E hene, 29.04.2024, 09:44 PM (GMT+1)

Mendime

Sandër Lleshi: Përse është shqetësues Skënderbeu si mesazh lirie?

E enjte, 02.04.2009, 07:56 PM


Përse është shqetësues Skënderbeu si mesazh lirie?

Nga Sandër Lleshi

Në debatin për Skënderbeun, përmendet, midis të tjerash, romani "Kështjella", i I. Kadaresë, si një ndër veprat letrare kryesore që ngriti, sipas disa debatuesve,"kultin" e Skënderbeut në letërsinë shqipe. Në kundërshtim me këtë mendim, në shtypin shqiptar është thënë disa herë e kundërta.

Që lexuesi ynë të mund të gjykojë në mënyrë të paanshme për këto dy mendime, po japim të vetmen faqe të romanit "Kështjella", botim i vitit 1970, pra 40 vite më parë, ku bëhet portretizimi i heroit. Fragmenti është nxjerrë nga kapitulli i shtatë i romanit
.
-Ne kemi luftuar edhe më parë me ta, - tha kryeveqilharxhi, - por tani ata kanë Skënderbeun. Me sa kuptoj unë, ky është një njeri i jashtëzakonshëm.
-
Flitet shumë për të, - tha kronikani.
-Kam frikë se do të flitet më shumë.
-Sa vjeç është? - pyeti Celebiu.
Kryeveqilharxhi u mendua një çast.
-Besoj rreth tridhjetë e gjashtë. Ndoshta pak më tepër.
-E çuditshme.
-Një miku im i fuqishëm e ka njohur.
-Skënderbeun?

-Po. Atëherë kur ne zhvilluam bisedimet e para me të. Padishahu ynë, Murat Hani, e ftoi në kryeqytet për bisedime, por ai nuk pranoi të vinte, megjithëse padishahu ia fillonte ftesën me fjalët "biri im".
-Bukëshkali, - shau Celebiu.

-Ku e kisha fjalën, - ia bëri kryeveqilharxhi me zë të lodhur. - E, pra, një miku im, që mori pjesë në bisedimet e ka njohur.
-Si ishte? - pyeti kronikani me kureshtje.

-Nga pamja ishte i zakonshëm, - tha kryeveqilharxhi. - Më kujtohet se kjo ishte fjala e parë që më tha atëherë miku im, kur u kthye nga Shqipëria. Edhe unë kështu e pyeta atëherë siç më pyete ti mua tani. Ai më tregoi se ato ditë Skënderbeu kishte qenë, siç duket, i ftohur. Ai fliste me zë të ngjirur dhe shallin, me të cilin kishte mbështjellë grykën, nuk e hiqte as gjatë bisedimeve.

-Me shall rreth grykës, - tha si përgjumësh kronikani. - Çudi pra, kaq i zakonshëm.
-Unë u trembem njerëzve që kanë pamje të zakonshme, - tha kryeveqilharxhi.

Pothuajse asnjë vonesë nuk pati mes botimit në Zvicër në "Neue Zürcher Zeitung" (NZZ) dhe botimit në Tiranë të një artikulli, që kërkon të bëjë marketing për monografinë e diskredituar të studiuesit të ri, Oliver Schmitt, me titull "Skënderbeu", si dhe të kreditojë përkthyesin e librit në fjalë.

Ky reagim rrufe, është po aq i çuditshëm sa dhe botimi i parakohshëm i këtij libri në shqip, përpara botimit në gjuhën origjinale. Edhe shkrimi i "Neue Zürcher Zeitung", edhe libri i Schmitt-it, i erdhën lexuesit shqiptar shumë shpejt, të sinkronizuar në qëllimin e tyre për të zbritur nga froni i historisë heroin kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeun.

Artikulli i "Neue Zürcher Zeitung", i shkruar nga Ekkehard Kraft, shpreh shqetësimin se libri i Schmitt-it nuk është pritur në Shqipëri ashtu siç synohej nga autorët e tij. Autori ankohet se librin nuk e kanë lexuar ata që e kanë kritikuar.

Por, ka gjasë që edhe vetë autori i artikullit nuk e ka lexuar librin, që synon të mbrojë para lexuesve zviceranë, për arsyen e thjeshtë se, libri në fjalë, ende nuk ekziston në gjuhën e autorit të artikullit të "NZZ". Ne mundet edhe të gabohemi me këtë supozim, nëse zoti Kraft është njohës i shqipes.

Në kushte kur libri "Skënderbeu", i Schmitt-it, nuk është botuar në gjuhën gjermane, pra në kushte kur lexuesit gjermanishtfolës nuk kanë në dorë librin, duket se edhe artikulli i "Neue Zürcher Zeitung", nuk u drejtohet këtyre lexuesve, por shqiptarëve. Pra, si libri i Schmitt-it, ashtu dhe artikulli në fjalë, janë shkruar në gjermanisht për t'u lexuar në shqip.

Por çfarë na kanë importuar me urgjencë autorët e shkrimit të "NZZ"-së nga Zvicra? Së pari: ata i ka shqetësuar reagimi i "kampit nacionalist pro europian" i shkrimtarit Kadare, Kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi, a thua se është mëkat që, instancat më të larta shtetërore dhe morale të një vendi, të reagojnë kur preket rëndë simboli më i rëndësishëm kombëtar. Edhe reagimet e medias, duket.

Së dyti: artikullshkruesi i "NZZ"-së dhe ndihmësit e tij për versionin shqip, përpiqen të përmbledhin edhe një herë thelbin e librit të Schmitt-it: Skënderbeu është më shumë një mit se një realitet; miti i Skënderbeut arriti përmasa monstruoze gjatë regjimit të Enver Hoxhës; Skënderbeu zhvilloi një luftë me motive gjakmarrjeje, etj.

Së fundi, autori i shkrimit të "NZZ"-së ngushëllohet me faktin se "dy kritikë të Kadaresë", Ardian Klosi dhe Fatos Lubonja, si dhe "politikani islamit, Abdi Baleta", janë rreshtuar në mbrojtje të librit të Schmitt-it.

Është e vërtetë se për librin e Schmitt-it ka pasur reagime të shumta, të cilat në thelb nuk merren me mitin Skënderbe, por me figurën historike të tij.

Është po ashtu e qartë se shqiptarët nuk mund ta gëlltisin falsifikimin e historisë së tyre si çmitizim.
Në thelb, libri i Schmitt-it është një kontribut i pastër për mitizimin e mëtejshëm të figurës historike të Skënderbeut.

Pretendimi i librit dhe i artikullshkruesit të "NZZ"-së, për të bindur lexuesit se regjimi komunist i E. Hoxhës ngriti kult për Skënderbeun, është një absurd i nivelit të ulët.

Kjo tentativë shkon në shërbim të imazhit të një regjimi monstruoz, duke u përpjekur t'i atribuojë atij një akt në thelb të shëndoshë, që ai regjim as e ka bërë e as që nuk mund ta bënte kurrë.

Për cilindo, që e njeh sadopak regjimin komunist diktatorial të E. Hoxhës, është e qartë se një ndër mëkatet vdekjeprurëse të kohës, ishte ngritja dhe adhurimi i çfarëdo kulti tjetër, ndryshe nga ai i diktatorit Hoxha.

Në një shtet ku u ndaluan edhe Krishti e Muhamedi, në një vend ku u pushkatuan edhe vetë bijtë e famshëm të revolucionit komunist, për shkak të famës së rrezikshme të tyre, kishte vend vetëm për një kult: për kultin e Hoxhës.

Tentativa për të njollosur figurën e Skënderbeut, duke e përzier atë me historitë e errëta të diktaturës komuniste, është e rrezikshme, antihistorike dhe e pa principtë.

Në qoftë se mund t'i atribuohet ndonjë rol diktaturës komuniste në raport me Skënderbeun, është fakti se ajo është përpjekur për të zbehur dhe për të falsifikuar rolin historik të tij.

Edhe logjika më nevojtare e kupton se një diktature komuniste, antieuropiane e atesite, nuk mund t'i shërbente një simbol që mbarte mesazhe krejtësisht të kundërta.

Një aristokrat, një rilindës europian, një "Atlet i Krishtit", ishte krejtësisht i panevojshëm, bile dhe shumë i rrezikshëm për një regjim të errësirës.
Problemi i dytë madhor për diktaturën, ishte përmasa historike e këtij personaliteti me profil të spikatur politik, ushtarak, diplomatik.

Diktatura u mundua ta zhvendosë Skënderbeun nga historia në hartimet letrare, ose më saktë në departamentin e folklorit, për ta lënë atje në shoqërinë e baladave popullore të Mujit dhe Halilit dhe shtojzavalleve të shumta. Sigurisht që, në këtë mbretëri, Skënderbeu ishte më pak i rrezikshëm.

Më në fund, për të larë duart me popullin shqiptar, diktatura organizoi disa konferenca, harxhoi dhe pak bronz dhe me kaq u pretendua se u krijua fusha e lirë për ngritjen e kultit të Hoxhës.

Një përmasë tjetër e çudisë, është edhe përpjekja e artikullshkruesit të "NZZ"-së, për t'i ngarkuar edhe Kadaresë një pjesë të konsiderueshme të mëkatit, për krijimin e mitit për Skënderbeun. Artikullshkruesi pretendon se e ka lexuar veprën e Kadaresë.

Për të provuar ekspertizën e tij në këtë çështje, ai sjell në vëmendjen tonë romanin "Kështjella", si romanin ku është ngjizur miti nacionalist i Skënderbeut.

Çfarë parodie! Në kohën e diktaturës, Kadareja kritikohej ashpër, pikërisht për të kundërtën. Tek "Kështjella", Skënderbeu pothuajse nuk është fizikisht i pranishëm.

Edhe në ato pak raste kur ai shfaqet në skenën e "Kështjellës", rezulton se asgjë mitike nuk e shoqëron figurën e tij. Skënderbeu tek "Kështjella", ka "një pamje krejt të zakonshme", bile mban dhe "një shall rreth grykës për shkak të një ftohjeje". Por, për t'i ditur këto detaje, më parë duhet lexuar vërtet Kadareja.

Përditë po bëhet më i pakuptueshëm jo vetëm qëllimi i botimit në shqip të librit të Schmitt-it me titull "Skënderbeu", por sidomos fushata propagandistike pas tij. Por, duket se Schmitt-i nuk ka ndonjë synim në fushë të historisë, por në fushë të indoktrinimit.

Po bëhen kohë që ai, ose mbështetës të tij, insistojnë në përpjekjen për të imponuar në mjedisin publik shqiptar disa prej ideve absurde dhe denigruese ndaj figurës së Skënderbeut.

Në thelbin e tyre, këto përpjekje synojnë të krijojnë një fiksion, sipas të cilit, shqiptarët as nuk kanë pasur dhe as nuk mund, e as nuk duhet të kenë një aspiratë lirie, një aspiratë europiane.

Si në librin e Schmitt-it, ashtu dhe në artikujt e pakët mbështetës të prodhuar më pas, theksohet se përpjekja e shqiptarëve të periudhës së Skënderbeut, "ishte një lëvizje konservatore dhe në kundërshtim me një rend të ri më të përparuar".

Me rend të ri e të përparuar, prej Schmitt-it dhe të tjerëve, nënkuptohet pushtimi osman, humbja tragjike e lirisë së shqiptarëve. Në vijim të kësaj vjen dhe evokimi i pashpresë i robërisë, kjo thirrje për të revizionuar figurën e Skënderbeut, që në thelbin e tij është një simbol lirie.

Deziluzioni vjen e bëhet shumë i rëndë, kur mesazhe të tilla vijnë nga ndonjë zë europian.

Vërtet që gjithmonë ka pasur individë, qarqe politike apo dhe shtete që kanë pasur interes për të ushqyer një komponente antieuropiane, për të krijuar një fryme të errët, një frymë me orientim aziatik, një fryme antidemokratike ndër shqiptarë.

Por, këto përpjekje janë ndeshur gjithmonë më një orientim konstant perëndimor të shqiptarëve, orientim që nuk është mposhtur as në periudhat më të errëta të historisë.

Ndërsa sot, punët janë më të thjeshta. Vlen të kujtohet si shembull edhe mbështetja unike e publikut shqiptar për anëtarësimin në NATO dhe BE, në një kohë kur gjetiu ndodh e ndryshe, për të kuptuar përmasën reale të këtij orientimi.

Përveç orientimit të përgjithshëm të shqiptarëve, një problem jo më i vogël për sponsorët dhe për ithtarët e robërisë, kanë qenë personazhet e shumtë me rrezatim lirie, që kombi shqiptar ka gjeneruar vazhdimisht. Skënderbeu, Nënë Tereza e gjer te shkrimtarë me dimension botëror, sulmohen sot pikërisht për shkak të këtij dimensioni.

Në thelb, duket se një paranojë deri raciste insiston të bindë botën dhe vetë shqiptarët, se ata as nuk mundet e as nuk duhet të aspirojnë për liri, apo për ndonjë bashkim me familjen e tyre natyrale europiane.

Sigurisht që figura e Skënderbeut, gjatë historisë, është shoqëruar dhe me krijimin e një miti letrar, mit i cili nuk prek aspak dimensionin historik të këtij personaliteti të madh shqiptar dhe europian.

Mendja ta thotë se, edhe sikur Skënderbeu të ishte thjesht një mit letrar, vetëm për hir të mesazhit të lirisë që ai rrezaton, do të duhej që ai të mos shqetësonte kënd, siç nuk i shqetëson aspak shqiptarët legjenda e Wilhelm Tell-it.

Por, siç duket, Skënderbeu është shqetësues pikërisht për shkak të mesazhit të tij. Megjithatë, ai që u rezistoi në gjallje të tij gjithë fuqive të errëta të një periudhe të errët, ai që u rezistoi afër gjashtë shekujve mungese lirie ndër shqiptarë, duket se nuk do të ketë probleme me epokën e lirisë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora