E hene, 20.04.2026, 10:16 PM (GMT+1)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Eliot Engel - një mik i paharruar i shqiptarëve dhe zë i lirisë dhe drejtësisë për Kosovën

E hene, 20.04.2026, 07:15 PM


ELIOT ENGEL - NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN

Nga Frank Shkreli

(Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork dhe verpimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari organizuan pritje ngushëllimi ditën e Hënë, 20 prill, 2026, në nder të Kongresmenit Eliot Engel, i cili ndërroi jetë një javë më parë. Me këtë rast përgatita disa fjalë në shqip dhe anglisht, në përkujtim të mikut të madh të shqiptarëve).

---------------------

Të dashur familjarë, miq dhe bashkëpunëtorë të mikut tonë Eliot Engel -

Mblidhemi me dhimbje dhe respekt për të kujtuar jetën dhe veprën e Kongresmenit Eliot Engel--një figurë e shquar e jetës publike amerikane, por për ne shqiptarët, mbi të gjitha, një mik i çmuar dhe i sinqert.

Për dekada me radhë, Eliot Engel i shërbeu popullit amerikan me përkushtim të rrallë. Por përtej angazhimeve të tij të shumta politike, ai gjeti gjithmonë kohë dhe vullnet për të dëgjuar dhe për të mbështetur komunitetin shqiptaro-amerikan -- një komunitet që tek Eliot Engel, pa jo vetëm një përfaqësues, por një aleat të vërtetë.

Falënderojmë Zotin, gjithashtu, që nga dita e parë, në vitin 1989, kur Harry Bajraktari, për herë të parë, trokiti në derën e zyrës së Kongresmenit të ri Eliot Engel për t’i folur për vuajtjet e popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin shqiptar.

Në momentet më të errëta të historisë sonë të afërt, gjatë luftës në Kosovë, kur populli i Kosovës përballej me dhunë, spastrime etnike dhe padrejtësi, zëri i Eliot Engel u ngrit fuqishëm në mbrojtje të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor. Ai nuk qëndroi indiferent përballë vuajtjes – por ai veproi, duke ndihmuar që çështja e Kosovës të dëgjohej dhe të mbështetej në arenën ndërkombëtare.

Në një nivel personal, humbja e Eliot Engel është humbja e një miku të dashur. Ai ishte një njeri që dëgjonte me kujdes, që kuptonte thellë dhe që vepronte me guxim. Ai kurrë nuk kërkoi njohje as lëvdata për veten e tij -- por historia me siguri do t'i japë vendin që meriton.  Ai besonte në një botë ku liria dhe dinjiteti njerëzor nuk janë kurrë të negociueshme. Dhe për këtë arsye, ai do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve si një nga miqtë e tyre më të mëdhenj - një mbrojtës i lirisë, të drejtave dhe identitetit të tyre kombëtar.

Ky angazhim nuk ishte i përkohshëm. Ai vazhdoi edhe pas luftës, duke mbështetur paqën, stabilitetin dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe për rajonin. Për këtë, Eliot Engel fitoi, jo vetëm respektin, por edhe mirënjohjen e përjetshme të një populli të tërë.

Megjithatë, trashëgimia e tij nuk matet vetëm me vendime politike apo me poste të larta. Ajo matet me ndikimin njerëzor--me mënyrën se si ai i trajtoi të tjerët, me sinqeritetin e tij dhe me gatishmërinë për të qëndruar pranë atyre që kishin nevojë për një zë.

Për komunitetin tonë, ai do të mbetet gjithmonë një simbol i miqësisë së vërtetë dhe i solidaritetit në kohë sfidash.

Sot, ndërsa e kujtojmë me respekt dhe mirënjohje, ne themi: Faleminderit shumë Eliot Engel!
Faleminderit për guximin tuaj!
Faleminderit për përkushtimin tuaj!
Faleminderit për miqësinë tuaj!

I përjetshëm qoftë kujtimi i Eliot Engel -- ndërsa urojmë që bashkpunimi i tij me aktivistin shqiptaro-amerikan Harry Bajraktarin dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan -- të mbetet si një shembull dhe një udhërrëfyes për brezat që vijnë.

Foto me shkrimtarin Ismail Kadare gjatë vizitës së kongresistit Engel dhe përfaqsuesve të NAAC në Tiranë, 2005

Autori, në kapacitetin e Drejtorit Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, me kongresistin Eliot Engel dhe me Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën, 2005 në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Presidenti historik Dr Ibrahim Rugova, shtroi darkë për nder të vizitorëve nga Amerika, Prishtinë, 2005

Takim në Tiranë, 2005 me Kryetarin e Partisë Demorkatike, Dr Sali Berishën

Autori duke mbajtur fjalën e rastit në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar

Shqiptaro-Amerikan, 2005



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Zëri që nuk shuhet – në kujtim të lahutarit të madh të Malësisë së Madhe, Jonuz Delaj Frank Shkreli: Eliot Engel dhe Harry Bajraktari - një bashkëpunim që fuqizoi zërin shqiptar në SHBA Frank Shkreli: Roli i Eliot Engel dhe i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në lobimin për Kosovën Frank Shkreli: Lahuta e Malësisë, zëri që nuk shuhet Frank Shkreli: Një gjuhë, një identitet – studentët dalin në mbrojtje të shqipes Frank Shkreli: 115-vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe - Nga pushka te shteti Frank Shkreli: 2 Prilli, 1991 në Shkodër – Plumbat që vranë shpresën dhe drejtësia që ende hesht! Frank Shkreli: Masakra e Tivarit, 1945: Heshtja zyrtare që vazhdon të vrasë Frank Shkreli: Një shembull i heshtur i fisnikërisë shqiptare në rrethin e Ulqinit Frank Shkreli: Me dr. Elez Biberajn në Tiranë, në çastin kur u thye vetizolimi komunist, mars 1991 Frank Shkreli: Kur historia trokiti në derë… Frank Shkreli: Themeli i AlbLibris – Libri shqip në Shtetet e Bashkuara të Amerikës Frank Shkreli: Mallin e të parëve që malësorët e Rrjollit e mbronin dikur me gjak nga serbo-malazezët – sot ua merr shteti shqiptar me dhunë Frank Shkreli: Romani “Brenga” i autorit Dr. Pashko Camaj Frank Shkreli: Ironia dhe hipokrizia rreth pronësimit të Katedrales në Shkodër Frank Shkreli: 50 vjet Shqipëria priti! Frank Shkreli: Klasa politike në Shqipëri dhe në Kosovë po tradhton shpresën dhe besimin e shqiptarëve për të ardhmen Frank Shkreli: Pa u distancuar nga e kaluara, nuk fitohet besimi i së ardhmes Frank Shkreli: Hafiz Sabri Koçi – një jetë kujtese që sfidoi diktaturën Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx