Faleminderit
Gjergj Kastrioti, Heroi në këndvështrimin e shkrimtarëve të huaj
E shtune, 16.01.2010, 01:10 PM
Në vitin 1967, kur në Shqipëri kremtohej 500-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar, studiuesi Selman Riza, asoko he punonjës në Muzeun e Beratit, shkroi këtë studim në formë kumtese. Kumtesën, Riza e mbajti për të pranishmit në një aktivitet kushtuar këtij përvjetori në muzeun ku punonte. Pikërisht atë vit (1967), studiuesi i mirënjohur ishte larguar nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë në Tiranë dhe ishte “dënuar” të punonte në provincë, si ciceron. Në këtë vit jubile (100- vjetori i lindjes) për studiuesin Riza, do të sjellim për herë të parë, një varg studimesh të panjohura dhe të pabotuara të tij, vënë në dispozicion nga arkivi i familjes. Lexuesit do të njihen me këto studime çdo muaj, duke nisur pikërisht nga ky studim mbi figurën e Gjergj Kastriotit në veprat e autorëve të huaj, e duke vijuar më tej, me trajtesa të tjera mjaft interesante. Ad.Pe.
Nga Selman Riza
Veprat historiografike shkencore mbi heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin – Skënderbeun dhe ato artistike letrare mbi të njëjtin hero nga autorë qoftë vendas qoftë të huaj përbëjnë dy tipe punimesh vërte qartësisht të ndryshëm, por jo njëherazi edhe frontalisht të kundërt. Që të shmanget rreziku i kundërvënies së tyre mekanike-globale, e n’anë tjetër që dallimi i tyre i domosdoshëm të ngrihet nga niveli intuitiv-empirik në atë analitikik-racional, këta dy tipe punimesh duhen shqyrtuar dialektikisht në mvarësi prej këtyre dy pyetjeve:
1. Këta dy tipe punimesh ç’janë në vetëvehte?
2. Këta dy tipe punimesh cilëvet qëllime finalë u shërbejnë përkatësisht pritet t’u shërbejnë?
Apo, që ta themi ndryshe, këta dy tipe punimesh duhen shqyrtuar nëpër dy prizmet në një anë të objektevet, e n’anën tjetër të destinacionevet të tyre.
Ndryshimi për nga objektet i këtyre dy tipeve punimesh duket vërte absolut, por ai në fakt është vetëm relativ. Ky ndryshim duket absolut, sepse: ndërsa historigrafi shkencor, mbasi të ketë gjurmuar dhe zbuluar materialet faktikë të jetës dhe veprimtarisë së një personazhi historik, këta materiale pastaj i përpunon historiografikisht në njohuri të veçanata dhe vlerësime të përgjithshëm; përkundrazi autori p.sh. i një romani historik apo drame historike prej njohurivet të veçanta historiografike dhe vlersimevet të përgjithshëm historiografikë niset posi prej, të dhënash të gatshëme e madje posi prej, materialesh brutë për t’i përpunuar artistikisht në efekte qoftë vetëm kënaqësish estetike qoftë njëherazi edhe emocionesh moralë.
Por ky ndryshim përnga objektet i vepravet historiografike shkencore dhe atyre artistike letrare mbi të njëjtin personazh historik, i cili (ndryshim) duket kështu absolut, në fakt është vetëm relativ për këto dy arësye:
Historiografit shkencor nuk i lejohen gjetjet e hamendjes, e aq më pak frymëzimet e fantazisë. Ai mund të operojë vetëm me pohime të pakundërdëshmueshëm, kështuqë si të thuash hapësira e lëvizjevet të tija është nga më të kufizuarat. Prandaj sado të detaluara që të jenë njohuritë e veçanta, dhe largvajtës vlerësimet e përgjithshëm ku tashmë do të ketë arritur përpunimi historiografik shkencor i një personazhi historik prapëseprapë këto njohuri do të japin jo më shumë se vetëm konturet e një skeme a vizat e një skice: shndërrimi apo, më drejtë, tejkrijimi i kësaj skeme a skice në një portret të plotë a pasqyrë të gjallë është jo punë shkence, por vepër arti.
N’anë tjetër, siç na mëson estetika, çdo vepër arti përbën njëherazi edhe një kontribut njohës, një kontribut njohës vërte pa krahasim më fort veçantues se sa përgjithësues, por prapëseprapë një kontribut pikërisht njohës.
Tani, ja gjithashtu dy arësyet më kryesore, për të cilat ndryshimi përnga destinacionet i vepravet historiografike shkencore dhe i atyre artistike letrare mbi të njëjtin personazh historik është ende më relativ se sa ai përnga objektet e tyre:
Sikundërqë çdo vepër shkencore e më përgjithësisht çdo shkencë është e destinuar të shërbejë qoftë vetë prodhimit shoqëror (shkencat natyrore) qoftë bartësvet të tij (shkencat shoqërore), ashtu edhe çdo vepër artistike qoftë figurative qoftë letrare e më përgjithësisht çdo art ka për detyrë të bashkëndihmojë në edukimin estetiko-moral të pjestarëvet të shoqërisë.
N’anë tjetër nga të gjitha shkencat shoqërore ajo e historiografisë qëndron, përnga destinacioni i saj si “mësuese e jetës”, më afër me artin letrar. Këjo është kaq e vërtetë saqë jo vetëm në dy lëtërsitë antike greke dhe latine, por edhe në mjaft letërsi moderne, historianëvet të medhenj u njihet njëherazi edhe cilësia e letrarëvet të shquar.
Kështu p.sh. dy veprat përndryshe thjeshtë historiografike të Marin Barletit dhe Fan Nolit mbi Skënderbeun, përveç meritës madhore të përgjithshëme të stilit kurdoherë letrar, bashkëbartin jo pak pasazhe fortësisht emocionues e pra pastërtisht artistikë.Veprat historiografike shkencore dhe ato artistike letrare mbi të njëjtët personazhe historikë janë jo për t’u kundërvënë në mënyrë absolute, por vetëm për t’u dalluar dialektikisht sepse sa në objektet aq në destinacionet e tyre, ato përbëjnë dy tipe punimesh gjithmonë pak a shumë të ndërlidhur midis tyre, prktatësisht plotësues të njëritjetrit.
Prandaj në vargun e aktivitetevet kushtuar kremtimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Republikën Popullore të Shqipërisë ka hyrë me plot të drejtë edhe shqipërimi i disave nga veprat artistike letrare të huaja mbi heroin tonë kombëtar.
***
Brenda kësaj kumtese modeste, nga këto vepra, do të përfshihen vetëm pesë.
Në pjesën e parë të novelës “Skënderbeu”, nga francezi Zhan Bomart, shohim Krujën të rrethuar nga një ushtri e tërë turke, dhe të mbrojtur vetëm nga 700 luftëtarë shqiptarë me në krye Gjon Kastriotin. Ndyrja prej turqvet e të vetmit pus të të rrethuarvet (motiv historik i rënies së Sfetigradit) detyron mënëfund shqiptarët e përgjysmuar të çajnë rrethimin në drejtim të bregdetit, ku ata do të gjinden përballë trupavet detare turke, të cilavet pa ndonjë rezistencë të mëtejshme edhe do t’u dorëzohen. Përmbajtjen e pjesës së dytë të novelës e përbën jeta e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut njëherë si shatër i thesarit në pallatin e Sulltanit, pastaj si gjeneral i dëgjuar në ushtrinë turke, e mënëfund si ringadhënjyes i fronit te t’et.
Këtë novelë të këtyre dy përmbajtjeve makar të pabarabarta autori francez ia ka vënë në gojë një malësori verior Ali Duzë Çalamanit, simbas të cilit Gjon Kastrioti Sulltan Muratit, së bashku me të katër të bijtë, i paska dhënë peng edhe bashkëshorten, që qënka quajtur jo Voisavë por Elenë, e që paska vdekur jo në kështjellën e Kastriotëvet në Krujë apo e mërguar diku në Tesali, por në haremin e Sulltanëvet në Adrianopojë. Përmëtepër simbas Ali Duzë Çalanikut të Zhan Bomartit rrethuesit turq në të vetmin pus të të rrethuarëvet shqiptarë paskan hedhur: “bile edhe një derr të gjallë; kështu besimtarët e vërtetë që mbronin qytetin – dhe ata ishin të shumtë, - pranonin më mirë vdekjen se sa të preknin këtë ujë të përdhosur nga kafsha e ndyrë …” (fq. 8).
Thamë: përmëtepër, sepse, për Ali (nënvizojmë: Ali) Duzë Çalamanin e Zhan Bomartit, “besimtarët e vërtetë që mbronin qytetin” e që “ishin të shumtë” domosdo kanë qenë bashkëbesimtarët e tij pikërisht myslimanë.
Edhe në pjesën e dytë të novelës, autori, pa ndonjë motiv artistik të dukshëm, ka devijuar nga tradita makar historikisht e dyshimtë mbi fermanin e rrem për emërimin e Skënderbeut sundimtar të Krujës, duke shkëmbyer sekretarin e Sulltanit me kryekomanduesin e trupavet turke. Në të njëjtën pjesë i njëjti autor, në kundërshtim me të vërtetën historike, ka ekzaltuar figurën e despotit të Serbisë, Gjergj Brankoviçit si kundërshtar gjoja konsekuent të perandorisë otomane.
Për këto arësye, shënimin e Shtëpisë botonjëse: “Kjo novelë …, nuk përkon shumë me historinë e heroit tonë kombëtar” kumtuesi do ta rektifikonte kështu:
“Historinë e heroit tonë kombëtar kjo novelë herë e pason pamjaftueshëm, herë e çfytyron fare”. Por me kaq novelës objektivisht nuk i mohohen dot disa merita artistike, siç janë tabllote deri diku bindëse dhe skenat mjaft të gjalla që tregojnë për arbitraritetet e madje mizoritë e sulltanit despot, për ngritjen e praktikës së rryshfetevet në lartësinë e një sistemi shtetëror në perandorinë otomane, për pasigurinë jetësore të përminutshëme të njerëzvet të kastës sunduese e tjera; e sidomos krahasimet kontrastues përgjithësisht midis tipevet fizikë e moralë të agresorëvet dhe të vetëmbrojtësvet në avantazhin e thekësuar të këtyre të fundit, e veçanërisht midis Jeniçer Agait, vërte triumfues por të ç’njerëzuar dhe Gjon Kastriotit që mposhtet pa u çoroditur etj.
E dyta vepër, shqipëruar dhe shtypur me rastin e 500-vjetorit te vdekjes se Skënderbeut, është një roman i Xheims M. Ludllout. Në origjinalin anglisht, romani është titulluar “The Captain etj.” që shpip don të thotë: “Kapiteni i Jeniçerëvet”, dhe nëntitulluar: “A Story etj.” që shqip don të thotë: “Një histori nga kohët e Skënderbeut dhe të rënies së Stambollit”; kurse në shqipërimin (vende vende pamjaftësisht të qartë) të Vedat Kokonës, ai bart titullin: “Konstandini dhe Morsinia”, dhe nëntitullin: “Një histori nga koha e Skënderbeut”.
Le të përpikënojmë menjëherë se “Kapiteni i Jeniçerëvet” në titullin e origjinalit është Bllaban Badera, historikisht shqiptar. Por, për motivet e vet thjeshtë artistikë, autori, qysh në kapitullin e dytë të këtij romani me një sfond historik përndryshe të pamohueshëm, Ballabanin e ardhshëm na e ka paraqitur si njërin nga dy djemtë Mihal dhe Konstandin të një serbi të quajtur Millosh, i cili në roman do të bashkëndihmojë fuqimisht për arratisjen e Skënderbeut nga kampi turk i betejës së Nishit. Por, megjithë këtë liri që romancieri ka marrë me historinë, Ballaban Badera ç’ka qënë sipas historiografisë shkencore, ka mbetur edhe në koncepsionin e romanit: instrumenti më i përgjëruar i ekspansionizmit robërues otoman përgjithësisht në Ballkan dhe veçanërisht në Shqipëri, e si i këtillë armiku më mizor i lirisë së popullit shqiptar gjatë pothuajse tërë epokës Skënderbegiane.
Prandaj, megjithëse romanit në shqipërim i është këmbyer titulli nga “Kapiteni i Jenicerëvet” në “Konstandini dhe Morsinia”, e madje (së pakti deri diku) për shkak pikërisht të këtij këmbimi aspak të rastit, shtrohet pyetja: “Kapiteni i Jenicerëvet”, Ballaban Badera, a është vallë verevërte i vetmi protagonist kryesor i tërë romanit të Ludllout? – Sikur të qe verevërte kështu, atëherë shqipërimi dhe shtypi i këtij romani me rastin e jubileut tonë kombëtar më solemn do të përbënte një keqkuptim e madje një kundërkuptim. Themi kështu, sepse i vetmi protagonist kryesor i tërë një romani jo vetëm thjesht argëtues por edhe edukues, siç është në fakt romani i Ludllout, pritet patjetër të jetë edhe më pozitivi i të gjithë personazhevet të tij pozitivë. Por, fatmirësisht, në dy linjat e tij kompozicionale të argëtimit të lehtë dhe të edukimit të lartë, ky roman protagonistë kryesorë ka dy personazhe historikë karakteresh dhe vokacionesh krejt të kundërt: “Kapitenin e Jeniçerëvet” dhe “Gjeneralin Kastriot”, Ballabanin dhe Skënderbeun.
Karakterin dhe vokacionin e Ballabanit autori i romanit i ka konceptuar dhe realizuar si një mpleksje psikologjikisht aspak të papranueshme “virtytesh” vogëlerë dhe pavirtytshmërish madhore.
Qysh në kapitullin e dytë të një romani që ka 56-të të këtillë, autori na ka parkumtuar se djali më i madh i Milloshit, Mihali (Ballabani i ardhshëm) ëndërronte ende fëmijë që të bëhej “luftëtar i dëgjuar”, “luftëtar i pasur”, se ai “kishte një natyrë më pak poetike” nga vëllai më i vogël, Konstandini. Kësaj ëndrre fëminore të Mihalit Ballabani, gjatë gjithë karierës së vet: jeniçer i thjeshtë, pastaj kapiten i Jeniçerëvet, e mënëfund kryeaga i tyre, do t’i qëndrojë besnik i patundur.
Ende nxënës në shkollën e jeniçerëvet, ai ka pasur rast të provojë në lëkurën e vet natyrën çnjerëzore të princit trashëgimtar; por këjo përvojë atë nuk do ta ndalojë që të autodisiplinohet shpirtërisht për të ushqyer dashuri ndaj padishahut të ardhshëm. Nëqoftëse më vonë Ballabani do të rebelohet kundër urdhërit të sulltan Mehmetit II që vetë ai (Ballabani), posikur të ishte ndonjë skllav, të fshikullonte admiralin e mundur të flotës turke në rrethimin e Stambollit, këtë rebelim atij do t’ia diktojë vetëm preokupimi për të mos komprometuar pandreqshëm prestigjin personal përpara jeniçerëvet të pranishëm. Nëqoftëse më tutje Ballabani do të zhbindë sulltanin nga projekti për të emëruar atë (Ballabanin) kryeaga të jeniçerëvet, duke anulluar kështu privilegjin e këtyre të fundit për të zgjedhur ata vetë komandantin e tyre, ai do të veprojë në këtë mënyrë paradoksale, ngaqë, duke pasë balancuar shansat e situatës, do të pikasë se konflikti midis jeniçerëvet dhe sulltanit nuk i premton asgjë pozitive ambicjes së tij. Kur vret mëndjen jo pa sukses për të shpëtuar sulltanin nga këjo apo ajo situatë politike e mbarsur me rreziqe për perandorinë otomane përkatësisht për të nxjerrë atë nga ky apo ai qorrsokak ushtarak; kur tregohet luajal ndaj armës së jeniçerëvet ku bën pjesë; kur kalon në prapavijat shqiptare me misionin qoftë të diversantit të kobshëm (në roman është ai që hedh qenin e ngordhur në pusin e Sfetigradit), qoftë të zbuluesit ushtarak të nuhatjes së hollë, qoftë të intriguesit politik të kalibrit të madh; kur në beteja e sipër, gjithë duke komanduar trupat e jeniçerëvet kundër trupavet shqiptare, ndjek me aq zell taktikat e Skënderbeut saqë ky i fundit në roman thotë shprehimisht për atë: “ai ka mësuar metodat e mia më mirë se edhe vetë oficerët e mi” etj.; kurdoherë Ballabani udhëhiqet vetëm e vetëm prej egos së hipertrofizuar të një arrivisti vërte nga më të rafinuarit dhe energjikët, por ama prapëseprapë në analizë të fundit njëherazi edhe nga më ordinerët. Deri në situatën më patetike kur i rindizet dashuria djaloshare për Mersinien atëherë më të gruaruar, Ballabani, arësyetimxhi i neveritshëm i interesit personal, llogaritar maniak i karierës personale, ridel menjëherë në siperfaqe:
“– Kam rënë në dashuri! Por jam i marrë! Sepse një njeri me ambicje nuk duhet të bjerë kurrë në dashuri; ai duhet të bjerë në ashuri vetëm në vetën e tij.” (fq.289)
Shkurt, karakteri dhe vokacioni, me të cilën Ludllou në romanin e vet ka pajosur “Kapitenin e Jeniçerëvet” Ballaban Baderën, shihet sheshit se janë të një tipi njeriu në thelb jo vetëm shpirtërisht mizerabël por edhe mendërisht meskin; - mizerje shpirtërore këjo e tija dhe meskinitet mendor ky i tiji, të cilët në roman dalin ende më fort në pah kundruall madhështisë morale dhe gjenialitetit të shumanshëm, me të cilët romancieri, në përputhje të përpiktë me të vërtetën historike, ka brumosur Skënderbeun. Madje në mbushullinë brendiore të këtij romani me të vëtetë poliedrik dallohet mjaft qartë një linjë e tretë kompozicionale: ajo e çiftit Konstandini dhe Mersinia. Për këtë arësye kumtuesi titullimin e shqipërimit me emrat e tyre e gjen jo të papërligjshëm. Vërte romani është historik (aq sa mund të jetë historik një roman!); kurse këta dy personazhe në vetëvehte nuk janë të këtillë. Por të riun Konstandin dhe të renë Mersinia romancieri i ka pajosur jo vetëm me një pasion përvëlues për njëri tjetrin, por njëherazi e madje në rradhë të parë edhe me një kurajo legjendare në shërbim të një kauze së drejtë apo (siç e quan Konstandini këtë kauzë në roman) të “një kauze së shenjtë”: të kauzës së vetëmbrojtjes shqiptare kundër ekspansionizmit robërues otoman. Pastaj së pakti njërin nga këta dy personazhe romancieri e ka bërë deri diku historik, duke paraqitur Mersinien si të bijën e Muzaka Stresit. E mënëfund, ajo që në këtë mes ngre ende më fort peshë, mbrojtës të tyre vigjilent e madje prind të tyre të dytë romancieri ka bërë aq kolonelin Arnaud Kabiloviçin e ushtrisë shqiptare sa kryekomanduesin e saj lartësisht njerëzor dmth. vetë “Gjeneralin Kastriot”.
Tri veprat tjera të autorëvet të huaj mbi Skënderbeun, të shqipëruara dhe të shtypura me rastin e 500–vjetorit të vdekjes së tij, janë shoqëruar secila nga një parthënie ose mbasthënie. Prandaj paraqitjes dhe vlerësimit të tyre do t’u biem sa më shkurt që të jetë e mundshëme.
Romanin italisht “Skënderbeu, histori shqiptare e shekullit XV” nga Antonio Xonkada e ka shqipëruar me kompetencë gjuhësore dhe dignitet stilistik Sotir Caci. Shqipërimi bashkëbart një mbasthënie 14 faqesh ku origjinali është bërë objekt i një vlerësimi të përgjithshëm pozitiv, çka ishte krejt e natyrshëme, sepse përndryshe shqipërimi dhe shtypi i tij do të kishin humbur çdo arësye qënieje. Por ky vlerësim përgjithësisht pozitiv është pothuajse neutralizuar nga një numër jo gjithaq i paktë rezervash jo gjithaq të veçanta, e për mendimin e kumtuesit, pjesërisht të pasakta mbi çpërfilljen letrare të faktevet historikë, mungesën e unitetit brendior, stilin retorik të romancierit etj.
Por gjithëçka është relative. Kështu, në krahasim me romanin e Xheims M. Ludllout, që është shqipëruar dhe shtypur si roman pikërisht historik, por pjesa ndoshta më e madhe e përmbajtjes së të cilit vlon nga ngjarje jo vetëm aspak historike por edhe mezi serioze, romani italisht i Xonkadës nuk mund të mos të bëjë përshtypjen se në përgjithësi i përgjigjet plotësisht përkufizimit të një romani historik.
Pastaj në qoftë i drejtë mendimi i parthënësit se përmbajtja e romanit “Skënderbeu, histori shqiptare e shekullit XV” do të kishte dalë më e njësishme, sikur romancieri fillim, vazhdim e mbarim të trajtonte: “Vetëm luftën, sakrificat, vendosmërinë, heroizmin, botën, shpirtin, mendimin shqiptar” (fq. 371),
është i domosdoshëm konstatimi se vetë romancieri (fq. 195) ka rrëfyer haptazi: “Ndërsa po plotësohen përgatitjet luftarake për rrethimin e Beratit, e shoh me vënd të flas këtu për të kaluarën e këtij kont Tebaldit…, që lot në këtë roman, në s’gabohem, një nga rolet më kryesore pas Skënderbeut”.
Tani, kur pjesëmarja e një kontingjenti italian në luftërat shqiptaro-turke nën udhëheqjen e Skënderbeut është një fakt historik, kur në roman në krye të këtij kontingjenti figuron pikërisht konti Tebaldi, dhe (siç konstatohet me miratim mbasthënësi) kur romancieri “patriot e letrar italian” Antonio Xonkada: “Ka pasur si qëllim kryesor, duke shkruar këtë vepër, t’u japë italianëve një shembull të lartë … për t’i hedhur në luftë kundër armiqve që e mbanin të coptuar e të pushtuar atdheun e tyre Italinë” (fq. 369);
Atëherë, me dozën e duhur të zëmërgjërësisë internacionaliste, për ç’arësye të mos pranohet se një qëllimi të këtillë mësëmiri mund t’i shërbente pikërisht gërshetimi në roman i linjës kompozicionale kryesore shqiptare me atë jo kryesore italiane?
Mënëfund në qoftë e vërtetë se stili pak a shumë retorik përbën një si tipar nacional të letërsisë italiane, është një fakt se, simbas rrethanavet objektive të ngjarjevet dhe gjendjevet shpirtërore të personazhevet, romancieri ynë ka përdorur më se një nëntip të këtij stili. Kështu p.sh. në jo më pak se 100 faqet, ku Skëndërbeu figuron si tregimtar pikërisht gojor i jetës së vet deri në riçlirimin e Krujës dhe të Shqipërisë, stili kurrësesi nuk mund gjithandej të cilësohet si retorik, në vështrimin pezhorativ të këtij termi.
Megjithë rreptësinë e theksuar të kriterevet të vlerësimit, mbasthënësi nuk ka mundur të mos i bëjë një homazh artit te romancierit në përshkrimin e rrethimit të Beratit: “Përshkrimet e disa betejave, e sidomos të rrethimit të Beratit dhe shpartallimit tragjik të ushtrisë arbre për shkak të tradhëtisë dhe pakujdesisë të disa kapedanëve, tregojnë se autori e ka studiuar me vëmëndje dhe pasion historinë e epopesë sonë të madhe. Ai rrethim dhe ajo disfatë e rëndë janë dhënë me kujdes, me hollësira të habitëshme, me realizëm të fortë” (fq.374).
Por, duke gjykuar edhe mbi vëllimin e dytë ende të padalë nga shtypi simbas vëllimit të parë tashmë të botuar të shqipërimit, kumtuesi mendon se mbarë romani i Antonio Xonkadës mbi heroin tonë kombëtar, nëvëndqë të vuajë gati vazhdimisht nga kalimi i masës në trajtimin letrar të faktevet dhe ngjarjevet historikë, nga mosbashkimi i dy rrjedhavet kryesore të zhvillimit në një rrymë të vetme të tij, dhe nga niveli i pabarabartë i suksesit artistik në realizimin e kapitujvet të veçantë, përkundrazi, në përgjithësi shquhet pikërisht për meritat e anasjellta.
Madje, simbas kumtuesit, ky roman përbën më seriozin homazh të huaj të kësaj gjinie letrare për ne shqiptarët. Vërte, në një vështrim të parë e të pjesshëm, ky homazh mund edhe të prodhojë përshtypjen sikur vleka vetëm për heroin tonë kombëtar Gjergj Kastriotin-Skënderbeun. Por nga një thellim i mëtejshëm i gjithëçkahes nuk mund të mos burojë bindja se ky homazh përkundrazi i takon jo më pakë edhe vetë popullit shqiptar të epokës Skënderbegiane, e madje jo vetëm Skënderbegiane.
Veprën anglisht të Tomas Uinkop-it mbi Skënderbeun e ka shqipëruar mbas Fan Nolit më i rëndësishmi shqipërues i ynë në sferën e dramaturgjisë, Skënder Luarasi. Por parthënien e shqipërimit prej vetëm 4 faqesh jo të plota, shqipëruesi ua ka kushtuar më fort gjymsëkuriozitetevet bibliobiografikë, digresionevet historikë të përgjithshëm, citimevet të analizavet dhe vlerësimevet të tjetërkujt etj. se sa shqyrtimevet, analizavet dhe vlerësimevet vehtjakë. Nga paragrafi i fundit i kësaj parthënieje nxëmë se përkthimi i tanishëm i veprës në fakt qenka një përkthim i saj i dytë i kryer afro një gjymsë shekulli mbas përkthimit të parë. Por pyetjes nëse ky ripërkthim i Luarasit shënon ndonjë hap përtej kontributevet të tij të mëparshëm në të njëjtën sferë kumtuesi nuk mumd t’i përgjigjet ndryshe veçse mohueshëm. Këtu vërte nuk është vendi për ndonjë shqyrtim stilistik e aq më pak gjuhësor të shqipërimit. Por nuk mund të mos citojmë vargun:
“E bukura sulltane, Selimana,
Që hieshit e rralla të së cilës
I njeh një botë e tërë .” (fq. 37, rr. 2);
sepse tek çrregullsia stilistiko-gjuhësore kaq e vrazhdë e këtij vargu ripërkthyesin do ta ketë shpënë preokupimi i tij mjaft anakronik për të qënë sa më shumë në rregull me aritmetikën rrokjore të vjershërimit …
Gjithashtu nuk mund të heshtim mbi dy pabesnikëri barabar të vrazhda të shqipëruesit ndaj titullit të origjinalit. Veprën e vet në titullin e saj autori nuk e ka specifikuar as si tragjedi as si dramë: kurse ripërkëthimin ripërkthyesi e ka cilësuar njëherë: tragjedi në titull, pastaj: dramë brenda parthënies dhe në fund te tekstit.
Në pasqyrim besnik të një brendie, ku linja kompozicionale e dashurisë mbizotëron theksueshëm atë të heroizmit dhe patriorizmit, autori veprën e vet e ka titulluar: “Scanderbeg: or Love and Liberty” që shqip don të thotë: “Skënderbeu: ose Dashuria dhe Liria”; Por nga titulli i ripërkëthimit është shlyer komponentja e dytë e titullit të origjinalit; duke çorientuar kështu lexuesit shqiptarë, tradicionalisht jo të mësuar me një Skënderbej dashnor…
Vetë vepra është shkruar jo pa frymëzim nga një autor jo pa talent. Por këtij të fundit i kanë munguar barabar përvoja dramaturgjike përkatëse dhe formimi historik përkatës. Në dramë, ai i sulltan Muratit është një personazh nga më kryesorët. Por këtë personazh autori e ka trajtuar në një mënyrë që nuk mund të bëhej më groteske, e për pasojë më antihistorike. Për Arianisën (në dramë kështu është quajtur Donika, bija e Aranitit dhe bashkëshortja e ardhshëme e Skënderbeut) dmth për robëreshën e luftës a xharien e haremit ky personazh psherëtin i pafuqishëm posi kalorësit perëndimorë të mesjetës për damat e veta. Në skenë deri gjatë betejavet kundër Skënderbeut, sulltan Murati merret shumë më tepër me intriga dashurie se sa preokupohet për punët e perandorisë dhe fatin e luftës. Në zbërthimin final të pjesës teatrale, sulltan Murati jo vetëm mundet prej Skënderbeut, por edhe zihet rob prej trupavet të këtij; e i zënë rob, edhe çmendet, e të çmendur edhe e ndryjnë në një kafaz … Me një të këtillë trajtim qoftë edhe të një personazhi të vetëm a është për t’u çuditur (sikundërqë në parthënien e ripërkthimit është çuditur ripërkëthyesi) që vetë autori të mos ketë gjetur as skenë për të çfaqur as botues për të shtypur veprën? Por në vepër viktima të dalldisjes dashurore (për të mos thënë: të frenezisë erotike) janë: edhe vetë gruaja me kurorë e sulltan Muratit, Sulltania Selimana, që dashuron (a e gjeni dot kë?) – Skënderbeun, e që nga dëshprimi bën vetëvrasje; edhe princi trashëgimtar Kahasani që dashuron të njëjtën Arianisë, e që nga i njëjti shkak bën gjithshtu vetëvrasje; edhe Alibegu që tenton të dhunojë po Arianisën, e që ta dhunojë mu në sy të Skënderbeut, e që vritet nga ky i fundit … Në shtabin turk bëhet kërdia; kurse së bashku me Arianisën princërit shqiptarë tek e mbramia shpëtojnë që të gjithë pa një plagëz në trup e pa një ferr në këmb …
Sigurisht në të njëjtën vepër, personazhet shqiptarë, e sidomos Arianisa me Arianitin janë trajtuar me më shumë vërtetësi historike, e prandaj edhe me më shumë dignitet artistik. Por dy a tre personazhe sado të goditur të një tragjedie a drame përgjithsisht aspak të këtillë vallë mundkan mbi lexuesit a shikuesit e kësaj së fundit të ushtrojnë ndonje ndikim estetiko-moral pozitiv serioz?
Kumtuesit, jo krejt pa vend, do të mund t’i bëhej kjo kritikë se ai deri këtu paraqiti dhe vlerësoi shumë më pak trajtimet që i janë bërë figurës së Skënderbeut në katër veprat e mësipërme se sa vetë këto vepra. Por një kumtues që synon seriozisht të zbatojë në çdo punim sado modest metodologjinë marksiste a mund të kënaqej vetëm me kaq që portretizimet domosdo tejet pozitivë e madje entuziastë të Skënderbeut nga autorët e këtyre veprave t’i parafrazonte apo rezymonte pa pasë shtruar më parë pyetjen kush janë këta autorë? e sidomos pyetjen sa vlejnë këto vepra? Themi kështu, sepse dy nga këto katër vepra në fakt nuk janë paraqitur e aq më pak vlerësuar në shqipërimet përkatës, kurse me paraqitjet e vlërësimet e dy tjeravet kumtuesit i ka qenë e pamundur që të pajtohet frontalisht.
Por në një anë zhvillimet e shpërpjesëtuar mbi katër veprat e mësipërme, e n’anë tjetër kufinjtë e pashtrirshëm më tej të durimit tuaj po më detyrojnë që veprën e pestë, dmt. mu atë artistikisht më të meritueshmen për admirim nga autori personalisht më i denji për simpati, ta përfshinj brenda kësaj kumtese vetëm sa për të thënë.
Se si poemën epike të rangut epëror “Skënderbeu” poeti maqedonas ohërnjan Grigor Përliçevi, kur ishte ende në një moshë relativisht shumë të re, e pat shkruar jo maqedonisht por greqisht; se si pastaj i revoltuar nga kursi antimaqedonas i Patrikanës greke dhe i shovinizmit grek, ai hoqi dorë nga botimi i poemës në gjuhën greke mbi heroin shqiptar; e mënëfund se si, afro një shekull më vonë, dorëshkrimi, ndërkohësisht i harruar, i poemës u zbulua në Sofie dhe një fotokopje e tij u dërgua në Tiranë; të tëra këto se bashku me tjera informata shumë të vlefshëme mbi vetë poetin sidhe me mjaft vlerësime merituarazi entuziastë mbi poemën e tij i gjejmë në parthënien prej 14 faqesh nga Petraq Pepo – Sterjo Spase të shqipërimit.
Stili klasik i tekstit origjinal në një gjuhë të një lavrimi letrar prej afro trimijë vjetësh, siç është pikërisht greqishtja, shqipërimin e tij gjuhësoro-stilistik të denjë e bënte një ndërmarrje mezi të realizueshme. Por është një fakt se, në sajë të përvojës së gjatë dhe ndërgjegjes ngulmuese, shqipëruesi i talentuar Spiro Çomora ka arritur që origjinalin greqisht të na e japë në vargje 11- rrokës pa rimë jo vetëm të një shqipje vazhdimisht të paqërtueshme por njëherazi edhe të një stili qëndrueshmërisht të ngritur.
Kënaqësisë sonë si patriotë për këtë përmendore epike të pavdekshëme që i është ngritur heroit tonë kombëtar të pavdekshëm, e ku pathosit shekspirian të brendësisë i është mveshur kaltërsia homerike e shprehjes, i mbishtohet ngazëllimi i ynë si internacionalistë për rrethanën se ngritës i kësaj përmendorje qe një militant konsekuent i kauzës së shenjtë të çlirimit nacional të popullit të vet, bashkëballkanasi i ynë i pandërmjetshëm, maqedonasi ohërnjan: Grigor – Përliçevi.
***
Le të konkludojmë:
Strateg gjenial e njëherazi takticien novator, kryezot prestigjioz e njëherazi udhëheqës popullor, personazh historik e njëherazi figurë legjendare, heroi i ynë kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ishte e natyrshëme që të magnetizonte mëndjet edhe të historianëvet të huaj e të magjepste fantazitë edhe të letrarëvet jovendas. Për personalitetin sado të privilegjuar të Skënderbeut asnjë historian serioz apo letrar i vlefshëm nga të huajt kurrsesi nuk mund ta trajtonte si të veçuar dhe të shkëputur nga populli shqiptar i epokës përkatëse e madje i të gjitha epokavet. Prandaj në homazhet që ata në veprat e veta i kanë bërë heroit tonë kombëtar, kanë pasur pjesën e vet shumë të rëndësishme dhe plotësisht të merituar mbarë brezat mbasskënderbegianë të popullit shqiptar.
16 dhjetor 1967
*) Punues në Muzeun e Beratit