E marte, 07.04.2026, 12:46 AM (GMT+1)

Faleminderit

Lekë Mrijaj: Sot, pas meshës së shenjtë në varrezat e Velezhës u varros Dom Kelmend Spaçi

E hene, 06.04.2026, 06:57 PM


Sot, pas meshës së shenjtë në varrezat e Velezhës u varros Dom Kelmend Spaçi

Shkruan: Lekë Mrijaj

Kjo ditë nuk ishte thjeshtë një datë kalendarike, por një kapitull i veçantë i kujtesës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve. Në vendlindjen e tij, në Velezhë, mes dhimbjes së thellë dhe nderimit të madh, iu dha lamtumira e fundit meshtarit dhe atdhetarit Dom Kelmend Spaçi, ish-famullitar në Kisha e Shën Antonit në Gllogjan. Ishte një ceremoni mortore që tejkaloi përmasat e zakonshme, duke u shndërruar në një ngjarje ku u ndërthurën dimensioni shpirtëror, njerëzor dhe kombëtar, për të nderuar një jetë që u jetua si shërbim, si sakrificë dhe si dëshmi.

Që në agim, rrugët që çonin drejt Velezhës u mbushën me njerëz. Kolona makinash dhe turma këmbësorësh vinin nga çdo anë – nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe mërgata shqiptare. Në fytyrat e tyre lexohej dhimbja, por edhe një ndjenjë e thellë mirënjohjeje. Nuk ishte vetëm një varrim; ishte kthimi i një biri te atdheut të tij dhe njëkohësisht një bashkim i ndërgjegjeve përballë një jete që kishte tejkaluar kufijtë e zakonshëm të shërbimit meshtarak.

Mesha e shenjtë e dritës u kremtua në kishën e Velezhës nga imzot Dodë Gjergji, ipeshkv i Kosovës, i shoqëruar nga arqipeshkvi i Tivarit imzot Rrok Gjonlleshaj, imzot Hil Kabashi, imzot Zef Gashi, dom Shan Zefi – kancelar i Dioqezës së Kosovës, dom Albert Demaj – famullitar i Kishës së Velezhës, si dhe dhjetëra meshtarë të tjerë nga e tërë hapësira shqiptare. Liturgjia u zhvillua në një atmosferë të thellë përqendrimi shpirtëror, ku çdo fjalë lutjeje dukej sikur përmbledhte jetën dhe misionin e tij.

Predikimet e mbajtura gjatë meshës e ngritën figurën e Dom Kelmendit përtej kufijve të një roli kishtar. Ai nga ana e imzot Dodë Gjergji, u përshkrua si një bari i mirë në kuptimin ungjillor – një meshtar që nuk e braktisi kurrë kopenë, as në momentet më të errëta të historisë. Ai u kujtua si një ndërgjegje e gjallë, si një zë që nuk heshti përballë padrejtësisë dhe si një njeri që e jetoi besimin përmes veprave konkrete, duke e shndërruar atë në shpresë për të tjerët.

Pas meshës, kortezhi mortor, i përbërë nga mijëra qytetarë, u drejtua drejt varrezave të Velezhës. Ky rrugëtim i fundit nuk ishte i zakonshëm: ishte një marshim i heshtur i një populli që përcillte një prej bijve të tij më të mirë. Hapat e rëndë dhe të qetë të njerëzve krijonin një ritëm të veçantë, ndërsa heshtja fliste më shumë se çdo fjalë.

Në varreza u krye riti i salikimit dhe varrimi në një ceremoni të denjë dhe solemne. Në atë moment, kur trupi i tij u kthye në tokën që e lindi, shumë sy u mbushën me lot, por edhe me krenari. Sepse para tyre nuk po varrosej vetëm një njeri, por një jetë që ishte bërë pjesë e ndërgjegjes kolektive.

Në këtë ceremoni mortore në homazhe morën pjesë përfaqësues të lartë të jetës shtetërore dhe shoqërore ish Presidentja znj. Vjosa Osmani, ushtruesja e  detyrës së Presidentit, znj. Albulena Haxhiu, kryetare e Parlamentit të Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, deputeti i Parlamentit të Kosovës, komandanti Anton Quni, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe shumë figura të tjera publike. Prania e tyre dëshmoi se Dom Kelmend Spaçi ishte një figurë që i përkiste të gjithëve – një figurë që bashkonte, jo që ndante.

Me nga një fjalë përshëndetëse dhe ngushëlluese u paraqitën arqipeshkvi imzot Rrok Gjonlleshaj, ushtruesja e detyrës së Presidentit, znj. Albulena Haxhiu, dom Shan Zefi,kancelar I  Dioqezës së Kosovës, mulla Sadri Zeka nga Bashkësia Islame e Kosovës, dhe Anton Spaçi nga familja Spaçi. Fjalët e tyre ishin të mbushura me emocion, por edhe me vlerësim të thellë për një jetë që u jetua me përkushtim të plotë ndaj Zotit dhe ndaj njeriut.

Dom Kelmend Spaçi ndërroi jetë më 2 prill 2026 në Tivari, në të Enjten e Shenjtë të Pashkëve – një ditë që përkujton themelimin e meshtarisë. Ky përkim mori një kuptim të veçantë simbolik, si një vulë mbi një jetë të tërë të dhuruar në shërbim. Ai shërbeu për 27 vite në Kosovë dhe 10 vite në Arqipeshkvinë e Tivarit.

Jeta e tij mund të lexohet në tri dimensione të mëdha: njerëzore, shpirtërore dhe kombëtare. Në dimensionin njerëzor, ai ishte i thjeshtë, i afërt dhe gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar. Në dimensionin shpirtëror, ai ishte i palëkundur në besim dhe i përkushtuar ndaj misionit të tij. Ndërsa në dimensionin kombëtar, ai u bë simbol i unitetit dhe i bashkëjetesës ndërfetare.

Këto dimensione u shfaqën më fuqishëm gjatë luftës në Kosovë (1998–1999). Në Kisha e Shën Antonit në Gllogjan, ai hapi dyert për të gjithë, pa dallim. Ai e ktheu kishën në një strehë të njerëzimit dhe një pikë shprese në një kohë kur gjithçka dukej e humbur. Kur iu kërkua të ndante njerëzit sipas fesë, ai refuzoi, duke zgjedhur të qëndrojë në anën e së drejtës dhe të njeriut.

Një nga gjestet më domethënëse të jetës së tij mbetet përdorimi i kambanave të kishës për të lajmëruar kohën e iftarit për besimtarët myslimanë gjatë muajit të Ramazanit. Ky akt i thjeshtë, por i thellë në kuptim, u bë simbol i harmonisë ndërfetare dhe i shpirtit shqiptar.

Në fund të kësaj dite të rëndë, por edhe të ndritur në kujtesë, mbeti një e vërtetë e madhe: me varrimin e Dom Kelmend Spaçit përfundon një jetë, por jo një mision. Ai mbetet një dritë që vazhdon të ndriçojë, një shembull për brezat dhe një thirrje për të jetuar me dashuri, drejtësi dhe bashkim.

Kujtimi dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë në ndërgjegjen e një populli që e njohu, e deshi dhe e nderoi.

U prehtë në paqen e Zotit. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm.





(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Nue Oroshi: Dom Kelmend Spaçi - prifti i atdhetarizmit shkoi në përjetësi Eduard M. Dilo: Qirjako Ilia Dilo — i lindur për të ndriçuar kohën që jetoi Lekë Mrijaj: Dom Kelmend Spaqi - 'Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre' Gjekë Gjonaj: Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore Gani Pllana: Prof. Dr. Jusuf Gacaferri-Pejani, Prijetar në Studime dhe Elektroekonomi në Kosovë Ilir Çumani: Rauf Fico - profili i një politikani dhe diplomati perëndimor Gani Pllana: Prof. Dr. Alfred Pema, inxhinier mekanik, studiues dhe autor i teksteve universitare Gjon Keka: Karakteri i kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) Asllan Dibrani-Luani: Kur arti bëhet mirënjohje për një zë të palodhur të kombit Ndue Dedaj: Baca Pal, një “Sokrat” mes Munellës dhe Myzeqesë Ndue Dedaj: Ndrec Ndue Gjoka, misionar i arsimit Eduard M. Dilo: Mihal dhe Petro Harito – Atë e bir në shërbim të kombit Violeta Allmuça: Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, një fenomen i botës së shkencës Gëzim Loka: Lamtumirë Profesor i nderuar, Skënder Farka! Gjekë Gjonaj: Një histori bese, nderi dhe sakrifice kombëtare Lamtumirë Mërgim Korça! Telegram ngushëllimi i Shoqatës "Trojet e Arbrit" me rastin e vdekjes së studiuesit Mërgim Xhevat Korça Isuf B. Bajrami: Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbeti pa aktivistin e saj Mentor Kaçi Gjon Keka: Adem Demaçi ishte një nga bijtë patriotë që mbante në venat e tij gjakun e Gjergj Kastriotit Përjetësisht në Kujtesë: Adem Demaçi

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx