| E diele, 08.03.2026, 06:55 PM |
Cili është ujku të cilin nuk po e njohim?
Nga
Fahri Xharra
Asnjë
popull tjetër i botës në të cilën ne jetojmë nuk është aq i panjohur për
evropianët e Perëndimit për sa i përket prejardhjes, historisë dhe gjuhës sa
shqiptarët. “E megjithatë, ai është populli kryesor, i lashtë e i rëndësishëm,
që çdo historian do të dëshironte ta njihte: historia e tyre do të plotësonte
zbrazëti të mëdha në historinë e vjetër e të re të Evropës” – Johan Tunman,
1774, Leipzig, “Kërkime në historinë e popujve të Evropës Lindore”.
Po,
pse ishim aq të panjohur? Çfarë pluhuri historik u desh të bjerë mbi ne që
rrota e historisë të rrotullohet përmbi ne e afër nesh; herë duke na
anashkaluar e herë duke na ndrydhur deri në ngufatje? E tmerrshme!
Marrëveshjet
turko–serbe shkonin aq larg sa që: “…serbin ortodoks e kemi më të afërt se
shqiptarin katolik.*” (*Q. Zekolli)
Po
kush i hapte e i përhapte këto marrëzira? Dihet se kush. Po sot? Dihet se kush.
Në Kosovë, Serbia në vitet e ’30-ta i kishte hapur disa shkolla (në gjuhën
serbe) për fëmijët shqiptarë. Por: “…mos e dërgo djalin në shkollë se bëhet shkja
(serb)! …mos e dërgo vajzën në shkollë se bëhet shkinë (serbe)!” Nga kush vinin
këto “këshilla” që me çdo kusht donin të na “ruanin” kombin? Qëllimi i qartë:
ikje nga vetvetja; largim nga rrënjët, përçudnim i vetvetes.
Largpamësia
e dashamirëve të errësirës shqiptare shkonte edhe më larg me këshillat e tyre
që sillnin urrejtje, shthurje dhe zhbërje: “…në qoftë se je i shoqëruar me
gruan dhe takohesh me një serb dhe një shqiptar të krishterë, gruaja e
besimtarit islam duhet të fshihet pas serbit që mos ta shohë katoliku…” E dini
ku ishte qëllimi?
E
dimë ne që jemi në vëmendjen e botës? Bota dashamirëse djersitet nga paradokset
tona; i vjen keq se me kë është mik, por nuk heq dorë. Bota dashakeqe i fërkon
duart nga gëzimi, se po iu “dalin” fjalët si të vërteta; ato fjalë që i fliste
dhe i flet ende për ne.
Derisa
natyra e mban Fluturën jetëshkurtër vetëm si një lloj nga llojllojshmëria e
qenieve të saj, neve pushtuesit na mbanin në metodën e njëjtë të mbijetesës.
Për
çfarë na mbanin pushtuesit shekullorë? Edhe pse iu pengonte qenia shqiptare,
ata na kishin si makinë prodhimi të qenies njerëzore. Ne iu duheshim; iu
duheshim për popullim të shkretëtirave, iu duheshim si mercenarë, iu duheshim
si vrasës, iu duheshim… Dikur ishim vetëm furnitorë të qenies njerëzore, por që
nevojat e tyre aspak nuk përkonin me interesin tonë kombëtar.
Derisa
Sulltanët në pallatet e tyre i mbanin eunukët për qëllime të ditura, neve si
komb edhe turku edhe serbi na donin të ishim “eunukë” nga mendja. “Populli
shqiptar nuk guxon të arsimohet; ai është popull i zgjuar dhe si i tillë
paraqet rrezik për Perandorinë” – vazhdonin edhe xhonturqit atë që e thonin
osmanët gjithmonë.
“…mos
e dërgo djalin në shkollë se bëhet shkja!”
Por,
a vazhdohet edhe sot në mënyra të tilla? A duhet të lejojmë që të jemi ende
“eunukë” nga mendja dhe që farën e mendësisë të na e japin të tjerët?
“Kosova
është një vend i banuar nga një shumicë shqiptare. Dihet se në planetin tonë
vendet, trojet, qytetet nuk përcaktohen as nga drurët, as nga kaprojtë, as nga
ndonjë shenjë tjetër që ndodhet sipër tyre, por nga njerëzit. Shkurt, toka dhe
njerëzit mbi të shkojnë bashkë. Kosova banohet nga shumicë shqiptare;
rrjedhimisht, në të gjitha kuptimet ajo konsiderohet në radhë të parë
shqiptare.” (I. Kadare)
Kërkesa
për tjetërsimin e identitetit tonë është vetëm një grackë dhe pranimi i saj si
e tillë është vetëm një mashtrim pas buzëqeshjes së ujkut. Duke mos e pranuar
një popull tjetër afër vetes, mundohen me metoda të cilat i kanë ushtruar që
moti për t’i “dëbuar” shqiptarët në mënyrë më dhelparake. Ku? Atje ku bën
dreqi, ve.
Të
gjithë ne duhet ta dimë që ne ishim populli që i përballoi shumë pushtime gjatë
historisë, saktësisht 365 pushtime mbi tokën tonë. Pushtuesit ishin barbarë që
na kallën, na mbytën, na asimiluan dhe në vazhdimësi duke na vjedhur kulturën
tonë dhe trashëgiminë tonë. Të fshehur, të ndrojtur dhe të vjedhur që ishim,
prapë mbetëm dhe jemi Iliro-Shqiptarë.
Akti
më i shëmtuar i mashtrimit ka qenë kallja e kishave ortodokse në vitin 2004.
Ishte një goditje e rëndë që iu pat bërë Kosovës së lirë.
“Ata”
me çdo kusht e donin ftohjen e Perëndimit dhe aleatëve të Kosovës prej nesh; me
atë akt i bëhej jehonë “dashamirëve” tanë që lufta e Kosovës ishte një luftë
fetare dhe me këtë të shkaktonte pendim tek evropianët dhe bota e civilizuar
për ndërhyrjen e tyre. Akti ndodhi; ai u dënua prej nesh dhe shpresoj të ishte
mashtrimi i fundit.
Kohërat
e tilla kanë kaluar; por ende po jemi robër të një ngecjeje e cila po na
imponohet. Ngecja e tillë nuk po na lejon të ecim krenarë rrugës sonë të
civilizuar, ngase mëlmesat e së kaluarës ende po i japin shije të dikurshme
gjellës sonë të sotme. Dhe kurrsesi të ndahemi nga ai “lezet” i imponuar i
gatesave tona.
Derisa
bota e civilizuar me përparimet e saj shkencore po shkon shumë e shumë larg,
neve në mënyrë të padukshme po na ngadalësohet hapi dhe s’ka asnjë “fuqi” që na
mundëson lëvizjen normale të “planetit” tonë mendor rreth Diellit për 365 ditë.
Për ditë e më tepër i ngjasim planetit të Neptunit që vitin e ka të gjatë sa
248 vite të tokës dhe të cilit, që nga zbulimi i tij nga ana e njeriut në vitin
1930, i duhen edhe 166 vjet që të bëjë një rrotullim rreth Diellit. Pra edhe
166 vite që shkenca të festojë ditëlindjen e parë të zbulimit të tij.
Për
ne, viti i këndelljes së mendjes dhe i shpirtit tonë, a thua sa është i gjatë?
Gjakovë, 06.03.26