Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Lekë Mrijaj: Dom Kelmend Spaqi - 'Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre'

| E enjte, 02.04.2026, 06:56 PM |


"Këtu nuk ka myslimanë e katolikë, këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre" - Dom Kelmend Spaqi

(Homazh në kalimin në amshim të Dom Kelmend Spaqit)

Shkruan: Lekë Mrijaj

Meshtari i Kishës Katolike, Dom Kelmend Spaqi, ish-famullitar në Kishën e "Shën Andout" në Gllogjan, gjatë kohës së luftës së viteve 1998–1999, dha një dëshmi të rrallë të dashurisë ndërvëllazërore e njerëzore dhe të bashkëjetesës ndërfetare në Kosovë.

Në ato ditë të vështira lufte, ai binte kambanave të kishës së Gllogjanit për t'u treguar vëllezërve të tij shqiptarë (të besimit mysliman), të përndjekur dhunshëm nga shtëpitë e tyre nga policia serbe dhe të strehuar në familjet e fshatrave Gllogjan, Nepole dhe Llugagji, e deri ku jehonin tingujt e kambanave, se kishte ardhur koha e syfyrit apo e iftarit për ata që kishin agjëruar në muajin e shenjtë të Ramazani.

Pikërisht në atë kohë, në Gllogjan të Pejës dhe në fshatrat përreth ishin vendosur shumë familje shqiptare të besimit mysliman, të cilat, në rrethanat e luftës, kishin gjetur strehë te vëllezërit e tyre katolikë.

Ishte pikërisht muaji i Ramazanit dhe, në shenjë të harmonisë ndërvëllazërore dhe respektit për besimin e tjetrit, në Kishën e Gllogjanit binte kambana për të përkujtuar kohën e vakteve.

Në ditën e festës së Pashkëve, në periudhën e luftës, kur në Gllogjan, ishin mbledhur mijëra njerëz – popullatë civile e pambrojtur, një komandant serb, me gishtin në këmbëzën e automatikut, iu drejtua Dom Kelmend Spaqit me urdhrin: "T'i ndash myslimanët në njërën anë e katolikët në anën tjetër!"

Por Dom Kelmend Spaqi, me urtinë e meshtarit dhe me virtytin e guximit e të patriotizmit, iu përgjigj me vendosmëri: "Këtu nuk ka myslimanë e katolikë; këtu të gjithë janë shqiptarë të pafajshëm në vendin e tyre. Para se të veproni kështu, më vrisni mua, pastaj motrat e nderit, dhe vetëm atëherë realizoni planin tuaj kriminal."

Kjo ishte dëshmia e pavdekshme e një meshtari të kompletuar edhe në aspektin shpirtëror edhe patriotik e njerëzor i cili nuk predikoi vetëm me fjalë, por me jetën e tij. Ai u bë zëri i ndërgjegjes në një kohë të errët dhe mbrojti unitetin e popullit të vet mbi çdo dallim.

Sot, në ditën e kalimit të tij në amshim, e kujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë.

Jeta dhe vepra e tij mbeten një thirrje e fuqishme për paqe, dashuri dhe vëllazëri ndërmjet njerëzve pa dallim ngjyre...

U prehtë në paqen e Zotit.

Kujtimi i tij qoftë i përjetshëm.