E shtune, 11.04.2026, 12:11 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël me poezi nga Kristaq Turtulli

E premte, 10.04.2026, 06:51 PM


KRISTAQ TURTULLI

Një poezi shumë e hershme e gjetur rastësisht në një fletore, kushtuar tim ati, që kur u operua për herë të tretë, nuk gjendej ne Korce një limon të lagte buzët e zhuritura...

Limoni nuk bie prej qielli...

Në tavan e dhimbjes

rritet një pemë limoni

me rrënjë në plagët e operuara të tim ati.

Limoni nuk ka tokë,

As nuk bie prej qielli.

Limoni ushqehet me erën jodi

dhe psherëtimat e pambaruara të tim ati.

Lekundet Fruti i limonit si djalli,

mbi gojën hapur te semurit,

verdhësia e vjeshtesise

si një diell i varur me pendime.

U tha loti I limonit pa rene perdhe.

Babai nuk është më njeri,

është një det i qepur keq nga operacioni,

ku valët përplasen pa ujë.

Ai hap buzët dy dyer të ndryshkura,

dhe brenda tyre në shkretëtirë pi vetme fjalë

"Limoni..."

por fjala shndërrohet në imazhe të lodhura

ngjiten në mur dhe vdesin pa zë.

Unë kërkoj një gotë,

por gota eshtë bërë guaske,

brenda meje dridhet veç jehonë

e gjërave që nuk ekzistojnë.

Limoni mbi ne fillon të rëndohet,

pikon dritë të hidhur

që kurrë nuk arrin poshtë.

Në buzët e përthara,

me një gojë të mbushur me mungesë,

ndërsa fruti, në ajër plaket dhe një ditë

do të thahet pa rënë,

si një diell i vogël i refuzuar.

Ndërkohë, unë mbledh farat që s'ekzistojnë

dhe i mbjell në gjuhë,

duke shpresuar të rritet një ditë.

KRISTAQ@TURTULLI

JANAR 1968- 2026

Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës.

Pranvera nuk pret derën e motit,

ajo është brenda meje, zjarr i qetë.

Jashtë shiu godet tokën si kujtime të ngrira,

qielli ulërin mes lotësh të ftohtë

bora kafshon rrugët me dhëmbë të bardhë,

Me penelin e shpirtit pikturoj petalet e dritës.

derdh ngjyra që ende s'ekzistojnë,

dhe nga plagët e dimrit

rrjedh një dritë e egër...

një pranverë që nuk lind nga moti,

por nga rebelimi im,

pemët tashmë janë në flakërimë lulesh.

KRISTAQ@TURTULLI

Nipit tim, vogëlushit Peter Turtulli

Shkëndijim vezullues ndjeva në zemrën time,

mëngjesin e pranverës kur linde, burim dritësie.

Gëzim më dhurove vogëlush, ndjenjë krenarie.

Yll i çmuar për mua je, ngrohtësi shpresëdhënëse.

Me flladitje vogëlush erdhe mes nesh, me përtëritje.

Një jetë kam jetuar, kam parë shumë ditë,

Në stuhi jetova, krijova të panumërta shtigje,

S'krahasohet asgjë me gëzimin e ardhjes tënde.

Dua të mësoj fjalë të vërteta, të lashta, të reja,

Si të mbrosh ëndrrat dhe të gjesh shpresa,

Të tregoj si mund të jetë e nesërme bota,

Si të përpiqesh, të zbulosh çfarë fsheh jeta.

Në çdo e qeshur jotja, çdo buzëqeshje,

Për mua është gëzim, është ripërtëritje.

Sepse në shpirtin tënd, unë shoh ëndrrën time,

Breznitë tona zinxhir lidhur në përjetime.

Rritu vogëlush, rritu me shpresë e gëzime

Mos ki frikë, mirësinë, bekimin pranë gjithnjë e ke,

Kur të rritesh, për mua do jesh burim krenarie.

Nuk ka rëndësi, do jem në tokë apo mbi re...

KRISTAQ@TURTULLI

Mars 2025- Mars 2026

Në bebe të syrit mbaj lotin e ngrirë të nënosë.

Varur qëndrojnë në degët e mështenkave,

Hënat e zverdhura të fëmijërisë sime.

Mbi to lëkundet lot i ngrirë i nënosë.

Zhumshëm tundeshin sa herë frynte era.

Humba në pyllin me hëna të zverdhura

Të gjeja lotët e ngrira që kish varur nëna.

Përpiqesha tu shmangesha pëllgjeve dhe hidhësive,

Më lëndonin dhembët e yjeve.

Mbështillesha me petkun e bardhë të mështeknave.

Në bebe të syrit mbaja lotin e ngrirë të nënosë.

rëndonin mbi çatitë e gërmuqura të shtëpive,

Rrëshqisnin në sfalt më gjakosnin këmbët e zbathura.

S'më dëgjonte kush kur zë dridhur përshpërisja:

'Ju lutem blini bajame të pjekura nga nëna'.

Era grindej, gërvishte rrugicat me thonjtë e pista.

Hënat e zverdhura e viteve të largëta fëmijërisë,

Varur qëndrojnë në degët e drithërimave,

Tunden zhumshëm sa herë fryn era.

Në bebe të syrit mbaja

Lotin e ngrirë të nënosë.

KRISTAQ@TURTULLI

Kosovë, Tokë e Zjarrit dhe e Dritës

Kosovë,

emër që del nga dheu si psherëtimë,

si gur i lagur me gjak e shi,

si këngë që s'u këput kurrë në grykë,

Në qiellin gri...

Kosovë.

Në fushat e tua fryn era e lashtë

e betimit e besës e bukës së ndarë,

e nënave që pritën me sy kah mali,

e burrave që shtrënguan tokën e të parëve,

E zemra e tyre kurre nuk ndali.

Në Prekaz u ndez një flakë

që s'ishte vetëm zjarr armë,

por dritë që kërkonte agimi,

Mbi supet e historisë u ngrit emri

Adem Jashari,

që kurre nuk përkulet, si lisi

si gur që nuk tretet në furtunë e shi.

Kosovë,

ti u bëre flamur dhe plage

lot dhe njekohesish këngë

Në netët e errëta, me britma u mbush qielli,

ti mbete gjallë në ninullat e nënave,

në pëshpërimën e fëmijëve që mësuan fjalën "liri"

para se të mësonin A, B C-ne.

Në Reçak me zë të rëndë toka foli

bota dëgjoi dhimbjen që nuk u fshi,

kujtimet u ngritën nga hiri

Endrra vigjëlonte majë lartësive per liri.

E kur erdhën ditët e kthimit,

Me hapa të lodhur u mbushen rruget,

por me sy të ndezur nga shpresa.

Mbi kupën e qiellit u hap një dritare,

Plot drite, nga Prishtina

u dëgjua fryma e një populli

mbijetuar në ardhjen e çdo mëngjesi.

Kosovë,

lufta jote nuk është vetëm armë,

është mënçuri,

qëndresë në heshtje,

është gjuha që s'u ndal,

shtëpia e rindërtuar gur mbi gur te syri.

Ti je toka që botës i mësoi

se liria lind nga dhimbja,

por rritet me dinjitet dhe fisnikeri.

Kosovë

në çdo agim që çel mbi malet e tua,

dielli duket sikur ndalet një çast,

që të përshëndesë

një popull që kurrë nuk u shua.

KRISTAQ@TURTULLI

DËBORA BINTE PARA DRITARES SIME

Dëbora binte para dritares sime,

ngadalë, si të kish frikë mos më zgjonte.

Me kujdes zbriste çdo flok bore,

si një kujtim që dhemb pa zhurmë

mbi gjërat që s'janë më.

Bora bardhë zbardh gjithçka,

por mallin s'e mbulon.

Ai zgjuar rri,

si një dritëzë e vogël

në fund të shpirtit tim

Më merr për dore

dhe më çon te Korça ime,

në rrugët ku bora kishte emër,

ku nata këndonte serenata

dhe zemra

s'dinte ç'ishte largësia.

Bora bie, ngadalë bie

më çon te nëna ime:

te zëri i saj i butë,

te dora e saj që borën fshinte,

nga supet e mia të vogla,

te ndriste fëmijëria...

Por unë fëmija nuk e dija

Sa shpejt nxitonte dhe ikte jeta.

Tani këtu, milje larg, bora bie ndryshe.

E bardhë.

E qetë.

Akull e ftohtë.

Por brenda saj

fsheh një ëndërr të vjetër

atë që më mëson

se gjithçka që humbëm

Mes nesh, ende jeton.

KRISTAQ@TURTULLI

Vitet e mërgimit vërtiten si gurë në tespihe

Vitet e mërgimit vërtiten si gurë në tespihe

Ne atdhe njejta dajre bie

Në gishtat me kallo të shekujve.

Dallgët pështjellimi e rrokopuje

ngrihen mes lotësh, male.

Këngët joshëse të sirenave

të dehura rrinë

mbi dete dhe oqeane.

Skërmiten ujqit mes fshatrave që nuk gjenden në pyje

Muret e rrënuara grinden me erërat anonime

Qytetet përtypen në heshtje,

mbeten sa një guaske veze.

Secili prej nesh, ndoshta një Odise më vete,

secila grua, ndoshta një Penelopë pa sepete.

Brezlëshuar mbeti fjala brezave.

Makinat shkojnë e vijnë mjegullnajeve.

Shalli i nënës: dert, mall, dhimbje,

shtëllungë e ronitur reje.

Amaneti i babës: gërmuqje e shkëndijë rrufeje.

Malli i pashuar mbeti në shkrepa dhe brigje.

Në memorie mbeti serenata e hershme:

"Dua më shumë Shqipërinë."

A mund të jetë kjo e vetme?

Atdheu bëhet gjithnjë përgjysmë,

Pa amanete?!

Vitet e mergimit verteten si gure ne tespije.

Ne ardhe e njejta dajre bie...

KRISTAQ@TURTULLI

Motrës sime Krisanthi ( që u nda nga jeta para dyvjetësh)

Motra ime e brishta, shpirt bukura,

ëndërr çiltëra.

Dikur me fustane basme, të holla,

mollëza të përskuqura

nga ëndrra që s'u tha.

Me gishta të bardhë, delikatë,

në dritaren me stalaktite

vizatoje zogj pendëartë.

Hu, hu — hukatnin

doçkat e mia të vogla, të ngrira.

Mi puthje, mi ngrohje me buzët e bukura.

Jashtë skërmitej e ftohta, ngrica,

qielli mbushej me lot kristalorë.

Doje, motra ime, të krijoje diell të ngrohtë,

Qiell të kaltër, me zogj këngëtarë,

pa shpendë grabitqarë.

Ndaj në qiellin kristaltë vizatoje,

Pranverë, nuse të veshura me fustane

të bardha nusërie...

Por ishte dimër, tmerrësisht ftohtë,

dhe zogjtë të trembur fluturonin, një nga një,

me mot të vranët dhe rrufe

drejt të largëta, të pajohura vise.

E ëmbla motra ime,

të mundonte vetmia e madhe,

edhe pse gjendeshe

mes një turme zhurmëmadhe.

Si zog i brishtë dridheshe,

nën një strehëz të vogël,

nën furtunë shiu dhe ere.

Krisanthi e mira motra ime,

krahë dallëndyshe në qerpikë,

Ngado dhuroje botë drithëruese mirësie,

dëlirësie, dhembshurie, dashurie.

Sërish hidhje në kanavacën e bardhë

një diell me shtatë ngjyra drite

dhe zogj pelikanë pendëartë.

Dhe pse ike, motra ime mbete,

mirësia, dashuria, vlera, fisnikëria vetë,

që rrallë bën nëna në këtë jetë.

KRISTAQ@TURTULLI

BORA, NËNA DHE UNË

Bie bora para dritares sime.

E shoh nënë dhe të flas në heshtje:

e mban mend këtë borë të bardhë,

Shpesh me ere dhe furtune?

Ti nuk përgjigjesh me fjalë.

Në këtë fund dhjetori vjen me ngrohtësi,

si një dorë e butë shallin më rregulloi

Tani në moshë të thyer, zemra më drithëroi.

Në hatulla, pëllumbat strukur janë.

"Mos u trembni," u thoshe nënë,

"dimri kalon, ju ngroh nëna"

Ashtu siç ma thoshe mua

kur kthehesha nga shkolla duar të ngrira

dhe sy nga thëllimi të lagura.

Bora e bardhë bie ngadalë

Më çon larg, ku nata këndonte serenata

dhe ti nënë dritaren hapje ngadalë,

kënga të më përkundte, të më zgjonte.

Të kujtoj nënë, te pragu i derës më prisje,

Bora e bardhë të zbardhte flokët e bardhë,

Më përcillje, sikur bota të mbaronte pas meje.

Sot, bora e bardhë bie ndryshe.

Zëri yt më përgjigjet në çdo heshtje.

"Jam këtu, aty ku më mendon,

sa herë bie dëbora, sa here ka ere dhe furtune,

ti vjen heshtas, ëmbël te unë,

Nene. Si kjo bore e bardhë ...

Dhjetor 26. 2025

KRISTAQ@TURTULLI

FUND VJESHTE

Fund vjeshte

Oh, ja!

Pelerina e gjelbër e barit u tha.

Fletët e fundit, të zverdhura,

ngadalë rane,

me lëndim pyllin lanë,

ngjyrat e mrekullueshme

shkuan, u tretën,

si vegime që veniten në kujtesë.

Purpuri, freskia,

flokët kaçurrela të mëngjeseve,

rruazat e argjendta të vesës,

Ne mjegull u shkrinë,

Dhe faniten si relike të vjetra.

Oh, ja!

Si femër e lënduar,

vjeshta fustanin flaku,

varëset, vëthët e arta,

të kuqen e buzëve

me lot e lau,

me dhimbje e fshiu.

Sekretin e saj të fundit,

plakërinë,

e zbuloi pa druajtje.

Moskokëçarëse, gjarpëruese,

bryma zbret,

depërton në palcë, të përvëlon.

Oh, ja...

Fleta e fundit ra.

Dhe vjeshta,

marrëzisht, drejt zhdukjes

shkau.

Por përsëri një puthje e fshehtë

E një hënë të bardhë u dha...

Shkelqimi dimeror mbi qerpikë ra...

Kristaq@Turtulli

SIKUR FARE PAK TË MË DESHE...

Sikur fare pak te me deshe...

Hënën si medalion në gjoks do kishe,

Me mrekullinë shumëngjyrëse të vjeshtës do visheshe,

Si princeshë do rrëzëlloje.

Ashtu e magjishme do më dashuroje..

U përkuqe,

mënjanë kryet ktheve.

Kujtova se ishin naze.

Çuditërisht ylli polar ne mes u thye,

Nuk mundi te dergonte pershendetje.

Sikur fare pak të më deshe.

Më dëgjon, sikur fare pak të më deshe...

U përtype, s'fole,

E përhumbur, mes të natës, udhën e shkretë humbe .

Krisën yjet si xhama, ranë përdhe

i bëri gjerdhan ne qafë,

qeni me këmbë pate...

Hej, sikur fare pak te me deshe...

Ti nenqeshe,

Moskokëçarëse, shkunde nje peme vjeshte.

U thyen nje nga nje

shkallinat e argjenda,

Shpresa të ngjitesha

Në liqenet vezulluese të hënës u pre.

Sikur fare pak të më deshe.

Do pija me nje frymë

Verën e butit të endrrave.

Ti qeshe,

Do deheshe, më the. Bota me ty do talleshe.

dhe syrin e majte perdrodhe.

Era më tundi, shkundi si karthje.

Degdisi tutje një fjalë zemre.

Rrëzoi përdhe gjethet nje pylli vjeshte.

Eh ! Sikur fare pak të më deshe,

Të bëje reale një puthje.

Do kish shumë puthje,

drithërima të sinqerta dashurie,

Qielli do ishte në perskuqje mirësie...

Sikur fare pak të më deshe...

Me perden e mjegulltë qeshjen fshive,

Me the: Hej, të gjitha jane imazhe

Yjet dhe hënën i kemi me vete...

Si mundemi kur ato i theve?!

Do gjenden ne te tjera universe...

Ah! sikur fare pak të më deshe...

KRISTAQ TURTULLI



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: 'Gegnisht' bjen në Shkodër penat dhe parmendat e lëvrimit geg Milazim Zeqiraj: 9 Prilli 1999, fitorja mbi armikun Hysni Cara: Një univers rrëfimesh mes kujtesës dhe realitetit Albert Vataj: Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis” Bajram Çeliku – Bali: Fshati i lashtë “Cërril” në “Kodrën e Kallangoçit” – Cërvicë Albert Zholi: Gjyshja, xhindet dhe "xhindja" e bukur Dukagjin Hata: Dritan Doda, midis artit muzikor dhe artit të punimit të drurit Kadri Tarelli: Ali Balliu në një libër të “veçantë” Viron Kona: Të gjithë derrat një turi kanë! Hysen Ibrahimi: Bahri Shyti - 'Kujt t’i besoj' Shkrimtari Albert Zholi triumfon në Festivalin Poetik “Jehona Shqiptare” Albert Vataj: Luftëtarët shqiptarë që fshehin municionin nën urë, një gravurë që rrëfen historinë e vitit 1903 Ftesë nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës Dibrani Transport uron nga zemra: Gëzuar Pashkët – drita që ndizet në çdo zemër shqiptare Albert Habazaj: Xhemil Duka dhe Mandolina e Lirisë Visar Zhiti: Darka e fundit dhe një degëz ulliri… Albert Vataj: 'Nënë Dolores', Hyjlindësja Mari e shenjtëruar nga dhimbja dhe trishtimi Paulin Zefi: Kulla e Turkajve në Shënkoll të Lezhës, një ndërtesë që meriton vëmendje të veçantë Albert Habazaj: Trinia magjike – Narta, piktura, Vaso Pata Gjekë Gjonaj: Altin Ujkaj - Ylli trevjeçar i folklorit të Malësisë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx