E shtune, 27.04.2024, 11:54 PM (GMT+1)

Mendime

Gjovalin Macaj: Shqipëria në NATO: vlera simbolike e një pritjeje në heshtje

E shtune, 04.04.2009, 12:54 PM


Shqipëria në NATO: vlera simbolike e një pritjeje në heshtje

NATO, VLERAT E PRITJES

Nga Gjovalin MACAJ*
gjovalin.macaj@gmail.com
 
Integrimi i shumëpërfolur po bëhet më i prekshëm, më ne fund. Një brez i tërë është regjur nga ligjërimet e pafundme të integrimit Euroatlantik nga klasa politike e vendit. Edhe pse integrimi mbetet alternativa e vetme realiste afatgjatë, himnizimi i saj ka shërbyer për të shmangur përgjegjësinë e pushtetarëve për mjerimin në vend.

Ligjërimi i integrimit vazhdon të shërbejë si burimi kryesor i legjitimitetit të shtetit, jo vetëm i qeverisë, nga paaftësia e këtyre të fundit për të përmirësuar në mënyrë të prekshme kushtet e jetesës në vend.

Klasa politike ka arritur pa shumë mundim të shesë integrimin Euroatlantik, si zgjidhjen e të gjitha halleve të popullit, dhe kështu ka shmangur vëmendjen dhe pritshmëritë e zgjedhësve nga problemet e prekshme tek mjegulla e integrimit, sa qeveritë gjykohen, kryesisht, mbi perceptimin e shkallës së progresit të këtij integrimi.

Mjegulla e integrimit punon si anestezi e stërzgjatur për të mbajtur popullin me shpresë në shtegtimin përmes shkretëtirës së tranzicionit.

Edhe pse të dehur nga ky ligjërim, populli synon nëpërmjet integrimit, të heqë qafe këtë klasë politike të mbrapshtë, me shpresën se do të gjejë një qeverisje më të denjë njëherë të integruar. Edhe pse motivet kryqëzojnë njëri-tjetrin, shtegtimi mbetet kolektiv, në kërkim të legjitimitetit e shpëtimit nga jashtë.

Hyrja në NATO vjen si një lajm ngushëllues në këtë shtegtim sfilitës. Trumbetohet anekënd si një rast historik dhe kush mundet shpalos listën e meritave në këtë arritje të madhe. Ngadhënjimi i madh na bën të harrojmë për një çast, se merita kryesore për hyrjen në NATO vjen nga vetë kjo e fundit, ngaqë është duke u përpjekur me sa mundet, t'u tregojë miqve dhe armiqve se po përtërihet si aleancë.

Sidoqoftë, ky ngadhënjim është i kuptueshëm dhe i ligjshëm për një popull të uritur në kërkim të vetëbesimit, që kërkon shpëtimin tek të tjerët. Të shthurur dhe të çoroditur sikur jemi, ndjejmë sikur po çlirohemi nga barra e shpërfilljes dhe mohimit shumëshekullor.

Të mallëngjyer shohim veten krahë më krahë me klanin që simbolizon atë bashkësinë e fuqishme dhe të përparuar që e kemi lakmuar kaq gjatë. Është një çlirim shpirtëror dhe psikologjik, mbase arratisja shpirtërore nga vorbulla e tranzicionit rraskapitës.

Por ja qe gjallëria dhe optimizmi ynë pa kufi, nuk ndahet nga NATO-ja, edhe pse nuk duam ta shohim apo t'ia dimë. Mbërritja jonë në NATO pritet në heshtje. Është sikur të mbërrijmë në një dasmë që po mbaron. Në fakt, NATO-ja duket se i ka sosur ditët më të mira të saj.

NATO-ja nuk është çfarë ka qenë.

Në NATO merreshin vendime jetike, ishte forumi ku zhvillohej dialogu midis evropianëve të Perëndimit dhe amerikanëve të Veriut. Më shumë se një mburojë kundër Bashkimit Sovjetik, mishëronte një bashkësi vlerash të përbashkëta, çfarë përbënte dhe brumin e aleancës më të gjatë dhe të suksesshme ndonjëherë.

Sot, vendimet e rëndësishme nuk merren në NATO. Vlerat e përbashkëta midis evropianëve dhe amerikanëve, sa vijnë dhe tkurren. Edhe pse është zgjeruar pesë herë, NATO-ja ka humbur drejtimin dhe arsyen e të qenit. Lidershipi amerikan, si gjithkund në botë, ka perënduar edhe në gjirin e NATO-s.

NATO-ja sot nuk ka lidership, sikur u dëftua qartë me sfidimin e qëndrimit amerikan në lidhje me anëtarësimin e Gjeorgjisë e Ukrainës, në Samitin e Bukureshtit. Jo vetëm që nuk ka lidership, por askush nuk kërkon të marrë përsipër atë. NATO-ja është si një anije në det të hapur, që vërtitet pa destinacion.

Duke qenë se NATO-ja nuk ka një arsye të të qenit e pavarur nga çfarë bën -pra, performanca e saj në terren përcakton legjitimitetin e të qenit të saj, ajo është e detyruar të kërkojë gjithandej për të bërë diçka, për të gjetur një arsye për të qenë, siç dëfton prania e saj në Ballkan, Azi dhe Afrikë. Zgjerimi i veprimtarisë së NATO-s nuk tregon fuqinë e saj, por më tepër se është e hutuar, dhe akoma në kërkim të një identiteti të ri për të legjitimuar vetveten.

Që nga fundosja e Bashkimit Sovjetik, debatohet se çfarë duhet të bëjë, çfarë jo dhe sa larg duhet të shkojë. Kjo rrëmujë ka zbehur edhe funksionin më thelbësor të saj: mbrojtjen e përbashkët. Polonia nënshkruan marrëveshje të mbrojtjes së anasjellë me SHBA-në, kur anëtarësimi në NATO duhet të shërbente pikërisht për këtë qëllim.

Paradoksalisht, shtetet Baltike ndihen tani të pasigurta, për faktin se janë në NATO, dhe jo jashtë saj. Një dështim i mundshëm në Afganistan, do të trondiste NATO-n në themele. Sidoqoftë, ngatërrimi i NATO-s me veten nuk zbeh aspak rëndësinë simbolike të veçantë, që ka anëtarësimi ynë pranë saj.

Mbase, në mënyrën më thelbësore, hyrja në NATO ndihmon në shkurtimin e largësisë psikologjike midis vendeve Perëndimore dhe Shqipërisë.

Kryesisht, për shkak të vetizolimit tonë gjysmëshekullor dhe të injorancës së qëllimshme të vendeve Perëndimore në përgjithësi, Shqipëria shpërfillet në një mënyrë të çuditshme, saqë edhe pse është kaq afër gjeografikisht, në rrafshin psikologjik shihet si një vend i largët, i zymtë dhe i panjohur.

Në të kundërt, Australia apo Zelanda e Re, që ndodhen në anën tjetër të botës, përjetohen krejt afër psikologjikisht dhe shpirtërisht.

Në një botë ku perceptimi është të shumtën e herës realitet, anëtarësimi ynë në NATO lëshon tinguj drejtues dhe sigurues tek këto vende dhe vë në lëvizje procesin gradual të afrimit. Kështu, Shqipëria zhvendoset nga 'bashkësitë e të tjerëve' tek 'bashkësia e vetes' në hartën psikologjike të këtyre vendeve.

Çfarë është më e rëndësishme, heqja e këtij kufiri psikologjik është, në një farë mënyre, edhe kapërcimi i rrethimit të parë drejt hyrjes në BE, duke qenë se ndihmon në zbutjen e ndjenjave të histerisë dhe ksenofobisë, tek një pjesë e madhe e qytetarëve të vendeve të BE-së kundrejt Shqipërisë.
 
Kështu do të jetë më e lehtë për qeveritë përkatëse, për të mbrojtur zgjerimin e mundshëm të BE-së me Shqipërinë. Sidoqoftë, shkurtimi i largësisë psikologjike nuk asgjëson problemet që ushqejnë perceptimet negative. Më tepër ndihmon në zvogëlimin e atyre perceptimeve negative që janë sajesa, që nuk përputhen me realitetin.

Për shembull, Rumania dhe Bullgaria janë anëtare të BE-së për më shumë se dy vite, por akoma nuk trajtohen si anëtare të mirëfillta, për shkak të korrupsionit dhe kriminalitetit shqetësues, dhe kjo është një ndjesi e 'institucionalizuar', ngaqë akoma ndiqen nga departamenti i BE-së që merret me zgjerimin. Pra, në rastin tonë, hyrja në NATO ndihmon në krijimin e një imazhi më realist mbi Shqipërinë.

Për më tepër, anëtarësimi është një publicitet i fuqishëm falas për Shqipërinë, që dërgon sinjale sigurie dhe stabiliteti tek investitorë dhe turistë të huaj, kaq jetike për zhvillimin e vendit.

Këto sinjale sigurie dhe stabiliteti janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, sidomos në këto momente krize botërore. Të gjithë po e shohim se çfarë efekti kanë perceptimet negative në tregjet financiare, dhe si pasojë, në ekonominë botërore.
Hyrja në NATO vjen në një çast kur kemi nevojë për krijimin e një klime sigurie dhe stabiliteti në vend. Kjo klime jo vetëm që ndihmon në thithjen e investitorëve të huaj, por tërheq ato investitorë seriozë, që mund të ndërtohet diçka me to.
Një vend i pasigurt dhe jo i qëndrueshëm, tërheq më tepër 'investitorë' aventurierë, me qëllime të dyshimta që një vend normal duhet t'i mbajë larg ose në burg.

Për më shumë, vëmendja pozitive që i kushtohet Shqipërisë ndihmon në heqjen e asaj perdes tmerruese, nëpërmjet së cilës shihet Shqipëria nga shumë të huaj që dëshirojnë të vizitojnë Shqipërinë.

Së fundmi, hyrja në NATO është garancia më e mirë për mbrojtjen e sigurisë së vendit. Edhe sikur NATO-ja të mos ndërhynte me vullnet për mbrojtjen e sigurisë së Shqipërisë, do të ishte e detyruar ta bënte këtë për të mbrojtur besueshmërinë e saj, që përbën dhe themelin i ekzistencës së saj.

Nëse nuk do të ndërhynte për një vend si Shqipëria, atëherë për cilin vend tjetër nuk do të ndërhynte? Një logjike e tillë do të shkaktonte një spiral negativ, që do të çonte në fundosjen e besueshmërisë dhe si pasojë, në shkatërrimin e NATO-s. E thënë ndryshe, siguria e vendit tonë është tashmë e lidhur në mënyrë të pandashme me ekzistencën e vetë NATO-s.
Në të njëjtën kohë, zelli ynë për të hyrë në NATO, ka të bëjë më tepër me sigurinë ontologjike, sesa me mbrojtjen kundër kërcënimeve konkrete që mund t'i kanosen vendit. Kjo shihet sidomos nga angazhimi konstant për të hyrë në NATO, edhe pse siguria në rajon ka ardhur gjithnjë duke u përmirësuar.
 
Siguria që kërkojmë në NATO, ka një trajtë thellësisht ideore, dhe përbën një fazë të rëndësishme në pelegrinazhin identitar, pas humbjes se boshtit, me shembjen e utopisë komuniste, që bëri që Shqipëria të përfundojë deri në Organizatën e Konferencës Islamike për të gjetur shpëtim.

Mbase një nga efeket më thelbësorë të hyrjes në NATO, është frymëzimi dhe ruajtja e identitetit shqiptar në ndërtim.

*Student doktorature në politikën e jashtme të BE-së, ne Universitetin e Lirë të Brukselit.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora