E hene, 29.04.2024, 07:10 PM (GMT+1)

Mendime

Nuri Dragoi: Dhuna ndaj grave, detyrimet e shtetit dhe ndikimi i shoqërisë civile

E enjte, 02.04.2009, 07:03 PM


Nuri Dragoi
Nuri Dragoi

Dhuna ndaj grave, detyrimet e shtetit dhe ndikimi i shoqërisë civile

Nga Nuri Dragoi

“Amnesty International”, lidhur me dhunën ndaj grave, pak kohë më parë, ka deklaruar se masat që do të garantonin punësimin e grave, strehimin e tyre dhe një formë pavarësie ekonomike, janë absolutisht thelbësore, që ato të kenë mundësi për të braktisur martesat e dhunshme. Institucioni në fjalë, i njohur për ndikimin e tij në botë për thellimin e demokratizimit të jetës shoqërore, ka bërë studime të ndryshme mbi këtë fenomen, prej të cilave janë nxjerrë dhe konkluzionet përkatëse, të shoqëruara me rekomandime. Po sa merret shoqëria shqiptare me dhunën ndaj gruas? Përgjigja është pak, ose aspak. Janë të shumta gratë që dhunohen, dhunë e cila shkon deri në masakrim antinjerëzor. Kryhen veprime, të cilat na lënë shumë pas në kohë, duke kujtuar sjelljen e shoqërisë njerëzore në komunitetin primitiv, sidomos kur është fjala për vrasje të grave dhe vajzave, përdhunime të të miturave, por dhe dhunën fizike që ushtrohet ndaj tyre prej burrave.
Fushata sensibilizuese janë shumë të pakta dhe ato bëhen vetëm në Ditën Ndërkombëtare të Dhunës Kundër Gruas, gjë që nuk është e mjaftueshme për sensibilizim të qytetarëve. Pengesat më të mëdha që hasin gratë në Shqipëri janë diskriminimi, përfaqësimi i ulët në vendimmarrje, si dhe dhuna në familje. Sipas studimeve të ndryshme, zonat ku dhuna apo diskriminimi është më i lartë, janë zonat rurale dhe ky fenomen vjen për shkak të mendësisë së prioritetit mashkullor, kulturës së trashëguar mbi rolet tradicionale gjinore dhe e situatës ekonomike e sociale që mbizotëron në vendin tonë. Fenomeni i dhunës ndaj grave nuk ka mbetur pa u vënë re edhe nga organizatat e huaja.
Duhet të pranojmë me dhimbje faktin që dhuna ndaj gruas në Shqipëri është më shumë temë e kronikës së zezë në media, sesa e debatit politik. Pak vend zë kjo temë në bisedat televizive, median e shkruar, institucionet e shtetit, ministritë përkatëse. Të gjithë kujtohemi për ushtrimin e dhunës ndaj femrës, ditën e njohur kundër dhunës së grave, apo 8 Marsin, ditën e festës së tyre, e cila, në fakt, është dita e protestës që ato bëjnë ndaj padrejtësive shoqërore, pabarazisë, diskriminimit, jo vetëm në familje, por dhe në shoqëri, në punë e kudo. Femra, në të shumtën e rasteve, shihet si një subjekt seksi, si subjekt riprodhues, jo si një qenie shoqërore me vlera të mëdha njerëzore e progresive, që mund të ndikojë dukshëm në demokratizimin e jetës, në civilizimin e mëtejshëm të saj, në rritjen e dashurisë njerëzore, të ndihmës dhe reciprocitetit, ndjenjë që ia dhuron brishtësia e saj, të qenit nënë. Për t’u punësuar një femër duhet të plotësojë kushtet që kërkon punëdhënësi, qoftë ky privat apo shtet, pasi ende në kriteret e punësimit nuk vepron ligji, aftësia profesionale, por lidhjet miqësore dhe ato të seksit. Kjo u pa qartë dhe në videon filmike të ministrit të Kulturës, Ylli Pango, ku për të zënë një vend pune një vajzë e bukur, më parë duhet të plotësonte dëshirat e tij seksuale, veprim i cili është sa i pështirë, po aq dhe i dënueshëm.
Në një nga raportet e fundit të organizatës “Amnesty International”, vihet fort theksi mbi këtë plagë të hapur të shoqërisë shqiptare. “Amnesty International” nuk mjaftohet me punën që bëjnë organizatat e gruas, por nënvizon faktin se mënjanimi i dhunës ndaj gruas, në radhë të parë, është detyrë e qeverisë, e cila duhet të marrë masa për zgjidhjen e këtij problemi, duke mbështetur femrën në tërësi dhe krijuar mundësi më të shumta punësimi dhe strehimi për të. Megjithëse nuk ka statistika zyrtare, sipas studimeve të kryera në vitet e fundit, mbi 35 për qind e grave në Shqipëri i nënshtrohet dhunës në familje. Bëhet fjalë për dhunë të dukshme fizike, pasi dhuna psikologjike e shoqëron femrën nga lindja deri në vdekje. Fakti që kur lind vajzë, shumë familjarë rrudhin buzët, duke i dhënë përparësi djalit, diferencimi i tyre me veshje e ushqim, diferencimi në liridalje, dhuna e babait ndaj nënës në prezencë të fëmijëve, prania e inferioritetit të saj e të tjera, janë faktorë stresues, të cilët, dashur apo padashur, krijojnë një mendim të gabuar edhe te vet femrat, se ato gjoja janë të dënuara nga vet seksi të jenë të nënshtruara. Këtë dhunë e bën më të frikshme niveli i dobët ekonomik dhe mjedisi që krijohet në