Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: 115-vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe - Nga pushka te shteti
E hene, 06.04.2026, 06:59 PM
115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE:
NGA PUSHKA TE SHTETI
Flamuri
i Bratilës në Deçiq: Një Kujtesë që akuzon

Nga
Frank Shkreli
Në pranverën e vitit 1911, shpërtheu
një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare të shqiptarëve.
Kryengritja e Malësisë së Madhe — një akt i guximit dhe i vetëdijes kombëtare që
paralajmëroi pavarësinë e Shqipërisë, një vit më vonë.
115 vjet më parë filloi kryengritja e Malësisë
së Madhe (me 23 mars 1911) e që kulmoi me ngritjen e Flamurit në Bratilë të
Deçiqit nga Heroi Ded Gjon Luli me malësorë. Në krye të kësaj lëvizjeje qëndronte figura
legjendare e Dedë Gjon Lulit -- Frank Shkreli: At Gjergj
Fishta për Dedë Gjon Lulin | Gazeta Telegraf -- i cili me malësorët e vet sfidoi drejtpërdrejt
Perandorinë Osmane. Në një kohë kur perandoria osmane përpiqej të mbante me forcë,
territoret e saj në Ballkan, malësorët shqiptarë vendosën të mos presin më.
Kjo nuk ishte, thjesht, një kryengritje
vendore ose krahinore me karakteristikat e një përballjeje të hapur me
pushtetin osman, por ishte një shpallje e hapur e dëshirës shekullore të Kombit
shqiptar për liri dhe identitet kombëtar.
Kulmi i kësaj kryengritjeje u arrit më 6 prill 1911, kur në Bratilë, mbi
malin e Deçiqit, u ngrit Flamuri Kombëtar i shqiptarëve -- për herë të parë që nga
koha e të Përgjithmonshmit të Kombit, Gjergj Kastriotit-Skenerbe -- pas pesë
shekujsh pushtimi të dhunëshëm osman. Ky akt simbolik, i udhëhequr nga Dedë Gjo
Luli, ishte një paralajmërim, një sfidë e hapur ndaj sundimit të huaj dhe një
mesazh i qartë për Evropën, mjaft ishte mjaft: shqiptarët ishin gati për
shtetin e tyre.
Kryengritja e Malësisë së Madhe nuk
ishte vetëm një përplasje me armë; ajo ishte edhe një projekt politik i
artikuluar më vonë me Memorandumin e Greçës, me të cilin u kërkua autonomi dhe
drejta të tjera kombëtare për shqiptarët në përgjithësi. Ajo ishte një revoltë
që i dha hov lëvizjeve të tjera anë e mbanë trojeve shqiptare kundër osmanëve duke
përgatitur, si asnjë herë më parë terrenin për shpalljen e pavarësisë së
Shqipërisë në 28-Nëntorin e vitit 1912 në Vlorë. Sot,115 vjet më vonë, ajo
kryengritje mbetet një kujtesë e fuqishme se liria nuk dhurohet – por ajo
fitohet me luftë, sakrificë, me vizion dhe me bashkim. Por mbi të gjitha, Kryengritja
e Malësisë mbetet një testament i shpirtit të pathyeshëm të malësorit shqiptar,
që në momentet vendimtare të historisë, ka ditur të ngrejë, jo vetëm armën për
tu mbrojtur nga armiqët shekullorë, por edhe Flamurin e Kombit, pas 5-shekujsh
robërie. Kryengritja e Malësisë së Madhe -- ishte një akt i organizuar
rezistence që i parapriu dhe i dha frymë shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë
në një kohë kur Perandoria Osmane përpiqej të mbante me forcë territoret e saj
në Ballkan. Por malësorët shqiptarë ia prishën Sulltanit, duke vendosur, të bashkuar,
të mos presin më. Kësaj kryengritjeje i qëndronte në krye figura emblematike e
Dedë Gjo Luli, prijësi i Hotit, i cili bashkoi fiset e Malësisë së Madhe në një
lëvizje të rrallë uniteti e vendosmërie, për shqiptarët. Ky bashkim nuk ishte i
rastësisht, por ishte produkt i një vetëdijeje të re kombëtare, që kishte
filluar të merrte formë në fund të shekullit XIX dhe që tashmë kërkonte
shprehje konkrete politike dhe ushtarake.
Kryengritja shpërtheu në mars të vitit
1911 dhe mori shpejt përmasa të gjëra, përballë një armiku shumë më të madh në
numër dhe në mjete luftarake, por malësorët luftuan me një vendosmëri që habiti
jo vetëm Stambollën, por edhe kancelaritë e mëdha evropiane. Malësorët, nuk
kërkonin privilegje të vogla apo lëshime të përkohëshme. Jo! Ata kërkonin
dinjitet, autonomi dhe njohje si komb.
Por, njëkohsisht, duhet të jemi të
drejtë dhe të sinqertë në interpretim të rolit të pazëvendsueshëm të
ballafaqimit të malësorëve me perandorinë Otomane, se ajo kryengritje nuk ishte
vetëm vepër e pushkës. Se ajo kryengritje u mbështet dhe u artikulua nga mendje
kombëtare të ndritura të kohës. Luigj Gurakuqi i dha asaj një
zë politik, duke qenë ndër hartuesit kryesorë të Memorandumit të Greçës --
dokument drejtuar Perandorisë turke dhe Fuqive të mëdha evropiane, dokument që
përmblodhi kërkesat e pothuaj të gjithë shqiptarëve për autonomi, të drejtën
gjuhësore dhe përfaqësim politik. Gurakuqi, shërbeu si urë-lidhëse mes luftës
në terren të malësorëve dhe diplomacisë evropiane, duke e kthyer kryengritjen e
malësorëve në një çështje të artikuluar politike, me qëllim të
ndërkombtarizimit të çeshtjes shqiptare dhe pavarësisë së Shqipërisë. Me
besimin se “diplomacia dhe lufta shkojnë dorë për dorë”, siç citohet të ketë thënë
ish-presidenti amerikan, Theodore Roosevelt-i. Në të njëjtën kohë, edhe Ismail Qemali i
ka dhënë kësaj lëvizjeje dimension ndërkombëtar. Nga qendrat evropiane, ai
punoi për ta paraqitur kryengritjen e malësorëve si shprehje të një kombi që
kërkonte të drejtat e veta, duke tërhequr vëmendjen e Fuqive të Mëdha, në
përgatitje të terrenit politik për aktin e madh të vitit 1912 në Vlorë. Ndërsa Ernest Koliqi që i
përket një brezi më të vonshëm -- ndonëse nuk kishte rol të drejtpërdrejtë në
ngjarjet e vitit 1911, kontributi i tij qëndron në ruajtjen dhe përpunimin e
kësaj trashëgimie më vonë, e deri në ditët e sotëme, të ndërgjegjes kombëtare
të shqiptarëve. Përmes letërsisë dhe arsimit, ai dhe të tjerë intelektuaaë
shqiptarë ndihmuan që fryma e Kryengritjes së Malësisë së Madhe e vitit 1911,
të mos mbetej vetëm histori, por të bëhej pjesë e identitetit kulturor, jo
vetëm të malësorëve, por mbarë shqiptarisë.

Siç dihet, kulmi historik i kësaj
lëvizjeje u arrit më 6 prill 1911, në Bratilë, mbi Malin e Deçiqit, ku Dedë Gjon
Luli ngriti Flamurin kombëtar të shqiptarve, simbolin e identitetit dhe të
qëndresës së tyre gjatë gjithë historisë. Ky akt kishte një peshë të
jashtëzakonshme historike: për herë të parë pas pesë shekujsh sundimi otoman, Flamuri
i Kastriotëve po valëvitej sërish në tokën shqiptare, jo si kujtim i së
kaluarës, por si premtim për të ardhmen. Ky moment nuk ishte thjesht simbolik.
Ai ishte, njëkohësisht, edhe një deklaratë politike e hapur: shqiptarët nuk
ishin më një popull i shpërndarë pa zë, por një Komb që kërkonte vendin e vet
në hartën e Evropës. Në vazhdën e kësaj kryengritjeje ishte edhe Memorandumi i
Greçës, një dokument i rëndësishëm që artikulonte qartë kërkesat e shqiptarëve
për autonomi, përdorimin e gjuhës shqipe në administratë e arsim, si dhe të drejta
të tjera themelore, mohuar shqiptarëve në Ballkan, me shekuj nga Perandoria osmane.
Megjithatë, rëndësia e Kryengritjes së
Malësisë së Madhe nuk qëndron vetëm në fitoret e saj të drejtpërdrejta apo në
aktet e mëvonshme heroike që prodhoi. Por ishte me rëndësi, për faktin se, ajo
ishte shkëndia që ndezi një proces më të gjerë kombëtar. Fryma e saj u përhap
në vise të tjera shqiptare, duke përgatitur terrenin për kryengritjet e viteve
1912 dhe, përfundimisht, për shpalljen historike të pavarësisë së Shqipërisë në
Vlorë, me 28 Nëntor, 1912.
Kryengritja e Malësisë së Madhe,1911:
Liria që u fitua, por edhe ideali i saj që me kohë u zbeh
ndër shqiptarë, jo vetëm gjatë periudhës së komunizmit, por edhe në ditët tona.
Prandaj,kur kujtojmë këtë ngjarje historike,
nuk mund të mos reflektojmë mbi kontrastin mes asaj kohe dhe realitetit të
sotëm shqiptar. Malësorët e vitit 1911, pa shtet, pa mbështetje ndërkombëtare
të garantuar, por me një ndjenjë të fortë përgjegjësie kombëtare, arritën të
bëjnë histori. Ata nuk ishin të përkryer, por kishin një cilësi që shpesh
mungon sot: bashkimin rreth një qëllimi madhor kombëtar.
Pse Flamuri i Ded Gjo’ Lulit është një
kujtesë që na akuzon edhe sot, 115-vjet më vonë? Se, Kryengritja e Malësisë së Madhe duhej të
mbetej një mësim i hapur për brezat. Duke u kujtuar shqiptarëve se liria dhe
shteti nuk janë produkte të rastësisë, por të sakrificës, të organizimit,
bashkimit të shqiptarëve dhe të vizionit të përbashkët për të ardhmen. Ajo
kryengritje sfidon sot shqiptarët me pyetjen: a janë shqiptarët si komb sot --
politikisht, kombëtarisht dhe si klasë politike që i prinë Kombit në shekullin
XXI -- në lartësinë e trashëgimisë që kanë lënë pas ata burra, por edhe gra
malësore?
Sot, pra në një kohë kur shpesh
dominojnë përçarjet, konfliktet, interesat e ngushta dhe harresa historike,
kujtesa e vitit 1911 duhet të shërbejë si thirrje për reflektim dhe përgjegjësi
kombëtare. Sepse flamuri që u ngrit në Bratilë të Deçiqit nuk ishte vetëm një
copë pëlhurë -- por ishte edhe një betim kombëtar. Një betim që brezat pasues
të shqiptarëve, anë e mbanë trojeve të veta iliro-arbërore, nuk kanë të drejtë
morale as kombëtare ta harrojnë, sot as kurrë. Se kryengritja e vitit 1911
dëshmoi se kur bashkohen sakrifica, mendimi politik dhe vizioni shtetformues,
historia merr drejtim. Ajo nuk ishte një episod i izoluar, por një hallkë kyçe
në zinxhirin e ngjarjeve që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Sot,
115 vjet më pas, kjo kryengritje mbetet një pasqyrë sfiduese për realitetin shqiptar.
Ajo na kujton se liria dhe shteti nuk janë të përjetshme nëse nuk mbrohen me të
njëjtin përkushtim me të cilin u fitua. Kryengritja
e malësorve duhet tu kujtojë sot shqiptarëve, gjithashtu, se uniteti kombëtar,
përgjegjësia e elitave politike dhe intelektuale si dhe vetëdija historike janë
po aq të domosdoshme sot, po aq sa ishin edhe në vitin 1911. Flamuri që u ngrit
në maje të Deçiqit nga malësorët, me në krye Heroin kombëtar, Ded Gjon Lulin, nuk
ishte, pra, vetëm një simbol i një fitoreje të përkohshme. Ai ishte edhe një
betim për të ardhmen -- një betim që vazhdon t’i thërrasë edhe sot shqiptarët anë
e mbanë trojeve të tyre iliro-arbërore -- për një zgjim të ndërgjegjes
kombëtare.

Krerët e Malësisë së Madhe më 191
… Burra le për çark t’martinës,
Fjalën, fjalë besën çelikut,
ballë për ballë e jo mbas shpinet,
mësy me i ra në luftë anmikut…

Disa vargje lapidare të Poetit Kombëtar shqiptar, At Gjergj
Fishtës:
“Të shtatë krajlat çue janë në kambë,
kah ka ra medet kjo gjamë,
N’atë Malësi, n’atë Rapshë të Hotit,
Ded Gjo’ Luli burrë si motit,
Me i çetë lekë, bisha shkorretit,
Ka nisë pushkën me asqer të mbretit
…
Se me sodit emni i Zotit,
Ç’ka jem nipa t’Gjergj Kustriotit,
e shqiptarë që i thom na vetit,
Ma duva nuk i bajmë mbretit…”
Nga Lahuta e Malësisë e Lapidarit të
Kombit, Gjergj Fishta









