E premte, 01.11.2024, 12:19 AM (GMT)

Kulturë

Jorgo S. Telo, Eduard M. Dilo: Diloiada (ose lotët e pa terur të dhimbjeve)

E marte, 24.03.2009, 06:45 PM


Jorgo S. Telo, Eduard M. Dilo

Diloiada
(ose lotët e pa terur të dhimbjeve)

Prolog

KONIZMA - OBELISK

Grinden erërat e luginës
si të jenë prej gjith’ botës.
Nuk i dinë “ligjet” e Stinës;
Njëra-tjetrën zënë për flokësh…

Kryqëzojn’ vëngër vështrimet
 katër grykat* cep më cep.
Te një gryk’ ndalen vrapimet.
E Dhëmbeli po buçet:

“Çfar’ ka ngjarë nën Kokojkë¹
Pse ka rënë në Dilaj zia?
Her’ zëmekur, herë zëplotë
Fillikat vajton shtëpia…

Mbledhur lotët e përgjakur;
Nga çdo rrënjë del një bisk.
Ngjizur bisqet e përflakur
Te Konizma – OBELISK.

xxx

“Pak të lashë vetëm; ç’e keqe të mori?
Ah, moj nënë e shkretë!” -
Loton Ksenofoni.

“Ikën vitet, ikën, eh,  sa shumë të prita!
Ç’u bëre, moj mëmë?” –
Faqet fshin Donika.

“Oh, ç’më dogji xhani! Tani bashkë jemi.” -
Dërrmuar nga malli,
 Lart u ngjit  Etieni. 

“Nënë , ku na vajte? Nga ne kush të ndau?
S’e mban vendi Dhamen,
Torit i hedh krahun.

“Pse s’më flet,moj nënë? Mos të kam mërzitur?
Hektori nxjerr zënë
prej lotësh i mbytur.

“Shpejt më erdhe pranë.Ç’pësove, moj grua?
Mos, vallë, ikja ime
 të ka pikëlluar?...”

(Katër vjet më parë prej jetës qe  ndarë
Sytë fërkoi Malja.
Nuk dinte ç’kish ngjarë.)


AKTI I PARË

Burrë edhe grua, përbri tyre djali.
Shndërruar në tre engjëj.
Fjalën merr Mihali:

“Jetës tokësore… ç’t’i kujtojmë më parë?
Na trajtuan egër
 S’u tërhoqëm zvarrë…

E dinin që ishim
 çerdhe diturie
E dinin që kishim shpirt atdhetarie.

I famshmi baba,
sa qe gjallë shkëlqeu.
Një thesar të çmuar i dha Mëmëdheut.

Dashurinë për Kombin e përshfaqi hapur
I dha gramatikën
e shqipes së dashur.

Neve na mësoi
 vetvetja të ishim.
Flamurin me shkabë në shpirt ta qëndisnim.

Im At Promemorjen
 me guxim e nisi.
Ndihej i fuqishëm porsi një trung lisi.

Dhe… babai lis
nxori shumë degë.
Një pas një kuçedrat mizorisht na prenë…

Kur e kërcënuan
 qarqet histerike,
Shpejt ua mbylli gojën me thënien epike:

“Edhe po ma pretë fytin nga inati,
Bindjet dot s’m’i vrisni,vrisni vetëm shtatin.

Fytin do ta kem si “a”-ja e shqipes,
Boll u kam duruar përmes kërcënimesh…”

Një det diturie
qenkish ati ynë.
Të gjerë e kish shpirtin
 e të kthjellët synë.

Tok me  gramatikën
 u lindëm dhe ne.
Dhjetë jetë të reja…
Për të ç’gëzim qe!

Një pas një ne  djemtë
 i forcuam krahët.
Fluturonim vetë
në qiellin e hapët…

Themua qe i pari
që zuri kurbetin,
ku me Thevron lindi
Anthullën, Vangjelin.

Marikën Elenën
Të dyja - sypishë
Lena mori emrin
e Nënës së Ilisë…

Xheli la Rovenën
 me zë kanarinë.
La edhe një djalë:
la Themistoklinë…

xxx

Kështu “ fluturuan”
Jani me Orestin.
Jetën konceptuan;
 për punë nuk reshtnin.

Me shpirt atdhetari
 e hidhnin çdo hap.
Njëri mjekësi ,
 tjetri ushtarak.

Të dy rrokën dije,
 kulturë perëndimi
e krijuan bindje
për liri mendimi…

T’mirit Babait tonë
 ters i vajti filli,
edhe pse studioi,
 ku studioi Naimi.²

Edhe pse mbaroi
 me medalje ari,
 nuk i eci jeta,
siç desh…përsëmbari.

I etur për shqipen
 e për dituri
 fshehtas çeli shkollë
 në shtëpinë e tij.

Si “Dhaskal i Bënjës”
matanë Dhëmbelit
Me zell nguli këmbë,
Shkolla shqipe çeli.

Nga viti në vit
tepër madhështohej
Ai shpirt fisnik
 punës i gëzohej.

Gjithkund i vendosur,
adhurues për dritën.
Përherë ka mbrojtur
Veçse shqiptarizmën…

S’kundërshtoi kurrë.
Shkoi në anë te anës.
Qëndroi si burrë
 dhe ndaj Patrikanës…

Per çështjen Kombëtare,
Për dertet e Gjuhës,
S’i kursente fare
 vërejtjet majë gjuhës

 Një shoqatë priu…
me emrin “Kandili”
 me Petro Hariton
edhe me Çerçizin.

Dhe i shkriu dijet
 veç te “Gramatika”
Një thesar i vyer
si një mal me drita.

Për veprën që shndriti
heshti Hipokrizia…
Ndaj nesh e krejt  fisit
nisi batërdia…

Aktet kriminale
nuk kishin të sosur
dhe kur Dijetari
 ishte i varrosur…

E çvarrosën dhunshëm…
Pupu, ç’kafshëri!
Veç cakej e ujqër
 bëjnë batërdi.

I qëndruan kohës
Vepra dhe im atë
Mizoritë  s’e mposhtën
 Kish vizion të lartë…”

AKTI I DYTË

Tek ata të tre dikush qetas mbërriti.
Koçua i hutuar, përbri - Margariti.

Kur pa pranë Mihalit edhe dy të tjerë,
 Margariti foli me një zë të thellë:

“Po ty, moj kunatë, ç’të ka shkatërruar?
Po ti, Etjen djali, çfarë ke pësuar?”

Me një zë të dridhur rënkoi Etieni:
“Këtu erdha vetëm, por tre veta jemi.

Isha me Vasilin, kushëririn tonë
e xhaxha Qirjakon që veç mediton…

Unë u shkëputa, sa dëgjova gjëmën.
Të mësoja doja më tepër për mëmën.

Xha Qirjakua, Vasua shkuan n’Panteon.
I kërkoi gjyshi qysh në mbrëmje..vonë.

“Shpirt, o bir, Etjen, jetën çfarë ta ndali? –
në një zë e pyetën  Kaliopi, Mihali.

“E pësova  unë, si fatziu Vasil.
N’Aksident mbaruam, u premë të dy.

Lashë prapa gruan,  lashë Eftalinë.
Dhe Elda me Eljon presin baba zinë.

Atje e kam mendjen; vuajn’ o sa shumë:
Gruaja si qyqe, Eljua³ i sëmurë.

Sa rrojta në tokë, vajza m’dha gëzim.
Më bëri me mbesë… mjalt’ e mjaltit tim.

(Martirja dëgjonte të shtrenjtin Etien.
E në dorë të saj dorën ia rrëmben. )

“Si ne dhe Vasili është engjëllzuar.
Prej gojës së tij boll kemi mësuar…

“Sa shumë, moj mëmë, më ka qarë shpirti,
 sa s’i ndjeja dhimbjet… kockat më sfilitnin.

Dhembshurisht  për ju më ka shkruar pena!
Vetëm duke shkruar me qetohej zemra.

M’u shkrumbua jeta. Na griu  urrejtja.
Përbuzja mjerane s’na la ditë të qeta.

Kurrësesi s’u  ndjeva   me shpirtin e lirë.
Na hëngri “Luftklasa”.  Na grinë ca vampirë…

AKTI I TRETË

Dëgjuan  ç’u rrëfeu…. U bënë pikë e vrer.
Gjuhën të idhnuar porsi me zeher.

Tjetërsuar Koçua nga jeta burgore
Vështronte Kaliopin… kafka ngjyre bore…

Sytë mbi Kaliopin, sytë mbi Etienë.
Qetas Margariti hyri në bisedë:

“Shkova një vizitë lart në Panteon.
Sapo u takova me babanë tonë.

Sa qe gjallë babai u tret në merak:
Iu dogj biblioteka, shkrumbuar  një prag…

Dy djem ja luftuan qyshse nga fillesa
si duarpërgjakur… sa e sa sajesa…

Më tha mirë Jani, kur fola me ta:
“Neve, o vëlla,
mendja nuk na La!
As në mend s’e shkuam
 kurrë vëllavrasjen.
Deshëm shqiptarinë,
 deshëm vetëm paqen.”

Mençuroret pyetje ia hodhi Orestit:
“Na  dogjën shtëpinë
 si gjithë miletit?!
E, pra, na e dogjën,
 na e bënë shkrumb.
Djersa, dituria…
Iku… u përhumb…
Ç’duan komunistët
 e ç’kanë me mua?
Ata zgjodhën ç’deshën.
Unë zgjodha ç’dua…”
Ndaj u arratisëm
 zemërpikëlluar.
Të vdekur na donin
 djajt e kuqëluar.

Kur qe plak babai, përjetoi mynxyrën:
Janit, Orestit, Themos dot s’ua pa  fytyrën…

Ne këtu qëndruam, por e pamë vetë:
Keqas u trajtuam ne dhe ati i shkretë…

As pyeste kush ç’i kish dhënë Kombit
 Qe rregjim mister, me misteri i Globit.

Kush punoi për gjuhën, tingëlluesen shqipe?
Veç atij iu turrën me dufe shtazike.

E lanë në harresë, mbuluar me mjegull
Porsi Andon Zakon që në fillimshekull.

Dhelpërisht u sollën me baba Ilinë
Përbindshçe iu hodhën, ta linin pa frymë…

Krejt vëllezërinë edhe Viktorinë.
Të qetë s’na lanë…shpirtin ne e grinë…

Brenda Diktaturës ne provuam tmerrin.
Na e vranë shpirtin, por jo karakterin.

Mbi ne uturinte një makinë shtypse,
që dinte të fliste
 me gjuhë komuniste…

 xxx

Me syt’ e përskuqur nga lodhje stërzgjatur
Me zor mori fjalën Koçua i shpejtplakur:

“Ç’po me shohin sytë?
Paska dhe më keq.
Mendoja se unë,
 desh vajta per Dreq…

Ngado më gjurmonin,
 sa dilja jasht’ dere.
Shpirtin ma copëtonin,
 si t’isha lëvere…

Shihja punën time.
Më vriste përbuzja.
Më trembnin përçmimet
Më avitej humbja.

Nëpunës i thjeshtë.
Nuk doja karrierë.
Isha nga dilejtë;
 mdaj m’u qepën – ferrë.

Ashtu befasisht
Një çast sa u shtanga!
Fare shtazërisht
më lidhën me pranga.

Ma kurdisën gjyqin,
Si të qe mesjetë
Dëshmitarët flisnin
 pa hiç tepelek…

Si kodra pas bregut
Flisnin si me ngërç.
Shpifje kishin tjerrur,
 mësuar përmendç…

Në një sallë gjimnazi
 n’qytetin e Jugut.
U  kurdis teatri
mes qengjit e ujkut…

Ndaj personit tim
s’kishin ç’të ofshanin.
Shihnin me përçmim
dhe lakonin Janin.

Një herë dy herë
 përmendnin veç Janin.
Unë fola prerë:
“Nuk mban më kandari!

Kini gjë për mua?
S’kini, domosdo.
Shihni nxënësit tuaj;
shpifin dosido…

Mumjet m’akuzonin:
“Je Armik i Popullit!”
Lart e ngrinin tonin.
Nuk ndienin së ngopuri.

S’ ngopeshin sharlatanët
 me vuajtje njeriu.
Të bënin hatanë
 me oreks ariu…

Akuzat ndaj meje,
S’mund t’i paradija.
Si fasha rrufeje
m’erdhën nga juria.

Eh, juri i thënçin.
Prokuror, gjykatës.
Mjerë në të zënçin,
 Del “armik i klasës”…

I durova shumë.
E humba durimin.
U ngrita furtunë.
Shpërfilla dënimin:

S’i mësuat mirë
tuajt dëshmitarë
Çoç gënjejnë ndyrë,
“notën” për të marrë.

Duken si të shtirë
Në çdo lloj gënjeshtër
Ngjajnë si të mpirë
Si gjethet në vjeshtë.

Mosni, zotërinj,
Mos gjykoni skajshëm!
Edhe sehirxhnjt’
Më thonë: “I pafajshëm!”

…N’korrik të shtatëdhjetës
Drama kishte nisjen
Akuza m’e shpejtë:
“Tentim arratisje”.

Ta kisha bërë fakt
 atë tentativë,
S’do bija në çark
 tek ata katilë.

Dhe hëngra qelinë.
Ju e dini ku.
Në Spaç lashë rininë.
Tani jam këtu.

Dëshmitar të vetes
 pata vetëm Zotin.
Të drejtë më jepte.
Eh, vet’ Zoti…ç’hoqi…!

Ishin vite sterrë
 për gjith’ Shqipërinë.
E shkallmuan fenë.
Jeta – ulërimë.

Veç nga gjithë bota
 myteberët tanë.
Sa ikën nga Moska
te kinezët vanë.

Edhe në qeli –
 veprat e Merhumit
Citatet - turli
 të Mao Ce Dunit…

Me orë të tëra
 Na shndërronin n’urithë.
Na i vranë ëndrrat,
M’u nxinë mushkëritë.

Më skllevër se skllevërit
e mesjetës hershme
Ia kalonte ferrit
 dhuna e nëndheshme…

Duke shtyrë  vagona
 nëpër ato vrima;
 nximë jetët tona.
U shpejtuan thinjat.

Dhjetë vjet në qeli
 si n’kafaz luani.
Dhjet vjet n’galeri,
 sa na u dogj xhani.

Po u flas në shumës.
S’isha vetëm unë.
Njohur që në Durrës
 dhe një tjetër burrë.

Dolëm patriotë,
të dy zagoritë.
Bashkë përmbi tokë
 dhe ndër galeritë.
Ishte Lliko Telua,
 një i arratisur.
Na u puqën telat,
ashtu shpirtgremisur.

Burgut komunist
 ia kish marrë dorën.
Librin kishte mik.
Me to shtynte kohën.

S’bëra as pesë vite
 i lirë, pa pranga.
Vdekja më skërmitej,
Sa më mbuloi balta.

Kupa e genocidit
me mua u mbush.
Vdekja më grabiti.
Zoti m’sjell pran’ jush.”


AKT I KATËRT

Lart në Panteon – tjetër kuvendim
Herë flet Qirjakua, her’ nipi Vasil…

“Më thoni, o djema… fill pas vdekjes sime
Gjuhës sonë të dashur a i bëtë shërbime?

Si fëmijë e urtë kur flet para prindit,
Qirjakua rrëfeu ç’kishte brenda shpirtit:

“Besoj të kujtohet… Më mësove vetë.
Hapa shkollë në Nivan qysh 15 vjeç.

Kisha energji, isha si tufan
Gjuhë shqipe dhashë dhe në Poliçan.

Për dije të tjera kisha shumë uri
Sudiova, baba, ashtu si dhe ti.

Nuk u përkushtova si ti për sintaksë
Mua më dha shkolla dije për financë.

Doja të shërbeja,  ku  duhej shërbyer.
Pozitat e larta nuk më kan’ pëlqyer.

Ti e pe dhe vetë që s’desha kapistër,
 kur  fashiot synonin t’më bënin Ministër.

Pa hiç dert pozitat unë i përbuza.
Veç për mësimdhënie po më digjej buza.

Eh, ta dish, baba, ç’kam hequr, i gjori!
Në pesëdhjetetreshin jeta ters më mori…

“Me sa kam dëgjuar, - plotësoi Vasili –
Dajon, more gjysh, e dërrmoi rregjimi.

Ky që nuk u ul kurrë te fashistët,
provoi tortura veç nga komunistët…

Kur panë që ishte kritik dhe i zgjuar
Ia kurdisën grackën, për ta arrestuar…
E quajtën armëmbajtës zelltarin e penës.
Ia vendosën armën enkas poshtë strehës.

Mjaft turtura hoqi, duroi si ky…
Mendjen s’e ndërroi aspak kurrsesi.

Dajua brenda shpirtit mbante  madhështinë.
Në gjurmët e tij dhe unë eca mirë…

I rreptë me veten, i drejtë përherë.
Një prind i devotshëm, një shqiptar me vlerë.

Me miqt’ e vërtetë ishte mjaft besnik.
I mençur, i urtë e një shpirtfisnik.

Ai eci vetë,  qe i thellë si pusi.
E kish nder që qe nip i Aristidh Rucit.

“Po ty, nip Vasil,  ç’të shkuli nga jeta?
Pa thinja, pa rrudha si të mori vdekja?

“Në rrugën që çele, po ecja, o gjysh!
Për ndodhinë e zezë, s’di kujt t’i vë gisht.

Po të flas, o gjysh, të mos kesh merak.
Emri e vepra jote vezullojnë prap’.

Tok me emrin tënd edhe “Gramatikën”
Pasardhësit e tu më lart e ringritën…

Je përjetësuar i gdhendur në bust.
Kemi shpurë lule unë dhe shumëkush.

Gjyshi dijetar me Savën përbri
 ledhatonin Vason e morën në gji.


AKTI I PESTË

Vazhdonte kuvendi në prehër të Zotit
Ç’dëgjuan kunetrit
nga goja e Kaliopit:

“Ç’t’u them,  o vëllezër xhani!
M’iku Malja, mbeçë vetëm.
Sikur përmbysej tavani…
Me mërzi e ngrysja jetën.

Mbeç e vetme unë prej fatit,
por s’më lanë të vetmuar.
Coç m’u gjend një  pjes’ e fshatit
e të mijt’ e dhembshuruar…

Nuk më linin fillikate
 N’ cep të fshatit larg e  lart
Më shumë vinte djali i Dhames
Ksenofoni i pafat...

Pa ndërruar tamam “klima”
 Mbeti Foni i pa punë.
E një gur  vuri te zemra.
Të qetohej erdh tek unë.

Me punë merresha përdit’
Në oborr, baçe e vresht.
Herë një mbesë e herë një nip.
Kur ke njerëz dot nuk hesht.

Punon dora, këmba e goja
me të tjerë rreth e rrotull.
Herë flisja, herë dëgjoja,
 duke fshirë syt’ e përlotur.

Nëpër baçë i shtyja ditët
Me qershitë dhe me mollët.
Në mendje kisha Donikën
Çoç llafosja  me… shenjtorët…

Sa herë merresha me pemët,
 me pemët lloji – lloji.
Më fanepsej Malja kthjellët,
 tek punonte si ai.

Kur nuk ke me kë të rriç,
S’ ke me kë të këmbesh fjalë.
E sheh veten si një hiç…
Sikur bota më kish ndarë.

Eh, se si i shtyja ditët
vetëm Zoti e merrte vesh.
Kur më vinin mbesa e nipër,
 jeshë vetja a nuk jesh?!...

Le pa le  kur përreth vatrës
Me ne ishin gjithë fëmijtë;
Ishim dy bëheshim shtatë.
Mbushej dhoma jet’ e dritë…

Isha nuse n’derë të madhe,
 ku nuk kishin mbarim librat.
Xhevahir e kisha Malen,
Oh, s’na linin rehat “krimbat”…

Krimbat brejnë gjërin e mirë.
E kafshojn’ mollën e kolme…
Ata brejnë shoqërinë.
Krimbëzojn’ pemën e sojme…

Pemë e sojme ishim ne.
Ndër më të sojmet e fshatit.
Shqiptarizmin kishim fe,
ndaj të zi e kishim fatin…”

Jo gjithnjë njeriut gjorë
 i shkojnë punët barabar.
Rrija e vetme, kur kish borë.
Disa herë dhe në behar.

xxx

…Kaloi gjysma e janarit
Gjumi me zinte me zor.
Tek qëndroja pranë zjarrit,
ndjeja hapa në oborr.

Këshillin pata lajmëruar.
E njoftova gjashtë herë…
Çdo njoftim ma çvleftësuan,
sa e psova si e mjerë.

Prap’  dhe mbrëmjen e mallkuar
 por s’më shkoi mendja për ters.
Krejt oborrin keshë  pastruar
qyshse herët në mëngjes.
Pa u bërë mbrëmja sterrë,
 Ia pastrova foton  Males.
Çoku zinte here - herë
Disa  fije merimange.

Atë mbrëmje s’e mbarova.
Mbylla derën me nxitim.
Me të qet: “Kush është?”- fola.
Mora spatën me ngurrim.

Nuk doja të bëja keq.
Dhe pse m’u rritën dyshimet.
Zhurmat binin erë dreq.
Dreqi donte kokën time…

Tek forcoja mirë derën.
Pas meje fanepsën dy…
Nga muri i pasmë më erdhën
E m’u sulën si lubi…

Shpejt i njojta nga surrati.
Dhe nga zërat që dëgjova.
Që t’u bija, diç më mbajti.
Thashë mos po bënin lojra.

Mbaja spatën ngritur kot.
Në oxhak ma fluturuan.
U fik drita mbeçë në kot.
Njëri keq m’u kërcënua:

“Udhëheqësin pse s ‘e ke?
Ku e ke fotografinë?
Ke me pa se çfarë je.
Njitash ke me na njoft mirë.

Ulëritën sa u çorrën
 tëpkën si bishat në pyll.
Osh e bran flokësh më morën.
Me diçka goja m’u mbyll.

Njëri më mbuloi sytë.
Duart  më karfosi tjetri.
Sapo erdhën, fikën dritën.
Aty zemra sa s’më mbeti.

I përmblodha gjithë fuqitë
Hapa gojën, mora zemër.
Si i mbusha mirë bulçitë
Thirra komshinjtë  në emër.

Po askush s’u bë i gjallë.
Mbeta qyq me ata lugetër.
Zhurm’ e makinës nën arrë
 e mbulonte çdo zë tjetër.

“Shpejt parat’, kena me t’vra!
Ae don me jetue, plakore?
Silli dokumentet, pra?”
Ngajtën libra e fletore…

“Mor u qoftë harram çdo gjë
 U kam mbajtur si njeri.
Nga unë plaka, ç’doni më?
Ç’doni më nga kjo shtëpi?...

Ma trazuan gjith’ shtëpinë
S’lanë gjëkafshë pa ngacmuar.
Protezat jasht’ m’i vërvinë
 e me shqelme më qëlluan. 

Kishin dhe një dru në dorë.
Me të më ranë sa herë!
Një shishe nga xhepi nxorën
 e më shtynë mbi minder.

Klitha fort, u kacafytëm.
Hodha çapin për nga dera.
Desha që të  ndizja dritën.
Kaq mbaj mend unë ditëprera….”

Gjithë mbetën gojëhapur
Në gojë shihnin Kaliopin.
Qëndronin ashtu shushatur,
 Që të dinin më tej ç’ndodhi…


AKTI I GJASHTË

(Pema e sojme e dilenjve
Dollibash kishte Ilinë ,
ndaj sulmohej here pas here,
E kish famën vezullimë.

Fitoi famë qysh i vogël,
kur nënë Lena e çoi në shkollë.
Pesëvjeçari sa një gogël
S’rrinte kot. Qe mendjehollë.

Mësuesin shihte në gojë.
Ia rrokte truri gjithçka.
Nuk flinte, s’merrej me lojë.
Më në fund provën e dha.

Si të qe nxënës  në moshë,
Si të tjerët dha provim.
“Djali nuk të doli bosh..
Ky do bëhet një gjeni…”

Këto fjalë prej mësuesit
e gëzuan nënën Lenë.
Përgëzime prej Çajupit
 kishte marrë dhe tjetër herë…

xxx

Mjeshtri i madh i gramatikës
Me fllad’ malesh u flladit.
Me aromë të trëndelinës
e dehu të madhin shpirt…

Posht’ Bisejit të thepisur
Fare pran’ Shpellës së Madhe
Hajde. ç’bahçe e stolisur
nga djers e grave sorkadhe!

Midis pemësh lloje – lloje
tejembanë zhuzhisnin bletët.
Ato mbushnin me mjalt hojet,
Dijetari mbushte fletët…

Një dëshirë kish Ilia:
Te Kokojka përrallore
t’preheshin eshtrat e tia.
Atje s’kish mërzitje, lodhje.
Prej andej si nga ballkoni,
 do sodiste Zagorinë.
I volitshëm pozicioni,
 të shihte fshatin, shtëpinë.

N’oborr, bahçe, në çdo qoshe
gjeje mollë, rrush e fik,
 ftonj e kumbulla të çdollojshme…
Si një kopësht botanik.

Me sa sqimë vishej Ilia.
Borselinë e gravat’.
Midis librave me mijëra
mendueshëm hidhte çdo hap.

Me kostumin e mirëmbajtur
midis raftesh libraplot.
Port e Tij qëndronte hapur.
Ai priste miq e shokë…

Shkëmbenin letra e libra
Gjuhëtari me poetin
Pasioni Ilias- gjuha.
Vjershërimi për Çajupin.

Me dëshirë t’i jepte Kombit
 mjaft prej dijeve të veta,
 porsi shkencëtar punoi.
Të gjithin e rroku shkenca…

Sa i etur ish për dije,
aq me zell pati studiuar.
Rroku dijet fije- fije..
Gjuhës shqipe iu kushtua.

I dha krahë gjuha e Nënës,
Fjala e pastër zagorite.
Ai vetes i thosh “nxënës”
dhe kur jepte gjuhën shqipe.

Krahas punës si mësues
Hyri thellë Eruditi.
Iu sul punës si studiues.
Kësisoj pena i ndriti…

I dhuroi mbarë Kombit
Sa themele  gramatike.
Zoti vetë e  bekoi
si “Baba i gjuhës shqipe”.

Jete dije, bënte shkencë.
Ku synoi, atje mbërriti…
Dijedhënës i vërtetë.
Mirë, po ç’thotë nipi?
    
“Ku ta dinte dijetari,
kujt e kujt i jepte dije?  
N’atë shkollë prej atdhetarit
merrte dije një hafije…!”

Nga kallëpi – deli djalë.
Një Makbeth ishte në shpirt.
Karrieristi ngjiti shkallë…
E shkoi jetën kap e shtyp…

N’emër të fakirit popull
mbylli Shqipen në “kafaz”
Zhduki “shokët” që kish rrotull.
Ca më parë e ca më pas…

Ç’ishin njerëz me të ardhme
dhe me mendje cilësore
Kurrsesi nuk ndienë paqe,
 veç  përndjekjen përmortore…

Disa fryjtën, sa e njohën.
Jani Dilo dhe Oresti.
Sakaqher’ e ndjenë “llohën”;
U shkëputën krejt prej djepit.

Morën kujtimet me vete
dhe imazhet prindërore.
Iu përveshën tjetër jete
larg Kokojkës fëminore.

Lanë baçën edhe vreshat
dhe krejti fisin në merak…
Nuk duronin jetë ndër rreshta
Iu larguan tmerrit… larg.

Mbi djep shfrynte er’ e Lindjes
Mbushi vendin kuqëlimi.
Mjerë kush i shmangej bindjes!
Sa i tmerrshëm qe ndëshkimi…

E të tillët s’ishin pak.
Meshkuj, femra – qindra, mijra.
Lanë shkret’ vatër e prag,
se mbi ta binte mynxyra…

Ç’emër kish ajo mynxyrë?
Antijeta Diktaturë.
Vendin la në buzgreminë.
Për lirinë s’dha liri kurrë.

Ca gjykatës, prokurorë,
më të rregjurit xhelatë,
Me “majë shpate” në dorë
vrisnin ëndrrat dit’ e natë.

Kurrë s’kishte parë ky popull
 luftë klasash kaq bishore.
Burgjet plot e jeta vorbull.
Tmerr për trojet arbërore.

Tmerr absurd e të pasosur
tejprovuan gjith’ dilejtë.
Gjer në palcë të plagosur
nga m’i vogli tek t’mëdhenjtë.


AKTI I SHTATË

(Shtatë djem edhe tri vajza
I dha pragut  princi i Gjuhës.
Më të shumtët vunë unaza.
Disa fati i la humbës…)

Sa e kishte syrin çelë,
katër nuse kish Ilia.
Të gjitha nga “Proto derë”
Ndrisnin nga fisnikëria.

U shfaqej nuri mbi vetull
Mençuria përmbi ballë.
Bujaria  në sy shprehur
Zagorite në ar larë.

S’qe e thënë ta gëzonin,
siç ua dha vet Zoti jetën.
U shkoi jeta buzë honit…
Të përndar’ posht’ e përjetë…

Ua ngjitën një “pullë” qysh herët
me një nofk’: “reaksionarë”…
ziliqarët myteberë
donin që t’i shihnin zvarrë.

S’qen’ ngasje sidokudo,
Veç burgosje, internime
Spiunë, këlyshë ngado –
Gjith’ me klithje e survejime…!

Sa herë frynte er’ e Lindjes
me të ftoht’ e tërsëllimë,
as që kishin shterim dhimbjet.
Dilajt ndienin angështim…


AKT I TETË

(Orë e çast shikonte Ifi,
nga streset tretej fëmija.
Gjuh’ e shpatës i goditi,
Rrinin larg nga shoqëria.)

“Na e ngjitën shpejt një “Vulë”
me damkën “reaksionarë”…
Tahmaqarët mendjepulë
Ç’nuk kurdisën… na kanë sharë….”

Moj Luft’  klase - ç’e pështirë!
Më ke bërë të flas me vete…
Më shkele burrë e fëmijë
 dhe mua të gjallë më trete.

Si në burg e handakosur.
Si qeli m’u bë shtëpia.
Tejpërtej e farmakosur.
Si durova un’ mavria?

Pas Qirjakos tri dekada
Rrojta unë … Brrrr, ç’të rrojtur!
“Pse nuk vdiqa, po u plaka,
për të hequr, për të vojtur?”

Syt’ e mi janë - të përlotur.
Ndaj mallkoj me zë të lartë:
“Në Ferr vafshi, o t’djallosur!
U bëft’ zjarr për ju kjo baltë!”


AKT I NDËRMJETËM

Përtyp IFI, o sa dhimbje!...
Si për Piron, Gonin, Rikun…
Tek ata e ngulit mendjen,
kur takon burrë fisnikun.
Deg’ e dyt’ e t’madhit lis
qe Qirjakua i përvuajtur.
Prit-përcill Ifi një fis
dëshpërimin për të mposhtur.

Burri i saj , Qirjako nuri,
shkoi nga shkoi, iu kthye fshatit.
Çdo përndjekje e sëmuri.
Nuk u mposht kollaj prej fatit.

Mbledhur dilot  nivaniotë
 në trojet e haritenjve.
Shtynin jetën “qyt – e -  bot”.
Nga ndëshkim’ i të “mëdhenjve…”

Hidhte degë rrapi gjigand.
Si të ishte për ta mbrojë.
Kush nuk hyri n’atë prag
e s’fitoi ca përvojë.

Përvojën e urtësisë
kish Qirjakua me bollëk
Shpirtin e qëndrueshmërisë
mbante Ifi si jastëk.

Le kur vinin sheperiotët
Ylli, Tasi e Bardhyli!
Hallës së mirë i rridhnin lotët.
S’mbahej dot nga ngashërimi.

Qysh kur nisi klima e lotëve
 pa  te niprit dritën e jetës.
U gëzohej bukuroshëve
Po ashtu: Edit edhe mbesës.

Kush më mirë se hallë Ifi
njihte nipërit që në sy.
Kur syt’ mbylli Margariti
Viton la me çiliminj.

Edi, Eli, s’e harrojnë
babanë  e tyre lastar.
Si zambak i merrte n’dorë
Çelur bukur në behar.

Me merak e mbylli jetën
Ai burrë plot mençuri.
I mbetën jetimët vetëm.
Të etur për dituri.

Për ta shtigjet ishin mbyllur
S’u jepej shkolla që donin.
Duhej që të rronin ndrydhur;
Të brohorisnin “Timonin”…

Një dërrasë për arkivolin
Viktoris’ s’ia dha askush
Ndaj kosheret shkatërroi.
Krejt shtëpia – lot u mbush.

Disa zëra arbitrarë
bridhnin fshatin tejpërtej:
“Ky fis do tërhequr zvarrë
Të mos shkohet në dilej!”

Kur prangosën Koço Dilon.
Në Fier sherri sa s’plasi.
Mbi një gardh vërvitën trikot
Bardhyli dhe Anastasi.

“Dale, pritni, mor policë!
Ç’punë kini me xhaxhanë?
Atje brenda në valicë
Një kostum timin e kam.

Porsi dre u sul Bardhyli
 e valixhen kapi vet’.
Te kostumi i vajti syri.
E rrëmbeu  e iku shpejt.

Sekuestrot më të rënda
panë dilot nëpër vite…
Sapo hynin “hijet” brenda,
dot nuk iknin pa grabitje.

Fëmijët e Viktorisë
shkonin të shihnin xhaxhanë.
Larg në Spaçin e Mirditës
të gjorit Koço i vanë.

Ç’ishin mbesa edhe nipër
i ndoqi persekucioni.
Le pastaj të tyret prindër
Vetëm te Zoti besonin.

“Hoqëm, ç’hoqëm, -  thotë IFI, -
 Zoti na mori në Qiell.
Tek tri pjellat më zbret shpirti.
Nuk panë një ditë me “diell”…
AKTI I NËNTË

“Gjithë “Ah-et” tona erdhën nga “Bastardi” –
gjëmon nga Neë Yorku
 zëri i EDUARDIT…

E, ç’të them më parë sot  për gjyshen Savë?
Asaj hallet kurrë,
kurrë nuk iu ndanë.

Gjyshja jonë e shtrenjtë, le ta dinë të gjithë,
 vdiq veç prej merakut,
që kish për fëmijtë…

S’pyeste ajo fare për vitet lart supeve
Qe e fisme  Sava.
Nga oxhaku i Rucajve.

Sa pesh’  i kish fjala, përballë zagarëve,
kur e poshtëronin
“Nën’ e reaksionarëve!”

xxx

…Eh, ç’më ndjekin pas kujtimet,
kur kujtoj nënën, babanë.
Për ta s’kishin fund lëngimet.
Ua vran’ shpirtin  dhe rivranë

Shpesh më fliste nëna ime,
motra e Panos, Viktoria:
“Na u bë zemra thërrime.
Nuk na shqitej lukunia…

Savës dot s’ia ulën kokën
dhe pse lodheshin lakejtë.
Kur i përgatitën “lodrën”,
ranë brenda edhe vetë…

Ishte lodër krejt e pistë
në një ksodh brenda në fshat
Sekretari i partisë
një urdhër lëshoi te gratë:

“Kur të hyjë brenda Sava,
të mos ngriheni më këmbë.
Ta kuptoj’ reaksionarja,
që s’ka nder në këtë vend.”

Por intriga nuk i ndezi
sekretarit ogurzi.
Savës, te pragu kur shkeli,
iu ngrit në këmbë dhe ai.”

xxx

Sava kish fisnikërinë.
Qëndrestare si një burrë.
Krah i fortë për Ilinë.
Tërr si’ia bëri syri kurrë.

E tillë qe fisnikja Savë.
E tillë mbeti “Dëda e fshatit”
Kryelartë ballëlarë.
E vendosur përballë fatit…

S’ishte vjehrrë si çdo vjehrrë.
Sava qe një vjehrr’ e mbarë.
Për gjithë nuset qe emblemë.
Gjithë respekt për Dedën Savë…
 
Shpirti saj krejt u sfilit.
Tre djem morën arratinë.
Emigrantë politikë,
s’e duronin tiraninë…

Asnjë lajm s’mori prej tyre
Së paku sa ishte gjallë.
Disa herë derën ia shqyen,
Djemt’ e tjerë, për t’ia marrë.

Shihte Sava, se si nuset
 po thinjoseshin me zor…
Çdo rëndes’ mbi shpirt e supe
ua rrëmbeu nurin rinor…

Viktoria, motra e trimit,
Pano Xhamballos luan
Sa herë nisej për tek  Ifi,
Vëllait i shkonte pranë.

“Pano, shpirt, me xhan luftove.
Fale jetën për lirinë.
Po  për motrën çfarë fitove?
Vëlla, shpirt, djajtë na grinë…!

E burgosën Margaritin
Fëmijve s’u japin shkollë
…Nën terror e kemi shpirtin
Tremben dhe lulet në mollë

Djalli vriste deputetë.
Hëngrën plot kokrrën e plumbit.
Ç’do të priste turma e shkretë?
Asgjë tjetër përveç fundit…”

E kështu duke rrëfyer,
nuk i reshtet psherëtimë.
Ngushëllim kjo mëm’  e vyer
Gjente vetëm ndër fëmijë.

xxx

Ç’dhimbje kish Viktori bija
 për kunatën – Viktorinë.
Asaj i dha gjysh Ilia
 mësimdhënien trashëgim.

VajzënViktori  pushuan.
Nxënësit dashurisht e prisnin
Pse s’u kthye, s’e kuptuan.
(Rrufe binin mbi krejt fisin…)

Malen specialist me emër
Fillimisht e lanë pa punë
Iu vërsulën si të egër
 me  më psikiken përdhunë.

Kur s’e bënë dot kulak
“Armik  populli” u shpall
Ia bënë shpirtin farmak
dhe e lanë si peshkun n’zall...


AKTI I DHJETË

Një ndër niprit “turrjen” la
larg tek ishin xhaxhallarët.
Fluturoi në SHBA.
Veç të ikte nga “barbarët”…

Këtë fjalë kish  në gojë,
kur kujtonte mizoritë
kryer nga persekutorë
“Ponc Pilatët e pashpirt.”

Mori gruan e dy vajzat.
“Vrapin” la tej Atlantikut.
Këcënimet i la prapa.
Me besim tek vetja iku….

Larg qytetit të Argjiros
e larg fshatit  me dritë-hije
 rrekej nipi i Ilia Dilos,
për një frymë të re lirie.

Si bagazh mori kujtimet.
Më të shumtat peshërënda.
Merak s’kishte për harxhimet.
Për liri ia kishte ënda…

Fëmijërinë dhe rininë
 i kaloi mes përçmimesh.
Dhe kur “preku” burrërinë,
 nuk shpëtoi prej kërcënimesh…

Shpërthyen sythe kujtimesh 
te dy syt’, te zemra e Edit.
Mes gëzimesh e trishtimesh
gjithandej mbresat ngarendin…

Pran' Statujës së Lirisë
e qarkojnë vajzat të dyja.
Dhe e pyesin përditë
"Pse ikëm nga Shqipëria?" –
 
E  krenare si mos kurrë
për simbolin kombëtar
Seç mbështillen me flamur.
Rrezatojn' shpirtin shqiptar.
 
Çdo kujtim  i rindez mall.
Midis luksit s’shikon gjë.
Nuk shikon bahçe e mal.
Vajzat flasin në një zë:

“Ne  e duam Shqipërinë.
Zagorinë  djep e kemi.
T’ gjejm’ vërtet’ -  demokracinë,
ne te rrënjët prapë  vemi.”

Tek dëgjon Edi të bijat
 në shpërthim fjalësh plot mall;
Vë mbi gjoks duart të dyja,
 s’i t’i thot’ Zotit: “Më fal!”

“Ç’të të fal, o bir?” – flet Zoti.
Ti po thua të vërtetën.
Brengë patët mot pas moti…
Boll e duruat të shkretën!
Merr kurajë  me tepër Edi.
E nga shfrimet përmban veten.
Lotët gati që t’i derdhi.
Tek të bijat sheh kureshtjen…


AKT I NJËMBËDHJETË (I POSAÇËM)

Qëndron EDI pranë tyre,
 T’ua thot’ a jo të vërtetën?
S’don t’ua prish’ dritën e syve,
Atë drit’ që larg  e gjetën…

Ato s’ishin esëll fare.
Lart’ e posht’ kishin dëgjuar.
Të vërtetën më makabre
Fare shkurt të copëzuar…

Si një prind me shpirt llagar
Si baba me ndjeshmëri,
tha me vete: “S’bëj zarar,
po t’ua them ato që di…”

“… Fisi ynë, o moj të mira,
një oaz atdhetarie.
Gjysh edhe stërgjysh Ilia
ishte shembull diturie.

Zagorite e vërtetë
Sa e urtë –  gjyshja Savë!
Të helmët shkoi një jetë.
Poshtërimet pa iu ndarë…

Nuk iu bëmë rregjimit vegël.
Na trajtuan si të huaj.
Na shikonin si të egër;
Duro, shpirt edhe mos vuaj…!”

E dëgjojnë vajzat sorkadhe
me flamur hapur në dorë.
E kujtojn’ trojet shqiptare
me dorën mbi kraharor.

Flasin shqip, shqipen e pastër
 dhe kur nxënë gjuhë të huaj.
Veç lirinë në shqipen vatër
të gënjeshtër nuk e duan…

Xhulia, Anxhela dëgjojnë.
Drejt në sy shohin babanë.
Larg në trojet arbërorë
 vegjëlin’ e tyre lanë…

Flet me shpirt të drithëruar
Flladi Edit i ter lotët.
Ka një shpirt fort të ngacmuar.
Zap kujtimet s’i bën dot:

…Si burgimet, internimet
nuk kishin reshtje për ne.
Mjaft të rënda poshtërimet;
të na mbanin si me fre…

Kundërshtarët qen’ të shumtë
me  Parti e me  pushtet.
Lëre “fuksat” e “gushkuqtë”;
Si s’na lan’ pakëz të qetë!...
Ç’t’ju them  ,o vajza, më parë?
Kisha mjaft etje për dije.
Shteg për dije nuk na dhanë,
të na shihnin veç në hije…

(Emocionet Edin kapin
 Si në skenë heroin tragjik.
Shungullon krejt Oqeani,
 teksa dalin fjalët shqip):

Hallë Ifi: “Shiko, Edi!
Më dëgjo, o nip i dashur:
Mos harro vojtjet që heqim,
Mos harro buzën e plasur!

Zgjodhi rrugën që desh Jani…
Sakaq nisën “havaletë…”
Direktiv’ kish dhënë Tirani,
te goditeshin Dilenjtë…”

…Unë bija në mendime,
për ç’dëgjoja e kisha parë.
Qyqja tej me këngërime;
Unë – si lulja buzëtharë…

Zhavorrishten Nivan – Sheper
e përshkoja disa herë.
Më rëndonin mbi shpirt dertet…
Zemra gur e gjoksi – shpellë.

“Ç’më vjen gjallë në vegime,
O baba, baba i mirë,
 U mbaje shokëve fjalime
me sa zjarr për Shqipërinë…!

Ato fjalë plot krenari
i përcillje  n’shok’ të huaj.
Edhe unë porsi ti 
në mëdyshje heq e vuaj…

Ngjyr’ e kuqe, ngjyr’ e Djallit
Na e bëri   jetën sterrë…
Desh na hëngri për sëgjalli,
siç hëngri hallën fatzezë…!
   
xxx

Këtu Edi ndryshoi zërin.
Iu ndryshua vetvetiu.
Tok me vajzat kryqin bëri.
Mbi flamur frynte veriu:

“Të kalosh në Sheper,
në  të kreit lagje;
I tëri rrënqethesh.
Një kondismë shfaqet.

Vetëm disa fjalë,
prej qiellit zbritur,
prej shpirtit kanë dalë,
shpirtit të zhuritur:

“Nëna juaj, motra juaj,
këtu ngrirë në mermer.
Për të gjithë rri e vuaj.
Si s’u lodhën duke prerë?
Fjalë lapidare
Prodhuar prej zemrës…
Piskama llahtare
 Zbritur  për tek rrënjët.

Rrënjët e dilenjve
shkojnë thellë, thellë.
Edhe hapje e degëve –
o sa shumë e gjerë!

Flasin degë e rrënjë
me zë  të përflakur:
“Ç’qe ky krim i rëndë,
që na drodhi pragun?...”

Lugetrit e natës
tjerrur kishin planin.
Nje ditë ngeli vetëm;
Ia bënë “pazarin…

Kushedi c’ka hequr
Halla e gjorë,  Kaliopi
nga vampirë të regjur,
shpirtkatran si korbi.

…Goditur me dru,
Shkulur tufa flokësh.
Gjaku vu e vuu…
O sa krim i poshtër!

Ndaj dhunës mizore
boll kish rezistuar.
Veprime shtazore
e patën rrëzuar…

Të humbisnin gjurmët,
 u përdor acidi.
Dot nuk e përgjunjën
djajt e genocidit…

E nxorën jashtë pragut
Atje e lëshuan.
Kafka krejt e zbardhur,
Shtritur, jetëshuar.

Ja kështu mbaroi
halla ime e mjerë.
Djalli helm lëshoi
ndaj të ndritshmes derë…


AKTI I DYMBËDHJETË

I thërret malli stërmbesat
e stërnipër ngado gjenden.
Për t'u kthyer nuk humb shpresa
Ndjenja kthen me vete mendjen.
 
Pena e zjarrt' e  Gjuhëtarit
n'Dilaj mbeti përsëri
Vangjel, Etien e mbajtën s’pari.
E Vasil Bici me krenari…

Kur iu pre dhe Vasos ëndrra.
Pena e zjarrt’ u drithërua
Një stërmbese ja ka ënda,
Atë penë ta mbajë në duar
Vajza ka emër hyjnor:
Engjëlloreja Anxhelë.
Syri i zgjuar vezullor
shikon larg e shikon thellë.
 
Ndër dy botët e dy kohët
 kjo stërmbes' krijon kufirin...
Ajo fshin nga qielli llohët.
Ardhmërisë ja hedh syrin.
 
Përjetoi një stinë pa emër
në vendlindjen plot me krisma.
E një gur vuri në zemër.
E mirëpriti Amerika.
 
Veç shtatë vjeç ishte Anxhela,
kur la Sheper, Gjirokastër.
Me mall i kujton ngahera.
Duke fshirë lotët e pastër.
 
Sot kulturën Perëndimore
ajo rrok e bën për vete.
Nëpër gjurmët stërgjyshore
ecën drejt edhe nuk stepet.
 
Poezinë ka për zemër
sheperioteja princeshë
N'Amerikë  po lë emër
kjo e famshme poeteshë.
 
Ç'nder i bukur për Anxhelën
e për prindërit shembullorë!
E mbyllën Dymijë e pesën
me një të këndshme "kurorë"…
 
Jo vetëm familja e saj
 e jo vetëm Zagoria.
Shqipëria skaj më skaj
rrëmbushet nga krenaria.
 
Eduardi edhe Lida
me dy vajzat si flori
përballojnë gjithë sfidat
e një shekulli të ri…
 
Kapërcyen oqeanin
jo të qetë si turistë.
Lanë Viton,Margaritin
në vorreza mjaft të trishtë.
 
Në Atdhe mbetën të tjerë:
hallë IFI, kushërinjtë:
Pirua, Riku – të dërmuar,
Antigoni – vrarë në shpirt.
 
Ethet e tyre të shumta
kurrsesi s'i harron EDI.
As kërcënimet e plumbta,
që e larguan nga vendi.
 
Në Parajsën qiellore
tek prehet në Panteon,
Enden ca hije mortore.
Ato diç duan të thonë.
 
Krejt papritur u shfaq Hija.
Si një korb me zë ciklopi:
"A e di, mor zoti Ilia?
Këtu  prehet dhe Kaliopi?!…"
 
"Tutje , korb, këtu s'ke punë
Shko atje te tokësorët!
Larg nga Dilajt, o i paudhë!
Hoqëm boll nga gjakësorët.
 
Oh, ç'më preke mu në plagë,
more shejtan i mallkuar!
Dilajt të ardhmen e kanë
 të ndritur, të pa shteruar."

xxx

Më të voglës së fëmijëve, Hrisanthit
Veç të tjerash, s’i eci shëndeti.
Me të shoqin keq i vajti fati…
Shpejt iu fik  Odisea nga Përmeti.

Vetes Zot Neta, Filipi i kanë dalë
Respektojnë ata jetën dhe lirinë.
Gjak dilajsh u ndizet në damarë
Brenda “Diloiadës” marrin frymë…

EPILOG

Te kondisma – obelisk
Mall  e dhimbje ngjizur fort.
Përkujton ajo një fis
Eh, një Fis me dhimbje e lot…

Në mermer po klithmon shpirti
me protestë njerëzore.
Pika e lotit aty zbriti
prej Parajsës qiellore.

Të shpërndarë tokësorët.
Që të gjithë mallzhuritur.
Me mendim te Parajsorët,
Te çdo emër i përndritur.

Vetëm tre s’janë larguar.
Në vendlindje i la fati…
Që të tre mjaft të trishtuar.
Tollovi jeta ç’u vajti…!

Pirua, Riku, Antigoni
Me trishtim babanë përcollën.
Dhimbje IFI  mjaft duroi.
Me kunatën si u sollën…

Që të gjith’…persekucioni…
Ç’të trajtuar!... Pa mëshirë.
U shkoi jeta buzë honit.
Qëndrestarë në buzëgreminë…

Një mision kanë nipër, mbesa:
mos harrojn’ hallet ndër vite…
T’u qëndrojë ndezur kujtesa
ndaj çdo brenge… e çdo merite…

xxx

Ka  ç’kujton për dilejtë i pashtershmi Llagaturat.
Krejt damarët i ka thellë e në Bambull ngjiten lart.

Shkëlqimtarë syt’ e Ilisë, syt’ e Savës ledhatarë
Mbetën idhujt më të ndritshëm  për gjithaq trashëgimtarë.

Dhjetë emra faqendritur gdhendën Sava dhe Ilia.
I dhanë drit’ vatrës së ditur, dritëzonte gjithë shtëpia.

Bukuroshë – djemt’ e Ilisë
Bukuri e dëshpëruar.
Bukuroshë – mbesa e niper
Bukuri e trashëguar.

Nipër, mbesa të krejt fisit –
Të shpërndarë  tejembanë
Vragat e persekutimit
Përgjithher’ në shpirt i kanë…

E pëllumba ishin shtatë, pëllumbesha ishin tri.
Simpatikë flatraartë për flatrime në liri.

Që të dhjet’në drit’ të syve të ngulitur kishin paqen.
Përgjërim për jet’ të ndershme, kësisoj të pastër faqen.

Për pëllumbat, pëllumbeshat, u përshfaq e egra jetë
Internimet edhe prangat askërkund s’i lanë të qetë.

Diktatura shpirtxhelati, më xhelat se Ponc Pilati
krijoi klimë ku vegjetonin karrieristi, intriganti.

Kërcënimet e tejskajshme ua vrerosën tejet shpirtin…
Katër  “nuset” e pafajshme, para kohe plakur ishin.

U martuan katër  djem, katër nuse u bënë gra.
U thinjosën… o sa shpejt! Dhuna dhimbshëm ra mbi ta.

Gjith’ pëllumbat lanë çerdhen, fluturuan ku e ku.
Tek e çift braktisën vatrën, të mbijetonin diku.

Të sëmurur me pahir, me pahir të plakëruar.
Mbyllën sytë një pas një, mbetën të përjetësuar.

Në selitë e  Parajsës, ku prehen Ilia, Sava,
Tok me prindërit në amshim: shtatë djem’ edhe tri vajza.

Përmbi dhè trashëgimtarët mbeten me vështrim përpjetë.
Ku janë nënat, baballarët dhe stërgjyshërit e shkretë?

Ku është Ilia dhe Sava, Themua, Thevrua e Vangjeli
Gjith’ të tjerët tok me gratë e  fundtragjiku, Etieni?

Çfarë drodhi male, pyje, e tronditi vetë Zotin?
Ishte vdekja më  makabre,,, vdekja që mori Kaliopin…

Të vegjël Andi edhe Gjergji porsi  dy zogj dallëndyshe.
Duke hedhur sytë rrotull, të trishtë kerkojnë gjyshen.

Te çdo thinjoshe që shohin, të stepuar syt’ i ndalin.
Po kështu kërkojnë gjyshen edhe Blerta e Mihali.

(Tragjikisht shkoi  Vasili;
 po kështu edhe Etieni
Po kur vdekja vjen prej krimit,
Na ndihmo, o Zot, ç’të themi…?)

Ishte Muza me zë  t’vajshëm, që na kujton Epopenë..
Bij’ e Zeusit të Olimpit, kjo hyjneshë jetëprerë…**

…N’atmosferën arbërore u trazuan dhunshëm erërat.
Kishte erëra liridashëse e asish që ngritnin plehrat…

Frynte erë perëndimore, çelej jeta tejpërtej.
Era tjetër ishte flamë, thante gjethe e kërcej.

Më të ndjeshëm  ndaj çdo “klime” ishin Dilot Sheperiotë.
Barbarisht të keqtrajtuar. Të paepur jet e mot.

Nuk gëzuan ditë të qeta, se ua vrisnin buzëqeshjen.
Me trishtim u shkoi jeta, në çdo hap kredhur në strese.
                                            xxx
Diku strukur rrinte shpresa, erdhi dita nxori krye.
Nipër, stërnipër, stërmbesa  s’e lënë shpresën në hije.

Pa harruar të vërtetën  me mjaft ethe e pllanga gjaku
E ndërtojnë vetë jetën, siç ua do nderi  dhe pragu…

Të ,mëdhenj edhe të vegjël të ndezur mbajnë kujtesën.
Duan të veprojnë ligjet, duan të gjejnë të drejtën..

Drejtësi lypte Etjeni përmes penës flakërimë.
Të ngratit shpirti i theri, dot s’e gjeti drejtësinë.

Dhe këtë  e dëshirojnë, jo ta mbajnë si ikonë;
Porse ligji të veprojë mbi ata q’ e meritojnë…

Sa kanë etje për lirinë, po aq dhe për drejtësinë.
Ësht’ e tillë diloiada, teksa sot e lirë merr frymë.

Mbledhur lotët e përgjakur
 nga çdo rrënjë del nje bisk.
Ngjizen bisqet e përflakur
 te konizma – obelisk.

Një stërmbes’ e Gjuhëtarit, bija e shkrimtar Vangjelit
Në sy ka dritën e Paqes, kurse mbiemrin prej Diellit.

Dhe në syt’, zemrën e saj Paqe e Diell ndihen qetë;
Kjo rrëfen se gjithë Dilot, të rikthyer janë në Jetë.

Seç fryn era e Dhëmbelit, një fllad me fuqi hyjnore;
Një nga një i mbledh të vegjlit  e krejt familjes Dilore.

Një oborr mbi Obelisk sa me gaz pret niprit, mbesat.
Për një jetë paqe,dritë gjallërisht bulojnë shpresat…

Për një jet’ të lumturuar, jetë  të lirë mbi këte dhe;
Jehon kënga e Rovenës, kënga e shpirtit…ANTE!

Shpjegime fjalësh:

¹ Kokojkë = kodër e veçantë dhe e bukur mbi fshatin Sheper.
² Dmth në Gjimnazin Zosimea të Janinës.
³ Eljua = fëmijë e Etienit
** Kaliopi = sipas mitologjisë ishte një nga muzat e  Zeusit, që simbolizonte epopenë, oratorinë, bukurinë.



(Vota: 6 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora