Faleminderit
Gani Pllana: Prof. Dr. Jusuf Gacaferri-Pejani, Prijetar në Studime dhe Elektroekonomi në Kosovë
E merkure, 25.03.2026, 06:57 PM
PROF. DR. JUSUF GACAFERRI-PEJANI PRIJETAR NË STUDIME, NË UNIVERSITETIN E PRISHTINËS DHE NË ELEKTROEKONOMINË E KOSOVËS
Nga Gani S. Pllana
Prof. dr. Jusuf H.
Gacaferri u lind në Pejë më l3 korrik 1943. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e
kreu në Pejë. Në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Beogradit u
regjistrua në vitin 1961 dhe diplomoi në prill të vitit 1966 me temën e
diplomës: “Mbrojtja e rrjetit të tensionit të mesëm (20-60) kV” me zgjedhje konkrete
të mbrojtjes së rrjetit kabllovik 10 kV të Prishtinës si dhe teknika e shkyçjes
automatike dhe komutim automatik i ngarkesës.
Studimet pasuniversitare
në lëmin e matjeve elektrike i vijoi në Fakultetin Elektroteknik të
Universitetit të Zagrebit, ku magjistroi në vitin 1977, me temën: “Teoria e gabimeve me programe për zgjedhjen e tyre me makinë
llogaritëse”.
Në punim të
magjistraturës, në mënyrë të gjerë dhe komplekse është përpunuar në tërësi
teoria e gabimeve duke ndërlidhur plotësisht me disiplinën automatike të
teorisë së gjasave dhe duke kompletuar me zbatimin në matje në përgjithësi, e
në matje elektrike në veçanti. Kontribut të veçantë paraqet jo vetëm aplikimi i
makinës llogaritëse për përpunimin e të dhënave dhe rezultateve të matjeve, por
edhe paraqitja e të gjitha formave të gabimeve për rezultatet e matjeve dhe të
grafikëve të veçantë, por është dhënë edhe një metodë e re për analizë dhe kontroll
të të rezultateve të matjeve.
Në vitin 1998 mbron tezën
e doktoratës në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës, me
titull: “Kontribut analizës së urave
transformatorike”.
Në punim të doktoraturës, jepet mënyra
konkrete e zhvillimit të metrologjisë. Është dhënë një zgjidhje reale për
kontrollimin dhe etalimin e transformatorëve matës të tensionit me saktësi të
lartë, e me anë të urës transformatike kapacitive të mbarështuar në këtë punim,
që paraqet kontributin kryesor të punimit. Metodat e urave tjetrore e në
veçanti të urave me herës të transformimit, mundësojnë kontrollimin e
transformatorëve matës të tensionit me saktësi shumë të lartë dhe me stabilitet
e ndjeshmëri të lartë gjatë shqyrtimit. Realisht është kërkuar mundësia e urës
transfomatorike kapacitive, por me saktësi të lartë dhe me drejtpeshim të
drejtë. Pa parafrazuar atë që është thënë dhe analizuar në punim duke krahasuar
me metodat tjera, qoftë edhe me urat transformatorike për etalonim absolut të
transformatorëve të tensionit me dizajn që përfshin transformatorin mates të
tensionit në te, shihet se kjo metodë është më e thjeshtë, më e lirë, më universal,
më e saktë. Rezultatet varen nga herësi i mbështjellave të transformorit
toroidal, përkatësisht edhe nga tob e lexuar në urë. Pra, saktësia e
kontrollimit të gabimit të herësit të transformimit dhe të gabimit këndor të
transformatorit matës të tensionit, varet nga saktësia e urës transformatorike
kapacitive.
Për të argumentuar e tërë analiza në
punim, është bërë edhe pjesa eksperimentale, e që i ka mundësuar autorit të
vlerësojë në tërësi urën transformatorike kapacitive.
Karriera profesionale dhe shkencore
Prof. dr. Jusuf Gacaferri
pas kryerjes së Fakultetit Elektroteknik në Universitetin e Beogradit,
punësohet në Elektrodistribucionin e Kosovës, ndërsa në vitin l967 kalon me
punë në Shkollën e Lartë Teknike në Prishtinë.
