Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Romani “Brenga” i autorit Dr. Pashko Camaj
E marte, 17.03.2026, 06:56 PM
ROMANI "BRENGA” I AUTORIT DR PASHKO CAMAJ
Një kujtesë e gjallë e dramës njerëzore
që përjetoi populli ynë nën komunizëm
Nga Frank Shkreli
“Letërsia e vërtetë nuk është vetëm
art. Ajo është edhe përgjegjësi
indivuale dhe kombëtare. Pikërisht, këtë përgjegjësi e merr mbi vete ky roman.
Ai nuk kërkon të gjykojë, por të kujtojë; nuk kërkon të hakmerret, por të mos
lejojë që ajo tragjedi të harrohet, ashtuqë të mos përsëritet më kurrë ndër
shqiptarët”. (Nga fjala e autorit)
Fjala përshëndetëse në promovimin e
romanit “Brenga” të Dr Pashko Camajt
Të nderuar të pranishëm, të dashur miq
të librit dhe të kulturës. Kënaqësi të
jem këtu midis miqësh e bashkpuntorësh të vjetër e të ri.
Në të vertetë, Pashkoja më kishte
paralajmëruar dy vjetë e ca më parë, gjatë një udhtimi për në Washington,
por edhe më vonë, se pas promovimit të librit të tij të parë, "Porosia e
Kullës", kishte në plan të botonte një libër tjetër me një subjekt që,
sipas tij, do më pëlqente edhe mua shumë. Dr Camaj e kishte fjalën për librin që kemi
sot në dorë për herë të parë: Romanin "BRENGA”, një vepër që shpalosë
dramën e njeriut shqiptar të përballur me diktaturën komuniste gjysëm
shekullore, përball vrasjeve, frikës,
burgosjes, përndjekjes dhe detyrimit për të braktisur vendlindjen.
Në faqet e këtij romani nuk gjënden
vetëm dy histori individuale, ajo e protagonistit kryesor Tonin Mirakajt dhe e
Markut imagjinar, por edhe një pasqyrim i një tragjedie kolektive që për dekada
e deri në ditët e sotëme bëhen përpjekje që ajo tragjedi, që ishte komunizmi,
të heshtet dhe, eventualisht, të harrohet. Por, “Brenga” është pikërisht ajo
dhimbje e pashuar që mbetet në kujtesën e atyre që u larguan, detyrimisht, dhe
të atyre që mbetën pas nën vuajtjet e një regjimi komunist që konsiderohej si
një prej diktaturave më të ashpra të botës së atëhershme komuniste.
Si një simbolikë e dhimbjes dhe dhunës
së komunizmit, protagonisti kryesor, Z. Tonin Mirakaj – romani i bazohet pra në
një figurë reale dhe të gjallë – si individ mbart një brengë të përhershme në
jetën e tij: Një natë, para arratisjes nga Shqipëria së bashku me dy shokë,
njëri prej tyre nuk ia doli dhe u bë viktimë e vuajtjeve të përndjekjes gjatë
diktaturës në atdhe. Si një simbolikë e dhimbjes dhe dhunës së
komunizmit, për këte, personazhi kryesor Tonin Mirakaj mbart një brengë të
përhershme në jetën e tij. Z. Mirakaj, i
cili gjëndet sot këtu me ne — një mik dhe bashkpuntor imi dhe i shumë të
tjerëve që prej vitit 1970 e deri më sot. Nder dhe privilegj të kemi në mesin
tonë sot, Tonin. Për ata që ndoshta nuk e njohin, Tonin Mirakaj është njëri
prej aktivistëve më të dalluar të komunitetit shqiptaro-amerikan ndër dekada,
gjithkund dhe gjithmonë i pranishëm — në aktivitete e organizata të komunitetit
shqiptar, një prej shtyllave të veprimtarive atdhetare në Amerikë, përfshirë
Federatën Pan-Shqiptare Vatra dhe Kishën Katolike Shqiptare në Nju Jork.
Sot pra jemi mbledhur këtu në Sallën
Nënë Tereza pranë Kishës, Zoja e Shkodrës në Hartsdale, Nju Jork, në një tubim organizuar
nga Federata Pan-Shqiptare Vatra Gazeta Dielli - Faqja Zyrtare
| New York NY | Facebook në bashkpunim me Shtëpinë Botuese Onufri dhe Qëndra Kulturore
Nënë Tereza pranë Kishës Zoja e Shkodrës, Nju Jork, për të përshëndetur dhe për të vlerësuar një
vepër që nuk është thjesht një roman, por një rrëfim i thellë njerëzor dhe një
dëshmi e fuqishme e kujtesës sonë historike, treguar nepërmjet historive të
shqiptaro-amerikanit Tonin Mirakajt dhe Markut, figurës imagjinare, mbetur në
Shqipëri pas arratisjes drejt Amerikës së lirë të Tonin Mirakajt.
Promovimi i kësaj vepre të Dr Pashko Camajt
po bëhet në një kohë — që siç e kam theksuar shpeshherë gjatë viteve në lidhje
me këtë subjekt -- kur kujtesa historike e periudhes tragjike të komunizmit, rrezikon
të zbehet dhe të zhduket, për gjithmonë. Në një kohë kur, qeveria, shteti
dhe shoqëria shqiptare — ndryshe nga ish-vendet e tjera komuniste të Evropës –
refuzojnë vazahdimisht të përballen, zyrtarisht, me ish-diktaturën dhe të
dënojnë krimet e komunizmit, megjithse kanë kaluar 35-vje nga shembja e Murit
të Berlinit. Romani “Brenga” e autorit Pashko Camaj, me histori
reale dhe me vlera letrare e historike, vjen pra sot edhe si një thirrje e
fuqishme ndërgjegjeje dhe reflektimi për të kaluarën, për shqiptarët kudo.
"Brenga" nuk është, pra,
thjesht një vepër letrare, por është edhe një dëshmi morale dhe historike për
një epokë që ka lënë plagë të thella në shpirtin e Kombit shqiptar.
Libri “Brenga” i autorit Camaj vjen para nesh si një zë që flet
për dhimbjen, sakrificën dhe përvojën e një kohe që ka lënë gjurmë të
pashlyeshme në jetën e shumë shqiptarëve, siç ka ndodhur me protagonistin
kryesor të romanit. Si e tillë, letërsia e vërtetë ka fuqinë të na bëjë të
reflektojmë, të kujtojmë dhe të kuptojmë më thellë historinë e shekullit të
kaluar të komunizmit. Në këtë kuptim, “Brenga” është më shumë se një rrëfim
letrar. Ajo është një kujtesë e gjallë e dramës njerëzore që përjetoi populli
ynë në një periudhë të vështirë të historisë.
Në romanin "Brenga",
njëherazi, gjejmë histori që na prekin të gjitë ne që kemi jetuar nën komunizëm,
sepse ato nuk janë vetëm histori e personazheve të librit, por janë edhe pjesë
e realitetit që kanë përjetuar shumë familje shqiptare në Amerikë të arratisura
nga regjimi komunist. E rrëfyer pra në këtë roman është brenga e ndarjeve prej
gjysëm shekulli e shumë familjeve shqiptare, e mallit për vendin, por edhe e
plagëve që koha nuk i shëron lehtë, as shpejt.
Përmes këtij romani, autori Pashko Camaj porositë se kujtesa
historike është një pasuri që duhet ruajtur sepse një shoqëri që harron të
kaluarën e saj, rrezikon të humbasë edhe orientimin për të ardhmen. Pikërisht
për këtë arsye, vepra si, “Brenga” kanë një rëndësi të veçantë: se ato i japin
zë kujtesës dhe e bëjnë historinë të flasë përmes letërsisë. Në të njëjtën kohë, ky roman është edhe një
homazh për qëndresën e njeriut, për forcën shpirtërore të tij dhe për shpresën
që mbijeton edhe në kohët më të vështira. Në këtë mënyrë, “Brenga” bëhet jo
vetëm një rrëfim dhimbjeje, por edhe një mesazh dinjiteti dhe humanizmi.
Sot, duke promovuar këtë libër, ne
nderojmë jo vetëm autorin, por edhe vetë fuqinë e fjalës së shkruar, e cila ka
aftësinë të ruajë kujtesën, të ndriçojë të vërtetën dhe të bashkojë njerëzit rreth
historisë dhe kulturës së tyre. Ajo që e
bën këtë roman të fuqishëm është se nuk i shmanget së vërtetës. Përkundrazi, autori
e përball lexuesin me realitetin e një sistemi që shkatërroi jetë njerëzish,
familjesh dhe mbyti shpresën për të ardhmen. Për shumë vite, shoqëria shqiptare
është përpjekur të ecë përpara pa u përballur plotësisht dhe zyrtarisht me këtë
trashëgimi tragjike të rëndë. Por historia nuk fshihet duke e heshtur atë. Ajo
mbijeton në kujtime, në rrëfime dhe në libra si “Brenga”. Në këtë kuptim, vepra e Pashko Camajt është
më shumë se një roman; po është një akt kujtese por dhe një paralajmërim. Një
paralajmërim se një shoqëri që nuk përballet me të kaluarën e saj rrezikon ta
përsërisë atë në forma të tjera. Brenga e historisë shqiptare nuk është vetëm e
atyre që vuajtën drejtpërdrejt nga diktatura komuniste. Ajo është brenga e mbarë kombit.
Ky libër vjen për lexuesin edhe si një
reagim moral ndaj një realiteti të sotëm ku shpesh në qarqet zyrtare akademike
dhe në median e përditshme shqiptare, relativizohet e kaluara komuniste,
ndërkohë që viktimat e regjimit komunist nuk kanë marrë ende drejtësinë morale
që meritojnë. Në këtë sfond, “Brenga” shndërrohet edhe në një kujtesë të fortë
se liria që gëzojnë sot shqiptarët nuk është dhuratë, por fryt i sakrificave
dhe vuajtjeve të panumërta të viktimave të komunizmit. Letërsia e vërtetë nuk është vetëm art, pra.
Ajo është edhe përgjegjësi, individuale dhe kombëtare. Pikërisht këtë
përgjegjësi e merr mbi vete ky roman. Ai nuk kërkon të gjykojë, por të kujtojë;
nuk kërkon të hakmerret, por të mos lejojë harresën, ashtuqë të mos përsëritet
më kurrë ndër shqiptarët”. Në fund të
fundit, “Brenga” është pjesë e historisë së një populli që duhet, zyrtarisht dhe
domosdoshmërisht, të pajtohet me të kaluarën e vet komuniste, duke u përballur
me ’të njëherë e mirë. Por derisa ky pajtim nuk ndodh, përballimi pra me të
kaluarën komuniste dhe dënimi, zyrtarisht, i krimeve të komunizmit, fatkeqsisht,
brenga do të mbetet pjesë e jetës dhe ndërgjegjes kombëtare. Në këtë sfond,
mesazhi i romanit “Brenga” duhet të shndërrohet në një kujtesë të fortë kombëtare
se liria dhe dhe demokracia – sado e brishtë që është -- që gëzojnë sot
shqiptarët, nuk është dhuratë, por fryt i sakrificave dhe vuajtjeve të
panumërta dhe si e tillë duhet të ruhet dhe të mbrohet si sytë e ballit—për
ndryshe siç ka paralajmëruar ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,
Ronald Reagan, demokracia dhe liria mund të zhduken brenda një brezi nëqoftse
se ato nuk ruhen dhe mbrohen çdo ditë dhe nga çdo gjeneratë.
Duke përgëzuar autorin Dr Pashko
Camaj dhe Shtëpinë Botuese “Onufri” për këtë vepër të rëndësishme, uroj që
libri “Brenga” të gjejë rrugën drejt shumë lexuesve, si një kontribut
i çmuar në letërsinë shqipe, por edhe në kujtesën historike kombëtare të
shqiptarëve, ashtuqë tragjedia e komunizmit të mos harrohet as të mos pësëritet
kurrë më ndër shqiptarët.
Ju faleminderit.
Frank Shkreli

Dom Pjetër Popaj duke përshëndetur
tubimin -- Nga promovimi i djeshëm i romanit “Brenga”, të autorit Dr Pashko
Camaj -- Fotot nga Gazeta Dielli – Gazeta Dielli - Faqja Zyrtare
| New York NY | Facebook

Dr Pashko Camaj, autor i romanit,
“Brenga”

Protagonisti kryesor i romanit Brenga, Z.
Tonin Mirakaj

Kryetari i Federatës Pan Shqiptare
Vatra, Dr Elmi Berisha

Bujar Onufri, Shtëpisë Botuese, “Onufri”

Autori duke mbajtur fjalën e rastit

Pamje nga salla, Nënë Tereza, pranë
Kishës Zoja e Shkodrës në Nju Jork









