Mendime » Xharra
Fahri Xharra: Shqiptarët katolikë dhe Serbia
E enjte, 22.01.2026, 06:55 PM
Shqiptarët katolikë dhe Serbia
Nga
Fahri Xharra
Këtë
që dua ta trajtoj sot nuk është e panjohur as për ne si shqiptarë e as për
qarqet diplomatike të Europës. Shtypi botëror e di me saktësi qëllimin e
serbëve dhe lojën e tyre me shqiptarët e të dy konfesioneve: mysliman dhe
katolik. Kësaj radhe nuk do të trajtoj qëndrimin dhelpërak serb ndaj
shqiptarëve ortodoksë në mbarë tokat shqiptare, të cilat mbetën nën okupimin
serb.
Duke
i lexuar kronikat e kohës dhe duke bërë një analizë shumë të thjeshtë, arrijmë
në përfundimin e njëjtë se:
“Rrezikun
më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin
serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj.”
(“Vesnik
Srpske Crkve”)
Ndarja
e Shqipërisë pas 1913-tës ishte një favor shumë i madh për Serbinë, por edhe
ajo ndarje dhe ai copëtim i tokave tona kërkonte një “marifet” menaxhimi, në
mënyrë që të kryhej me sukses kolonizimi i atyre tokave dhe përfundimisht të
zhdukej shqiptari nga faqja e dheut.
“Rrezikun
më të madh për Kishën Ortodokse Serbe, e kjo do të thotë edhe për popullin
serb, e paraqet Kisha Katolike në kufijtë tanë të rinj. Ky do të jetë një demon
i cili nuk do të na lërë të qetë dhe i cili në vazhdimësi do të jetë barrë edhe
për shtetin edhe për popullin. Katolicizmi në këto anë është zgjeruar dhe,
ç’është më e keqja, është përhapur dhe ka lëshuar rrënjë… Të rralla janë
vendbanimet në krahinat e reja ku katolicizmi nuk e ka kapur ndonjë shpirt serb
(!) dhe nuk ka fituar ithtarë.”
Priftëria
katolike shqiptare dhe besimtarët e tyre janë fajtorë, sipas popit Bojoviq, për
të gjitha mossukseset serbe.
(“Vesnik
Srpske Crkve”)
Këto
janë thëniet e tyre, jo të miat, por unë u besoj shumë qëllimeve të tyre.
Qëllimet e tyre janë ende të parealizuara në masën 100%. Nëse realizimi i tyre
deri në vitet 1940-ta është kryer pa kufizim, pa dro dhe me dhunë, ai ende nuk
është përfunduar. Ata sot kërkojnë mënyra të tjera për likuidimin e plotë të
elementit katolik nga tokat shqiptare.
Dhuna
dhe zbrazja e tokave me forcë për momentin nuk është opsion, falë rrethanave të
reja në botë, por kërkohet dhe synohet bashkëpunim nga vetë ne shqiptarët në
realizimin e zhdukjes totale të elementit katolik shqiptar.
Më
20 mars 1913, gazeta “Reichpost” shkruante:
“Në
rrethin e Janjevës, mbi 400 vjet nga sot, rreth 8000 shqiptarë katolikë, të
ashtuquajtur laramanë apo katolikë të fshehur, jetonin aty. Kur mbërritën
serbët, me qindra nga këta laramanë deshën që haptazi të deklarohen se janë
katolikë. Kur përfaqësuesi i shtetit serb të instaluar rishtas dëgjoi për këtë,
tha: ‘Ose mysliman ose ortodoks. Jo katolik!’”
Po
pse, ose mysliman ose ortodoks? Shumë e lehtë për t’u kuptuar. Në momentin kur
këto toka mbesin tërësisht myslimane, janë dy mundësi: ose të bëhet Sanxhaku i
dytë i Novi Pazarit, ose lehtësohet shpërngulja e tyre nëpër botën islame.
Çubrilloviqi në projektin e tij thoshte:
“Pasi
që shqiptarët të binden se i takojnë një bote tjetër, asaj lindore, atëherë e
kemi më lehtë. Por kjo do kohë.”
“Numër
i panumëruar i katolikëve ishin vrarë në Ponoshec, nga dora e sllavit (rrethi i
Gjakovës). Afër Zhurit (rrethi i Prizrenit), kryetari i fisit ishte vrarë e
thërrmuar nga shteti, mu pse ishte katolik. E njëjta gjë ndodhi edhe në
Gjakovë, në famullinë e Nikajve, kur mbi 70 katolikë u vranë nga malazezët.”
(20.03.1913,
gazeta “Reichpost”)
Po
unë si shqiptar, apo ti gjithashtu si shqiptar që rastësisht i kemi takuar
besimit mysliman, a pranojmë që bashkëkombasit tanë shqiptarë të fesë katolike
t’i katandisim nëpër botë dhe në këtë mënyrë të bëhemi bashkëpjesëmarrës në
çfarosjen e një pjese të madhe kombëtare, të jemi në vijën e Serbisë?
Jo.
Unë jo. Por as ti, jo!
Tek
e fundit, shqiptarët katolikë nuk janë mall tregtar me të cilin ne mund të
bëjmë tregti!
Gazeta
e kohës “Neue Freie Presse”, më 20 mars 1913, shkruan:
“Më
7 mars, soldateska e prirë nga një pop ortodoks, në dhe rreth Gjakovës, deshi
me forcë të konvertojë popullatën katolike në besim ortodoks. Mbi 300 vetë,
gra, burra dhe fëmijë, nën kërcënimin me vdekje duheshin të konvertoheshin.
Popi ortodoks u tha: ‘Ose nënshkruani deklaratën se e keni pranuar fenë e
vërtetë ose këta ushtarë të Zotit do t’ua dërgojnë shpirtrat tuaj në ferr.’”
Të
gjithë e nënshkruan, përveç Patër Angjelit. Rezultati ishte skena më trishtuese
e paparë në atë shekull.
Serbia
aspak nuk brengoset që sot nuk mund të përdorë të njëjtën metodë si atë të
viteve 1913 për pranimin e “fesë së vërtetë” (sllavo-ortodokse), sepse po
tenton në mënyra të tjera të realizojë qëllimet e veta. Pse ne sot duhet të
jemi “altoparlantë” (zëritës dhe zëdhënës) të Serbisë? E mendojmë këtë?
Më
1919, qeveria jugosllave “nënshkruante” çdo akt ndërkombëtar kundër
diskriminimit. Të njëjtën e bën edhe sot. Por persekutimet ndaj katolikëve
kosovarë vazhdonin. Në Shkup, patriotit shqiptar, të atin e Nënës Terezë, e
helmuan serbët. Serbët e shihnin rrezikun te shqiptarët katolikë, sepse për ata
myslimanë kishin plane të tjera. Më 1929 u vra At Shtjefën Gjeçovi, një
françeskan shumë i respektuar nga shqiptarët.
Edhe
pse K. Jireçek i përshkruante shqiptarët si “popull i vjetër me kulturë
qytetare”, edhe pse organizimi qytetar ishte i rëndësishëm edhe për ilirët,
sllavët medoemos bënin sllavizimin e shqiptarëve, e turqit turqizimin e tyre,
herë ndaras e herë në bashkëpunim. Pra?
Magazin
für die Literatur des Auslandes, 1843, shkruan:
“Serbët
ishin armiq të betuar të malësorëve katolikë (…) serbët kishin një urrejtje
shfrenuese ndaj katolikëve shqiptarë.”
Ndërkaq,
një historian i shekullit XIX shkruante se serbët i urrenin shqiptarët katolikë
për dy arsye: e para, sepse ata ishin pengesa e parë dhe e fundit në realizimin
e politikave të tyre doktrinare-religjioze në mbështetje të Rusisë dhe
përkrahjen herë pas here të Turqisë; dhe së dyti, sepse ata, e sidomos kleri i
tyre, u mësonin brezave të kaluarën dhe mbanin trashëgiminë e saj në
origjinalitet.
E
unë pse të kem urrejtje shfrenuese ndaj dikujt që flet shqip, frymon shqip?
Një
kronist tjetër në vitin 1841 thotë:
“Në
malet e larta të Gjakovës dhe Prizrenit jetojnë malësorët shqiptarë katolikë
dhe dominojnë ato pjesë… ndërsa serbët janë armiq të betuar të tyre dhe shpesh
armiqësia ka qenë e përgjakshme dhe shkatërrimtare.”
Vendbanime
të arnautëve të besimit të krishterë në terrenin serb në kohët e kaluara kishte
kryesisht në qytete si Prishtina, Vidini, Novi Pazari, Krushevci, Prokupla,
Nishi dhe Çuprija.
(Acta
Bulgariae polissimum ecclesiastica – Monumenta spectantia historiam Slavorum
Meridionalium, vol. XXIII, 339)
Në
çdo shkrim të së kaluarës mund të hasësh të njëjtën urrejtje të serbëve ndaj
elementit katolik shqiptar.
Çka
po përgatitet? Jemi ne të vetëdijshëm dhe të ndërgjegjshëm që diçka po
përgatitet?
“Thonë
ose krijojnë përshtypjen sikur t’u ketë ardhur koha të vendosin ndërmjet
Perëndimit apo Orientit. Mirëpo kjo është një luftë me fantazma. As myslimanët
e as katolikët (shumica) nuk jetojnë në hënë, por në Evropë. As njëra e as
tjetra nuk e vënë në pikëpyetje rrugën evropiane të Kosovës. Muajve të fundit
në Kosovë vërehet të ketë marrë hov një rrjet fanatikësh pseudoislamikë që
punojnë për supranacionalizma të ndryshëm: saudit, turk, arab, iranian. Këta e
bëjnë zhurmën me sukses sepse mediat reagojnë dhe bien në kurthin e agjendave
të tyre. Bash këtyre ditëve në rrjetet sociale u hap tema e interdiskriminimit
në Kosovë. Katolikët duket të mos jenë në gjendje të mirë. Këtë e dëshmon edhe
migrimi i madh i tyre drejt Evropës; bëhet fjalë për të rinj e të reja me
suksese të mahnitshme në shkencë e biznes jashtë Kosovës. Këtij diskriminimi
duhet rënë në gjurmë; ai duhet të studiohet, analizohet dhe të ndërpritet
menjëherë, sepse dëmton Kosovën në aortë.”
(Xhemal
Ahmeti, studiues)
Politikanë
dhe drejtues të Kishës Ortodokse Serbe, herë nën zë e herë haptazi, mundohen ta
quajnë Kosovën një shtet të tipit mysliman, bile një shtet të tipit
fundamentalist, dhe kur Kisha Katolike Shqiptare nuk është gjendur në anën e
tyre si falsifikatore e historisë dhe fakteve, atëherë edhe ajo është kthyer në
objekt sulmi dhe shpifjesh. Ky sulm dhe këto shpifje, ashtu si edhe lufta e
përhershme ndaj shqiptarëve, janë të hershme.
(Gjon
Marku)
Gjithnjë
udhëheqësit shpirtërorë, e në mënyrë të veçantë klerikët katolikë, shpalleshin
armiqtë më të mëdhenj të popullit serb, jo rastësisht. Por Faik Konica në
revistën e tij “Albania” shkruante se katolikët shqiptarë janë shkaku që u
mbajt gjallë gjer më sot kombësia jonë.
Përfundimisht,
të bindemi se Kisha Serbe harton, shpif dhe përçan. Boll mo!
Fahri Xharra
Gjakovë, 19.01.26









