E hene, 29.04.2024, 09:51 PM (GMT+1)

Mendime

Mark Krasniqi: “Serbitë e vogla” në shtetin e Kosovës

E premte, 03.04.2009, 06:09 PM


“Serbitë e vogla” në shtetin e Kosovës

Nga Mark Krasniqi

Enklavat serbe rrezikojnë vendin

Toleranca është një fenomen, një problem i cili e përcjellë gjatë gjithë jetës çdo individ, çdo komunitet, madje edhe mbarë njerëzimin. Por, edhe toleranca ka kufijtë e vet. Ajo duhet të respektohet dhe të zbatohet vetëm kur është e arsyeshme, vetëm atëherë kur është e dobishme, kur është më mirë. Nuk duhet toleruar, nuk duhet të lëshojmë pe, nuk duhet të pajtohemi as me mendimet, as me veprimet të cilat janë në kundërshtim me normat universale të moralit, të drejtësisë.

Rastin konkret e kemi sot në Kosovë. Serbia kërkon që ta sundojë Kosovën, ose të paktën ta ndajë territorin e saj me shqiptarët. Kërkon gjithashtu që minoriteti serb, i cili mbetet në Kosovë, të ketë privilegje të tepruara, megjithëse ky minoritet serb është kundër të drejtave të shqiptarëve, kundër pavarësisë së Kosovës. Faktori ndërkombëtar, ,,për hir të paqes në shtëpi’’, që të jetë pala serbe e kënaqur, imponon decentralizimin katastrofal të pushtetit dhe krijimin e komunave serbe etnikisht të pastra, me lidhje të drejtpërdrejtë me Serbinë, me autorizime antishtetërore për Kosovën. Këto enklava serbe, në realitet janë ,,Serbi të vogla’’ në Kosovë, të cilat do të jenë gjithmonë në konflikt me shqiptarët, prandaj të dëmshme edhe për serbët. Faktori ndërkombëtar i jep të drejtën e pakicës minoritare për ta mbivotuar shumicën në Parlament, gjë që është në kundërshtim direkt me parimin demokratik. Krijimi i ,,zonave mbrojtëse’’ të kishave serbe, është në dëm të pronarëve shqiptarë, është kthim në kohën e feudalizmit, pa kurrfarë nevoje objektive, pa kurrfarë të drejte reale dhe krejtësisht i palogjikshëm, gjithsesi i dëmshëm.

Na imponohet që Republika e Kosovës të jetë ,,shtet multietnik’’ dhe gjuha serbe gjuhë zyrtare! Nuk përfillet fakti që shqiptarët përbëjnë më se 90% të popullsisë së Kosovës! Nga ana tjetër, faktori ndërkombëtar i vendosjes vetëm verbalist mbron tërësinë territoriale të Kosovës dhe nuk merr asnjë masë konkrete në këtë drejtim, duke i lënë vetës hapësirë që nesër eventualisht ta pranojë edhe ndarjen e Kosovës, prapë ,,për hir të paqes në shtëpi’’. Në realitet kjo ,,paqe’’ mund të jetë bombë e kurdisur shumë e rrezikshme, jo vetëm për Kosovën e rajonin, por edhe më gjerë. Mirëpo, megjithëkëtë, ne i kemi pranuar të gjitha këto imponime, për hir të pavarësisë së Kosovës dhe sugjerimeve të miqve tanë ndërkombëtarë. Por kjo situatë nuk mund të stabilizojë paqen në rajon, nëse pas një kohe të shkurtër të tranzicionit nuk hiqen këto bidate të imponuara. Toleranca e tepruar në këtë rast është e rrezikshme. Një pjesë e përgjegjësisë për këtë situatë bie edhe mbi faktorin politik shqiptar, i cili nuk ka arritur, as nuk ka provuar të bëjë diçka, për ta bindur faktorin ndërkombëtar se Kosova historikisht, etnikisht e juridikisht është tokë shqiptare, të cilën Serbia do ta sundojë, siç e ka sunduar një kohë në mesjetë para 500 vjetësh. Tash Serbia me të gjitha forcat gënjen botën se Kosova është tokë serbe dhe se e tillë do të jetë. Serbia ka zgjeruar territorin e saj drejt jugut më 1876-78 duke pushtuar trojet shqiptarë në sanxhakun e Nishit, në Toplicë, duke masakruar e dëbuar më se 230 mijë shqiptarë. Më shumë kanë të drejtë shqiptarët të kërkojnë kthimin e trojeve të tyre në Toplicë që nga Krushevci e këtej, se serbët të kërkojnë krijimin e Serbisë Madhe me okupimin e Kosovës gjithmonë shqiptare. Madje, dihet se politika ekspansioniste nacionale e Serbisë gjithmonë ka pasur dhe e ka synimin në brigjet shqiptare të Detit Adriatik. Faktori ndërkombëtar duhet ta ketë parasysh edhe këtë të vërtetë, të cilën e kanë projektuar e publikuar haptas edhe shkencëtarët serbë, në krye me Jovan Cvijiqin, Vasa Çubrilloviqin, Ivo Andriqin e të tjerët.

Ne jemi dhe do të jem tolerantë dhe mirënjohës ndaj faktorit ndërkombëtar që e çliroi Kosovën nga okupatori serb, por duhet t’ia themi faktorit ndërkombëtar shqetësimet tona për shumë gjera që na janë imponuar për rregullimin e shtetit tonë të rinj, me kërkesë që ato të përmirësohen sa më parë, sepse përndryshe do të jenë të dëmshme dhe të rrezikshme nëse u zgjatet jeta, siç është sanksionuar edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora