Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Varfëria politike si pengesë e zhvillimit të Kosovës
E hene, 23.03.2026, 06:55 PM
Ndue Ukaj:
Kosova
vërtet ka mosmarrëveshje të thella e historike me Serbinë, me bandat në veri,
por problemet më të mëdha e më serioze i ka me vetveten, me jonormalitetin
politik, me kulturën e varfër politike, pra me krizën e vet, që është varfëria
politike. Kjo varfri ushqehet e mirëmbahet për mrekulli.
Dhe
dihet saktësisht kush e mirëmban e në favor të kujt shkon.
Vendi
ynë e ka bjerrë udhën e normalitet dhe udhëhiqet pa asnjë ide e pa asnjë
vizion. Udhëhiqet nga impulset e improvizimet e përditshme, që bërtasin e
pasqyrohen ma së miri në stagnimin e gjithmbarshëm të vendit tonë, në gropat e
mëdha që janë çelë brenda e jashtë saj.
Janë
stërkequr raportet ndërmjet politikës së brendshme dhe raportet me perëndimin.
Për
rrjedhojë, lulëzon si asgjë tjetër injoranca, një gjuhë polarizuese, egërshane
dhe popullsite, që njeriun normal e bëjnë të ndihet keq edhe po t’i dëgjonte në
një cep tjetër të tokës e jo në vendin e vet.
Kjo
gjuhë, jo që nuk sjell përparim e as lumturi për njerëzit e këtij vendi, por
jam fort i bindur se përditë e rritë koston e mjerimit. Se edhe mjerimi ka
kosto, mund të jetë një faturë që fshihet ose mbetet gjatë në histori, faturë
që duhet ta paguajnë breznitë që vijnë.
Kam frikë se ne breznive të ardhme po iu lëmë një faturë shumë të
shtrenjtë: mos zhvillimin e vendit.
Pra,
që të jem sa më i qartë: problemi themelor dhe më i madhi i Kosovës është
paaftësia për ta zhvilluar atë. Është paaftësia për të bërë shkolla normale, ku
edukohen brezat e rinj; paaftësia për të bërë libra shkollorë normalë që rrisin
formimin e edukimin e njeriut tonë; paaftësia për të përmirësuar gjendjen në
shëndetësi; paaftësia për të përfituar nga të mirat globale projekte
zhvillimore ekonomike që sjellin vende pune dhe mirëqenie, rrjedhimisht
progres.
Zhvillimi
i vendit nuk bëhet me politika shterpe, me demagogë e parulla primitive
patriotike, se dihet, demagogët janë fatkeqësi kombëtare, por me ide e
strategji të mirëmenduara, me njerëz profesionistë e që punojnë me devocion e
dashuri për atdheun dhe me miq.
Prandaj,
duhet të jemi racionalë dhe ta kuptojmë se nuk është problem madhor i Kosovës
as asociacioni, as kufiri, as Serbia, as korrupsioni, por udhëheqësit mashtrues
e injorantë, që me politika të varfra kanë molepsë një popull të tërë.
Ne
e dimë se gjuha është gjithçka, ajo shëron plagë ose krijon të reja, formon
alternativa ose shkatërron ekzistueset, se gjuha krijon ide, idetë sjellin
projekte dhe të mira. Po ta analizojmë gjuhën e politikës, e shohim se ajo
është tmerrësisht e mjerë, një mjerim që bërtet.
Qeverisja,
para se gjithash është kulturë dhe përfaqëson një mendësi kulturore.
Prandaj
në botën e përparuar flitet për kulturë demokratike, për kulturë ekonomike, për
kulturë juridike.
Çfarë
mendësie kulturore përfaqëson sot vendi ynë?
Njeriu
që provon të gjejë një përgjigje në këtë pyetje, turpërohet.
Sepse,
vendi ynë duket sot se është pjellë e mendësisë së llogoreve, e një mendësie që
ka mospërkim esencial me demokracinë si sistem vlerash.
Sepse,
duhet ta kujtojmë, demokraci motor të ekzistencës e ka dialogun dhe
komunikimin.
Këtu,
njerëzit bëjnë monolog, jo dialog, prandaj mjerimi shtrinë fytyrën e trishtë
kudo.
Ajo
çfarë dëgjohet përditë, këtu, nuk ka lidhje me zhvillim, as me ide, politika
ushqehet nga llumi, me instinkte bazike, ku ngatërresat, akuzat, mendësia e
fajësimit, kacafytjes, justifikimit, arrogancës, mllefit, izolimit…lulëzojnë si
asgjë tjetër.
Pra,
problemi real i Kosovës është varfëria politike, që po e shkreton përditë të
ardhmen e këtij vendi.
Një
gjë tjetër që duhet ta përmendim shpesh është raporti ynë me perëndimin. Se, sa
herë, si komb, i kemi kthyer shpinën perëndimit, për ne janë hapë portat e
ferrit.
Ekzistenca
jonë kombëtare jashtë orbitës së perëndimit njeh mjerimin e prapambeturin si
flamuj, që janë valëvitë me shekuj.
Kjo
e vërtetë është aq e shndritshme sa nuk ka terr që mund ta fshehë, e thonë të
gjithë mendjendritur tanë, nëpër të etapat e zhvillimit si komb.
Tajar
Zavalani, te teksti "Ç'pamë në Evropë. Ç'gjejmë në Shqipëri, ndër të tjera
shkruan:
“Vërtet
kur vjen rasti, ne i stigmatizojmë, dhe me tërë fuqinë, të metat tona si komb.
Por këtë e bëjmë për të shpieguar të shkuarën dhe për të kuptuar psikologjinë e
masave; edhe jo për të justifikuar apathinë, inercinë, indiferencën dhe
mosveprimin tonë. Në qoftë se vjen puna për të ndarë fajet, fajin më të math e
kemi ne që i themi vehtes intelektualë. Pse?.., do të pyetni. Puna për mua
është aq' e qartë sa nuk ka nevojë të shpiegohet. Por janë disa të vërteta që
nuk bëjnë dëm pse të përsëriten kohë pas kohe. Neve, bijtë e këtij vendi, të
dalë nga gjiri i këtij populli, patmë rastin ose fatin të vemë të rrojmë disa
vjet në kryeqytetet e shteteve më të qytetëruar të Evropës oksidentale. Atje
hymë në kontakt me një botë, një kulturë, një popull që ka arrirë kulmin e
përparimit. Atje u munduam, si cilido pas takatit dhe zotësisë, të shkundim
pluhrin e mrapështisë ku qemë rritur, të çkëputemi nga idhetë e ndryshkura,
paragjykimet e cekta dhe mentaliteti primitiv; u përpoqëm të riedukojmë vehten
dhe të armatosemi me dituri dhe vullnet për punë."
Dhe,
nëse politika e varfër dhe paaftësia për të zhvilluar vendin përkthehen
drejtpërdrejt në realitetin e përditshëm, më saktësisht në mjerimin që shtrihet
kudo, një faj tjetër, shumë të madh, që e përmend Zavalani, por të cilin
ndoshta nuk e përkthen drejtpërdrejt realiteti i përditshëm, por e regjistron
historia, është faji i atyre që i thonë vetes intelektualë e që nuk bëzajnë
përballë këtij mjerimi ose pëshpëritin aq pak sa zëri i tyre duket si e folura
e fëmijëve.