Në vitin akademik 1966/67
zgjedhet asistent i lëndës “Matje
elektrike” në Shkollën e Lartë Teknike në Prishtinë.
Në vitin 1969 kalon me
punë në Fakultetin e posaformuar Elektroteknik të Prishtinës, në detyrën e
asistentit për lëndën “Matje elektrike”.
Paralelisht i ka mbajtur edhe ushtrimet për lëndët mësimore: “Matjet elektrike 2” dhe“Makinat llogaritëse”.
Studimet pasuniversitare
dhe magjistraturën i kreu në Fakultetin Elektroteknik në Zagreb.
Në periudhën prej vitit
1971 e deri në vitin 1975 ka qenë shef i seksionit të Elektroteknikës. Pastaj
ka qenë dy mandate ishte shef i “Qendrës
llogaritëse elektronike”.
Dy vite ishte zëvendës i
udhëheqësit të OTHPB Elektroteknika, kurse prej vitit 1981 deri më 1983 ka qenë
udhëheqës i OTHPB Elektroteknika.
Prof. Gacaferri, në vitin
1985, në marrëveshje me Fakultetin Teknik, kalon përkohësisht në Elektroekonominë
e Kosovës, në detyrë të drejtorit të dispeçeringut dhe të dispeçerit kryesor. Gjatë
kësaj kohe ka qenë në detyra të rëndësishme profesionale të eksploatimit të
sistemit elektroenergjetik, në ndërtimin e qendrës së re dispeçerike, në forume
elektroenergjetike ndërkombëtare etj.
Në vitin 1989 kalon në Termocentralet e
Kosovës, ku ka punuar një kohë të shkurtër.
Në vitin 1990 kthehet përsëri në
Fakultetin Elektroteknik, në Prishtinë, ku punon deri në vitin 1991 kur organet
e dhunshme serbe e largojnë nga puna, sikurse që larguan 99% të personelit
akademik nga të gjitha Fakultetet e Universiteti të Prishtinës. Në të njëjtin
vit punësohet në Energoinvest, Energomontimi, dhe punon deri në vitin 1996, ku
përsëri kthehet n Fakultetin e Elektroteknikës, në Prishtinë, ku punoi deri në
ditën e amshimit(2003). Gjatë punës në Elektroekonomi dhe në Energomontim, ka punuar
dhe ligjëruar paralel edhe në Fakultetin Elektroteknik, në Prishtinë.
Në muajin shkurt 1998 është zgjedhur
docent për lëndët mësimore: “Bazat e
matjeve elektrike” dhe “Matjet
elektrike në elektroenergjetikë”, kurse në vitin 2022 është zgjedhë
profesor ordinar (profesor i rregullt).
Prej viti 1998-2001 ka ligjëruar edhe
në Universitetin Shtetëror të Tetovës, Maqedoni e Veriut.
Prof. dr. Jusuf Gacaferri, ishte ligjërues i parë për lëndën mësimore “Makinat llogaritëse” në Universitetin e Kosovës, në Fakultetin Teknik, në Prishtinë.
Gjatë punës në Fakultetin
e Elektroteknikës të Universitetit të Prishtinës, ka ligjëruar lëndët mësimore:
1.
“Matje Elektrike I”,
2.
“Matje elektrike II”,
3.
“Makina llogaritëse analoge dhe digjitale”,
4.
“Makinat llogaritëse”,
5.
“Matje në elektroenergjetikë”,
6.
“Bazat e matjeve elektrike”.
Veprimtaria shkencore dhe botuese
Prof.
dr. Jusuf Gacaferri, gjatë punës së vet shumëvjeçare në Fakultet dhe në
prodhimtari është marrë me punë profesionale,
shkencore-hulumtuese dhe me botime të punimeve shkencore, të dispensave dhe të
librave universitare.
Tekste universitare:
1. Gacaferri, J.: "Matjet elektrike I", Botues ETMM, Prishtinë, 1979; dhe
është ribotuar në Prishtinë (1979, 1982, 1985, 1986).
2. Gacaferri, J.: “Elektricna merenja I”(në gjuhën serbokroate), Botuar ZUNS,
Prishtinë, 1979.
3. Gacaferri, J.: "Bazat e matjeve elektrike I”, Botues Universiteti i
Prishtinës Fakulteti Elektroteknik, botim i tretë, Prishtinë, 1996.
Libra për shkolla të mesme
profesionale, drejtimi i elektroteknikës:
1. Gacaferri, J.: “Matje elektrike me ushtrime”, për klasën e IV-të, për Arsimin e
Mesëm të Orientuar, Botues: ETMM, Prishtinë, 1984.
2. Gacaferri, J.; Berisha, Sh.; Gashi, A: “Matje elektrike me ushtrime”, për
klasën e III-të, për Arsimin e Mesëm të Orientuar, Botues: ETMM, Prishtinë
1988.
3. Gacaferri, J.; Berisha, Sh.: “Matje elektrike në energjetikë”,për
klasën e III-të, për Arsimin e Mesëm të Orientuar, Botues: ETMM, Prishtinë,
1989.
4. Orana, N.; Gacaferri, J.; Berisha, Sh.;
Ahma, L.: “Bazat e elektroteknikës dhe të
matjeve elektrike”, për kl. e II-të, për Arsimin e Mesëm të Orientuar,
Botues: ETMM, Prishtinë, 1988.
Dispensa për studentët e Fakultetit të
Elektroteknikës
1. Gacaferri, J.: “Ushtrime laboratorike në matje elektrike”, Fakulteti i
Elektroteknikës, Prishtinë, 1980.
2. Gacaferri, J.:Fjalor terminologjik të elektroteknikës”,serbokroatisht-shqip,
Prishtinë, 1982.
Prof. Gacaferri ka përkthyer nga gjuha
serbokroate dhe angleze në gjuhën shqipe, librat:
1. “Emërtimi
i çeliqeve sipas JUS-1t”,
libër për shkollat e mesme, Prishtinë.
2. “Përmbledhje
detyrash nga bazat e elektroteknikës”,Fakulteti
i Elektroteknikës, Prishtinë.
3. “Vocabuloir
de metrologie”, termat
në gjuhën shqipe.
Prof.
Gacaferri ka marrë pjesë aktive me punime shkencore dhe profesionale në
simpoziume vend dhe në botën e jashtme. Karakteristike është se shumica e
punimeve është me koautorë, që tregon aftësinë profesionale dhe kolegjiale që
të bëj punë ekipore nga njëra anë, kurse nga ana tjetër aftësia e tij për
futjen edhe të bashkëpunëtorëve në veprimtari botuese shkencore. Ka referuar
dhe ka botuar punime në Buletin e Fakultetit Teknik, në JUKEM, në JUREMA, në
JUTEL, në YUCIERE, në EETAN, në CIGURE dhe në IMEKO.
Në
vazhdim, lista e disa punimeve shkencore të publikuara në vend dhe në botën e
jashtme nga prof. Gacaferri me bashkëpunëtorë:
1. Mundësitë
e zhvillimit të metrologjisë në Kosovë”, në JUREMA, Zagreb, 1978.
Në
punim bëhet analiza e disiplinës shkencore të metrologjisë dhe realizimin në
botë, në Federatë, në qendrat tjera dhe në ato kushte realizimi i metrologjisë,
e në veçanti i metrologjisë legale në Kosovë.
2. “Matja
dhe incizimi i elektricitetit statik me metodën e provës”, në Simpoziumi i II-të jugosllav për
elektricitetin statik, Beograd, 1978.
Punimi ka pasur për qëllim gjetjen e
gjendjes për sistemin e elektricitetit statik, e për këtë duhet bërë matje të
sigurta dhe duhet të bëhet incizimi i tyre.
Elektriciteti statik mund të bëhet shumë i rrezikshëm në industrinë
kimike, në mjekësi, petrokimi etj. Andaj, matja e tij është me rëndësi të veçantë.
Metoda e provës është një prej zgjedhjeve të caktuara.
3. “Aplikimi
i sistemit ndërkombëtar të njësive dhe ligjet për njësi dhe madhësi”, në Produktiviteti dhe inovacionet,
Prishtinë, 1978.
Në kohën e aplikimit të sistemit
ndërkombëtar të njësive, duke pssur parasysh ligjet për aplikimin e tyre,
punimi ishte shumë i nevojshëm, i mirëseardhur dhe shumë i domosdoshëm.
4. “Caktimi
i koeficienteve të polinomit për aproksimimin e EKG-së”, në Simpoziumin e II-të i
JUREMA-së-Medicina dhe Teknika, Zagreb, 1979.
Gjatë përdorimit të metodës së
Lagranzhit të interpolimit, ku kërkohet që polinomi I interpoluar të
transformohet në polinom të formës së thjeshtë, duhet të bëhen operacione të
pafundme matematikore. Rast të tillë paraqet grafiku i EKG-së. Përdorimi i
makinës llogaritëse dhe zbërthimi i EKG-së në polinome duke caktuar koeficientet
e polinomit për aproksimimin e EKG-së.
5.
“Mundësitë për rregullimin fisnik të
numrit të dredhave te ndarësi induktiv i tensionit”, Simpoziumi JUREMA, Zagreb.
Ndarësi induktiv i tensionit mundëson
ndarje shumë më të mirë se ndarësit tjerë. Rëndësi të veçantë për te kanë
përdorimi te transformatorët toroidal, e në veçanti te urat transformatorike,
çfarë ishte qëllimi i punimit. Si rast interesant është përpunuar rregullimi
fisnik i amper dredhave dhe kështu është hequr një dilemë e madhe për
rregullimin kontinual te urat e transformatorëve.
6. “Mundësitë
e analizës së potencialeve bioelektrike me makinë llogaritëse analoge”, Simpoziumi Biokibernetika, Shkup,
1990.
Potenciali bioelektrik është një
madhësi shumë me rëndësi e botës së gjallë. Procesi më I rëndësishëm I
paraqitjes së potencialit bioelektrik zhvillohet në membranën e qelizës.
Analiza e procesit në qelizën e gjallë është shumë interesant të bëhet duke krahasuar
me burimet kimike. Në këtë punim është bërë një analizë e tillë shumë e
suksesshme, e me makinë analoge do të bëhet për here të parë krahasimi i rezultateve
me metodologjinë matematikore. Për analizën e fenomeneve në qelizën e gjallë
është përdorë skema ekuivalente me madhësi elektrike. Skema është analizuar
nëpërmjet të bllok-diagramit analog dhe duke përdorë programin CMSF në makinën
llogaritëse digjitale.
7. “Aplikimi
i programit ECAP dhe makinës llogaritëse për shqyrtimin e ndjeshmërisë së
qarqeve të vazhdueshme (skema urë)”.
Simpoziumi FTAN, Prishtinë, 1980.
Mundësitë e aplikimit të makinës llogaritëse
në gjitha lëmit e elektroteknikës janë shumë të mëdha. Autori në këtë punim
përpunon programin e gatshëm ECAF dhe e përdorë për analizën e qarqeve
elektrike dhe elektronike, e pastaj e aplikon atë në caktimin e ndjeshmërisë së
skemës matëse të Weatstonit. Autori ka shqyrtuar edhe metodat tjera për
caktimin e ndjeshmërisë së skemave matëse urë.
8. “Analisys of the sensitivity of
piezoelectric converstors for measyring of dynamic forces by menas of
computer”. International Symposium, Krakovë, Poloni.
Ky punim është prezantuar dhe botuar në
simpoziumin ndërkombëtar të IMECO-s, ku është analizuar shndërruesi aktiv i
madhësisë jo elektrike në madhësi elektrike, si edhe forcat dinamike që
paraqiten në shndërruesit piezoelektricitet. Në punim në veçanti është
analizuar ndjeshmëria e shndërruesit piezoelektrik duke përdorur makinën
llogaritëse. Rezultatet e fituara janë vlerësuar, dhe janë me interes te
posaçëm për përdorimin e mëtejshëm të suksesshëm, si dhe për forca dinamike të
shndërruesit piezoelektrikë.
9. “Shfrytëzimi
i dukurisë së rezonancës te urat tjetrore”. Simpoziumi JUREMA, Zagreb, 1982.
Autori
në këtë punim ka shfrytëzuar dukurinë e rezonancës dhe ka bërë aplikimin e sajë
te urat tjetrore për matjen e parametrave të ndryshme. Vështrimi është bërë te ura
tjetrore vargore., te ura paralele, te ura e dyfishtë rezonante etj. Në veçanti
është studiuar aplikimi I rezonancës në matje me ura tjertore.
10.“Shqyrtimi
analog i dinamikës së galvanometrit për ridrejtimin e rrymave industriale”, Simpoziumi JUREMA, Zagreb.
Për shqyrtimin e dinamikës së
galvanometrit, autori ka shfrytëzuar programin CSMF dhe makinën llogaritëse
digjitale. Studimi është bërë në veçanti për madhësitë e ridrejtuara të
sistemit njëfazor, trefazorë dhe gjashtë fazorë. Rezultatet e fituara paraqesin
sjelljen e galvanometrit në raste te tilla të matjes së madhësive të
ridrejtuara. Është dhënë edhe mundësia e matjes së madhësive të tilla dhe
karakteristikave të duhura të galvanometrit.
11. “Metodat
dh skemat matëse të sondimit vertikal elektrik”.Simpoziumi JUREMA, Zagreb, 1980.
Në këtë punim autori përshkruan metodat
për matjen e rezistencës specifike të tokës e në veçanti me metodën e sondimit.
Materialet e ndryshme dhe xehet kanë rezistencë specifike të ndryshme dhe janë
në thellësi të ndryshme. Materialet paraqesin jo homogjenitetin e përbërjes së
tokë, paraqiten në shtresa dhe kanë rezistencë të ndryshme specifike. Autori,
në këtë punim, shqyrton dhe jep zgjidhje për caktimin e përbërjes së tokës dhe
trashësisë së shtresave. Për shqyrtime të tilla është dhënë program për makinë
llogaritëse, për analizën e shtresave të tilla, të matura.
12. “Për
të gjitha kohërat, dhe për të gjithë popujt”. Përmbledhje e punimeve të Fakultetit Teknik I, Prishtinë.
Zhvillimi historik i metrologjisë
fillon prej kur njeriu ka filluar të punoi dhe të mendoi. Autori informon me
zhvillimin e Sistemit ndërkombëtar të njësive dhe me njësitë tjera. Posaçërisht,
autori ka potencuar rëndësinë e sistemit unik ndërkombëtar në shkencë, teknikë,
komunikacion, informatikë etj.
13. “Variantet
e urave kapacitive me herës të transformimit”. Përmbledhje e punimeve të Fakultetit
Teknik I, Prishtinë.
Autori në këtë punim shqyrton variantet
e urave kapacitive me herës të transormimit dhe mundësitë e tyre për matjen e
izolimit te pajisjet e tensioneve të larta. Variantet kanë r%ndësi të veçantë
për matjen e faktorit të disipacionit.
14. “Rruga
e përpilimit të teknologjisë tekniko-teknologjike dhe shkencore në gjuhën
shqipe”. Përmbledhje e
punimeve të Fakultetit Teknik II, Prishtinë.
Për t’u kyçur me hapa të shpejtë në
zhvillimin tekniko-teknologjik dhe shkencor të botës së qytetëruar, është
imperative terminologjia përkatëse në gjuhën shqipe. Autori është bazuar në
këtë dhe ka mbarështruar rrugën shkencore të përpilimit të një fjalori të
tillë.
15. “Mundësitë
e tanishme dhe perspektiva e laboratorit të matjeve elektrike të Fakultetit
Teknik në Prishtinë”. Simpoziumi
JUKEM.
Në punim bëhet një retrospektivë e
mundësive të laboratorit të matjeve elektrike të Fakultetit Teknik në
Prishtinë, e në veçanti për hulumtime të veçanta shkencore eksperimentale. Në
punim janë marrë parasysh edhe
mundësitë e shumë laboratorëve tjerë në
Fakultete Elektroteknike dhe paraqet bazën e këtij laboratori që të jetë
laborator parësor, si laborator kombëtar i Kosovës me etalone primare të
rezistencës, induktivitetit dhe të burimit etalon të Wetstonit me ultra termostat
për etalonimin e etalonëve tjerë primar, sekundar, tercial dhe industrialë.
16. “Përdorimi
i transformatorit diferencial toroidal, te ura DC, për krahasimin e rezistorëve
etalon”. Simpoziumi për matje
dhe pajisje matëse JUKEM.
Në këtë punim është shqyrtuar mundësia
e përdorimit të transformatorit teroidal si elementë të urës së vazhdueshme D. C.
me herës të trasnformimit, e për krahasimin e rezistorëve etalon të njëjtë dhe
të ndryshëm. Për vlerësimin e metodës, janë parashtruar edhe metodat
konvencionale të krahasimit të etalonëve.
17. “Analiza
analitike e dinamikës së galvanometrit”. Përmbledhje e punimeve të Fakultetit Teknik II, Prishtinë.
Teknika e dinamikës së treguesit të
galvanometrit me kuadër të lëvizshëm. , që është me rëndësi për përdorimin dhe
konstruktimin e galvanometrit. Autori në këtë punim ka bërë analizën analitike
për rrymat pulsive të vendosura në galvanometër.
18.“Një
metodë për etalonimin e dekadave prej 1 ? gjer me 1 M?”. Përmbledhje e punimeve të Fakultetit
Teknik II, Prishtinë.
Autori ka përpunuar një metodë për
etalonimin e dekadave prej 1 ? gjer me 1 M?, e që është mase e domosdoshme për
rritjen e saktësisë së njësive matëse që përbëjnë dekada rezistorësh. Është
bërë edhe analiza e gabimeve të mundshme të kësaj metode, me rezultate të
matjeve.
19. “Shqyrtimi
i izolimit me anë të urës së Schering-ut dhe urës me herës të transformimit”. Përmbledhje e punimeve të Fakultetit
Teknik II, Prishtinë.
Autori duke u nisur nga fakti se
izolimi vjetrohet por vje edhe te lodhja e izolimit, ka analizuar metodat e
matjes së izolimit. Kontrollimi i
izolimit në veçanti të transformatorët dhe te gjeneratorët e mëdhenj, ka
rëndësi të madhe. Në këtë punim autori ka përfshirë matjen e kapacitetit dhe
faktorit të disipacionit me anë të urës së Schering-ut he urës transformatike
kapacitive.
20.
“Përcjellja kontinuale e formës së
lakoreve të rrymës dhe tensionit me anë të kompjuterit”. Simpoziumi ndërkombëtar, Sarajevë, 1990.
Në këtë punim autori ka shqyrtuar
lakoren e tensionit dhe të rrymës, të varur me osciloskop dhe duke shfrytëzuar
makinën llogaritëse dhe pajisjen për kyçje të drejtpërdrejtë të madhësisë matur
dhe të shqyrtuar në kompjuter. Është bërë përcjellja kontinuale e formës së
lakores së rrymës dhe të tensionit.
21. “Ndryshimi
i kapacitetit të kondensatorit etalon me ndërrimin e tensionit”. Prishtinë, 1998.
Ky punim ka rëndësi të madhe për matje
shumë të sakta. Autori në këtë punim ka analizuar ndryshimin e kapacitetit të
kondensatorit etalon me ndryshimin e tensionit prej një vlere minimale deri në
atë maksimale. Gjithashtu, autori ka analizuar edhe ndryshimet në lëkundjet e
brendshme në elektrodat e kondensatorit dhe ndërrimin e kapacitetit me tension.
Punimi ka rëndësi të veçantë për përdorimin e urës transformatike kapacitive
për etalonimin e transformatorëve matës të tensionit me saktësi të lartë.
Në vazhdim po i prezantoj disa tekste
universitare të hartuara për nevoja të studentëve të Fakultetit të
Elektroteknikës:
Teksti
universitar “Matjet elektrike I”, prof. dr. Jusuf Gacaferri, Universiteti i
Kosovës në Prishtinës Fakulteti Teknik, Botues ETMM, (f. 1-477), Prishtinë, 1984.
Profesor
Gacaferri ishte një dijetar i jashtëzakonshëm, përveç se ishte zotërues i
materies së lëndëve mësimore që i ligjëronte, lexonte kryesisht vepra të
shkrimtarëve botërorë. Mendime të dijetarëve botërorë, si të Gëtes i paraqet
edhe në hyrje të këtij libri universitar: “Origjinaliteti i plotë paraqet
raritet. Me të drejtë Gëte thotë: “Gjithmonë flitet për origjinalitet të
veprës, por çka do të thotë origjinal! Porsa të lindim, bota fillon të ndikojë
në ne, dhe ashtu vazhdon deri në fund. Kjo ndodh gjithkund! Më në fund, çka mund
të quhet origjinale, përveç energjisë fuqisë dhe dëshirës! - Po të thosha se sa
u kam borxh paraardhësve dhe bashkëkombësve të mi, nuk do të më mbetej shumë".
“Kush
dëshiron të sundojë me dukuri elektrike duhet të jetë në gjendje t'i përcjellë
me matje" nga Rudolf Shmit (1932), Paris.
Këto
janë vetëm dy mendime që tentojnë të paraqesin rëndësinë vitale të matjeve në çfarëdo
fushe të shkencës, e veçmas të matjeve elektrike.
Këtë
tekst autori e ka hartuar
duke u bazuar në një literaturë bashkëkohore, të kohës. Në fund të secilit
kapitull teksti përmban një numër mjaft të madh të detyrave. Teksti
universitar “Matjet elektrike I”,përbëhet
nga njëmbëdhjetë kapituj.
Projekte dhe programe profesionale
1. Studimi i rrymave të lidhjes së
shkurtër në nyjat 35 kV dhe 10 kV të rrjetit elektroenergjetik të Kosovës.
2. Elaborat për trasnformimin e plotë të
TS 35/10 kV, 2x4MVA në pikën tjetër energjetike.
3. Studimi I humbjeve në rrjetin 35 kV për
furnizimin më optimal të rrjetit me përdorimin eventual të komutimit automatik
të ngarkesës.
4. Analiza e mundësive të kompozimit të
energjisë reaktive prej burimit e deri te konsumi dhe mundësia e punës së HC
“Kozhnjer” si central piku, në pikun e verës.
5. Programimi për korrelacionet e
kulturave bujqësore në të gjitha komunat e Kosovës.
6. Programi për zgjidhjen e ekuacioneve
komplekse me shumë të panjohura.
7. Programimi i programit për simulimin e
makinës analoge në makinën digjitale ECAF.
8. Programi i editimit dhe rrumbullakimit
i zbatuar në planet amortizuese.
9. Elaborat për shqyrtimin dhe matjet
komplete të gjeneratorëve në TC “Kosova B”.
10.Elaborat për incizimin e vijave
ekuipotenciale dhe matjet e tensionit të hapit dhe versionit të prekjes në TC
“Kosova A” dhe “Kosova B”.
Përfundim
Prof.
dr. Jusuf Gacaferri, ka punuar në mënyrë aktive në formimin dhe zhvillimin e rrjetit
elektroeneergjetik dhe kyçje në UCPTE (rrjeti Europian), në kuadër të
Elektroekonomisë së Kosovës në rrjetin europian, si përfaqësues i vendit. Në
mënyrë aktive ka qenë i kyçur
në
zhvillimin e sistemit të komandimit dhe informimit elektroniktë sistemeve
dispeçerike europiane.
Librat
e hartuara nga prof. Gacaferri për shkolla të mesme, të drejtimit elektronikë
dhe energjetikë, janë me vlera shkencore të kohës, sidomos: “Matje elektrike me ushtrime”,“Matje
elektrike me ushtrime”,“Matje elektrike në energjetikë”dhe“Bazat e elektroteknikës dhe të matjeve
elektrike”.
Librat
universitar të hartuar për studentët e Fakultetit të Elektroteknikës janë të
pazëvendësueshme edhe në ditët e sotme.
Prof.
Gacaferri, me njohuri të gjuhëve të kombeve të ish Jugosllavisë, dhe me njohuri
të gjuhëve angleze dhe gjermane, publikoi punime shkencore në këto konferenca
dhe asociacioneve: JUKEM, JUREMA, JUTEL, YUCIERE, EETAN, CIGURE dhe në IMEKO.
Gjatë
punës në Elektroekonominë e Kosovës, ishte
në detyra të rëndësishme profesionale të eksploatimit të sistemit
elektroenergjetik, në ndërtimin e qendrës së re dispeçerike, dhe pjesëmarrës në
forume elektroenergjetike kombëtare dhe ndërkombëtare.
Prof.
Gacaferri, gjatë kohës së punës në Elektroekonomi dhe në Energomontim, ka
punuar pa ndërprerje si pedagog në Fakultetin Elektroteknik në Prishtinë.
Prof.
Gacaferri ka formuar laboratorin bashkëkohorë për ushtrime laboratorike të
studentëve; laboratorin për matje elektrike dhe shqyrtime në objekte
eletroekonomike dhe industriale, si edhe laboratorin për hulumtime shkencore
duke kyçur edhe etalone parësore. Me punë, pa u ankuar asnjëherë, ka përkthyer
tekste për nevoja të nxënësve dhe studentëve nga gjuhët serbokroate dhe
angleze; ka hartuar tekste për shkolla të mesme; ka hartuar dispensa, udhëzues
për ushtrime laboratorike, fjalor terminologjik për elektroteknikë dhe meteorogji;
gjithashtu edhe tekste universitare. Ishte në mesin e profesorëve të rrallë, që
ka ndihmuar për ngritje akademike kolegët më të rinj.
Prof.
Gacaferri, ka vërejtur me kohë nevojën për hartimin e terminologjisë shqipe nga
fusha e elektroteknikës dhe elektronikë, andaj në mesin e të pareve shtroi
nevojën për terminologjinë teknike në gjuhën shqipe dhe hartoi fjalorin teknik
anglisht – shqip për tema të kohës, me arsyetimin shkencor se për t’u kyçur me
hapa të shpejtë në zhvillimin tekniko-teknologjik dhe shkencor të botës së
qytetëruar, është imperative terminologjia përkatëse në gjuhën shqipe.
Duhet
theksuar se në punimet shkencore të prof. Gacaferrit përsfshihen: spektri shumë
i gjerë i temave të matjeve; lëmi e urave tjertore me vështrim komplet të tyre;
aplikimi i makinave llogaritëse në aspekt të gjerë të matjeve; aplikimi i
makinave analoge në matje; matja e madhësive jo elektrike; temat me interes të
përgjithshëm në matje; matjet në biorryme dhe mjekësi etj.
Prof.
Gacaferri ishte shembull për veprimtari krijuese-hulumtuese për brezat, me një
eksperiencë të gjatë në Elektroekonominë e Kosovës, me vlera shumë të veçanta
për punën pedagogjike dhe shkencore.
Pas
vitit 1999 ka vazhduar mbajtjen e ligjëratave në Fakultetin e Elektroteknikës
në Prishtinë, e gjithashtu ishte i angazhohet, si ekspert i dalluar, në
Korporatën energjetike të Kosovës, në postin e drejtorit të Bartjes dhe
Dispeçingut, ku ishte deri në çastet e fundit të jetës.
Bibliografia
1. Gacaferri, J.: "Matjet elektrike I", Botues ETMM, Prishtinë, 1979; dhe
është ribotuar në Prishtinë (1979, 1982, 1985, 1986).
2. Gacaferri, J.: “Elektricna merenja I”(në gjuhën serbokroate), Botuar ZUNS,
Prishtinë, 1979.
3. Gacaferri, J.: "Bazat e matjeve elektrike I”, Botues Universiteti i
Prishtinës Fakulteti Elektroteknik, botim i tretë, Prishtinë, 1996.
4. Gacaferri, J.: “Ushtrime laboratorike në matje elektrike”, Fakulteti i
Elektroteknikës, Prishtinë, 1980.
5. Gacaferri, J.: Fjalor terminologjik të elektroteknikës”,serbokroatisht-shqip,
Prishtinë, 1982.
6. Botime periodike dhe dokumente
institucionale, UP FIEK, Prishtinë, 2025.









