E shtune, 27.04.2024, 11:22 AM (GMT+1)

Faleminderit

Thanas Gjika dhe Andi Dervishi: Një pasues i denjë i Kostandin Kristoforidhit

E merkure, 12.08.2009, 09:57 PM


Vladimir Dervishin, Janar 2007

NJË PASUES I DENJË I KOSTANDIN KRISTOFORIDHIT

(Esse për Ph.D. Vladimir Dervishin)

Nga Thanas Gjika
dhe Andi Dervishi

Në vitet ’80-të të shekullit të kaluar, në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u emëruan disa të rinj që binin në sy për zgjuarësi dhe zotërim të disa gjuhëve të huaja në një nivel që nuk e kishin pasur punonjësit e emëruar më parë. Të tillë ishin Vladimir Dervishi, Ardian Vehbiu, Ina Arapi, Bardhyl Demiraj, Kristaq Jorgo, Lad Petani, etj.
Deri në vitin 1991 këta punonjës shkencorë dhanë rezultate premtuese në fushat ku u aktivizuan. Ata po e justifikonin opinionin e ishpedagogëve të tyre si A. Kostallari, J. Thomai, E. Lafe, J. Bulo, etj, të cilët i patën quajtur shpresa e Institutit. Mirëpo kushtet e vështira në të cilat ishin lënë institutet e Akademisë së Shkencave gjatë monizmit, si dhe mosinteresimi i shtetit “demokratik” për përmirësimin e kushteve të punës dhe të jetës së punonjësve të këtyre instituteve, shkaktuan largimin e shumë të rinjve të aftë, midis të cilëve edhe të këtyre kuadro që përmendëm. Ata ikën dhe u punësuan në qendra të tjera, jashtë ose brenda shtetit, ku vijojnë të punojnë dhe sot.
I quajturi tranzicion për shkencat albanologjike mund të quhet një ngecje në vend, për të mos thënë një ecje prapa. Asnjë prej të ikurve nuk është thirrur të punojë me projekte pune pranë institucioneve shkencore prej ku u larguan, madje edhe kur ata vetë ofrojnë projekte, drejtuesit e instituteve nuk kanë treguar mirëkuptim.
Në këtë esse po përpiqemi të vemë në dukje disa nga vlerat e shumta të punës së njërit prej këtyre punonjësve shkencorë, të Ph.D. Vladimir Dervishi, i cli po shkëlqen këtu në Amerikë këto dy dhjetvjecarët e fundit në disa fusha,  si në fushën e fjalorëve shqip-anglisht, në hartimin e metodave për mësimin e gjuhës shqipe, në përkthimet Biblike, në mësimdhënie, në kompjuterizimin e shqipes për përkthime nga anglishtja në shqip e nga shqipja në anglisht, etj.
Së pari ai u punësua me projekte prej prof. Leonard Newmark në vitet 1992-1998 pranë UCSD (Univeristety of California, San Diego). Prof. Newmark është një nga albanologët e mirënjohur amerikanë për studimin e gjuhës shqipe. Kjo punë u kurorëzua me hartimin e Albanian-English Dictionary (fjalori Shqip-Anglisht) që u botua prej Oxford University Press më 1998, vepër e cila njohu dhe një botim të dytë në një variant më të përmbledhur. Po ashtu, pranë UCSD Ladi punoi dhe në projektin Spoken Albanian për hartimin dhe botimin e një vepre didaskalike metodike Lerning Albanian (metodë për mësimin e shqipes) për anglishtfolësit.
Me nxitjen e Lad Dervishit, prof. Newmark nxori një fond prej një million dollarësh për kompjuterizimin e kartotekës së gjuhës shqipe, e cila kishte mbetur në stadin primitiv të skedave të shkruara me dorë gjatë viteteve 1957-2000. Mjerisht disa kolegë të Institutit, e konsideruan këtë ofertë ndihme, jo si rrugë efikase për modernizimin e kartotekës së fjalorit të shqipes, por si vjedhje të leksikut të gjuhës shqipe. Kështu drejtoria vendosi të mos e pranonte ndihmën prej 1.000.000 dollarësh për ta kompjuterizuar kartotekën e gjuhës shqipe dhe e ka lënë atë në një gjendje të mjerueshme.
Gjatë vitit 1998-1999 Lad Dervishi punoi pranë Systran company (system of translations) ne La Jolla, CA, kompani qe merrej me fjalorë të kompjuterizuar në dy ghuhë. Këtu ai punoi në projektin e fjalorit të kompjuterizuar për përkthimet nga anglishtja në shqip e anasjelltas.
Një fushë tjetër shumë e suksesëshme, së cilës i kushtoi energjitë e veta studiuesi Dervishi mbas ardhjes në Amerikë, është dhe ajo e përkthimeve biblike. Politika antifetare e regjimit komunist në Shqipëri kishte shkaktuar një shkëputje prej traditës në këtë fushë. Mbas punës madhore që kishin bërë Gjon Buzuku, Vangjel Meksi, Kostandin Kristoforidhi, Thanas Sina, At Fan Noli, etj, përkthimet biblike në gjuhën shqipe kishin pësuar një ndërprerje të dhunshme. Gjuha, si një fenomen i gjallë, kishte ecur përpara, kurse gjuha liturgjike kishte mbetur prapa prej mospërdorimit me mbylljen e kishave dhe mos botimin e librave kishëtare.
Për të plotësuar nevojat e ngutëshme të shërbesave fetare në gjuhën shqipe Kisha Evangjeliste Shqiptare dhe ajo e Dëshmitarëve të Jehovait, në vitet 1993-1999, punësuan njerëz për përkthim në shqip të të gjithë Biblës ose vetëm të Dhiatës së Re prej varianteve më të mira të anglishtes, italishtes e frëngjishtes. Duke qenë studiues i mirëformuar dhe serioz, Ladi i sugjeroi Christian Heritage College në San Diego, CA. nevojën e përkthimit të Biblës në shqip prej gjuhëve origjinale në të cilat ishte shkruar ajo. Për këtë arsye ai u kthye në bangat e shkollës si student për studimin e greqistes së vjetër, në të cilën ishte shkruar Dhiata e Re dhe aramaishtes (hebraishtes së vjetër), në të cilën ishte shkruar Dhiata e Vjetër.  Këtë rrugë kishte ndjekur në shek. IV Shën Jeronimi, një ilir prej Dalmacisë, për ta përkthyer Biblën sa më mirë në latinisht. Këtë rrugë kishte ndjekur në shek XVII edhe komisioni i aprovuar prej mbretit James të Anglisë, i cili realizoi përkthimin e Biblës anglisht prej greqishtes e hebraishtes. Në po këtë rrugë kishte ecur dhe Kostandin Kristoforidhi në shek. XIX, i cili kishte mundur të përkthente vetëm Dhiatën e Re dhe dy a tre libra të Dhjatës së Vjetër.
Në vitin 1993, për të mësuar greqishten e vjetër, zoti Dervishi u regjistrua si student i regullt në CHC  College (San Diego), të cilin e përfundoi në dy vjet dhe jo në katër a pesë si studentët e tjerë. Për zotërimin e mirë të kësaj gjuhe, ai u emërua pedagog i greqishtes në këtë kolegj, punë të cilën e mbajti për pesë vjet rresht.
Për të arritur në nivele të larta të përkthimit të termave dhe nocioneve teologjike, Lad Dervishi ndërmori dhe studime në teologji dhe në historinë e krishtërimit. Të tilla studime e ndihmuan atë që jo vetëm të zotëronte më mirë e më thellë nocionet e konceptet biblike, por dhe të kryente një evolucion botkuptimor. Nga një studiues laik me bindje afetare, ai arriti të zotëronte besimin fetar dhe ta bënte atë një aspekt të botëkuptimit të tij. Ai dhe familja u konvertuan në kristianizëm.
Mund të themi se me Lad Dervishin ndodhi një fenomen i ngjashëm që kishte ndodhur më parë dhe me persona të tjerë që ishin marrë me studime e përkthime biblike. Për ilustrim po përmendim Fan Nolin. Në dekadat e para të shek të XX-të ky atdhetar e kishte shpallur veten ateist, kurse vite më vonë mbasi iu kushtua punës kishëtare, studimeve dhe përkthimeve biblike përvetësoi besimin tek Zoti dhe e predikoi Fjalën e Tij me bindje të plotë. Noli ia kushtoi pjesën më të madhe të jetës punës priftërore dhe përkthimeve liturgjike. Edhe Lad Dervishi hyri në këtë rrugë me guxim e përkushtim, duke bërë dhe sakrifica personale dhe familjare.
Puna për përkthimin e Dhiatës së Re nga greqishtja e vjetër në shqip u kurorëzua me sukses me botimin DHIATA E RE Versioni CHC, Tiranë, Mars 2000.
Puna për zotërimin e hebraishtes dhe përkthimin e Dhiatës së Vjetër zgjati disa vjet dhe, si do ta shohim, është pezull për momentin, për arsye shëndetësore. Në vitet 1997-2002,  Ladi u kthye sërisht në bangat e shkollës mbasi fitoi një bursë studentore. Në këto vite ai kreu me sukses studimet për zotërimin e hebraishtes pranë Betthel Seminary. Këto kanë qenë ndër vitet më të lodhshme për Ladin. Në moshë mbi dyzet vjecar, ai duhej të përqendrohej në studimin intensiv të gjuhës së vështirë hebraishte dhe here pas here të merrej dhe me përkthime për të ndihmuar familjen nga ana ekonomike. Po ashtu ai duhej të kujdesej dhe për mbarëvajtjen e dy djemtë ende të vegjël, Andi i lindur më 1986 dhe Kevini më 1995. Moza, nënë dhe bashkëshorte e përkushtuar nuk mund ta ndërpriste punën si kimiste, sepse nuk mund të përballohej jeta…
Mbas përfundimit të studimeve në vitin 2002 Ladi filloi punën për përkthimin e Dhiatës së Vjetër nga hebraishtja në shqip, punë e cila u cua deri në dy të tretat, sepse në shkurt të vitit 2008 ai u shtrua urgjentisht në spital.. Aty u diagnostikua se truri i tij ishte prekur prej një tumori të paoperueshëm. Filloi disa kurime me radiacion dhe medikamente, të cilat, ndërprenë zhvillimin e shpejtë të sëmundjes.
Ne keto momente Ladi po vazhdon me kurajo luften me tumorin dhe shpreson te vazhdoje jeten dhe per vite te tjera….