institucionet tona. Ato kanë frikë të ankohen për dhunën që ushtrohet ndaj tyre apo nuk kanë siguri për ruajtjen e fshehtësisë së informacionit. Jo rrallë policët janë bashkuar me dhunuesit e tyre, duke u bërë presion për të tërhequr denoncimin. Ideja për të raportuar diçka kaq personale tek policia, tek autoritetet, për të shkuar në gjyq është diçka që gratë e kanë të vështirë ta bëjnë, jo vetëm në Shqipëri, por dhe në shumë vende të botës. Shqetësimi në Shqipëri duhet parë më tepër në mendësinë e krijuar, duke e parë ndjenjën e fajit tek gruaja që rrihet dhe jo tek burri që e rreh. Dhe një nga masat që mund të marrë qeveria shqiptare, në bashkëpunim me organizatat e grave, që po merren me këtë çështje, do të ishte një fushatë për t’u thënë grave, që ato të ndërgjegjësohen se kanë të drejtë ligjore të mos keqtrajtohen.
Dhuna kundër grave duhet parë si shkelje e shumë prej të drejtave të njeriut, mes së cilave e drejta për të mos u keqtrajtuar. Nuk duhet të harrojmë se dhuna nuk është thjesht një formë e trysnisë, e kërcënimit, por ajo shkon deri në torturë. Qeveria shqiptare duhet t’ua bëjë të qartë grave, se ato nuk kanë pse t’i nënshtrohen një trajtimi të tillë dhe se ky është një problem për gjithë shoqërinë, për qeverinë dhe jo vetëm një çështje personale, që ato duhet ta përballojnë të vetme, për gjithë jetën.
Ka një sërë problemesh. Kodi i Familjes, p.sh, parashikon që gratë të kenë mbështetje ligjore pas divorcit, të ndjejnë hijen e shtetit. Të paktën duhet të kenë mbështetje për fëmijët e tyre. T’i jepet e drejta gruas për rastet kur fëmijët janë nën kujdestarinë e saj, të jetojë në banesën e familjes pas divorcit.
Janë të dhimbshme, por njihen qindra raste, kur burri bën divorcin dhe nuk mban asnjë përgjegjësi për rritjen e fëmijës, i cili i ka mbetur në ngarkim gruas, për shkak se gjykata e ka gjykuar të arsyeshme të rrijë me nënën, pasi ajo do të mund ta rrisë më të shëndetshëm. Burri nuk paguan detyrimin financiar. Herë thuhet se nuk kemi si t’ia mbajmë këto para, pasi nuk firmos në ndonjë bordero shteti. Lind pyetja: Nuk ka mundësi shteti të krijojë një organizëm investigimi, me qëllim që fëmijët të mos mbeten në mëshirë të fatit? Në rastet kur me të vërtetë burri nuk ka të ardhura ekonomike, atëherë të ndërhyjë shteti duke i krijuar kushtet minimale nënës së fëmijës për ta rritur atë të shëndetshëm. Sot, shoqëria dhe shteti shqiptar janë maturuar në atë masë sa të dinë të vlerësojnë ndihmën ndaj fëmijëve, kur në vendet e Bashkimit Evropian, subvencionohet dhe shtimi i blegtorisë dhe jo rritja e fëmijës.
Dhuna ndaj gruas ka qenë dhe mbetet gjithmonë një problem madhor për vendin. Numri i grave të dhunuara që kërkojnë ndihmë pranë shoqatave të ndryshme që operojnë në Shqipëri është vërtet shqetësues. Rreth pesë gra në ditë paraqiten pranë Qendrës Avokatore për Gra, të cilat ndihen të dhunuara fizikisht, apo psikologjikisht dhe kërkojnë ndihmë ligjore për problemet e tyre. Shumica e rasteve të paraqitura pranë kësaj qendre janë raste që kërkojnë zgjidhje në gjykatë. Gratë e dhunuara në forma të ndryshme vijnë dhe kërkojnë kryesisht ndihmë ligjore, pasi avokatët pranë kësaj zyre janë të specializuar për fenomenin e dhunës ndaj grave, por edhe të fëmijëve e të moshuarve apo personave me aftësi të kufizuar. Sipas saj, ndihma ndaj tyre ka ardhur me përmirësimin e legjislacionit shqiptar. Ky shihet dhe si fillimi i hapave ligjorë që duhet të ndiqen për mbarëvajtjen e të gjitha çështjeve që përfundojnë në gjykatë. Kontributi për rregullimet në ligj, që është çështje primare për ndihmën ligjore që duhet t’u jepet grave në vendin tonë, është dhënë nga drejtuesit me ide konkrete dhe shembuj të ndryshëm që vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian. Situata në qendrat urbane është më e dukshme dhe rastet janë më të shumta nga qytetet ndërsa nga zonat rurale, jo se nuk ka pasur, por ndoshta mentaliteti është pengesa kryesore që probleme të tilla të mos zgjidhen në forma ligjore apo me këshillime, por të kenë një fund tragjik siç informohemi herë pas here nga media e shkruar dhe ajo elektronike, për krimin në familje. Për sa i përket përfundimit të proceseve gjyqësore, ato kanë shënuar arritje, në pothuaj shumicën e rasteve, gjë që është për t’u vlerësuar pasi në këtë pikë drejtësia funksionon. Por lind nevoja e njw promocioni më të madh nga qeveria dhe nga OJF-të e ndryshme, për një parandalim të mundshëm, për minimizimin e dhunës ndaj grave.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora