Kulturë
Prend Buzhala: Dita e Lekë Matrëngës
E shtune, 21.03.2026, 06:57 PM

DITA E LEKË MATRËNGËS
(Çaste
përsiatjesh me poezinë e tij KËNGA E PËRSHPIRTSHME)
Nga
Prend BUZHALA
Lekë
Matrënga përfaqëson një nga figurat më të hershme dhe më domethënëse të
traditës së shkrimit shqip, një autor që vjen nga diaspora arbëreshe për ta
dëshmuar vazhdimësinë e gjuhës dhe identitetit përtej kufijve të atdheut. I
lindur në Horën e Arbëreshëvet në vitin 1567 dhe i formuar në një mjedis fetar
e kulturor në Romë, ai mishëron tipin e intelektualit që i ndërlidh besimin,
arsimin dhe gjuhën si mediume për ruajtjen e identitetit etnik.
Vepra
e tij më e njohur, “E Mbsuame e Krështerë” (1592), një tekst fetar, është edhe
akt i vetëdijshëm kulturor. Kur shqipja ishte ende në fazat e para të shkrimit,
Matrënga zgjedh ta përdorë atë që ta ligjërojë doktrinën fetare, duke i dhënë
gjuhës funksion didaktik dhe duke e ngritur në nivel të një trajte të
organizuar të shprehjes gjuhësore. Kjo vepër, e cila vjen menjëherë pas
“Mesharit” të Gjon Buzukut, dëshmon për një përpjekje të vazhdueshme për
standardizim dhe përhapje të shqipes në forma të shkruara.
1.
Ajo
që e bën Matrëngën veçanërisht autor me vlerë, është vetëdija e tij për
publikun. Ai përdor një variant të arbërishtes së zonës së tij, por me
përshtatje që të kuptohet edhe nga arbëreshët e kolonive të tjera. Kjo qasje
dëshmon ndjeshmërinë e tij gjuhësore, si dhe vizionin e tij për një mjedis më
të gjerë kulturor shqiptar, të bashkuar përmes gjuhës. Matrënga sjell në shqip
një traditë fetare që deri atëherë ishte kryesisht e huaj për gjuhën e
popullit, duke e bërë atë më të afërt dhe më të kuptueshme. Përmes këtij akti,
ai kontribuon në zhvillimin e letërsisë shqipe, por edhe në forcimin e
identitetit arbëresh si pjesë e një trashëgimie më të gjerë shqiptare. Figura e
tij mbetet personifikim i rezistencës kulturore dhe i përkushtimit ndaj gjuhës,
duke dëshmuar se edhe në kushte mërgimi shqipja mund të jetojë, të zhvillohet
dhe të shërbejë si bazë e një identiteti të qëndrueshëm.
2.
Sot,
më 20 mars 1592, është edhe Dita e Lekë Matrangës, prift arbëresh, që ia dhuroi
letërsisë sonë librin “E mbsuame e krështerë”,e që është vepra e dytë, pas
“Mesharit”... Në këtë libër gjendet një poezi e Matrangës që quhet KËNGA E
PËRSHPIRTSHME:
Gjithëve
u thërres, kush do ndëlesë
Të
mirë e të krështe, bura e gra
Mbë
fjalët të tinëzot të shihni meshë
Se
s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka
E
lum kush e kujton se ka të vdesë
E
mentë bashkë mbë tënëzonë i ka
Se
Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E
bën për bir të ti e për vëlla.
Në
këtë tekst të shkurtër, por me referenca të ngjeshura me kuptim historik e
shpirtëror, përkujtohet një datë, 20 marsi i vitit 1592 , si një moment i
rëndësishëm i vetëdijes sonë kulturore. Dita e Lekë Matrangës është një kujtesë
biografike; është ditë rikthimi te një nga fillesat e shkrimit shqip, aty ku
gjuha fillon të marrë formë si trajtë e vetëdijes dhe besimit. “E mbsuame e
krështerë” sado që është tekst fetar, është edhe një dëshmi e nevojës për të
folur me gjuhën e vet, për t’ia kthyer shpirtit të mjedisit arbëresh fjalën që
ai e kupton. Kur shqipja ende nuk kishte një traditë të konsoliduar të
shkrimit, Matrënga merr guximin për ta përdorë atë që ta përçojë mesazhin
universal: thirrjen drejt reflektimit, pendesës dhe shpëtimit.
Poezia
“Kënga e përshpirtshme” është shprehja më e drejtpërdrejtë e kësaj thirrjeje.
Ajo nis me një ftesë gjithëpërfshirëse: “Gjithëve u thërres”, që e tejkalon
individin dhe i drejtohet bashkësisë. Këtu nuk ka dallim mes burrave e grave,
të mirëve apo mëkatarëve; të gjithë janë të përfshirë në të njëjtin fat
njerëzor. Ideja qendrore është e thjeshtë, por thelbësore: askush nuk është pa
mëkat dhe secili duhet të ballafaqohet me fundin e vet.
Mirëpo,
kjo poezi e mënjanon tonin pesimist. Kjo poezi hap një horizont shprese.
Kujtesa për vdekjen e mposht frikën, meqë është kujtesë për ndërgjegjësim. Ai
që e mban mend se do të vdesë dhe e drejton mendjen te Zoti, gjen një vend në
përjetësi. Në këtë kontekst, zbulohet një përmasë thellësisht njerëzore:
njeriu, sado që përkufizohet nga mëkati, megjithatë ai vlerësohet dhe
identifikohet nga mundësia për shpëtim.
Matrënga
vërtet është një prift që shkruan për besimin; mirëpo ai është një zë që i flet
vetëdijes kolektive në gjuhën e vet. E sjell te lexuesi një të vërtetë të madhe
me mjete të thjeshta, duke e bërë poezinë edhe formë estetike edhe akt të
komunikimit shpirtëror. Kësisoj, përkujtesa e kësaj dite si kthim në të
kaluarën, është edhe një reflektim mbi rrënjët tona: mbi momentin kur fjala
shqipe filloi ta artikulojë mendimin, dhe, gjithsesi, edhe shpirtin.
3.
Poezia
“Kënga e përshpirtshme” e Lekë Matrangës përfaqëson një nga çastet më të
hershme ku fjala shqipe bëhet bartëse e drejtpërdrejtë e një mesazhi shpirtëror,
estetik dhe etik. Ajo, si tekst poetik, bëhet edhe kushtrim ndaj njerëzve për
vetëdijesim, një tip predikimi i shkruar në gjuhën e popullit, që synon ta
prekë ndërgjegjen më shumë se sa të impresionojë estetikisht.
Që
në vargun e parë “Gjithëve u thërres, kush do ndëlesë”, poezia merr formën e
një zëri publik, pothuaj liturgjik. Fjala “thërres” krijon një ton urgjent dhe
gjithëpërfshirës, ndërsa “kush do ndëlesë” nënkupton lirinë e njeriut për ta
dëgjuar ose jo këtë thirrje. Pra, që në fillim vendoset një raport mes ftesës
dhe përgjegjësisë personale. Vargu vijues “Të mirë e të krështe, bura e gra”, e
zgjeron këtë thirrje në mënyrë universale. Nuk ka dallime sociale, gjinore apo
morale; të gjithë janë të përfshirë. Vargu “të mirë e të krështe, bura e gra” e
thekson këtë universalitet, duke e vendosur barazinë e njeriut përpara Hyjit si
parim themelor. Këtu, poezia artikulon një antropologji të krishterë: njeriu
është njëkohësisht i barabartë në dinjitet dhe i përfshirë në mëkat. Kjo barazi
përpara mesazhit është tipar i fortë etik: para Zotit, të gjithë janë njësoj.
Në vargun “Mbë fjalët të tinëzot të shihni meshë”, Matrënga e lidh poezinë me
praktikën fetare. Fjala e Zotit dhe pjesëmarrja në meshë paraqiten si rrugë për
ta kuptuar dhe përjetuar të vërtetën. Poezia bëhet ndërmjetëse mes doktrinës
dhe besimtarit. Kika më e lartë e realizmit njerëzor shfaqet në vargun: “Se
s’ishtë njeri nesh çë mkatë s’ka”. Është një pohim i drejtpërdrejtë i natyrës
njerëzore: mëkati është i pashmangshëm. Nuk ka idealizim, por një pranim të
sinqertë të gjendjes së njeriut. Më tej, vargu “E lum kush e kujton se ka të
vdesë” sjell një kthesë reflektuese. Kujtesa e vdekjes si diçka frikësuese,
tejkalohet me semantizimin e saj si burim urtësie. Ai që e mban mend fundin e
vet, jeton me më shumë vetëdije. Poezia nuk ndalet te mëkati. Vargu “E lum kush
e kujton se ka të vdesë” hap dimensionin eskatologjik. Kujtesa e vdekjes
(memento mori) në traditën e krishterë larg të qenit frikë, përbën urtësi. Ajo
e zhvendos njeriun nga përkohshmëria drejt përjetësisë, duke e detyruar ta
rishikojë jetën e vet në funksion të fundit të saj. Kjo kujtesë bëhet çelësi i
kthimit: vetëm ai që e di se është i përkohshëm, e kërkon të përjetshmen.
Në
vijim, vargu “E mentë bashkë mbë tënëzonë i ka” thekson përqendrimin
shpirtëror. Mendja e drejtuar te Zoti është kusht për shpëtim, është ide që e
ndërlidh arsyen me besimin. Shpreh një akt të brendshëm: orientimin e mendjes
dhe zemrës drejt Zotit. Në hermeneutikën e krishterë, kjo është metanoia,
ndryshimi i mendjes, kthimi i brendshëm. Nuk mjafton njohja e mëkatit; kërkohet
një ridrejtim i tërësishëm i qenies drejt Hyjit.
Dy
vargjet e fundit:
Se
Krishti ndë parrajsit i bën pjesë
E
bën për bir të ti e për vëlla
sjellin
frymën e shpresës dhe shpërblimit. Marrëdhënia me Krishtin paraqitet në frymë
intime: si besimtar dhe si bir e vëlla. Kjo qasje lirike e afron njeriun me
hyjnoren dhe e bën shpëtimin një përvojë personale. Këtu shfaqet thelbi i
soteriologjisë së krishterë: shpëtimi si bashkim me Krishtin. Marrëdhënia nuk
është më vetëm besimtar-Zot, por bëhet intime: njeriu bëhet bir dhe vëlla. Ky
trajtim përkon me idenë e birësimit hyjnor, ku njeriu, përmes Krishtit, merr
pjesë në jetën e përjetshme.
Poezia
ndjek një strukturë tipike hermeneutike të krishterë: thirrje, vetëdijesim,
reflektim, shpresë. Ajo është e thjeshtë në formë, por e thellë në përmbajtje.
Matrënga arrin të krijojë një tekst që funksionon njëkohësisht si poezi, si
mësim fetar dhe si reflektim mbi ekzistencën njerëzore. Në këtë mënyrë, “Kënga
e përshpirtshme” mbetet një nga dëshmitë më të hershme të fuqisë së gjuhës
shqipe për ta shprehur dimensionin më të thellë të njeriut: raportin e tij me
jetën, vdekjen dhe përjetësinë.
Në
këtë aspekt, “Kënga e përshpirtshme” mund të lexohet si një miniaturë e
Ungjillit në gjuhën arbëreshe: një përmbledhje e thjeshtë, por thellësisht e
ngarkuar, e rrugës që njeriu duhet të përshkojë nga vetëdija e mëkatit drejt
dritës së shpëtimit.
4.
Meqë
njeriu vendoset në qendër të reflektimit, tek Matrënga vërehen edhe jehonat e
qarta të Humanizmit dhe të Rilindjes evropiane. Kjo nuk do të thotë se ai
largohet nga teocentrizmi i krishterë, por se e lexon marrëdhënien me Zotin
përmes përvojës konkrete të njeriut. Në poezinë “Kënga e përshpirtshme”, njeriu
si subjekt pasiv i doktrinës, është edhe qenie që mendon, kujton, zgjedh dhe
reflekton. Vargu “E lum kush e kujton se ka të vdesë” është thellësisht
humanist në thelb: theksi vihet te vetëdija njerëzore, te aftësia për të reflektuar
mbi fatin dhe përkohshmërinë. Kjo është një kthesë e rëndësishme: shpëtimi nuk
imponohet, por ndërtohet përmes ndërgjegjes.
Po
ashtu, ideja se njeriu duhet “mentë bashkë mbë tënëzonë i ka” na kumton një
ndërthurje mes arsyes dhe besimit. Kjo trajtë përsiatjeje përkon me frymën e
Rilindjes, ku arsyeja nuk përjashtohet nga besimi, por bëhet qasje për ta
kuptuar atë. Njeriu shpëton në bazë të asaj pse i përket një bashkësie fetare,
por edhe sepse e orienton vetëdijen e tij drejt Hyjit. Megjithatë, Matrënga nuk
e zhvendos qendrën nga Zoti te njeriu në mënyrë radikale. Përkundrazi, ai
ndërton një ekuilibër tipik të epokës: njeriu bëhet interesimi kryesor jo si
zëvendësim i Hyjit, por si qenie që e kërkon Atë në mënyrë të vetëdijshme. Kjo
formë e tillë përqasjeje është pikërisht fryma e Humanizmit të krishterë, ku
njeriu vlerësohet si krijesë e arsyeshme dhe e lirë, por gjithmonë në raport me
Hyjin.
5.
Matrënga
vjen nga diaspora, nga Hora e Arbëreshëvet, por fjala e tij është thellësisht
shqiptare. Në një kohë kur latinishtja dhe italishtja dominonin diskursin fetar
e kulturor, ai zgjedh shqipen, një zgjedhje që nuk është vetëm gjuhësore, por
identitare. Me “E mbsuame e krështerë”, ai shkruan një tekst fetar; ai krijon
edhe një hapësirë ku njeriu shqiptar mund të dëgjojë dhe të kuptojë veten në
gjuhën e tij. Në këtë vepër, dhe sidomos në “Kënga e përshpirtshme”, njeriu
vendoset në qendër. Ai thirret, paralajmërohet, por edhe shpreson. Nuk është më
një figurë e largët brenda një doktrine të ngurtë, por një qenie që mendon dhe
reflekton mbi jetën dhe vdekjen. Kjo është pikërisht pika ku ndihen jehonat e
Humanizmit: njeriu si subjekt i ndërgjegjshëm, që përmes arsyes dhe kujtesës së
fundit të tij, kërkon rrugën drejt shpëtimit.
Dita
e Lekë Matrangës, prandaj, është një datë historike, një kujtesë se gjuha
shqipe lindi si frymë e shpirtit, si mënyrë për ta artikuluar jo vetëm
mendimin, por edhe përjetimin më të thellë njerëzor. Është dita kur kujtojmë se
fjala jonë ka qenë që në fillim një ftesë për reflektim, një thirrje për
vetëdije dhe një urë mes njeriut dhe së përjetshmes.
(20 mars 2026)









