Editorial » Ukaj
Ndue Ukaj: Shkretimi i Kosovës
E enjte, 05.03.2026, 06:58 PM
Shkretimi
i Kosovës
Nga
Ndue Ukaj
Kosova
sot i ngjan një tokë të lënë djerrë, ku sundon politika e egër, si egjra, e ku,
pakkush shqetësohet për kulturë politike. Dhe sa herë mendoj për raportet e
politikës me kulturën, më kujtohet Branko Merxhani, që thoshte se
"politikë s'ka, vetëm kulturë". Ai shkruante kështu në vitin 1936, në
një tekst të botuar te revista që e drejtonte atëherë, “Përpjekja Shqiptare”,
duke u përpjekur t’i ndriçonte shqiptarët e dalë prej gjumit të gjatë të
robërisë, në një tokë që për shekuj ishte lënë djerrë, siç thoshin
mendjendriturit e asaj kohe.
Vërtet,
tokat shqiptare për shekuj ishin lënë djerrë, shqiptarët jetonin përkundrejt
kulturës, pa shkolla, pa art, pa libra, thjesht, të këputur nga të gjitha të
mirat e civilizimit.
Dhe
kjo gjendje, ishte nxitëse për shumë atdhetarë intelektualë, që të behnin çmos
e ta iluminonin popullin - ta nxirrnin nga prapmabeturia - dhe tokat e lëna
djerrë, t’i mbillnin me pemë kulturore, frytet e së cilës do të kthenin
politikën në dobiprurëse.
Shqiptarët,
të lodhur, të dërmuar, në fundin e shekullit XX, u bënë një me idealet
perëndimore, pas shekuj e shekuj robërish, dhe për rrjedhojë, fati i tyre
historik ndryshoi aq shumë sa shekuj e shekuj me radhë, ata nuk mund të gjejnë
një kohë më të bukur e më të volitshme historike, provë të zhvillimit të tyre
të gjithmbarshëm.
E
shoh tani Kosovën, si vogëlohet, përditë e më shumë, si bëhet përditë e më të
zymtë e më të egër, se nuk ka asnjë ide përbashkimi, se ka politikë dhe jo
kulturë, se politika, me gjembat e saj të egra, përditë ngulet në zemrat e
njerëzve të pafajshëm, i nënshtron, duke iu vjedhë ëndrrat, e shoh si injoranca
përparon, pa i dalë kush që t’i thotë stop fytyrës së saj të shëmtuar e
egërshane. E shoh si pabesia banon mes nesh, si një pemë, që mirëmbahet më së
shumti e më së miri.
Dihet,
asnjë shoqëri nuk mbahet në këmbë pa një ideal të madh, nuk ec përpara pa një
ide të shëndoshë dhe nuk zhvillohet pa ndjesi solidare mes njerëzve të saj,
sepse, solidariteti e dialogu janë motorë të zhvillimit.
Vendi
ynë, mjerueshëm, sot, asnjërin prej këtyre idealeve nuk i ka në veprim.
Është
përlyer edhe kujtimi më i bukur i shqiptarëve: aleanca natyrale me perëndimin,
që ngadhënjeu mbi shekuj egërsie në këtë rajon gjaknxehtë, plot ngatërresa e
mosmarrëveshje.
Dhe
tani, përkundrazi, në vendin tonë, shoh cektësi, njerëz që e mundojnë gurmazin
e jo mendjen, turma budallenjsh që betejat politike i mendojnë si arenë
xhungle, hipokritë të shkallës brutale, që parimet i mendojnë si perime.
Vendi
ynë, para pak dekadash, kishte një shkollë demokracie autentike, me Ibrahim
Rugovën në krye, ndaj u bë tfilluese e proceseve të tilla në Europën
Juglindore, kishte ide e ideale, prandaj, Kosova e vogël, falë vullnetit të
madh, u bë e madhe. U bë e madhe në sytë e Europës e të botës së qytetëruar, se
kishte ide të mëdha. Dhe këtë Kosovë të madhe, sot, udhëheqës mendjeshkretë e
të egër, e kanë bërë çështje periferi, të vogël, aq sa më nuk duket për asgjë
të mirë në hartën e popujve të përparuar. E kanë zymtuar aq shumë, sa në të nuk
shihet asgjë pozitive, pos mjegull e një gjuhë me tipare politike barbare.
Sot,
shoh përditë, si njerëzit shndërrohen e bëhen aq të panjerëzishëm sa të kap
trishtimi kur e kupton se krijesa të tilla kanë fuqi të përcaktojnë fatet e një
populli, duke e lënë vendin tonë, tokë të lënë shkretë, për brezat që vijnë.
Mjerisht,
Kosova po vogëlohet përditë e më shumë, sepse, në krye të saj ka njerëz me
mentalitet të vogël e të cektë, njerëz pa formim kulturor, që e matin
realitetin, me fuqinë e tyre reprezentuese, thënë me terma konkret, gjithçka e
matin me fuqinë e kontrollit e të pushtetit.
Ndoshta
shpjegimet ma të duhura për gjendjen tonë të mjerë, mund t’i gjejmë te raporti
ynë me kulturën, dhe më saktësisht, te raporti ynë me librin.
Shkrimtari
i madh, nobelisti Mario Vargas Llosa, thoshte se një shoqëri pa letërsi është e
dënuar të bëhet shpirtërisht barbare dhe madje të rrezikojë lirinë e saj.
Kosova
është në prag të këtij kufiri, për çka paralajmëronte Llosa.









