| E hene, 06.04.2026, 06:57 PM |
Sot, pas meshës së shenjtë në varrezat e Velezhës u varros Dom Kelmend Spaçi
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Kjo
ditë nuk ishte thjeshtë një datë kalendarike, por një kapitull i veçantë i
kujtesës shpirtërore dhe kombëtare të shqiptarëve. Në vendlindjen e tij, në
Velezhë, mes dhimbjes së thellë dhe nderimit të madh, iu dha lamtumira e fundit
meshtarit dhe atdhetarit Dom Kelmend Spaçi, ish-famullitar në Kisha e Shën
Antonit në Gllogjan. Ishte një ceremoni mortore që tejkaloi përmasat e
zakonshme, duke u shndërruar në një ngjarje ku u ndërthurën dimensioni
shpirtëror, njerëzor dhe kombëtar, për të nderuar një jetë që u jetua si
shërbim, si sakrificë dhe si dëshmi.
Që
në agim, rrugët që çonin drejt Velezhës u mbushën me njerëz. Kolona makinash
dhe turma këmbësorësh vinin nga çdo anë – nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe
mërgata shqiptare. Në fytyrat e tyre lexohej dhimbja, por edhe një ndjenjë e
thellë mirënjohjeje. Nuk ishte vetëm një varrim; ishte kthimi i një biri te
atdheut të tij dhe njëkohësisht një bashkim i ndërgjegjeve përballë një jete që
kishte tejkaluar kufijtë e zakonshëm të shërbimit meshtarak.
Mesha
e shenjtë e dritës u kremtua në kishën e Velezhës nga imzot Dodë Gjergji,
ipeshkv i Kosovës, i shoqëruar nga arqipeshkvi i Tivarit imzot Rrok
Gjonlleshaj, imzot Hil Kabashi, imzot Zef Gashi, dom Shan Zefi – kancelar i
Dioqezës së Kosovës, dom Albert Demaj – famullitar i Kishës së Velezhës, si dhe
dhjetëra meshtarë të tjerë nga e tërë hapësira shqiptare. Liturgjia u zhvillua
në një atmosferë të thellë përqendrimi shpirtëror, ku çdo fjalë lutjeje dukej
sikur përmbledhte jetën dhe misionin e tij.
Predikimet
e mbajtura gjatë meshës e ngritën figurën e Dom Kelmendit përtej kufijve të një
roli kishtar. Ai nga ana e imzot Dodë Gjergji, u përshkrua si një bari i mirë
në kuptimin ungjillor – një meshtar që nuk e braktisi kurrë kopenë, as në
momentet më të errëta të historisë. Ai u kujtua si një ndërgjegje e gjallë, si
një zë që nuk heshti përballë padrejtësisë dhe si një njeri që e jetoi besimin
përmes veprave konkrete, duke e shndërruar atë në shpresë për të tjerët.
Pas
meshës, kortezhi mortor, i përbërë nga mijëra qytetarë, u drejtua drejt
varrezave të Velezhës. Ky rrugëtim i fundit nuk ishte i zakonshëm: ishte një
marshim i heshtur i një populli që përcillte një prej bijve të tij më të mirë.
Hapat e rëndë dhe të qetë të njerëzve krijonin një ritëm të veçantë, ndërsa heshtja
fliste më shumë se çdo fjalë.
Në
varreza u krye riti i salikimit dhe varrimi në një ceremoni të denjë dhe
solemne. Në atë moment, kur trupi i tij u kthye në tokën që e lindi, shumë sy u
mbushën me lot, por edhe me krenari. Sepse para tyre nuk po varrosej vetëm një
njeri, por një jetë që ishte bërë pjesë e ndërgjegjes kolektive.
Në
këtë ceremoni mortore në homazhe morën pjesë përfaqësues të lartë të jetës
shtetërore dhe shoqërore ish Presidentja znj. Vjosa Osmani, ushtruesja e detyrës së Presidentit, znj. Albulena Haxhiu,
kryetare e Parlamentit të Kosovës, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, deputeti
i Parlamentit të Kosovës, komandanti Anton Quni, përfaqësues të Bashkësisë
Islame të Kosovës dhe shumë figura të tjera publike. Prania e tyre dëshmoi se Dom
Kelmend Spaçi ishte një figurë që i përkiste të gjithëve – një figurë që
bashkonte, jo që ndante.
Me
nga një fjalë përshëndetëse dhe ngushëlluese u paraqitën arqipeshkvi imzot Rrok
Gjonlleshaj, ushtruesja e detyrës së Presidentit, znj. Albulena Haxhiu, dom
Shan Zefi,kancelar I Dioqezës së
Kosovës, mulla Sadri Zeka nga Bashkësia Islame e Kosovës, dhe Anton Spaçi nga
familja Spaçi. Fjalët e tyre ishin të mbushura me emocion, por edhe me vlerësim
të thellë për një jetë që u jetua me përkushtim të plotë ndaj Zotit dhe ndaj
njeriut.
Dom
Kelmend Spaçi ndërroi jetë më 2 prill 2026 në Tivari, në të Enjten e Shenjtë të
Pashkëve – një ditë që përkujton themelimin e meshtarisë. Ky përkim mori një
kuptim të veçantë simbolik, si një vulë mbi një jetë të tërë të dhuruar në
shërbim. Ai shërbeu për 27 vite në Kosovë dhe 10 vite në Arqipeshkvinë e
Tivarit.
Jeta
e tij mund të lexohet në tri dimensione të mëdha: njerëzore, shpirtërore dhe
kombëtare. Në dimensionin njerëzor, ai ishte i thjeshtë, i afërt dhe gjithmonë
i gatshëm për të ndihmuar. Në dimensionin shpirtëror, ai ishte i palëkundur në
besim dhe i përkushtuar ndaj misionit të tij. Ndërsa në dimensionin kombëtar,
ai u bë simbol i unitetit dhe i bashkëjetesës ndërfetare.
Këto
dimensione u shfaqën më fuqishëm gjatë luftës në Kosovë (1998–1999). Në Kisha e
Shën Antonit në Gllogjan, ai hapi dyert për të gjithë, pa dallim. Ai e ktheu
kishën në një strehë të njerëzimit dhe një pikë shprese në një kohë kur
gjithçka dukej e humbur. Kur iu kërkua të ndante njerëzit sipas fesë, ai
refuzoi, duke zgjedhur të qëndrojë në anën e së drejtës dhe të njeriut.
Një
nga gjestet më domethënëse të jetës së tij mbetet përdorimi i kambanave të
kishës për të lajmëruar kohën e iftarit për besimtarët myslimanë gjatë muajit
të Ramazanit. Ky akt i thjeshtë, por i thellë në kuptim, u bë simbol i
harmonisë ndërfetare dhe i shpirtit shqiptar.
Në
fund të kësaj dite të rëndë, por edhe të ndritur në kujtesë, mbeti një e
vërtetë e madhe: me varrimin e Dom Kelmend Spaçit përfundon një jetë, por jo
një mision. Ai mbetet një dritë që vazhdon të ndriçojë, një shembull për brezat
dhe një thirrje për të jetuar me dashuri, drejtësi dhe bashkim.
Kujtimi
dhe vepra e tij do të jetojnë gjatë në ndërgjegjen e një populli që e njohu, e
deshi dhe e nderoi.
U
prehtë në paqen e Zotit. Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm.