Beshiri, Afeti, Musafeti e kush jo tjetër. Disa janë të rregullt, disa të herëpashershëm, e disa të tjerë të rrallë, sidomos ata që janë kthyer në Tetovë dhe vijnë ndonjëherë këndej. Edhe unë i takoj një mbrëmje aty, derisa përpara kanë filxhanat e kafesë, ndërsa në dorë mbajnë telefonat mobilë, se dikush i thërret, ja djemtë, ja nuset, ja nipat e mbesat. Derisa i shikoj pasi më kanë bërë vend në tavolinë, si nëpër ëndërr më kujtohet ajo kënga e vjetër “Kush i pari bani…” dhe, mundohem ta di cili është prej këtyre i pari që shkeli në mërgim, në këtë skaj të botës. Padashtas më sillen në mendje vargjet:
Tri ditë ymër pata
Në këtë tokë fallgjore,
Edhe k’to të shkretat
Në kurbet na i more!
Cili është i pari? Nexhmi Rexhepi? Jo. Ai duket më i moshuari, por jo. Ibrahim Ibishi, jo se jo. Sytki Rexhepi ? Jo. Kadri Bexheti që ka ikur në Tetovë i pensionuar, jo. Mund të jetë edhe ndonjëri që është më i ri përnga mosha, por më i pari mund ta ketë shkelë tokën e huaj. Jo e jo. I pari, më thonë, është Xheladin Halili nga Bozofca. Ai qysh në fillim të viteve gjashtëdhjetë kishte ardhur në Gjermani dhe tash është i pensionuar. Jeton në Tetovë dhe kthehet ndonjëherë këndej, këndej ku i ka kaluar ato “tri ditët e shkreta”. Ai i ka çelë udhë Bozofcës për të ardhur një pjesë deri në Stolberg të

Ahmet Shabani, që po ashtu iu bashkohet ndejave të mbrëmjes, herët ka nisur udhët e mërgimit. Pas ca kohe kur kishte bërë punë në Beograd, ku dimrit, ajo era e fortë, Koshava, si i thonë andej, ta çan gjoksin, derisa shokët po shkonin ta kalonin një pjesë të dimrit në Tetovë, ky ia mësyn Zvicrës. Thoshin se ka më shumë para në Zvicër, flet Ahmeti. Me të dalë këndej, pra në Europë, jo vetëm pagat, por edhe kushtet e jetës ishin shumë më të mira se në Beograd apo qyteteve e katundeve të Vojvodinës ku bënim punë. Dalëngadalë filluan të vijnë edhe të tjerë. Edhe unë pastaj erdha në Gjermani. Fillova punë në ndërtimtari, në qytetin Leverkuzen, afër Këlnit. Atëherë aty kisha më shumë kolegë pune nga Kosova. Vit pas viti dhe këtu u moshuam. Kur jemi këtu, mendjen e kemi në Tetovë, e kur jemi atje, mendja na rrin këtu. Tash si të pensionuar, nuk mund të merrni vendim që të ktheheni andej, i themi. Jo lalës! Tash jemi moshuar dhe na ka hyrë frika nga pak. Këtu jemi mësuar me motin, me shërbimet e ndryshme, e më së shumti me shërbimet shëndetësore. Kur jam në Tetovë, një ftohje të vogël po ta përjetoj, mendja më shkon këndej. Po ashtu, tash edhe fëmijët që janë rritur, i kemi këndej me punë dhe ne jemi ata që nuk mund të jetojmë ndaras, ani që kanë ardhur këto kohët moderne, si po thonë.
Shafi Abazi na rikthen te mosha e rinisë, te njomësia e saj. Ne nuk kishim si të shkolloheshim. Ishim njerëz të paperspektivë në atë drejtim. Rrethi i jetës po ngushtohej në Malësi, atje mbi Tetovë. Për ta mbajtur jetën në ato shpatije të Sharrit, duhej bërë punë, jo vetëm në fshat, por larg, në viset ku mund të bëhej pak fitim. E si dihet, paratë dhe pushteti ishin në duart e sllavëve dhe në pjesët nga jetonin ata. Kështu rinia e shumicës prej nesh filloi nëpër stacionet e trenave, ku bëhej ngarkim-shkarkimi dhe punët e tjera. E fillonim me Shkup e me Gjevgjeli dhe, kalonim në Beograd e në Vojvodinë. Por sado që punonim pa ndalë, nevojat e familjes shtoheshin. Punë për punë, më mirë për ne që u hapën udhët nga Europa. Njëri pas tjetrit gjetëm punë dhe u sistemuam edhe me familjet. U hapën perspektivat edhe për fëmijët tanë që po vinin në jetë. Kështu e mbërrimë edhe pleqërinë në dhe të huaj, por edhe patëm çka të lëmë pas. Ne me punë e me sjellje kemi fituar të mirat materiale dhe tek vendësit kemi fituar respektin si njerëz të ndershëm dhe punëtorë të përkushtuar. Në mesin e vendësve kemi bërë miq të shumtë.



Komentoni
Artikuj te tjere
Milazim Kadriu: Poezi për dëshmorët e kombit (VIII)
Faruk Tasholli: Me tetovarët në Gjermani - Parathënie & Gjaku i Sharraxhijve
Mark Preçi: Në kërkim të shtëpisë së Gjergj Fishtës
Asllan Saraçi: Bajame Hoxha (Çeliku)
Halit Bogaj: Helena Bonham Karter
Përkujtim me rastin e 30-vjetorit të vdekjes - Sadulla Brestovci 1933 - 1979
Alfred Papuçiu: Një jetë në shërbim të Kombit dhe Kosovës - Hevzi Kryeziu (1953 - 2009)
Feride Papleka: Shuteriqi, studiues i zanafillave tona kulturore
Mexhid Yvejsi: Hasan Dashi
Milazim Kadriu: Poezi për dëshmorët e kombit (VII)
Arif Molliqi: Meditim i vazhdueshëm për heroin - Kthimi i Adem Jasharit në Kullë
Mexhid Yvejsi: Idriz Vuçitërna
Rajmonda Maleçka: Poemë për Adem Jasharin
Nehat Jahiu: Dy lulëkuqe mbi dy varre…
Milazim Kadriu: Poezi për dëshmorët e kombit (VI)
Mexhid Yvejsi: Tahir Thaçi
Thanas Gjika dhe Andi Dervishi: Një pasues i denjë i Kostandin Kristoforidhit
Halit Bogaj: Jeronim De Rada
Mexhid Yvejsi: Baba Jusuf Myzyri (1881-1956)
Mexhid Yvejsi: Hasan Adem Kaleshi