Mendime
Adil Fetahu: Dr. Berna Turkdogan Uysal – Gjenocidi Çam
E hene, 23.02.2026, 06:30 PM
Dr. Berna Turkdogan Uysal: GJENOCIDI ÇAM
(Redaktor Bujar M. Hoxha, përkth. nga
turqishtja Rubin Hoxha, botoi ‘Alsar’, Tiranë
2024)
Nga
Adil FETAHU
Është
ky një libër-studim i një studjueseje të
huaj për gjenocidin e shtetit grek mbi Çamët dhe Çamërinë.
Autorja-studjuesja
turke Dr.Berna Turkdogan Uysal, këtë
libër-studim e ka botuar, në gjuhën
turke, në vitin 2013, ndërsa Shtëpia Botuese ‘’Alsar’’ e Tiranës, e botoi në
gjuhën shqipe në vitin 2024, me rastin e 80-vjetorit të gjenocidit grek mbi
Çamët dhe Çamërinë. Libri përmban
tekstin në gjuhën shqipe dhe atë në gjuhën turke.Tekstit të librit i prinë një sqarim i botimit shqip,
për arsyet e këtij botimi, e që lidhet me 80-vjetorin e gjenocidit grek në
Çamëri.
Pas
fjalës së botuesit shqip, vjen Parathënia e autores (prill 2013), ku përmend
gjenocidin që kryen në Çamëri forcat greke të prira na gjenerali famëkeq Napoleon Zerva, në qershor të vitit
1944, e që në kujtim të asaj ngjarje të tmerrshme, 27 qershori është caktuar si
Dita e Gjenocidit Çam. Po aty, në Parathënie, autorja jep shifra të Çamëve të
shpërngulur në Shqipëri, dhe shifra që Çamëve që sot jetojnë në Shqipëri e në
Greqi. Për hartimin e këtij
libri-studimi, autorja thotë se ka shfrytëzuar materiale nga Arkivat Osmane dhe
Arkivat e Republikës së Turqisë, materiale të Shoqatës ‘’Vëllazëria
Turko-Shqiptare’’, si dhe dokumente e fotografi të mbledhura gjatë vizitës së
saj në Shqipëri, në vitin 2010.
Në
kapitullin e parë (fq.18-27), bënë fjalë për situatën e myslimanëve të Çamërisë,
në kohën e administratës së Perandorisë Osmane dhe marrëdhëniet e tyre me
Lëvizjen e Partisë për Bashkim dhe Përparim. Në kapitullin e dytë (fq.29-52),
ka trajtuar marrëdhëniet e zhvilluara midis popullsisë (myslimane) të Çamërisë
me Republikën e Turqisë dhe ndihmën që u
ka dhënë Mustafa Qemali-Ataturku, duke i vendosur në territorin e Turqisë, por
edhe qëndrimi i tij kundër represionit që ushtronte shteti grek mbi Çamët
myslimanë, dhe qasja e Turqisë në Konferencën Ballkanike kur bëhej fjalë për të
drejtat e minoriteteve.
Në
Hyrje të studimit, autorja konstaton se syrgjynimi (shpërngulja) apo shkëputja e njerëzve nga
trojet, pronat, kultura dhe jetesa e tyre, përbënë një turp për njerëzimin, dhe
në këtë kontekst merr shembuj të shpërnguljeve gjenocidale që kanë bërë shtetet
e ndryshme: Anglia, Australia, Danimarka, Franca, dhe të tjerat gjatë historisë, ku përmend edhe
spastrimin etnik të 1,5 milion Turqëve nga Bullgaria në periudhën 1960-1990,
gjenocidin në Ruandë e në Srebrenicë, në kohën më të re.
Duke
shpjeguar gjenezën e Shqiptarëve në përgjithësi, që janë pasardhës të
Pellazgëve dhe Ilirëve, autorja thotë se Toskët janë Epirotë dhe janë nga
Pellazgët, kurse Gegët janë pasardhës të Ilirëve. Fjala (emërtimi) ‘Arnaut’
është një formë e turqizuar e fisit toskë të Arvanitëve, dhe emërtimi ‘Arnautlluk’ në Perandorinë Osmane
është përdorur për viset ku banojnë Shqiptarët si shumicë.
‘’Shqiptarët
e Çamërisë gjatë periudhës Osmane’’, është titulli i kapitullit të parë të
këtij libri-studimi. Shpjegon se kur ushtria osmane shkeli në Shqipëri, aty
gjeti përballë princër të fuqishëm të principatave, siç ishin: Balshajt, Topijajt,
Dukagjinët, Zakariajt, Muzakajt, Zenerbishtët, Arianitët dhe Kastriotët.
Studimin e saj autorja e vazhdon me zhvillimet e mëvonshme të luftës së
Shqiptarëve për të ruajtur gjuhën, kulturën, traditën, besimin, për të kundërshtuar taksat e vëna nga
administrata Osmane etj; ‘’Lidhja e Prizrenit e vitit 1878 u formua për të
penguar pushtimin e territoreve shqiptare nga fuqitë e hueja dhe nuk kishte për
qëllim krijimin e shtetit Shqiptar të pavarur... Por, rreziku i shfaqur pas
Luftës osmano-ruse 1877-1878, që trojet shqiptare t’u jepeshin shteteve tjera,
shënoi fillimin e nacionalizmit politik tek shqiptarët. Dëshirën për pavarësinë
e Shqipërisë nga Perandoria Osmane e nxitën shtetet e huaja, veçanërisht Italia
dhe Austria. Pas Luftës Ballkanike, edhe Shqipëria pati filluar të ngrinte
pretendimet për Maqedoninë. Ata që ishin në krye të lëvizjes deklaronin: ‘’pse të
ndahet Maqedonia vetëm mes grekëve e bullgarëve? Ne jemi më të vjetër se ata.
Jemi pasardhës të drejtpërdrejt të pellazgëve, të cilët dikur zotëronin tërë
Gadishullin. Grekët dhe maqedonët ishin thjeshtë degë të tyre. Akili dhe
Aleksandri i Madh nuk ishin grekë, por pellazgë, dmth.shqiptarë. Sa u përket
sllavëve, edhe serbët edhe bullgarët gjithmonë kanë qenë skllevër të shqiptarëve.
Pse t’ua lë tjerëve fushat e bukura të Maqedonisë populli trim e i madh
shqiptar?’’ (fq.20-22).
Por,
Lufta Ballkanike i ndau shqiptarët, u pushtua nga ushtritë e shteteve ballkanike edhe
Shqipëria që kishte shpallur pavarësinë (28 nëntor 1912). Në Konferencën e
Londrës askush nuk ishte që ta përfaqësonte Shqipërinë.
Nga
burime tjera mësohet se pas Lufës së
Dytë Ballkanike, më 10 gusht 1913 në Bukuresh u lidh Traktati midis palëve
luftuese: Bullgari-Rumuni-Serbi-Mali Zi dhe Greqi, me ç’rast Bullgarisë si humbëse e luftës, iu muar dhe ngushtua territori, ndërsa shtetet
fituese të luftës u zgjeruan: Serbia që mori Maqedoninë, Kosovën dhe një pjesë
të Sanxhakut të Novi Pazarit, e zgjeroi territorin e shtetit të vet nga 48.000
km katrore, në 87.700 km dhe fitoi 1,5 milion banorë, kurse Greqia që mori
Maqedoninë e Jugut, Selanikun, Kavallen, Çamërinë dhe bregdetin e Egjeut, Kështjellën e
Janinës dhe Ishullin Kreta (14.12.1913), zgjeroi territorin e shtetit nga
64.780 km katrore, në 108.600 km, dhe nga 2,7 milionë banorë që kishte deri
atëherë, u bë me 4,4 milionë banorë.
Në
kapitullin 2 (fq.29-52), trajton pozitën e shqiptarëve të Çamërisë gjatë
periudhës ë Republikës së Turqisë. Vëmendje të posaçme i kushton procesit të
shpërnguljes së çamëve dhe deportimit të tyre në Turqi, në bazë të Marrëveshjes së Llozanës të lidhur midis Turqisë
e Greqisë. Autorja argumenton se deportimi i çamëve myslimanë u bë në
kundërshtim me Marrëveshjen e Athinës të vitit 1913 dhe në kundërshtim me të
drejtën ndërkombëtare për minoritetet. Qeveria shqiptare ndërhyri disa herë te Lidhja e Kombeve për të mos lejuar shpërnguljen e shqiptarëve, por ‘’pavarësisht
ndërhyrjes së Lidhjes së Kombeve, autoritetet greke vazhduan t’i detyronin
shqiptarët të mërgonin. Pjesa më e madhe e shqiptarëve çamë të dërguar në
Turqi, u vendosën në Izmir dhe rrethinë (fq.30). Për mosshpërnguljen e
çamëve ka ndërhyrë edhe qeveria turke. Më 14 shtator 1924, është nxjerrë një
dekret me nënshkrimin e Gazi Mustafa Qemali (Ataturk,v.j.), ku thuhet se
Marrëveshja nuk përfshinë shpërnguljen e çamëve, prandaj banorët e Çamërisë që
janë shqiptarë – nuk duhen shpërngulur’’ (fq.31).
Përmendet
rasti i 65 familjeve, me 240 persona shqiptarë të ardhur në Turqi nga fshatrat
Rampalla dhe Rraça të Follorinës, të cilët ishin vendosur në kazanë e Ezinesë,
të Çanakalasë. Përfaqësuesit e kazasë kishin bërë kërkesë që këtyre shqiptarëve
t’iu lejohet të kthehen ku të duan, pasi këta janë të huaj ndaj gjuhës dhe
traditave të Turqisë dhe nuk kanë gjetur mundësi për jetesë prej ditës që kanë
ardhur. ‘’Më 6 maj 1925 është shpallur dekreti që i lejonte të kthehen ku të
duan jashtë vendit ata 240 persona’’(fq.31), por autorja nuk sqaron se ku
janë kthyer, ndërsa dihet se Greqia nuk pranonte kthimin e shqiptarëve të deportuar.
Brenda
këtij kapitulli, autorja trajton edhe shpërnguljen e shqiptarëve nga Kosova dhe
Maqedonia, në periudhën 1926 – 1938, si rezultat i persekutimit të pushtetit të
Jugosllavisë mbi shqiptarët.’’Turqia u doli zot të ardhurve, duke i pranuar si
nënshtetas të Turqisë. Me Dekretin 9297/1167 datë 15.05.1933, Ministria e
Brendshme vendosi që të pranoheshin si nënshtetas të Turqisë ‘’turqit’’ të
mërguar nga Jugosllavia, Bullgaria, Rumania, Greqia dhe Shqipëria
Në
vazhdim të këtij kapitulli, autorja bënë
digresion nga trajtimi i çështjes së shkëmbimit të popullsive dhe trajton
procesin e themelimit të Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, dhe
kundërshtimin e Mustafa Qemalit (Ataturkut) kundër mbetjes së Patrikanës së KO
greke në Stamboll. Në një intervistë të tij dhënë gazetës franceze‘ ’Le Journal’’, të datës 25 dhjetor
1922, Ataturk thotë: ‘’Sa u përket pakicave, e morëm parasysh shkëmbimin.
Edhe përfaqësuesit e shteteve tjera na e mbështetën pikëpamjen. Për Patrikanën
Greke, si një vatër provokimi e tradhtie, që hedh farëra ndasie e konflikti në
vend dhe që sjell fatkeqësi edhe për mirëqenien dhe paqen e shtetasve tanë të
krishterë, nuk mund ta lëmë më në trojet tona. Ç’arsye mund të paraqitet për të
na detyruar që ta ruajmë në vendin tonë një institucion të rrezikshëm si ky?
Ç’detyrim ka Turqia që t’i caktojë një vend në territorin e saj Patrikanës
Greke? A nuk e ka vendin në Greqi kjo vatër agjitacioni’’?.
Në
kapitullin kryesor dhe më voluminoz, nga i cili është nxjerrë edhe titulli i
librit ‘’Gjenocidi çam’’ (fq. 53 – 74), përshkruhen detajet e gjenocidit grek
kundër çamëve. Fillimisht autorja shpjegon përkufizimin e nocionit të pakicave
kombëtare, kundër pjesës tjetër të shumicës së popullsisë së një shteti, dhe konstaton
se me Marrëveshjen Ndërkombëtare për Zhdukjen e çdo lloj Racizmi të Asamblesë së Përgjithshme të KB (21
dhjetor 1965), e cila ka hyrë në fuqi më 4 janar 1969,- shtetet palë pranonin
respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve, pa dallim race,
gjinie, gjuhe dhe feje, dhe barazinë e të gjithëve para ligjit.
Në
vazhdim autorja shpjegon se ku shtrihet Çamëria dhe banorët e saj, çamët, janë
pjesë e ilirëve autoktonë në Ballkan, të cilët kanë jetuar prej vitit 2600-1900
p.e.r. Kultura e tyre e ka pasur periudhën e artë në shekullin 12, nën sundimin
e Molosëve. Nga ky fis rrjedh edhe Aleksandri i Madh dhe një tjetër hero –
Pirro. Në periudhën bizantine në Çamëri u vendosen disa fise të reja, si gotët,
ostrogotët, saraqinët dhe normanët. Çamëria hyri nën sundimin osman në vitin
1440. Në periudhën mes viteve 1611 – 1803,
kur edhe u krijua Vilajeti i Janinës, çamët luftonin në komandën osmane.
Armiqësia e shtetit grek ndaj çamëve i ka rrënjët historike në periudhën
1854-1872, kur çamët u bënë qëndresë të suksesshme sulmeve greke. Por, më 23
shkurt 1913, Çamërinë e mori nën kontroll Greqia, sipas vendimit të fuqive të
mëdha, kur Konferenca e Londrës ia dha Kosovën dhe Maqedoninë qendrore Serbisë,
ndërsa Çamërinë ia dha Greqisë.
Gjatë
Luftës së Dytë Botërore, përveç pushtimeve nga Italia dhe Gjermania, Greqia
përjetoi edhe një luftë civile, kur dy rryma të kundërta luftuan për pushtet.
EDES-i që përbënte krahun antikomunist, i prirë nga gjenerali Zerva, i cili
bashkëpunoi me gjermanët dhe pastaj u mbështet edhe nga anglezët, kishte ndërmarrë spastrimin
etnik kundër elementit jogrek dhe në qershor të vitit 1944 bëri masakër të madhe (gjenocid), duke kryer
spastrimin etnik të Çamërisë. Përgatitjet për këtë masakër ishin bërë më herët.
Në kohën e pushtimit italian, ishin mobilizuar të gjithë meshkujt mbi 14 vjeç
dhe ishin dërguar në kampet e përqendrimit në ishujt Lesos, Hios dhe Korint.
Gjatë luftës kundër Italisë, shqiptarët i mobilizuan si ushtarë, por në vend të
armëve u dha kazma e lopata, të shërbenin si ‘’trupa të infrastrukturës’’.
Për
shkak të diskriminimit, shtypjes, persekutimit dhe deportimit që patën vuajtur
shqiptarët nga regjimi diktatorial i Metaksas para Luftës së Dytë Botërore, në
kohën e pushtimit italian shqiptarët kishin një qëndrim të paanshëm: as ‘’jo-antiitalian’’, as
‘’pro-italian’’. Ky qëndrim u mor si pretekst dhe justifikim që çamët të persekutohen e
dëbohen nga vatrat dhe nga pronat e tyre
e të kërkojnë shpëtimin në Shqipëri rreth 35000 shqiptarë muslimanë, çamë.
Autorja jep shifrën prej 3242 civilëve, gra, fëmijë, burra, pleq, të vrarë e
masakruar në Paramithi, Igumenicë, Margëlliç, Pargë, si dhe shifra për
plaçkitjet, shkatërrimet dhe grabitjet e pasurive. Për të ruajtur identitetin e
shtetit njëkombësh, Greqia shtypi me dhunë dhe asimiloi edhe shqiptarët
ortodoksë që mbetën të jetojnë në Greqi, të cilëve ua ndaloi përdorimin e
gjuhës amtare. Ata sot nuk janë në gjendje ta ruajnë gjuhën, kulturën as
identitetin shqiptar. Për të ndryshuar strukturën etnike të Çamërisë, në pronat
e konfiskuara të çamëve të dëbuar u vendosën grekë, vëllehë dhe romë, ndërroi emërtimin e toponimeve dhe çdo
shenjë shqiptare.
Pas
një digresioni që bënë autorja në studimin e saj, duke kaluar nga çështja e
gjenocidit çam, në çështjen e kontestit midis Greqisë dhe Maqedonisë (fq.62-67),
del përsëri te gjendja aktuale e çamëve dhe e popullsisë shqiptare në Greqi
(fq.68-74). Bënë një pasqyrim të popullsisë shqiptare në Greqi, duke përmendur
se në shekullin 19, popullsia e Athinës 24% ishin shqiptarë (arvanitë,v.j.), të
cilët iu nënshtruan procesit të asimilimit dhe helenizimit përmes arsimit dhe
institucioneve fetare, kurse pjesa më e madhe (80%) e shqiptarëve që jetonin në
Çamëri (Thesproti) ishin muslimanë. Mendohet se nga popullsia muslimane e
Çamërisë, rreth 85000 janë vendosur në Anadolli, si pasojë e presionit dhe
represionit të shtetit grek dhe e marrëveshjes mbi shkëmbimin e popullsisë
midis Turqisë e Greqisë, kurse pas Luftës së Dytë Botërore 35.000 shqiptarë
muslimanë të Çamërisë janë vendosur në Shqipëri (fq.68).
Kthimi
i çamëve në Greqi dhe rikthimi i pronave të tyre është një çështje që është
trajtuar e diskutuar dhe ka bërë jehonë në
forume të ndryshme ndërkombëtare, thotë autorja, dhe përmend disa raste të
trajtimit të kësaj çështje në terrenin ndërkombëtar. Problemi i Çamërisë është
ngritë në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve dhe Popujve të
Papërfaqësuar në Hagë, në janar të vitit 1995. Në përfundimet e asaj mbledhje
janë marrë vendime për kthimin e çamëve në trojet e tyre; rinjohjen e
nënshtetësisë, rikthimin e të drejtave të tyre si shtetas të Greqisë; rikthimin
e pronave; njohjen e të drejtave të cilat burojnë nga dokumentet ndërkombëtare;
qeveria greke të pranojë realitetet historike të problemit të Çamërisë dhe të
hedhë hapa serioze për zgjidhje.
Çështja
çame u diskutua edhe në një seancë të veçantë të Kongresit dhe Senatit Amerikan (20.08.2002).
Në atë diskutim, shpjegimet e përfaqësuesit grek nuk u konsideruan të kënaqshme
nga anëtarët e Kongresit.
Deputetja
e Parlamentit Europian, Ema Bonino, bashkë me gjashtë deputetë tjerë të atij
Parlamenti, kishte nënshkruar një
kërkesë që çështja çame të shtrohet në PE dhe të kërkohet nga qeveria greke të
veprojë në përputhje me protokollet e të drejtave njerëzore dhe t’i respektojë
të drejtat e popullit çam.
Akademia
Ushtarake Mbretërore e Sandursit në Angli dhe Qendra për Studimin e Konflikteve,
kanë botuar një libër me tiull: ‘’Problemi Çam’’.
Duke
pasqyruar një vështrim të hollësishëm të drejtave që gëzon minoriteti grek në
Shqipëri, autorja konstaton se parimi
ndërkombëtar i reciprocitetit midis
shteteve, ka mbetur vetëm në letër, pasi çamët nuk i kanë arritur të drejtat e
tyre, por kanë mbetur viktima të gjenocidit dhe dëbimit, si rezultat i
ideologjisë zyrtare greke.
***
Ndonëse
është një libër-studim i vogël në krahasim me problemin e madh të Çamëve dhe
Çamërisë dhe në raportet shtetërore e
ndërkombëtare lidhur me këtë problem, megjithatë autorja meriton falënderim dhe respekt, që është marrë me këtë çështje
dhe duke e botuar librin në gjuhën turke, ia ka prezantuar popullit dhe shtetit
të vet këtë problem. Nga fusnotat referente
dhe literatura e shfrytëzuar, shihet se të dhënat kryesore për shtjellimin e
problemit i ka marrë nga burime shqiptare, por edhe nga burime tjera: arkiva të
shumta, libra dhe artikuj, gazeta, interneti, gjë që e ka pasqyruar në pesë faqe ’Bibliografi’’. Në libër janë dhënë
edhe 7 harta, 17 foto pamjesh të
ndryshme dhe një faksimile. Kështu, literaturës së shumtë mbi problemin e
Çamëve dhe të Çamërisë, i është shtuar edhe një vepër e mirë e një autoreje të
huaj.
Në
mbititullin e librit voluminoz (634 faqe) të bashkautorëve Robert Elsie –
Destan Bajtullahu: ‘ÇAMËRIA – një histori dokumentare’, qëndron i stampuar
mendimi i historianit të njohur, Noel Malkom, që thotë: ‘’Fati i shqiptarëve
çamë është një nga sekretet më të errëta të historisë moderne europiane’’.
Nga ato sekrete të errëta, libri i Dr.Berna Turkdogan Uysal, ‘’Gjenocidi çam’’,
nxjerr në dritë shumë aspekte të fatit të çamëve. Shkaqet, shkaktari, motivet
dhe pasojat e atij gjenocidi dihen. Mbetet në moralin e drejtësisë
ndërkombëtare që ta ndreçë padrejtësinë të cilën e ka bërë vet duke i dhënë
Çamërinë shtetit grek.
Shtëpia
Botuese ‘’Alsar’’ në Tiranë, ka bërë një punë të mirë që librin e autores turke
e ka përkthyer e botuar në shqip dhe tekstin e librit e ka dhënë në shqip dhe
turqisht.
Të
shtojmë këtu, se autorja e librit nuk jeton më, ngase ka ndërruar jetë (2013),
pak kohë pasi i është botuar libri në turqisht.









