E hene, 06.04.2026, 12:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Dhe djalli, ndonjëherë, nuk është krejt i zi

E diele, 05.04.2026, 06:34 PM


Dhe  DJALLI,  ndonjëherë,  nuk është krejt i zi

(tregim)

Nga Përparim Hysi

Para së gjithash, u them lexuesëve se unë nuk kam qenë dëshmitar okular në ç'ka do t'ju tregoj më poshtë. Por, sidoqoftë, informacioni që mora qe, nga një njeri i besuar.Arsyeja tjetër është se protagonist i këtij tregimi është një kushëri imi. E sa qëndron e vërteta në këtë tregim, po mbrohem me fjalët e një GJENIU. Me fjalët e AT GJERGJ FISHTËS, që kur mbaroi këngën për MARASH UCIN, thotë, mes tjerash:"... oh, atje s'kena kanë, por kështu na kanë thanë". Edhe një herë tjetër, kam folur për këtë ndodhi dhe, nëse po tregoj prapë, inkurajimin e kam marrë nga një GJENI tjetër:nga ISMAIL  KADARE! Ky ka thënë:" NJë autor mund t'I kthehet, kur do, një shkrimi të vet.Dhe ka të drejtën e plotë". Mendoj se deri këtu e kam faqen e bardhë para lexuesit dhe ndaj po vazhdoj.

*

Qe bonifikuar këneta e TËRBUFIT, nga më të mëdhatë në vend, me dhjetëmijë hektarë. Hapej një front i madh për bujqësinë dhe, ngaqë kjo kënetë, ndodhej në rrethin e LUSHNJES, qeveria organizoi në LUSHNJE një seminar kombëtar me specialistë të bujqësisë në rrethe. Vet kryeministri, Mehmet Shehu që ishte, siç mendonte, specialist bujqësie, jo vetëm e drejtonte seminarin, por dhe mbajti referatin model, se si  duhej punuar mbi këtë sipërfaqe të madhe toke. Dihej autoriteti i tij në qeveri(ku peshonte "rëndë", pas njëshit, sigurisht). Dihej gjithashtu që, sado kryeministër, ai si specialist bujqësie, kish marrë një parcelë ekspermentale, ku punoi vet me traktor, në ND.B.të SUKTHIT. Mbajti referatin dhe, mes tjerash, bënte prognozën: "... tani e tutje, ishin tokat ujore të kënetës së TËRBUFIT, duke i punuar në"formë kurriz peshku" do japin redimente të larta. Natyrisht, pati  ovacione. Po kur thonë, andej nga VERIU i vendit tonë." Kadal bek/se ka hendek...

Me leje, u ngrit dikush. Ju dëgjova me vëmendje dhe nuk mund të mbyllim sytë, sidomos ne që paguhemi për bujqësinë, për këto aritje, por shoku Kryeministër, tokat e Tërbufit janë toka kripore dhe nuk mund të punohen si"kurriz peshku".

- Kush je ti?- sokëlliu kryeministri.

-Unë jam SYRJA HYSI, kryeagronomi.

-Dil përjasha!!!

- Unë përjashta do dalë, se ju jini kryeministër.

- Përjashta dhe që sot je i pushuar!

- Për të pushuar, nuk më pushon dot, se sa peshoj unë, aq ka harxhuar qeveria për mua që më specalizoi jashtë shtetit.

-Mos më trego mua harxhe, por përjashta!

Mbasi u largua, "prishësi i qetësisë", seminari  ia arriti qëllimit dhe, ngaqë kryeministri ishte qejfli gjahu, pas seminarit me shpurën e gjahtarëve arritën në pyjet nl rrethina e Divjakës.

*

Gjahu shkoi aq mbarë dhe kur u stivosën kapicat e"viktimave", për herë të parë, kryeministri qeshi dhe shpura i mbajti "ison". Kot nuk thonë:"Kur je në qejf, as zgjebja nuk të ha". E preu të qeshurit dhe iu drejtua njërit prej"trimave"që e shoqëronin.

-More si quhej ai "rebeli" që nxora jashtë?

- SYRJA  HYSI, - tha "kaleci"

-HYSI, -përsëriti si me vete, kryeministri

-Mos është nga Skrapari, ky?

- Nga VËRZHEZHA dhe është i biri , i PASHO HYSIT.

- Ashtu, ë... dhe heshti.

Ndërkaq, si për t'i ardhur në ndihmë, heshtjes të kryeministrit, në afërsi të pyllit u dëgjua një fyell. Kryeministri u bë sy e veshë. Sakaq.u bë i vogël dhe iu kujtua CORRUSHI, fshati tij në MALLAKASTËR, dhe ai duke i rënë fyellit, si ky fyelltari i padukshëm.

- I rënka bukur qerratai, -foli i këndellur kryeministri. A nuk ma gjeni dhe të vijë, të argëtohemi pak?  Vrapoi "shpura" dhe e gjeti.  Fyelltari qe një nxënës i klasës së shtatë(Shkolla atëkohë qe 7-vjeçare) që ruante dhëntë e tij.

- Ore, - i thanë, - a vjen  t'i biesh fyellit se janë dhe ca burra të tjerë.

- Vij, - tha, - pa e prishur terezinë

Kur mbrriti, kryeministri i tha:

- Vet e ke mësuar fyelilin.

-Ëhë, (shpura u shqetësua nga kjo"ëhë). Kryemistri buzëqeshi. Shpura u"çlirua" dhe u fut në lëkurën e të madhit.

-Po hë, - vazhdoi i"madhi", me se do na kënaqësh?

-Do marrë avazin"Kur dhëntë shkojnë për ujë", -tha fyelttari.

-Të lumtë, por si vete me mësime?

-Jam me të gjitha pesa (nota më e lartë deri nga viti 1968 kur u riorganizua arsimi). Ja dje të shtunën, - tha djali, në Lexim Letrar, kishim "Fyelli i Marsiasit" dhe mua më vuri  pesë mësuesja.

-Ashtu, ë?

- Po a ke qejf të vazdosh shkollën?

-Aha, - foli ezber fyelltari, - në shkollë nuk më çon dot.

- Si, nuk të çokam dot?!!!

- Nuk më çon dot, se babai im  është kulak !!!

-Kulaak, -mend lebetiti mjedisi.

-Po pse e kanë bërë kulak baban?

Babai im ka qenë partizan, por kooperativën nuk e do. Nuk u fut. Nuk u fut ai, por ia futën këta, -tha pa e prishur terezinë djaloshi i vogël. Aha, - thotë pepja im, - në kooperativë është puna me urdhëra dhe nuk më pëlqen, -thotë

_ Mirë, - i dha fund "shfaqjes", i madhi. -Rrofsh, se na kënaqe.

Ndërsa  fyelltari i vogël hyri në pyll, Kryeministri foli:

- Dëgjo, ILAZ (ILAZ REKA, atëkohë, sekretar i parë i komitetit të partisë në Lushnje), të shikohet kulakllëku i këtij që ka qenë partizan dhe ky djali i fyellit, mot drejt e në LICEUN ARTISTIK.

*

Epilog

Të gjithë historinë ma tregoi një agronom pjesëmarrës që dinte lidhjen time me Kryeagronomin SYRJA PASHO HYSI. Sa i tregova timeti për "rebelimin  e Syrjait" dhe ndëshkimin ga kryemistri, babai im tha:"Ndonjëherë, nga sherri vjen hairi". Kryeministri do qetësohet dhe do  gjykojë me urtësi. Dhe vërtet kështu ndodhi; SYRJA HYSI u transferua si këshlitar bujqësie pranë Kryeministrit;më vonë zv-ministër bujqësie dhe më pas:zv-rektor në ISNTITUTIN BUJQËSOR. Ka ndërruar jetë, por nuk ka njeri që e ka njohur që mos flas  me fjalët më të mira për të. MEHMET SHEHU ka mbaruar INTERNATIN në VËRZHEZHË të SKRAPARIT dhe ka ngrënë bukë në familjen e PASHO HYSIT. SHEHU I CORRUSHT, babai i kryeministrit, ka qenë mik i familjes së PASHO HYSIT.

Fyelltari i hoqi kulakllëkun babaitdhe vazhdoi LICEUN ARTISTIK dhe u bë flautist.

Tiranë.29 mars  2026



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx