Kulturë
Albert Zholi: Gjyshja, xhindet dhe "xhindja" e bukur
E merkure, 08.04.2026, 06:53 PM
Gjyshja, xhindet dhe "xhindja" e bukur
Nga
Albert Z. ZHOLI
Xhindet
janë qenie të padukshme shpirtërore, të përmendura në Kuran dhe në traditën e
Islamit, të krijuara nga "zjarri pa tym", të pajisura me vullnet të
lirë, që jetojnë në një botë paralele me njerëzit dhe mund të jenë si të mira
ashtu edhe të këqija. Pra dhe sinonim i së mirës por edhe i së keqes...P.sh,
ajo vajzë është xhinde-e bukur. E kundërta: U bë xhind, u marros!
**
Tregimi i gjyshes
Në
një mbrëmje të qetë vere, kur hija e maleve zbriste ngadalë mbi fshat dhe era
sillte aromën e barit të thatë, gjyshja më thirri pranë oxhakut. Zjarri
kërciste lehtë, sikur donte të fliste edhe ai. Unë u ula pranë saj dhe e pyeta
rreth emrin xhind që ajo e përdorte shpesh:
-
Gjyshe, ç'janë xhindet?
Ajo
buzëqeshi, por sytë iu bënë më të thellë, sikur po shihnin përtej kësaj bote.
-Xhindet, - tha ngadalë, - janë krijesa të padukshme, më të vjetra se ne. Në
librin e shenjtë, Kurani, thuhet se janë krijuar nga zjarri pa tym. Jetojnë mes
nesh, por nuk i shohim. Janë si hija: e ndjen, por s'e kap dot. U afrova më
shumë. Zjarri ndriçonte fytyrën e saj të rrudhur.
-
Po pse nuk i shohim?
-Sepse
nuk janë bërë për sytë tanë. Disa janë të mirë, disa të këqij, si njerëzit.
Dikur, kur njerëzit nuk dinin të shpjegonin sëmundjet, frikën apo ëndrrat e
këqija, thoshin: "E bëri xhindi". Ishte mënyra e tyre për t'i dhënë
emër të panjohurës. Jashtë u dëgjua një fëshfërimë. Unë u drodha.
-
Mos janë këtu?
Gjyshja
qeshi lehtë. - Jo çdo zë është xhind. Por dikur njerëzit besonin se ata jetonin
në vende të vetmuara: në rrënoja, në pyje, në errësirë. Prandaj fëmijët i
trembnin edhe me gogolin, një krijesë tjetër që s'ka formë, por vetëm frikë.
-
Pra, xhindi dhe gogoli janë njësoj? - Jo, - tha ajo duke tundur kokën. -Gogoli
është shpikje për të trembur fëmijët që të binden. Xhindi është besim më i
vjetër, më i thellë. Njëri është përrallë, tjetri është besuar si i vërtetë.
Heshta për pak dhe pastaj e pyeta përsëri:
-
Po pse disa vajza i quajnë "xhinde"?
Gjyshja
buzëqeshi ndryshe këtë herë.
-Sepse
ka bukuri që nuk duket e kësaj bote. Kur një vajzë është shumë e bukur,
njerëzit thonë "është xhinde", sikur ajo të mos jetë thjesht njeri,
por diçka magjike, që të merr mendjen. Është fjalë që lind nga çudia dhe
admirim. Zjarri po shuhej ngadalë. Hija e dhomës u bë më e thellë.
—
Po ti, gjyshe, a beson tek xhindet? Ajo më pa drejt në sy.
—
Unë besoj tek ajo që nuk shpjegohet lehtë. Por më shumë besoj tek mendja e
njeriut. Frika, djali im, është xhindi më i madh. Kur e mposht atë, nuk të
tremb më asgjë. ..Atë natë dola jashtë. Qielli ishte i mbushur me yje. Era
lëvizte lehtë gjethet, dhe për një çast mendova për xhindet që mund të endeshin
nëpër errësirë. Por pastaj kujtova fjalët e gjyshes. Dhe kuptova se ndoshta
xhindet nuk jetojnë në pyje apo në hije......por në mendjen tonë, sa herë që ne
i japim formë të panjohurës.