Shkenca shqiptare ka në luftë për jetën një nga punonjësit shkencorë më të kualifikuar, një nga njohësit më të mirë të greqishtes së vjetër dhe të vetmin njohës të hebraishtes së vjetër... Për fat të keq institucionet shkencore të Shqipërisë nuk e ftuan kurrë për bashkëpunim dhe as synuan që ta aktivizonin në projekte pune për përkthimin dhe botimin e Biblës. Madje, si vumë në dukje më lart, instituti prej ku ishte larguar e ktheu mbrapsht ndihmën e tij prej 1.000.000 dollarësh për modernizimin e katotekës së gjuhës shqipe.
Shumica e intelektualëve të sotëm shqiptarë ende nuk e kanë lexuar Biblën, madje as pjesën e dytë të saj, Dhiatën e Re. Mirëpo duhet ditur se leximi e madje përvehtësimi i mësimeve themelore të kësaj vepre ka ndihmuar qytetarët e botës për të qenë më të dashur ndaj njëri tjetrit. Kështu dhe ne shqiptarët do të ecim më përpara në rrugën e dashurisë njerëzore duke e vlerësuar e lexuar Dhjatën e Re, këtë dhuratë të madhe të nxënësve të Jezu Krishtit, të cilën na e solli në shqipen e sotme letrare z. Lad Dervishi.
 Studiuesi e përkthyesi Vladimir Dervishi ëndërron që mbasi të shërohet, krahas përfundimit të përkthimit të Dhiatës së Vjetër, të realizojë bashkë me ndonjë koleg amerikan e shqiptar botimin e Dhiatës së Re pajisur me shënime dhe harta të reja, ku të sqarohet se apostulli Pal jo vetëm punoi, por edhe shkroi disa letra edhe në territore ilire që i përkasin sot Shqipërisë.


(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora