Faleminderit
Lekë Mrijaj: Dom Kelmend Spaqi - 'Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre'
E enjte, 02.04.2026, 06:56 PM

"Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre" - Dom Kelmend Spaqi
(Homazh në kalimin në amshim të Dom Kelmend
Spaqit)
Shkruan:
Lekë Mrijaj
Meshtari
i Kishës Katolike, Dom Kelmend Spaqi, ish-famullitar në Kishën e "Shën
Andout" në Gllogjan, gjatë kohës së luftës së viteve 1998–1999, dha një
dëshmi të rrallë të dashurisë ndërvëllazërore e njerëzore dhe të bashkëjetesës
ndërfetare në Kosovë.
Në
ato ditë të vështira lufte, ai binte kambanave të kishës së Gllogjanit për t'u
treguar vëllezërve të tij shqiptarë (të besimit mysliman), të përndjekur
dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga policia serbe dhe të strehuar në familjet e
fshatrave Gllogjan, Nepole dhe Llugagji, e deri ku jehonin tingujt e kambanave,
se kishte ardhur koha e syfyrit apo e iftarit për ata që kishin agjëruar në
muajin e shenjtë të Ramazani.
Pikërisht
në atë kohë, në Gllogjan të Pejës dhe në fshatrat përreth ishin vendosur shumë
familje shqiptare të besimit mysliman, të cilat, në rrethanat e luftës, kishin
gjetur strehë te vëllezërit e tyre katolikë.
Ishte
pikërisht muaji i Ramazanit dhe, në shenjë të harmonisë ndërvëllazërore dhe
respektit për besimin e tjetrit, në Kishën e Gllogjanit binte kambana për të
përkujtuar kohën e vakteve.
Në
ditën e festës së Pashkëve, në periudhën e luftës, kur në Gllogjan, ishin
mbledhur mijëra njerëz – popullatë civile e pambrojtur, një komandant serb, me
gishtin në këmbëzën e automatikut, iu drejtua Dom Kelmend Spaqit me urdhrin:
"T'i ndash myslimanët në njërën anë e katolikët në anën tjetër!"
Por
Dom Kelmend Spaqi, me urtinë e meshtarit dhe me virtytin e guximit e të
patriotizmit, iu përgjigj me vendosmëri: "Këtu nuk ka myslimanë e
katolikë; këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre. Para se
të veproni kështu, më vrisni mua, pastaj motrat e nderit, dhe vetëm atëherë
realizoni planin tuaj kriminal."
Kjo
ishte dëshmia e pavdekshme e një meshtari të kompletuar edhe në aspektin
shpirtëror edhe patriotik e njerëzor i cili nuk predikoi vetëm me fjalë, por me
jetën e tij. Ai u bë zëri i ndërgjegjes në një kohë të errët dhe mbrojti
unitetin e popullit të vet mbi çdo dallim.
Sot,
në ditën e kalimit të tij në amshim, e kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të
thellë.
Jeta
dhe vepra e tij mbeten një thirrje e fuqishme për paqe, dashuri dhe vëllazëri
ndërmjet njerëzve pa dallim ngjyre...
U
prehtë në paqen e Zotit.
Kujtimi
i tij qoftë i përjetshëm.









