E premte, 30.01.2026, 11:47 PM (GMT)

Mendime

Albert Zholi: Prof. Dr. Enriko Ceko - Ekonomia shqiptare ka krizë pasi ka marrë tiparin e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi

E premte, 30.01.2026, 06:55 PM


Flet Prof. Dr. Enriko Ceko:

Ekonomia shqiptare  ka krizë pasi ka marrë tiparin e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi

- Ekonomia shqiptare ka nevojë për një strukturë ku sektorët të jenë të mirë zhvilluar, të integruar dhe të mbështesin njëri tjetrin.

-Modeli optimal për ekonominë shqiptare duhet të orientohet drejt një ekonomie prodhuese, të hapur, me orientim drejt eksporteve, me një rol aktiv të shtetit

- Në vend të kalimit të butë nga kooperativat dhe fermat e mëdha bujqësore në shoqatat e fermerëve, zgjodhëm Ligjin 7501

-Privatizimi, i zgjedhur pa aspak kujdes si shpëtimtari i ekonomisë shqiptare, u bë pa marrë parasysh mundësinë e ristrukturimit, pa politika industriale dhe pa mbrojtje të kapitaleve prodhuese.

- Pa industri të lehtë dhe ushqimore, pa industri të rëndë, pa bujqësi konkurruese, pa turizëm gjithëvjetor, pa krijueshmëri, pa inovacion dhe pa standard, ndërtimi dhe turizmi nuk janë motor zhvillimi

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Prodhimi i Brendshëm Bruto po mbahet në këmbë vetëm nga rritja e pagave në administratën publike, ndërsa sektorët kryesorë që gjenerojnë rritje reale e punësim janë në rënie ose në stanjacion, në një sinjal që ekonomia ndodhet në udhëkryq. INSTAT bëri të ditur se Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, në tremujorin e dytë të vitit 2025 vlerësohet me rritje 3,51%, në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024. Ky është ritmi më i ulët i rritjes që nga tremujori i fundit i vitit 2023.

Bujqësia dhe industria, dy kontribuues të rëndësishëm në punësim mbeten me efekt negativ. Aktiviteti "Bujqësi, Pyje dhe Peshkim" kontribuoi me -0,46 pikë përqindje dhe "Industri, Energji dhe Uji" kontribuoi me -0,18 pikë përqindje.

Z. Ceko! Ekonomia shqiptare po ndryshon strukturën, duke i dhënë përparësi sektorëve si ndërtimi dhe turizmi, në vend të bujqësisë, blegtorisë dhe industrisë përpunuese.

Sipas INSTAT-it, bujqësia ka humbur pozitën e saj tradicionale si sektori më punëdhënës, duke u kaluar nga bashkimi i sektorëve të ndërtimit dhe pasurive të patundshme.

A është në interes të ekonomisë ky ndryshim?

Kur bëhet fjalë për strukturën e ekonomisë së një vendi në parim kjo strukturë nuk është e dhënë dhe e pandryshueshme dhe ajo nuk ndryshon rastësisht. Struktura ekonomike e një vendi zakonisht kalon nëpër cikle të qarta historike, në të cilat, zgjedhjet dhe zgjedhjet me natyrë politike janë po aq të rëndësishme dhe po aq vendimtare sa edhe kushtet ekonomike nën të cilat struktura e ekonomisë ngjizet.

Në aspektin historik, në vitet 1920–1939, pra, gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, nën drektimin e Mbretit Zogu, ekonomia shqiptare ishte kryesisht agrare. Dhe në ato pak panaire ndërkombëtare ku kjo ekonomi u përfaqësua, dominonin produktet bujqësore dhe blegtorale. Megjithatë në atë periudhë u bënë përpjekjet e para për institucionalizim financiar, për qëndrueshmëri monetare dhe për ndërtimin e infrastrukturës bazë.

Më pas, përgjatë tërë periudhës së ndikimit italian dhe më tej nën atë gjerman, pavarësisht kontekstit të një ekonomie koloniale dhe të ekonomisë së luftës, Shqipëria gëzoi një modernizim të shpejtë për kohën dhe në disa parametra makroekonomikë, në fushën e investimeve në infrastrukturë, kryesisht në rrugë, porte, energji, industrinë e lehtë dhe në aspektin e forcimit të administratës fiskale pati ecuri dhe zhvillime që vetëm pushtuesi mund t'i jepte në një kohë aq të shkurtër. Bëhet fjalë për një ekonomi me papunësi pothuajse zero (sipas të dhënave të kohës) dhe për pagë lehtësisht të krahasueshme me pagat e punonjësve të disa sektorëve të rëndësishëm në Italinë dhe Gjermaninë e asaj kohe, si në ndërtim, transport, kërkim, zbulim dhe nxjerrje mineralesh, etj.

Paradoksalisht, po shumë paradoksialisht, nga pikëpamja tepër strikte e strukturës ekonomike dhe e bilanceve publike të asaj kohe, që janë në dispozicion edhe të studiuesve aktualë, kjo periudhë mund të konsiderohet (disa studiues të huaj e konsiderojnë tashmë) si një ndër periudhat më të "rregullta" të ekonomisë shqiptare në dy shekujt e fundit, edhe pse ekonomia e Shqipëridë në fakt nuk ka qenë me natyrë sovrane në kuptimin politik.

Më pas, në periudhën e komunizmit krijuam një strukturë ekonomike reale dhe funksionale. Kjo në kuptimin klasik të ekonomisë, sektorëve të saj dhe amalgamën e forcave prodhuese dhe amalgamën e kapitalit, që nën një drejtim politik rreptësishtë të kanalizuar, sollën segmentimin e sektorëve të ekonomisë nën këtë linjë: bujqësi, industri përpunuese, energji, miniera dhe një zinxhir të plotë prodhimi. Në atë kohë, problemi i ekonomisë shqiptare nuk ishte struktura, por izolimi, mungesa e eficiencës dhe e efektivitetit, që të dyja sjellin produktivitetin. Problem ishte teknologjia që nuk mundi të rinovohej sipas cikleve të biznesit. Problem ishte shtetëzimi total dhe shtypja e iniciativës private.

Megjithatë, në vitet '90, edhe pse Shqipëria e pati mundësinë e shkëlqyer që të reformonte këtë strukture, ajo e shkatërroi.

-Pse e shkatërroi?

Kjo sepse në vend të ristruktiurimit zgjodhëm privatizimin. Në vend të kalimit të butë nga kooperativat dhe fermat e mëdha bujqësore në shoqatat e fermerëve, zgjodhëm Ligjin 7501 dhe modelin e fermave të vogla dhe tashmë kemi ferma të vogla me rreth 2 - 3 hektarë dhe secila prej tyre e ndarë në pesë a gjashtë parcela që janë larg nga njëra tjetra mesatarisht 5 – 6 kilometra. E si mund të quhet kjo një fermë dhe ai që drejton këtë një fermer dhe familja e tij një familje fermere? Privatizimi, i zgjedhur pa aspak kujdes si shpëtimtari i ekonomisë shqiptare, u bë pa marrë parasysh mundësinë e ristrukturimit, pa politika industriale dhe pa mbrojtje të kapitaleve prodhuese. Ekonomia që nga ajo kohë dhe deri më sot ka marrë tiparin e një ekonomie konsumi, me pothuajse aspak tipare prodhimi. Ndryshe nga Europa Lindore (Polonia, Çekia, Sllovenia) apo edhe Kina dhe së fundmi edhe Vietnami, që privatizuan duke ruajtur dhe modernizuar industritë, Shqipëria e zëvendësoi tiparin prodhues të ekonomisë së saj në veprimtari thjesht dhe vetëm tregtare, në nxitje të importeve dhe në pasjen e disa sektorëve tërësisht dhe thellësisht jo-produktivë. Ne ndërtuam magazina e kapacitete importi kur të tjerët ndërtuan kapacitete prodhuese konkurruese.

Në ditët tona, zhvendosja e ekonomisë drejt sektorëve të ndërtimit dhe të turizmit nuk është dhe nuk duhet parë thjesht dhe vetëm domosdoshmërisht si një problem në vetvete. Jo. Problem është mungesa e balancës edhe midis atyre sektorëve që ende i kemi në këtë ekonomi të shpërfytyruar. Përse e artikuloj kështu këtë konstatim. Sepse, ndërtimi nuk po udhëhiqet nga kërkesa reale, por nga (1) kapital i pashpjeguar, (2) çmimet spekulative dhe (3) mungesa e alternativave të investimit të orientuar. Sepse, turizmi në fakt po rritet, por nuk ka sektorë që t'a mbështesin. Bujqësia nuk është e lidhur me tregun dhe agrobiznesi punon me lëndë të para importi. Pra në këtë kombinim të pamundur bujqësi, agrobiznes, turizëm, mungon procesi i krijimit të vlerës përmes zinxhirit të furnizimit dhe prodhimi, monitorimi dhe planifikimi i sistemeve të prodhimit dhe të përcjelljes së produkteve dhe shërbimeve nga prodhuesi te konsumatori përfundimuar.

Ndërkohë, sektorë jo-produktivë ose me vlerë të ulët të shtuar, janë mbështetur dhe vazhdojnë të mbështeten në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, duke sjellë dëm kolosal në strukturën e ekonomisë shqiptare. Për shembull, për më shumë se 30 vite kemi mbështetur industrinë fason, që është një gabim shumë i madh  në nivel makro dhe mikro ekonomik, pasi edhe nëse një sektor duhet të mbështetet pasi mendohet se është premtues, kjo jo më shumë se 5 – 10 vite, e jo 30 vite me radhë. Ose, në vend që të krijojmë mundësi për shqiptarët që të investojnë vetë, paratë e tyre që kanë vendosur në banka ua marrim dhe i bëjmë bono thesari, për të financiar ëndrrat e netëve të verës të atyre që drejtojnë vendin por që asnjë prej tyre nuk ka qenë ekonomist me këmbë në tokë. Ose mbështesim ndërtimin, kur paratë për blerjen e apartamenteve të dyta mund të ishin bërë shumë mirë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Shto këtu edhe problematikën e krijuar nga firmat piramidale, keqmanaxhimi i financave përgjatë periudhës së pandemisë, etj. Të tëra këto gabime trashanike të krijoj në idenë e atyre parkingjeve ku në vend të makinave janë parkuar miliona e miliarda euro, që rrinë kot dhe nuk përdoren për asgjë për shumë e shumë vite.

Pyetja thelbësore pra, nuk është thjesht fakti apo ideja nëse ekonomia po ndryshon strukturë, por nëse kjo strukturë që tashmë e kemi, i shërben zhvillimit afatgjatë?

Dhe përgjigja është se pa industri të lehtë dhe ushqimore, pa industri të rëndë, pa bujqësi konkurruese, pa turizëm gjithëvjetor, pa krijueshmëri, pa inovacion dhe pa standard, ndërtimi dhe turizmi nuk janë motor zhvillimi, por janë thjesht dhe vetëm simptoma të një ekonomie që nuk di ku të investojë dhe si rezultat është e destinuar të dështojë në çdo hap që hedh, në cilindo drejtim që ta hedhë. Jemi në një rreth vicioz, që vështirë se do dalim me këto mendësi me të cilat drejtohet vendi dhe ekonomia jonë.

Shqipëria e së ardhmes që e duam të tërë, nuk mund të jetë vetëm ekonomi konsumi dhe një ekonomi ku të dominojnë vetëm shërbimet, edhe këto të cunguara, por ajo nuk mund të jetë as edhe një ekonomi e rëndë industriale klasike, së cilës i ka ikur koha me revolucionin e katërt industrial. Ekonomia shqiptare ka nevojë për një strukturë ku sektorët të jenë të mirë zhvilluar, të integruar dhe të mbështesin njëri tjetrin. Pra, modeli optimal për ekonominë shqiptare duhet të orientohet drejt një ekonomie prodhuese, të hapur, me orientim drejt eksporteve, me një rol aktiv të shtetit në ndërtimin e kapaciteteve dhe me një treg privat funksional.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (3) Rejhane Rexhepi: Bashkësia Shqiptare në Bosnje dhe Hercegovinë – Ura e kujtesës, kulturës dhe identitetit kombëtar në Sarajevë Asllan Dibrani – Luani: Bota përgatitet për banim në Hënë, hoxhë efendi – “akademik” Feti Mehdiu mbetet bredharak nëpër xhami Kalosh Çeliku: Babës t’i ngjash adet t’ia kalosh marifet Gjon Keka: Djegja e librit do të thotë rënie e njeriut në errësirë dhe në demonizëm Asllan Dibrani (Luani): Shqiptarët nuk djegin libra – alarm pa prova: kur feja keqpërdoret për përçarje Shefqet Dibrani: Portret i Mërgimtarit – Fatmir Thaqi Ilir Çumani: Paradoksi dhe amnezia politike e Ramës – kur dhuna dënohet vetëm nga karrigia e pushtetit Rrezart Kalaja: Kur Gazeta Impakt dhe Rexhep Elezaj shpallin luftë kundër shqiptarëve Milazim Zeqiraj: LDK pas Rugovës në udhëkryq mes trashëgimisë rugoviane dhe rrugës së re Asllan Dibrani – Luani: Reagim publik kundër shpifjeve, etiketimit ideologjik dhe propagandës antikombëtare të gazetës “Impakt Kalosh Çeliku: Patriotë të vonuar me brekë mbi pantollona Idriz Zeqiraj: Dr. Vjosa Osmani, presidente brilante e pakonkurrencë Florim Zeqa: Nga sot përballë dy kandidaturave! Isuf B. Bajrami: Qytetarët shqiptarë janë për një shtet të fortë ligjor dhe demokratik - prandaj nuk duan të përkulen para padrejtësisë së keqqeverisjes Fahri Xharra: Si u "krijuan" serbët në Bosnje dhe Hercegovinë? Adil Fetahu: Pushtimi i Tivarit dhe Ulqinit nga Mali i Zi Kastriot Bimo: Përse Enver Hoxha i flaku eshtrat e Skënderbeut?! Asllan Dibrani (Luani): Shteti Nën Sulm - Kujtesa Historike, Rreziku Aktual dhe Detyrimi Institucional Eduard M. Dilo: Faleminderit – një fjalë e vogël që mungon gjithnjë e më shumë

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx