E hene, 29.04.2024, 08:04 PM (GMT+1)

Mendime

Intervista e Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli në emisionin "Ora News"

E enjte, 02.04.2009, 06:07 PM


Gazetari – Mirëmbrëma të gjithëve!

Sot në studio kemi të ftuar Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zonjën Jozefina Topalli. Po e filloj këtë intervistë me disa pyetje lidhur me turin që ju keni ndërmarrë: pse ky tur është emërtuar “Shqipëria në NATO”? Përse duhej ky tur, kur është konfirmuar se pas pak ditësh Shqipëria do të pranohet në NATO?

Jozefina Topalli – Pavarësisht nga mënyra se si e quajnë, unë personalisht e konsideroj si një obligim falënderimi ndaj çdo qytetari, çdo burri, çdo gruaje për kontributin e tyre gjatë gjithë kësaj periudhe, si dhe për faktin që kemi bërë të mundur që Shqipëria brenda 120 orëve apo më pak se pesë ditëve të pranohet me të drejta të plota si anëtare e kësaj aleance të lirisë. Për çdo vend, por në mënyrë të veçantë për vendin tonë, nuk ka ngjarje më të rëndësishme, më të veçantë, me peshë më të fortë sesa hyrja dhe pranimi në këtë aleancë të lirisë. Kjo ka qenë e rëndësishme edhe për vende të tjera, si Çekia apo Hungaria, të cilat sapo kanë festuar 10-vjetorin, por në mënyrë të veçantë për një komb të vogël si Shqipëria, që është vetëm 3 milionë e ca banorë dhe që nuk ka pasur standardet e vendeve të tjera të Europës Lindore, kjo merr një peshë edhe më të jashtëzakonshme. Por, në të njëjtën kohë, kjo përkthehet edhe si një realizim i jashtëzakonshëm, gati i paimagjinueshëm, që në thelb të tij ka tri momente:

1. Reforma

2. Kredibilitet

3. Progres

Të tria këto pika rrethohen edhe nga mbështetja e fuqishme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjithashtu edhe nga mbështetja e jashtëzakonshme e 95% të të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Gazetari – Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është vërtet një ngjarje shumë e rëndësishme për ne, po të kemi parasysh se çfarë përfaqëson Aleanca e Atlantikut, por a nuk është pak e ekzagjeruar deklarata e zotit Berisha kur thotë se pas pavarësisë së Shqipërisë anëtarësimi në NATO është ngjarja më e rëndësishme që u ka ndodhur shqiptarëve?

Jozefina Topalli – Është shumë interesante: duke ardhur këtu pikërisht këtë gjë po mendoja, nëse vërtet është ngjarja më e rëndësishme që nga shpallja e pavarësisë apo është ngjarja më e rëndësishme që nga koha e Skënderbeut. Është hera e parë në historinë tonë që ne vendosemi në anën e mbarë të saj. Nuk di asnjë rast tjetër që ne të kemi pasur shansin, privilegjin apo të drejtën për të qenë përkrahë faktorëve më të mëdhenj globalë, politikë dhe ekonomikë në të tilla aleanca. Në shumicën e rasteve, ne gjithmonë kemi qenë në anën e gabuar të historisë dhe kjo jo për fajin tonë, por për fatin tonë të keq, ndaj edhe në këtë aspekt absolutisht jam dakord me faktin që është një ndër ngjarjet më të mëdha pas shpalljes së pavarësisë. Për këtë besoj se edhe brezi i ri, si këta gazetarët këtu, por edhe brezi ynë, që ka jetuar mungesën e lirisë së madhe dhe orën e ndalur në historinë tonë, jemi me fat që po përjetojmë një moment kaq të rëndësishëm.

Gazetari – Më shumë sesa ajo që po shprehni, mos vallë po e përdorni për fushatë elektorale këtë fakt?

Jozefina Topalli – Ky është një realitet, është një ngjarje politike dhe unë nuk e mohoj këtë gjë. Nuk besoj se njerëzit, në të gjithë ecurinë e procesit të anëtarësimit, nuk bëjnë asnjë vlerësim dhe analizë. Ju si gazetar e kujtoni që në vitin 1992 u bë kërkesa e parë dhe Shqipëria ka qenë vendi i parë që kërkoi anëtarësimin në NATO. Rruga drejt saj ka qenë e gjatë; një rrugë me vështirësi, me sfida të mëdha, shumë më të mëdha se të vendeve të tjera, si: Çekia, Hungaria, Polonia, të cilat kishin standarde të tjera dhe një mbështetje të jashtëzakonshme. Viti 2003 ishte një hap tjetër i futjes së Shqipërisë në Kartën e Adriatikut. Vjet në muajin prill në Bukuresht, kur ne morëm ftesën e NATO-s, deri në orët e fundit kur po bëhej darka e kryetarëve të shteteve dhe kryetarëve të qeverive, ende nuk ishin të sigurt dhe realisht nuk e dinim nëse vërtet Shqipëria do të anëtarësohej në këtë aleancë kaq të madhe.

Unë besoj se një ndër arsyet që Shqipëria ka arritur një gjë të tillë, është për faktin se, si individi që ka një ëndërr të vetën, dhe duhet të gjejë këtë ëndërr, për ta bërë rrugën më të thjeshtë; edhe shqiptarët këtë ëndërr e kanë pasur jo vetëm në 20 vjetët e fundit, por unë besoj është një ëndërr shekullore, që ka ndihmuar për t’ua lehtësuar vështirësitë në këtë rrugë. Kështu që në këtë aspekt është një gjë e jashtëzakonshme që sot në vitin 2009, në një kohë relativisht shumë të shkurtër, duke ditur historinë tonë pothuajse 1000 vjeçare, të ndalur në kohë, kemi transformuar në mënyrë kaq marramendëse vendin tonë. Anëtarësimi në NATO, do të thotë që përveç t’i bësh të besosh të tjerët se ti i ke realizuar standardet, se bën pjesë në vlerat e përbashkëta, në të cilat ata besojnë dhe punojnë, ke arritur të marrësh votën e çdo senatori, të çdo deputeti, të çdo ministri, të çdo kryeministri jo të një vendi, as të dy vendeve, por të 26 vendeve të kësaj Aleance, përfshi Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadanë, Turqinë dhe të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Kështu që në kontekst, unë e ndiej veten shumë krenare, që ne kemi bërë të mundur këtë ngjarje historike. Tani Shqipëria ndihet i sigurt. Ashtu siç ka thënë edhe Presidenti Xhorxh Bush në një tv: “Të shohësh perspektivën e vendit tënd në shekullin ri plot shpresë dhe besim”.

Gazetari - Për të gjithë ato që na ndjekin në këto momente drejtpërsëdrejti në ekranin e televizionit “Ora News”, përtej kronikës, përtej demagogjisë, përtej të të bërit politikë, që duam apo s’duam ne janë nga pak të gjithë brenda, konkretisht çfarë humbet dhe çfarë përfiton Shqipëria nga anëtarësimi në NATO?

Jozefina Topalli – Anëtarësimi në NATO është një realitet nuk është demagogji. Anëtarësimi në NATO është një ëndërr, pas së cilës kanë rendur gjyshi yt, babai yt, mamaja ime dhe ne të gjithë bashkë.

Gazetari– Gjyshi im rendi pas Traktatit të Varshavës.

Jozefina Topalli – Jo, nuk rendën ata, rendi diktatori. Të tjerët ishin të detyruar, nuk kishim rrugëzgjidhje. Në liri mund të zgjedhësh, ata nuk e kishin shansin e lirisë dhe të mundësisë së zgjedhjes. Kjo është vlera më e madhe e anëtarësimit tonë, se nga 40 vjet në Traktatin e Varshavës, ku e kishin detyruar Shqipërinë të vendosej, nga stepat e Rusisë, ajo pas pesë ditësh do ta shohë veten në të njëjtën tavolinë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe presidentët e vendeve më të fuqishme të globit. Kjo është mrekullia e këtij anëtarësimi. Ky është fakt dhe kjo është e vërteta.

Gazetari – Pra, ne nuk humbasim asgjë, por vetëm fitojmë.

Jozefina Topalli – Jo vetëm fitojmë. Fitojmë nga pikëpamja ushtarake bazuar në Artikullin e Pestë të Traktatit të Uashingtonit, që kujtdo që mund t’i shkojë në mendje të sulmojë Shqipërinë, në bazë të këtij neni dhe këtij traktati, të gjithë anëtarët e kësaj aleance janë të detyruar të japin asistencë militare dhe ta konsiderojnë mbrojtjen e vendit tonë njësoj si të ishte vendi i tyre. Kjo është diçka e jashtëzakonshme; por kjo ka bërë që, ne duke kërkuar këtë anëtarësim, të bëjmë reforma. Gjithashtu ka bërë që ne të shohim një realitet të ndryshuar dhe një imazh të ndryshuar të Shqipërisë në përgjithësi, por edhe të shqiptarëve, kudo ku ata janë në botë. Kjo bën të mundur që të rrisim interesin e investitorëve të thuaj dhe t’ia bëjmë më atraktiv vendin tonë atyre. Të sjellësh investitorë të huaj në Shqipëri do të thotë edhe më shumë para, edhe më shumë vende pune, edhe më shumë stabilitet, edhe më shumë paqe, edhe një perspektivë më të sigurt për të rinjtë, për fëmijët tanë dhe për të gjithë ne.

Gazetari– Por një qytetar i thjeshtë, përtej asaj se çfarë fiton i gjithë vendi, konkretisht, si mund ta perceptojë se çfarë përfiton ai vetë si qytetar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Jozefina Topalli – Në fakt, më të kthjellët në këto ditë janë qytetarët e thjeshtë. Unë gjatë kësaj periudhë kam shkuar në shumë fshatra dhe komuna. Unë lexoj në sytë e tyre e tyre sigurinë për të ardhmen e fëmijëve të tyre me vendosjen e Shqipërisë në këtë aleancë të jashtëzakonshme. Ata kanë nuhatjen e njeriut pas një historie luftërash, pushtimesh dhe diktaturash dhe kush më mirë se ne e kupton se sa e rëndësishme është të kesh një garant pas vetes tënde. Ne nuk kemi pasur kurrë një garanci, jo më një aleancë të tërë garante për vendin tonë, për paqen dhe për të gjitha zhvillimet. Ajo që është më e rëndësishme është se kjo nuk është thjesht një aleancë ushtarake, por një aleancë politike dhe ekonomike. Vetë anëtarësimi është një hap tjetër i madh, i jashtëzakonshëm, drejt Bashkimit Europian, sepse shkojnë vlera që janë paralele me njëra-tjetrën. Fakti që aleanca na pranon ne, një ish-vend rival të saj, që në hapësira gjeografike ishim krejt në anën tjetër, na bënë pjesë të vetën, na beson, kjo është vërtet një ngjarje më shumë se historike.

Gazetari – Ju e cilësoni si një ngjarje historike, por ju kujt ia njihni meritën kryesore?

Jozefina Topalli – Pa dyshim, të gjithë shqiptarëve, sakrificës dhe mundit të tyre. Por fakt është se marrja e ftesës ishte në vitin 2008 dhe anëtarësimi i plotë në vitin 2009, dhe kjo ka arsyet e veta.

Gazetari– Pra, kësaj maxhorance?

Jozefina Topalli – Unë them që maxhoranca e ka udhëhequr. Nuk ishte i mundur anëtarësimi, sado që kishim mbështetje të madhe, kur vendi ynë rreshtohej si vendi i sistemit të korrupsionit, i pasigurisë, që kontrollohej nga grupe të krimit të organizuar dhe nga mafia. Sado vullnet pozitiv që të kenë, në qoftë se t’i nuk shpëton, nuk çliron veten nga këto ankthe dhe nga këto hekura, natyrisht që nuk të pranon asnjeri. Në këtë kuptim beteja kundër krimit të organizuar, kufijtë e sigurtë të vendit tonë, rritja e sigurisë në një aspekt shumë më të gjerë dhe reformat në të gjithë tërësinë e tyre kanë qenë pesha kryesore e asaj që është vendimmarrje e këtyre aleatëve për të na mbështetur në çdo qeveri dhe parlament, me votë dhe jo me fjalë.

Gazetari -Po opozita, a ka ndonjë meritë?

Jozefina Topalli – Unë besoj se opozita ka bërë detyrën e saj, duke votuar për ligje si, për shembull, kodi elektoral apo dy, tre ligje të tjera. Kjo ishte detyra e tyre, sepse janë përfaqësues të një pjese të kësaj popullsie që në tërësinë e saj, në masën 96%, kërkon anëtarësimin në NATO. Në këtë kuptim, nuk besoj se do të kishte një zgjidhje tjetër.

Gazetari - Pas miratimit të paketës së ligjeve për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, gjatë kësaj jave, ju keni kritikuar kryetarin e Partisë Socialiste, zotin Edi Rama, që sipas jush nuk e përshëndeti këtë hap, megjithëse duhet thënë se kjo paketë u miratua edhe me votat e të gjithë anëtarëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Jozefina Topalli – Ju keni të drejtë, prandaj kam bërë gjithmonë diferencën midis individit Edi Rama, Partisë Socialiste dhe opozitës në përgjithësi. Deputetët e opozitës e kanë votuar këtë paketë, por ndërkohë që të gjithë faktorët e tjerë politikë, të brendshëm dhe të jashtëm, e kanë përshëndetur miratimin e kësaj pakete, kryetari i opozitës deri tani nuk ka folur asnjë fjalë. Pa dyshim ç’ka ishte e e rëndë, është mospërfaqësim i atyre socialistëve që e duan këtë anëtarësim dhe kanë punuar për të. Unë ju kujtoj se jo më pak se një javë më përpara, ne ishim në një konferencë për NATO-n, ku ishin të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, ku kryetari i opozitës bëri një ndërhyrje të tijën, në të cilën një paragraf ishte vërtet shumë papërshtatshëm për momentin, duke u lënë të kuptonin shqiptarëve se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO mund t’i krijonte kokëçarje NATO-s, sepse ne do kemi probleme në zgjedhje etj. Kjo është shumë e rëndë. Kryetari i një partie kryesore nuk mund kurrë t’ia lejojë vetes një gjë të tillë.

Gazetari – Dhe ju u kundërpërgjigjët me fobinë e tij për avionin?

Jozefina Topalli – Fobia e tij për zgjedhjet është si fobia e atyre që kanë frikë të hipin në avion.

Gazetari – Ai ka vërtet fobi nga avionët?

Jozefina Topalli – Nga zgjedhjet po, ndaj çdo ditë flet për kartat e identitetit, që në fakt janë gjëja për të cilën ndihemi krenarë si asnjëherë tjetër, sepse atë që nuk u realizua në 18 vjet, arritëm ta bëjmë të mundur jo vetëm me kartën e identitetit, e cila po ecën shumë mirë, por me regjistrin elektronik dhe me infrastrukturën moderne. Mbase nga teknologjia kjo kartë është më moderne se ID-ja që kanë shumë qytetarë të vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Kjo, jo vetëm që është një garanci për zgjedhjet e 28 qershorit, por është edhe dinjitet për qytetarin shqiptar. Gjithashtu, karta është një mjet që do të funksionojë në shumë shërbime të tjera.

Gazetari – Zonja Topalli, ju u shprehët se merita kryesore për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO i takon kësaj maxhorance. Është logjike: ai që është në maxhorancë në momentin e anëtarësimit, në një farë mënyre të marrë dhe kurorën e dafinave, por vetë brenda...

Jozefina Topalli – Do t’ju ndërpres. Një diplomat më tha: "Anëtarësimi në NATO është gjë shumë e mirë për qeverinë”. Të gjithë lexojnë. Shqiptarët e kuptojnë se kush e bëri. Për vendin është shumë-shumë mirë. Në fakt, jam krenare për të dyja, kryesisht për të dytën, por edhe për të parën.

Gazetari – Pyetja ishte: po brenda maxhorancës kush e ka meritën më të madhe?

Jozefina Topalli – Pa dyshim, Kryeministri i Shqipërisë, ai që ka bërë reformat.

Gazetari – A ka një lloj rivaliteti brenda kësaj maxhorance, e shprehur me një lloj gare për marrjen e flamurit të meritave të këtij anëtarësimi? Po të kemi parasysh këtu një lloj "lufte të bërrylave” mes jush si Kryetare Parlamenti, mes ministrit të Jashtëm, zotit Lulëzim Basha, mes ministres së Integrimit, zonjës Majlinda Bregu, mes ish-ministrit, zotit Mediu dhe ministrit aktual të Mbrojtjes, e kështu me radhë.

Jozefina Topalli – Më datën 5 prill është ceremonia zyrtare. Kjo vjen për shkak të reformave të marra nga kjo maxhorancë. Reformat kërkojnë lidership. Unë besoj se, nëse kemi arritur reforma të jashtëzakonshme ekonomike, reforma në fushën e mbrojtjes, në fushën e sigurisë dhe në fusha të tjera të rëndësishme, kjo vjen për shkak të lidershipit të fortë.

Gazetari – Keni qenë thjesht komplementarë?

Jozefina Topalli – Pa dyshim që merita, lokomotiva, ka qenë Kryeministri dhe e gjithë maxhoranca. Padyshim, duhet të jenë komplementarë me njëri-tjetrin. Kështu funksionon gjithandej.

Gazetari – A keni ju ndonjë studim, e përkthyer në vota, se sa do ta ndihmojë ky anëtarësim këtë maxhorancë për zgjedhjet e 28 qershorit? Sa do t’i përdorni ju?

Jozefina Topalli – Unë, realisht, nuk e kam ndjerë nevojën ndonjëherë për ta përkthyer me vota. Unë e kam përkthyer me një hap të rëndësishëm, me një hapje të një ere të re në historinë tonë, me vendosjen e një horizonti të ri dhe si një perspektivë të sigurt të brezit të ardhshëm dhe të këtij shekulli për kombin tonë. Në këtë aspekt, kjo është gjëja më e rëndësishme. Si do ta vlerësojnë shqiptarët? Unë jam e sigurt se shqiptarët janë një popull inteligjent, që dinë të kuptojnë më shumë se kushdo tjetër se sa e rëndësishme është garancia e fëmijëve të tyre.

Gazetari – Zonja Topalli, gjatë kësaj jave ju keni deklaruar se pas anëtarësimit të Shqipërisë në NATO do të aplikoni edhe për marrjen e ftesës si vend kandidat për në Bashkimin Europian. Kjo do të ndodhë brenda presidencës çeke, apo e përkthyer ndryshe, para 28 qershorit apo pas 28 qershorit?

Jozefina Topalli – Unë uroj që kjo të bëhet sa më parë. Besoj se, si Shqipëri, kemi dy elemente pozitive ndoshta më shumë sesa ndonjë vend tjetër përreth. Fakti që po bëhemi anëtarë të NATO-s, të jep një kredit të jashtëzakonshëm. Mandej është edhe fakti që kemi mbyllur ciklin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, të cilën nuk e ka realizuar ende ndonjë vend fqinjë. Jemi jo në të njëjtin standard me vendet që na rrethojnë, për shkak të ID-së që duhet të përfundohet, si dhe të pasaportës biometrike, të cilën Maqedonia dhe Mali i Zi e kanë kryer që prej 5 vjetësh. Kështu që ne po rikuperojmë të gjithë kohën e humbur, të asaj kohe që nuk u bënë as pasaportat biometrike dhe as ID-ja. Nuk u arrit as nënshkrimi i MSA-së dhe nuk u mor as ftesa për në NATO. Besoj se të realizosh në tri vjet të gjithë këto gjëra është shprehje e një vullneti të mirë, është shprehje e një persistence të fortë, e një vendosmërie të përcaktuar dhe e një progresi të prekshëm dhe të madh.

Gazetari – Një ekspert i ekonomisë shqiptare deklaroi pak ditë më parë, në këtë studio, se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një lajm i mirë edhe për të ndihmuar në kapërcimin më shpejt të krizës ekonomike, për aq sa mund ta prekë Shqipërinë. Faktikisht, kjo krizë, a mund të frenojë ritmet e integrimit tonë në Bashkimin Europian, ashtu siç flitet në Bruksel?

Jozefina Topalli – Ajo që po ndodh sot në botë është një stuhi e vërtetë. Nga të gjitha të dhënat, qoftë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qoftë në Europë, qoftë në pjesë të tjera të botës, po jetohet një protestë, në kuptimin protestë e një reagimi, po diskutohet nëse ky sistem ekonomik, ky kapitalizëm sa është për t’u reformuar? Deri në çfarë thellësie duhet të ndryshohen rregullat e përgjithshme? Këtu nuk kam parasysh vetëm institucionet globale financiare, po shikohet në një rrafsh filozofik dhe më përtej. Në këtë aspekt, këto ditë që po jeton globi, janë ditë të një stuhie jo vetëm financiare dhe ekonomike, por të një filozofie, të një analize, ndoshta.

Gazetari – Të vetë sistemit.

Jozefina Topalli – Jo, ndoshta dhe të kuptimit, të nevojës së një civilizimi të ri, apo të një testamenti të ri. Në këtë aspekt, vetë fakti që Shqipëria vazhdon të jetë në një rritje ekonomike pozitive, pavarësisht nga efektet e krizës, që janë të pamohueshme te ne, tregon se është punuar me rregulla mjaft të forta, të vendosura mbi bankën dhe, në përgjithësi, mbi ekonominë tonë. Pra, ekonomia jonë në tërësi u ka qëndruar valës së parë dhe të dytë të kësaj stuhie globale.

E lidhur kjo me NATO-n. Të falënderoj për pyetjen. Kjo i jep një vlerë edhe më të madhe NATO-s. Imagjino sikur të mos ekzistonte NATO-ja. Në kushtet e rritjeve të inflacionit, siç po ndodh në vende të tjera, të rënies së bankave njëra pas tjetrës, të mbylljes së kompanive më të mëdha, të fillimit të protestave në një vend apo në një vend tjetër, mund të ndodhte ajo që quhet social unrest në të tjera raste. Rëndësia më e madhe është Bashkimi Europian dhe NATO. Kështu që futja e Shqipërisë në këtë anëtarësim merr një vlerë edhe më të madhe nga ajo që mund të imagjinonim gjashtë muaj apo një vit më përpara. Kështu që them se u jemi mirënjohës atyre që na kanë mbështetur. Një falënderim i veçantë i shkon çdo burri dhe çdo gruaje, çdo qytetari, për të gjithë punën dhe energjinë e këtyre 18 vjetëve. Gjatë kësaj periudhe ne po rikuperojmë në fakt 80 vjet, apo më shumë se një shekull, të humbur. Ndaj këto janë ditë të bukura. Janë dhe pesë ditë për ta parë veten të rreshtuar. Si Kryetare e Kuvendit, në fakt, ndihem shumë mirë. Mund të ndihem edhe me fat, përveç të tjerave, që kam pasur privilegjin për të drejtuar Kuvendin dhe për të mbështetur këto reforma, që në një farë mënyre janë jashtëzakonisht revolucionare dhe padyshim që kanë qenë të vështira, po që janë përkthyer në një sukses dhe në një progres që tashmë e shikon, e mat dhe e ndjen gjithkund.

Gazetari – Duke përfituar nga prania juaj, zonja Topalli, në këtë studio, kryesisht në lidhje me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, efektet që do të ketë ky anëtarësim për jetën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, si dhe për perspektivën e afërt apo edhe të largët të vendit tonë, doja t’ju bëja edhe një pyetje të fundit. Në ç’fazë ndodhet fushata elektorale e Partisë Demokratike dhe kur pritet të shpallen listat e kandidatëve për deputetë?

Jozefina Topalli – Besoj se do të ndodhë ashtu siç ka ndodhur dhe herët e tjera kur kemi hyrë në fushatën elektorale. Sapo të mbyllen konferencat, do të bëhet mbyllja e kongresit dhe aty do të shpallet programi, platforma dhe listat. Nuk besoj se listat do të dalin më përpara.

Gazetari – A është caktuar datat e kongresit?

Jozefina Topalli – Jo, sepse duhet të mbyllen konferencat e tjera.

Gazetari – Zonja Topalli, falemnderit që ishit e pranishme sonte në studion tonë.

Jozefina Topalli – Falemnderit, ju!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora