Mendime
Ndue Dedaj: Politikanët në kisha e xhami si të “deleguar”, pse?
E premte, 03.04.2026, 06:53 PM
POLITIKANËT NË KISHA E XHAMI SI TË "DELEGUAR", PSE?!...
NGA
NDUE DEDAJ
Kurrë
nuk e kam kuptuar domethënien e ritualit të politikanëve, qeveritarëve,
deputetëve, krybashkiakëve, prefektëve etj. në kryesitë e komuniteteve fetare
në ditët e shënuara të të kremteve të mëdha, në Komunitetin Mysliman me rastin
e Bajramit, në Kryegjyshatën Bektashiane në ditën e Sulltan Novruzit, në
Argjipeshkvinë e Tiranës dhe Kishën Ortodokse me rastin e Pashkëve. E njëjta
gjë ndodh dhe në Kosovë. Ata lirisht mund të shkojnë mes besimtarëve, si gjithë
të tjerët, pa qenë nevoja e një “kostumi” zyrtar.
Kjo
është njëra anë e medaljes, tjetra është se me çfarë argumenti i presin krerët
e institucioneve të kultit zyrtarët e shtetit në ditë të tilla? Cili protokoll
e përmban? Pastaj, pse duhet që kamerat ta përcjellin këtë ritual si një lajm,
respekti i ndërsjelltë mes besimeve, harmonia dhe bashkëjetesa fetare kanë
ekzistuar dhe para se të krijohej shteti dhe institucionet e tij. Pa i hyrë
historisë, Pashkë e Bajram janë kremtuar dhe nën një çati ndër shqiptarë.
Kjo
nuk do të thotë se njerëzit e shtetit nuk duhet të takohen me ata të fesë dhe
ndërsjelltas, ka plot problematika bashkëpunimi, por dhe festa e ceremoni ku
mund të takohen si anëtarë dhe aktorë të të njëjtit komunitet, pa qenë nevoja
që zyrtarët të venë si të “deleguar” nga lart, në kisha e xhami, në ditët e
shënuara fetare. Gjithçka në marrëdhëniet mes shtetit dhe bashkësive fetare
rregullohet me ligj dhe teprimet janë një formalizëm i panevojshëm. E jo vetëm
kaq, problemi komplikohet kur politikanët sapo dalin nga selitë fetare, i
njohin të drejtën vetës, që në krah të mikpritësve fetarë të bëjnë deklarata
publike, për paqen, integrimin, proseperitetin!?...
Është
mendësi e kaluar që zyrtarët të jenë në qendër të vëmendjes së publikut kudo,
dhe në stadium kur kanë shkuar si sportdashës, si gjithë të tjerët, se
përndryshe do të ishin ata arbitrat...
Post
scriptum. Sot, kur po i flisja për këtë status një mikut tim nga Kosova, me
banim në Zvicër, ai më më tregoi këtë fabul: “Një politikan i hapësirës
shqiptare, në monizëm nuk e kishte pranuar priftin për shërbesën e fundit në
vdekjen e të atit, kurse në demokraci ai mori një post shumë të lartë shtetëror
dhe tashmë gjendej në rreshtat e parë në kishë!?...









