E diele, 05.04.2026, 12:21 AM (GMT+1)

Faleminderit

Eduard M. Dilo: Qirjako Ilia Dilo — i lindur për të ndriçuar kohën që jetoi

E shtune, 04.04.2026, 06:59 PM


QIRJAKO ILIA DILO (1902–1976)

SHKRIM PERKUJTIMOR

Figura e një edukatori dhe intelektuali të përndjekur

Nga Eduard M. Dilo

Historia kulturore dhe arsimore shqiptare njeh figura që, edhe pse të luftuara rëndë në kohën e diktaturës, mbeten thelbësore për të kuptuar përmasat e sakrificës intelektuale dhe qytetare.

Një prej tyre është Qirjako Ilia Dilo, personalitet i formuar në traditën e dijes, i përkushtuar ndaj arsimit, gjuhës shqipe dhe interesit kombëtar.

Qirjako Dilo lindi në Sheper të Zagorisë më 5 Prill 1902. Qysh në moshë të hershme u dallua për prirje të veçanta intelektuale dhe përkushtim ndaj dijes. Ishte studiues i gjithanshëm, njohës i thellë i kulturës klasike, zotërues i disa gjuhëve të huaja dhe, në mënyrë të veçantë, i greqishtes së vjetër — një veçori e rrallë për kohën dhe mjedisin shqiptar.

Kontributi i tij në arsim është i hershëm dhe domethënës. Në vitin 1917, vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, hapi shkollën e parë shqipe në Nivan(Zagori), në një periudhë kur mësimi i gjuhës shqipe shoqërohej me rrezik real për jetën. Më pas drejtor në shkollën e Poliçanit (Pogon), duke ushtruar mësimdhënie në kushte të vështira, por me përkushtim të palëkundur.

Studime të mëtejshme vijoi në Bari (Itali), në fushën e hipotekave. Gjatë kësaj periudhe punoi edhe si gazetar, në bashkëpunim me figura të njohura të shtypit shqiptar, si Leonidha Naçi, dhe më pas shërbeu si drejtor drejtorie në Ministrinë e Financave. Sistemimi i Ipotekave shqipëtare dhe ratifikimi I ligjit të pronësisë mbajnë ermin e tij në arkivat shqipëtare.

Megjithatë, refuzoi funksione të larta shtetërore, përfshirë poste ministrore gjatë

periudhës së fashizmit, kur ato binin ndesh me interesat kombëtare dhe parimet e tij morale.

U martua me Ifi Hariton, vajza e Petro Mihal Haritos një nga personalitetet e shquara të kombit shqiptar.

Pas vendosjes së regjimit komunist, Qirjako Dilo u konsiderua element i padëshiruar.

I njohur për mendim të pavarur, gjykim kritik dhe integritet personal, ai u pa si pengesë ideologjike. Në vitin 1953 u arrestua me akuza të fabrikuara, u torturua dhe u lirua.  Refuzoi të bashkëpunonte me organet e Sigurimit të Shtetit.

Në vijim, familja e tij u përball me forma të vazhdueshme persekutimi.

Pavarësisht presionit, Ai ruajti dinjitetin dhe heshtjen morale. I formuar në frymën e mendimit klasik grek, ai besonte se përkohshmëria e jetës nuk mund të errësojë përjetësinë e së vërtetës. I angazhuar vazhdimisht me risitë e pedagogjisë italiane dhe gjermane, ai mbeti një edukator i rrallë, pa një të dytë si Ai.

La pas dorëshkrime, kujtime dhe materiale pedagogjike, përfshirë metoda për mësimin e gjuhës italiane, që dëshmojnë për seriozitetin dhe thellësinë e punës së tij intelektuale.

Figura e Qirjako Ilia Dilos nuk mund të kuptohet e shkëputur nga tradita familjare e Dilo-ve të Sheperit, e lidhur ngushtë me emra si Ilia Dilo Sheperi dhe Aristidh Ruci, si dhe nga qëndrimi i përbashkët i vëllezërve dhe motrës Viktori, të cilët ndanë të njëjtin fat përndjekjeje dhe persekutimi. Të gjithë mbetën, në mënyrë paradoksale, të huaj në vendin e tyre, për shkak të një atdhedashurie të pakompromis.

Qirjako Ilia Dilo u nda nga jeta në tetor të vitit 1976, në Nivan(Zagori).

U përcoll për në banesën e fundit në Sheper nga një rreth i ngushtë familjar, si pasojë e ndalimeve dhe paragjykimeve politike të kohës. Ky fakt përbën një simbol domethënës të trajtimit që iu rezervua gjatë gjithë jetës.

Rikthimi i figurave si Qirjako Ilia Dilo në vëmendjen publike nuk është vetëm akt kujtese, por edhe detyrim kulturor.

Ato ndihmojnë në rivlerësimin e historisë sonë intelektuale dhe në ndërtimin e një bindjeje më të drejtë për rolin e dijes, karakterit dhe rezistencës morale në shoqërinë shqiptare.

Koha lind rrallë njerëz që i përkasin më shumë dritës sesa vetes. I sjell pa bujë dhe i largon po aq qetë, por ajo që lënë pas mbetet e pamatshme për breza të tërë. Fjala e tyre nuk shuhet; ajo qëndron si një meteor që kalon shpejt, por ndriçon thellë.

I tillë ishte Qirjako Ilia Dilo — i lindur për të ndriçuar kohën që jetoi.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Lekë Mrijaj: Dom Kelmend Spaqi - 'Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre' Gjekë Gjonaj: Burrë i kuvendeve, pajtues gjaqesh, lahutar dhe vajtor i traditës malësore Gani Pllana: Prof. Dr. Jusuf Gacaferri-Pejani, Prijetar në Studime dhe Elektroekonomi në Kosovë Ilir Çumani: Rauf Fico - profili i një politikani dhe diplomati perëndimor Gani Pllana: Prof. Dr. Alfred Pema, inxhinier mekanik, studiues dhe autor i teksteve universitare Gjon Keka: Karakteri i kryeheroit tonë Gjergj Kastriotit (Skënderbeut) Asllan Dibrani-Luani: Kur arti bëhet mirënjohje për një zë të palodhur të kombit Ndue Dedaj: Baca Pal, një “Sokrat” mes Munellës dhe Myzeqesë Ndue Dedaj: Ndrec Ndue Gjoka, misionar i arsimit Eduard M. Dilo: Mihal dhe Petro Harito – Atë e bir në shërbim të kombit Violeta Allmuça: Dr. Vlora Mehmeti-Tërshani, një fenomen i botës së shkencës Gëzim Loka: Lamtumirë Profesor i nderuar, Skënder Farka! Gjekë Gjonaj: Një histori bese, nderi dhe sakrifice kombëtare Lamtumirë Mërgim Korça! Telegram ngushëllimi i Shoqatës "Trojet e Arbrit" me rastin e vdekjes së studiuesit Mërgim Xhevat Korça Isuf B. Bajrami: Lëvizja Kombëtare Shqiptare mbeti pa aktivistin e saj Mentor Kaçi Gjon Keka: Adem Demaçi ishte një nga bijtë patriotë që mbante në venat e tij gjakun e Gjergj Kastriotit Përjetësisht në Kujtesë: Adem Demaçi Albert Habazaj: Miro Tërbaçja, shqiponjë e historisë Bedri Tahiri: Hamëz Jashari n’grykë të topit…

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx