| E hene, 20.04.2026, 07:15 PM |
ELIOT ENGEL - NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
Nga Frank Shkreli
(Konsullata e Përgjithshme e Republikës së
Kosovës në Nju Jork dhe verpimtari shqiptaro-amerikan, Harry Bajraktari organizuan
pritje ngushëllimi ditën e Hënë, 20 prill, 2026, në nder të Kongresmenit
Eliot Engel, i cili ndërroi jetë një javë më parë. Me këtë rast përgatita disa fjalë në shqip dhe
anglisht, në përkujtim të mikut të madh të shqiptarëve).
---------------------
Të dashur familjarë, miq dhe
bashkëpunëtorë të mikut tonë Eliot Engel -
Mblidhemi me dhimbje dhe respekt për të
kujtuar jetën dhe veprën e Kongresmenit Eliot Engel--një figurë e shquar e
jetës publike amerikane, por për ne shqiptarët, mbi të gjitha, një mik i çmuar
dhe i sinqert.
Për dekada me radhë, Eliot Engel i
shërbeu popullit amerikan me përkushtim të rrallë. Por përtej angazhimeve të
tij të shumta politike, ai gjeti gjithmonë kohë dhe vullnet për të dëgjuar dhe
për të mbështetur komunitetin shqiptaro-amerikan -- një komunitet që tek Eliot
Engel, pa jo vetëm një përfaqësues, por një aleat të vërtetë.
Falënderojmë Zotin, gjithashtu, që nga
dita e parë, në vitin 1989, kur Harry Bajraktari, për herë të parë, trokiti në
derën e zyrës së Kongresmenit të ri Eliot Engel për t’i folur për vuajtjet e
popullit të Kosovës, ai hapi jo vetëm zyrën, por edhe zemrën e tij për popullin
shqiptar.
Në momentet më të errëta të historisë
sonë të afërt, gjatë luftës në Kosovë, kur populli i Kosovës përballej me
dhunë, spastrime etnike dhe padrejtësi, zëri i Eliot Engel u ngrit fuqishëm në
mbrojtje të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor. Ai nuk qëndroi indiferent
përballë vuajtjes – por ai veproi, duke ndihmuar që çështja e Kosovës të
dëgjohej dhe të mbështetej në arenën ndërkombëtare.
Në një nivel personal, humbja e Eliot Engel
është humbja e një miku të dashur. Ai ishte një njeri që dëgjonte me kujdes, që
kuptonte thellë dhe që vepronte me guxim. Ai kurrë nuk kërkoi njohje as lëvdata
për veten e tij -- por historia me siguri do t'i japë vendin që meriton. Ai besonte në një botë ku liria dhe dinjiteti
njerëzor nuk janë kurrë të negociueshme. Dhe për këtë arsye, ai do të mbetet
përgjithmonë në kujtesën e shqiptarëve si një nga miqtë e tyre më të mëdhenj -
një mbrojtës i lirisë, të drejtave dhe identitetit të tyre kombëtar.
Ky angazhim nuk ishte i përkohshëm. Ai
vazhdoi edhe pas luftës, duke mbështetur paqën, stabilitetin dhe ndërtimin e
një të ardhmeje më të mirë për Kosovën dhe për rajonin. Për këtë, Eliot Engel
fitoi, jo vetëm respektin, por edhe mirënjohjen e përjetshme të një populli të
tërë.
Megjithatë, trashëgimia e tij nuk matet
vetëm me vendime politike apo me poste të larta. Ajo matet me ndikimin njerëzor--me
mënyrën se si ai i trajtoi të tjerët, me sinqeritetin e tij dhe me gatishmërinë
për të qëndruar pranë atyre që kishin nevojë për një zë.
Për komunitetin tonë, ai do të mbetet
gjithmonë një simbol i miqësisë së vërtetë dhe i solidaritetit në kohë sfidash.
Sot, ndërsa e kujtojmë me respekt dhe
mirënjohje, ne themi: Faleminderit shumë Eliot Engel!
Faleminderit për guximin tuaj!
Faleminderit për përkushtimin tuaj!
Faleminderit për miqësinë tuaj!
I përjetshëm qoftë kujtimi i Eliot
Engel -- ndërsa urojmë që bashkpunimi i tij me aktivistin shqiptaro-amerikan Harry
Bajraktarin dhe me komunitetin shqiptaro-amerikan -- të mbetet si një shembull
dhe një udhërrëfyes për brezat që vijnë.

Foto me shkrimtarin Ismail Kadare gjatë vizitës së kongresistit Engel dhe përfaqsuesve të NAAC në Tiranë, 2005

Autori, në kapacitetin e Drejtorit Ekzekutiv të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, me kongresistin Eliot Engel dhe me Presidentin historik të Republikës së Kosovës, Dr Ibrahim Rugovën, 2005 në Kuvendin e Republikës së Kosovës

Presidenti historik Dr Ibrahim Rugova, shtroi darkë për nder të vizitorëve nga Amerika, Prishtinë, 2005

Takim në Tiranë, 2005 me Kryetarin e Partisë Demorkatike, Dr Sali Berishën

Autori duke mbajtur fjalën e rastit në darkën vjetore të Këshillit Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, 2005