E hene, 09.03.2026, 09:33 PM (GMT)

Mendime » Xharra

Fahri Xharra: Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

E diele, 08.03.2026, 06:55 PM


Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?

Nga Fahri Xharra

Asnjë popull tjetër i botës në të cilën ne jetojmë nuk është aq i panjohur për evropianët e Perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa shqiptarët. “E megjithatë, ai është populli kryesor, i lashtë e i rëndësishëm, që çdo historian do të dëshironte ta njihte: historia e tyre do të plotësonte zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës” – Johan Tunman, 1774, Leipzig, “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”.

Po, pse ishim aq të panjohur? Çfarë pluhuri historik u desh të bjerë mbi ne që rrota e historisë të rrotullohet përmbi ne e afër nesh; herë duke na anashkaluar e herë duke na ndrydhur deri në ngufatje? E tmerrshme!

Marrëveshjet turko–serbe shkonin aq larg sa që: “…serbin ortodoks e kemi më të afërt se shqiptarin katolik.*” (*Q. Zekolli)

Po kush i hapte e i përhapte këto marrëzira? Dihet se kush. Po sot? Dihet se kush. Në Kosovë, Serbia në vitet e ’30-ta i kishte hapur disa shkolla (në gjuhën serbe) për fëmijët shqiptarë. Por: “…mos e dërgo djalin në shkollë se bëhet shkja (serb)! …mos e dërgo vajzën në shkollë se bëhet shkinë (serbe)!” Nga kush vinin këto “këshilla” që me çdo kusht donin të na “ruanin” kombin? Qëllimi i qartë: ikje nga vetvetja; largim nga rrënjët, përçudnim i vetvetes.

Largpamësia e dashamirëve të errësirës shqiptare shkonte edhe më larg me këshillat e tyre që sillnin urrejtje, shthurje dhe zhbërje: “…në qoftë se je i shoqëruar me gruan dhe takohesh me një serb dhe një shqiptar të krishterë, gruaja e besimtarit islam duhet të fshihet pas serbit që mos ta shohë katoliku…” E dini ku ishte qëllimi?

E dimë ne që jemi në vëmendjen e botës? Bota dashamirëse djersitet nga paradokset tona; i vjen keq se me kë është mik, por nuk heq dorë. Bota dashakeqe i fërkon duart nga gëzimi, se po iu “dalin” fjalët si të vërteta; ato fjalë që i fliste dhe i flet ende për ne.

Derisa natyra e mban Fluturën jetëshkurtër vetëm si një lloj nga llojllojshmëria e qenieve të saj, neve pushtuesit na mbanin në metodën e njëjtë të mbijetesës.

Për çfarë na mbanin pushtuesit shekullorë? Edhe pse iu pengonte qenia shqiptare, ata na kishin si makinë prodhimi të qenies njerëzore. Ne iu duheshim; iu duheshim për popullim të shkretëtirave, iu duheshim si mercenarë, iu duheshim si vrasës, iu duheshim… Dikur ishim vetëm furnitorë të qenies njerëzore, por që nevojat e tyre aspak nuk përkonin me interesin tonë kombëtar.

Derisa Sulltanët në pallatet e tyre i mbanin eunukët për qëllime të ditura, neve si komb edhe turku edhe serbi na donin të ishim “eunukë” nga mendja. “Populli shqiptar nuk guxon të arsimohet; ai është popull i zgjuar dhe si i tillë paraqet rrezik për Perandorinë” – vazhdonin edhe xhonturqit atë që e thonin osmanët gjithmonë.

“…mos e dërgo djalin në shkollë se bëhet shkja!”

Por, a vazhdohet edhe sot në mënyra të tilla? A duhet të lejojmë që të jemi ende “eunukë” nga mendja dhe që farën e mendësisë të na e japin të tjerët?

“Kosova është një vend i banuar nga një shumicë shqiptare. Dihet se në planetin tonë vendet, trojet, qytetet nuk përcaktohen as nga drurët, as nga kaprojtë, as nga ndonjë shenjë tjetër që ndodhet sipër tyre, por nga njerëzit. Shkurt, toka dhe njerëzit mbi të shkojnë bashkë. Kosova banohet nga shumicë shqiptare; rrjedhimisht, në të gjitha kuptimet ajo konsiderohet në radhë të parë shqiptare.” (I. Kadare)

Kërkesa për tjetërsimin e identitetit tonë është vetëm një grackë dhe pranimi i saj si e tillë është vetëm një mashtrim pas buzëqeshjes së ujkut. Duke mos e pranuar një popull tjetër afër vetes, mundohen me metoda të cilat i kanë ushtruar që moti për t’i “dëbuar” shqiptarët në mënyrë më dhelparake. Ku? Atje ku bën dreqi, ve.

Të gjithë ne duhet ta dimë që ne ishim populli që i përballoi shumë pushtime gjatë historisë, saktësisht 365 pushtime mbi tokën tonë. Pushtuesit ishin barbarë që na kallën, na mbytën, na asimiluan dhe në vazhdimësi duke na vjedhur kulturën tonë dhe trashëgiminë tonë. Të fshehur, të ndrojtur dhe të vjedhur që ishim, prapë mbetëm dhe jemi Iliro-Shqiptarë.

Akti më i shëmtuar i mashtrimit ka qenë kallja e kishave ortodokse në vitin 2004. Ishte një goditje e rëndë që iu pat bërë Kosovës së lirë.

“Ata” me çdo kusht e donin ftohjen e Perëndimit dhe aleatëve të Kosovës prej nesh; me atë akt i bëhej jehonë “dashamirëve” tanë që lufta e Kosovës ishte një luftë fetare dhe me këtë të shkaktonte pendim tek evropianët dhe bota e civilizuar për ndërhyrjen e tyre. Akti ndodhi; ai u dënua prej nesh dhe shpresoj të ishte mashtrimi i fundit.

Kohërat e tilla kanë kaluar; por ende po jemi robër të një ngecjeje e cila po na imponohet. Ngecja e tillë nuk po na lejon të ecim krenarë rrugës sonë të civilizuar, ngase mëlmesat e së kaluarës ende po i japin shije të dikurshme gjellës sonë të sotme. Dhe kurrsesi të ndahemi nga ai “lezet” i imponuar i gatesave tona.

Derisa bota e civilizuar me përparimet e saj shkencore po shkon shumë e shumë larg, neve në mënyrë të padukshme po na ngadalësohet hapi dhe s’ka asnjë “fuqi” që na mundëson lëvizjen normale të “planetit” tonë mendor rreth Diellit për 365 ditë. Për ditë e më tepër i ngjasim planetit të Neptunit që vitin e ka të gjatë sa 248 vite të tokës dhe të cilit, që nga zbulimi i tij nga ana e njeriut në vitin 1930, i duhen edhe 166 vjet që të bëjë një rrotullim rreth Diellit. Pra edhe 166 vite që shkenca të festojë ditëlindjen e parë të zbulimit të tij.

Për ne, viti i këndelljes së mendjes dhe i shpirtit tonë, a thua sa është i gjatë?

Gjakovë, 06.03.26



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx