E diele, 22.03.2026, 11:17 PM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Kujtime me shi

E diele, 22.03.2026, 06:09 PM


Blerim Rrecaj

Kujtime me shi

Disa herë shiu

Ma dha vërvishtën

Për të gjetur

Ndonjë strehë...

Kjo ditë me shi

Më solli ca kujtime

Nëpër streha stinësh

Shpirtin si flutur ma vërtitën...

Litari

Besoj se ka ndodhur

Ende pa filluar klasën e parë

Pata kërcyer për ta prekur

Litarin e rrobave në oborr

Dhe s'pata mundur ta prekja

Ndoshta për nja 10-15 centimetra

Pata parë dhe njëherë në drejtim të tij

Dhe më s'pata provuar

Vështroja  atë litar që priste rrobat tona

Për t'u kacavarë e për t'u tharë diellisht

Dhe hapësirën e (pa)mundësisë

Këtë tampon zonë mes dy kufinjsh

Rriskë e qiellit si lumë i kaltër

Si lumë i bardhë o i hirtë

Veturat

Nga veturat që kemi pasë në familje

Më shumë kujtoj

Një Audi 80

Që e pat sjellur babai nga Gjermania

Një Golf që e pat sjellë vëllai nga Gjermania

E para para luftës e dyta pas luftës '99

Të dy veturat e lartcekura kishin ngjyrë të kuqe

Po të kthehem edhe pak para lufte

Njëri nga axhallarët voziste një fiqë

Ngjyra s' më kujtohet po ndoshta e bardhë

Dhe para saj një kikirez të verdhë

Mund të kthehem para e pas nëpër kohë

Te këto mjete udhëtimi

Nëpër drejtime pikënisjejeembërritjeje

Dredhëzat

Unë me dy shokë filloreje

Ndoshta dhe me tre

Ktheheshim nga Gërmia këmbë

Për në qytezën tonë në Fushë Kosovë

Njëri nga ne tha se

Askush s'ka për të na besuar

Për këtë ecje të gjatë

Kur mbërrijmë në oborrin e shtëpisë sime

Te ajo pjesë toke e tij në kopsht

Sa fruta të sapo pjekura dredhëzash

Kemi këputur e kemi ngrënë

Duke zbuluar fletët e gjelbërta të tyre

Gjyshi gjyshja nëna e sekush nga familjarët

I gëzoheshin çasteve të ëmbëlsisë sonë

Topi

Me ca shokë të shkollës së mesme

Zbrisnin rrugës së asfaltuar

Prej fushës mes parkut

Prej  "koshave" siç e thërrisnim

Me një top basketbolli

Që e endnim nëpër duar

Njëri e mori e shutoi

Topi shkoi teposhtë

Njëri vrapoi ta merrte

Pa kuptuar mirë pse ndodhi ky veprim

"Më i ri nuk bëhet" njëri tha e qeshën disa

Dikush rrinte në mes pa ndonjë qëndrim

E kur u pata kthyer në shtëpi

Lodhje e këndshme endej brenda meje

Pata bërë një gjumë të ëmbël

Për të cilin flisnin familjarë e mysafirë

Për lodhjen dhe pushimin e mirë

Të asaj pasditejeje të vonë kur u zgjova

Gazetat

Në Tiranë me cimerët

Vijonim jetën studentore

Të turbullt e të çrregullt

Shfletonim e shihnim

Gazetat që i blinim

Mbrenda dhomave

A brenda kafeneve

Bleja dhe një gazetë

Që dilte çdo të martë

Në çdo një a dy javë

Dhe merrnim një gazetë trakt

Që shpërndahej

Në ndonjë protestë a ndonjë tubim

Në përkrahje të luftës kundër robërisë

Ballkoni

Vijonim studimet

Në Shkollën e Lartë të Gazetarisë

Fillimisht në atë sallë kinemaje

Profesorët në skenë dukeshin

Si aktorë teatri

Ndonjëri edhe merakosej

Se si po e luan rolin

Ne studentët spektatorë

Të një shfaqeje në teatër

Gjatë pushimeve mes orëve

Dilnim në atë ballkon të hapur

Si aktorët në passkenë

Bisedonim e po njihnim njëri-tjetrin

Në kohën e lirisë së sapoardhur

Shihnim rrugët mjedisin poshtë

E edhe ndonjë objekt

Që kishte zënë shtat e rritej

Dita ditës

Tash e pastaj

Dikush vuan për x çështje

Dikush vuan për y problem

Dikush vuan për z nyje

Dikush për diç që s'i bije në fije

Ndërkohë luftë nëpër botë

(S')do zgjasë seç po thonë

Enden pyetje e pyetje

E çfarë tjetër thuhet

Për të sotmen dhe ditën që pritet të vije



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx