Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli (2)
E enjte, 22.01.2026, 06:09 PM

Pergatiti Fritz RADOVANI: Pjesa II.
115 VJET
O, DED GJO’ LULI
PO EMNI
I YT ASHT
I PERJETSHEM!
115 vjet ma parë,.. Në vitin 1911 Kryengritësit Malësorë do të
arrijnë me armët e tyne dhe me gjakun e Martirëve të Lirisë me shkrue fletën ma
të lavdishme të Historisë mijëvjeçare të përpjekjeve për Liri, dhe mbi vorret e
Atyne Martirëve me ngritë, mu në qendren e Ballkanit të salvuem nga
osmanllijtë, Flamurin e Gjergj Kastriotit në Trojet tona Shqiptare, në Ata
Troje ku Liria, Atdheu dhe Feja janë visaret ma të çmueshme dhe ma të dashtuna
për Ata, që kur lindin pagëzohen me Atë Emen që ndër shekuj mburojë ju bane
Shqipnisë, e thirren Shqiptarë!
Ishte vetë prijsi i tyne Dedë Gjo’ Luli i pari që mori shpellat!
Janë 13 shtëpi, që mbas gjurmëve të Tij, u veshen
Bjeshkëve të Triepshit e, mos harroni se janë 13 kulla që flakrojnë nën rrezet
e diellit dhe të hanës e që shkelqejnë ndër tingujt e kangëve të Lahutës, tue
mos dijtë me pasë kurrë mort! Po kujt t’i ruhej ma parë Burri ynë, a turkut apo shkjaut,
kur hasmi na kishte rrethue në të katër anët? Malazezët arrijnë me e kapë dhe
me e interrnue për gjashtë muej Dedën...Nuk dihet prej askujt se shka i patën
dhanë me “pi” Atij Burri që kur u pat kthye prej andej, si dikur, ndër
legjenda, Malësorët që e rrethonin ndër kuvende e beteja kanë tregue se damarët
e kuq të gjakut iu patën ndërthurë rreth e qark trupit përbri shiritave të zez
të çakçirëve, sa kush pat fat me e pa atë ditë të 24 Marsit të 1911, kur Ai
u versul mbi anmikun, dukej bash si një Flamur Kuq e Zi, që valvitej prej eret
e murrlanit, i lëshuem turr si stuhija me shkye me duert e veta kulshedren
turke, apo anadollake siç e thirrte populli, poaq të tërbueme, që në disprim po
merrte ikjen dikund nga ujnat e ngrohta të Azisë plakë. Ishte lëshue e nuk
mbahej Dedë Gjo’ Luli. Hija e Tij u dukej e zhdukej ndër pallatet e Stambollit
edhe vetë sulltanëve, që filluen me folë përçartë. Po si menduen ata se mund të
kondendohej e të binte në paqë trupi i çuem peshë i Dedës me disa “lëshime” që
mendoi me i ba për me mujtë me e zbutë Malësinë atëherë Turqija dhelpnake?
U
bashkuen rreth Tij edhe 30 shtëpi, e jo vetëm nuk u pajtuen me mendimin e
turqëve, por i patën fjalët e pakta dhe të kjarta si drita që ndriçonte ato
maje: “Duem Liri të plotë për të gjithë Shqiptarët!”.
Bash
si një thikë u pat ngulë fjala e Tyne në zemrën e kalbun të Sulltanit, që
villte vner si gjysëmhana e flamurit tij kur ajo rroposte kombe e popuj...
U
pat mundue me lypë “gajret e derman” ndër haremet e veta, tue ua zhgulë prej
fytit gjerdanat e diamantët e çmueshme lavirave të Bosforit, për me mujtë me
“thye” Burrin e Traboinit, por nuk i banë “fajde”...Ishte kot, se as me i
mbledhë të gjitha plaçkitjet që u kishte ba të gjithë popujve bashkë, nuk i
delnin me thye Ate që tashma ishte çue në kambë e nuk ulej as ndër shiltet e
tija me kuvendue. Nuk i bante syni vek as për pare, as për pasuni, a thue se Ky
Burrë kishte le mu në pallatet e tyne i rrethuem në fildish...Nuk ia thente
synin as refleksi i rubinit e as i diamantit të unazave të tyne, mësa i shponte
zemrën fjala e tyne e dalun prej barkut, përzi në dishprim me helm, e shkrryeme
ndër shilte...
Të
gjitha iknin e zhdukeshin me tymin e llullës së Malësorit tonë sikur të ishte
tue ndigjue përralla pallatesh të kohës së “Nuhit”...
Asgja
nuk e këthente Dedë Gjo’ Lulin nga rruga e Herojve!
Edhe
konsulli i Turkisë në Podgoricë, i shtymë nga Bedri Pasha i Turkisë, i pat
premtue një rrogë mujore prej 2500 lira turke Dedës, dhe me i sigurue një punë
të mirë të birit, po as prej tij nuk u thye... Asnjë Shqiptar nuk besoj se di
me marrë me mend sesi një Malësor pa plang e pa
shtëpi, fukara që nuk kishte as bukën e gojës, arrin me u përgjegjë pa pikë
frike dhe me plot gojë, e madje tue ngritë naltë edhe zanin e Tij:
“M’i thoni Pashës e Mbretit se nuk jam mish që shitet në
krraba të kasapit. Ta dijë Mbreti se s’ ka aq pare sa me më thye!”
Kishte
mjaft nga ata që dukeshin trima edhe para e mbas Dedës, po “trimnia” e tyne
mbështetej nga siguria e karrigave e kolltukëve të tyne prej një forcës tjetër
që mëshefej mbas tij...Ndersa Dedë Gjo’ Luli, jo vetem nuk kishte kolltuk as
stol ku me u ulë, e as kurrnjëfarë sigurie mbas shkambit ku mbështetej me ba
një sy gjum, por kur u pat ndodhë në duert e malazezëve, Krajl Nikolla i pat
thanë: “Vend ma në Mal të Zi nuk ke”,
e kuptohet se Krajli kishte mendue me ua lëshue në dorë turqëve, ashtu si kanë
veprue me shumë Shqiptarë kur ia lypte interesi i vet, që i lidhte ma të fortit
kur kishin në mes tyne një Shqiptar...
Po
Deda çka u tha? A thue u frigue se nuk po gjente vend?
Ai
u pergjegjë sikur të kishte përballë një turk:
–
“Po
shpellat a m’i pret?” Heu Zot na ruej...Pa u tutë atje shkoi dhe bashkë
me trimat që e shoqnonin atje jetoi, mbasi Koka e Tij flinte ma e qetë e
mbështetun mbi cung të lisit, se ndër jastekë puplash...
E
ndoqën malazezët hap mbas hapi derisa e zunë dhe e patën çue në Danilograd, ku
e mbajtën dy muej. Provuen me e lodhë dhe me shumë djallëzi u përpoqën me e ba
për vete. Arritën deri aty sa vet Krajli i pat kërkue, mbasi vrejti se Deda nuk
thehet, “Të lutem, nëmos djalin ma fal!”, sigurisht, ky ishte premtim por edhe
peng! Deda, me një squtsi të madhe, arrijti me i dhanë përgjegje ate çka
Krajlit as nuk i shkoi nëpër mend:
“Djalin
s’ia kam falë Mbretit as nuk kam me t’ a falë ty! Jemi të Shqipnisë unë dhe
ai.” E jo larg kësaj ditë, me 29 Gusht, kur krahina festonte Festen e
Bajrakut, në Fushen e Tuzit, Dedës i vritet djali i vogël 22 vjeç, tue luftue
si Burrat me armë në dorë.
Tue
shfletue fletët e historisë së asaj kohë lufta e përgjakshme e Malësisë së
Mbishkodres filloi në Marsin e vitit 1911 dhe vazhdoi në të gjitha ato krahina
të pathyeshme shekullore deri në fundin e Gushtit të vitit 1912, ku nuk duhen
lanë pa u zanë në gojë edhe klerikët katolikë që morën rrugët ndër male bashkë
me Malësorët e vet besnikë, tue fillue nga Famullitari i Kastratit At Mati
Prennushi, Famullitari i Bajzës së Kastratit At Lorenc Mitroviq, Famullitari i
Grudës At Buonaventur (Buon) Gjeçaj, Famullitari i Vuksanlekaj At Karlo
Prennushi, Famullitari i Traboinit At Luigj Bushati e Famullitari i Rrapshës At
Sebastjan Hila, të gjithë bajtës të Nderuem të zhgunit të Shen Françeskut
t’Asizit. Këta fretën asnjë ditë nuk pranuen me jetue në mëshiren e
malazezëvet, por iu drejtuen Argjipeshkvit të Shkodres Imz. Jak Serreqit, i
cili pat qendrue dorjashtë për disa kohë, e ma vonë, me ndikimn e Imz. Luigj
Bumçit dhe Don Ndre Mjedjes, Famullitar në Kukël, vunë në dijeni Vatikanin,
njëkohsisht edhe me konsullin Austriak në Shkodër, u lidhën në Austri me
Arqiduken Franc Ferdinandi, tue i vue në dukje prirjen politike të Kryengritjes
së madhe të Malësorëve të Mbishkodrës.
Kleri
Katolik Shqiptar që ishte ndër ato Malësi kishte arrijtë deri aty sa me
deklarue se: “Në kjoftë se turqit përpiqeshin me depertue ndër rrethet kishtare
malore, ata do të kryesonin rezistencën me Kryq në dorë.” (The Times,
Wednesday, May 10, 1911.)
Tue
u ndodhë para një vendimi të pathyeshëm, Imz. Serreqi kje nisë në Cetinë bashkë
me At Gjergj Fishten, Luigj Gurakuqin dhe Don Ndre Planin, me marrë njoftimet e
duhuna nga Legata Perandorake.
Vendimet
e Qeverisë Turke nuk u përfillën fare nga Malësorët, kështu gjendja u acarue
edhe ma shumë, mbasi burrnisht nga ata u pat vazhdue pandërpremje lufta për
Liri të plotë të Tokave Shqiptare.
Trimat
e Malësisë nuk kanë kurrë djelm tepër, për mos me thanë se dhjetë me pasë krye
vitit, e prap kanë mangut. Atyne u duhen ashtu si Zoti shpesh ua ka falë
pambarim...
Melbourne, 22 Janar 2026. Vazhdon Pjesa
III
FLAMURI
I GJERGJ KASTRIOTIT U NGRIT...
Kishin
kalue jo vite, po shekuj kur Flamuri i Gjergj Kastriotit kishte ra nga
Kështjella e Krujës Heroike dhe bashkë me Heroin tonë Kombëtar ishin vorrosë
për me u kalbë. Shtërgata e robnisë turke kishte mbulue me brraka uji gjithë
Trojet tona, ku shuhej çdo ditë çdo virtyt dhe shpresë e Shqiptarëve. Ishin
përdhosë kështjella e kulla ku dikur ndër ato hatlla varej me madhshti Lahuta,
martina e huta; tashma ishin ba vetem vende të shkreta ku këndonte qyqja e
kulumrija...Ishin thye e ra përtokë deri ndër vorret e të parëvet Kryqat e
drunit të lisit e të çamit. Deri poshtë ku derdhej gryka e lumit ishin shue
shenjat e pushimit, vue nga dalta ndër shkambij. Shqiptarët, rrugë pa rrugë,
përditë e ma shumë zhyteshin në humnerën e mjerimit e të padijes. Dhuna kishte
shpërba edhe gurin e kthye në ranë, thonë disa, po vende-vende edhe në pluhun e
baltë të kuqe nga gjaku me të cilin mbruhej e njeshej për thundra të kuajve të
robnuesit, i cili krenohej ngallnjimtar mbi eshtnat e nxjerruna nga vorret e
shpuplueme, të shkapërndame e të tretuna në të katër anët. Mbi kumbonaret e
Kishave të vjetra monumentale ngrihej nalt një copë zhele robnije, që tregonte
se mbi këte “minare” nuk do të ketë kurrma Kryqa, dhe se Shqiptarët nuk do të
dijnë “asnjëherë” çka u pat mësue dikur Imzot Pal Engjulli i Drishtit, rrenuem
e ba rrafsh me tokë. Ishte shue jo vetëm rrezja e dritës së shpresës për Liri,
po edhe dielli ishte zanë nga një tymnajë e vransinë që njillte kob. Vetullat e
burrave ishin bashkue e ba hulli si t’u kishte shkrepë rrufeja në votër e
shkimë me farë e fis gjithshka që u kishte falë i Madhi Zot brez mbas brezi.
Vetëm kelkaza aty-këtu çilte ndonjë lule e vyshkej nën ferrat e morrizat e
pafarë që e patën mbulue këte Dhé të bekuem dikur,..ku, tashma as dallëndyshat
nuk vinin në stinën e tyne, se as pranverë nuk kishte ma! Zhegu aziatik i
kishte përvlue e zharitë si mos ma keq fusha e male e kthye në shkretinë, ku
ndonjë gomar fatzi kryente sherbimet e deves për pushtuesin barbar. Edhe qentë
e fshatit nuk lehnin ma, se portarja ishte thye natën kur ndër shtëpija kishte
msy e mëshef pabesia e shnderimi i robnuesit përbindsh. Burri nuk mbante ma as
gurin unur të trashiguem ndër shekuj me llullën e vet prej druni ku ishte ma i
forti, daltue nga çobajt fatzez që rritnin desht për me ua shtrue sofrat
rrumbullake “felëshuesëve”, të cilët shoqnonin ferlikun e rakinë me vallet
turke e kangët mortore të tymosuna nga flaka e zbehtë e drunit të pishës,
derisa dikur fillonte me dalë drita, e atëherë kujtoheshin për ndonjë pusi që
kishin vue ditën ma parë, e në të zbardhun të dritës, edhe pse ishin të
përgjumun, delnin ndër prita e ashtu në kllapi, kishin ndigjue kushtrimin e
ndonjë Malësori që kishte lajmërue se kishte lé një Djalë në oxhakun e vjeter të Gjo’ Lulit...
E
Baba i pat vue emnin Dedë, si ta kishte ditë se Ai Emen do të vinte dita e ka
me u daltue me shkronja t’ arta!
Emen
që u pat kallë mneren turqve e shkjeve, e besa, ma fort se askujt tradhëtarëve
të Atdheut e të Fesë së Gjergj Kastriotit tonë.
Mbërrijti
lajmi edhe ndër shtëpijat e vjetra të Shkodrës se Dedë Gjo’ Luli asht rritë e
ba Burrë e madje edhe i fortë...Kishte ba konak e votra e Tij mbushë prej Zotit
me djelm, me djelm të pashem e vigaj mali si Baba i Tyne, tashma në të
shtatdhetat vjetë...E brezi i tyne vetëm vezullonte nga dorcat e armëve që
rrethonin belin e drangojve. Sytë ua kishte dhurue Shqipja dykrenare! Mustaku i
shndriste si thupra e sermit që dredhej mbi kronin ku buronte fjala e Burrit...
Mbi sy binte vetem qeleshja e bardhë bilur si bora e majeve të Alpeve tona ku
sundonte ende vetëm Shqipja e kurrkush tjeter nën çatinë e vume nga dora e
Krijuesit!
Qielli
hapej e mbyllej nga vetëtimat e asaj pranvere, që ç’mos kurrë, dishka donin me
njellë e lajmërue n’ ato ana...Edhe dielli, që deri atëditë nuk kishte mujtë me
shkri as boren mbi majet e atyne maleve, filloi me vezullue e me ra edhe mbi
çatijat e shtëpijave, që kishin mbetë pa u shembë. Fyelli i barijve ndigjohej
deri larg ndër pyjet ku strofullat e arijve kishin fillue me u shprazë, se edhe
vetë bishat kishin marrë iken... Po, po, kishin fillue me marrë iken, se ndër
male ku ishin shue fiset e dalë faret Burrat e Atdheut, armët e tyne ishin
rreth brezit xhubletës e kishin zanë vendin e postavës e të sermit, që dikur
diftonin nusninë e tyne që edhe ajo vyshkej sa djali shkonte ushtar i dhunuesit
pashpirtë. Ata tashti ishin perkrah Burrave ndër male. Duert e tyne ishin ato
që kishin rrokë dikur ata filiza, që tashti ishin ba Burra e marrë malet, e
tash në krah të Atyne Burrave kishin rrokë armët e Lirisë së Atdheut! Ishte
dikund andej Nora e Tringa, ishte Kupe Danja e ishte Shota, ishte mbarë vajznia
e granija, ishin po lulet e zambakët e bardhë si bora, që kishin çelë edhe ata
ndër gur’ e shkambij bashkë me vjollcat e pranverës së 1911...
Ishin
Malësorët Shqiptarë, që i drejtonte një Dedë Gjo’ Lul!
Ishin,
po, Ata Burra që kishin shpalosë e nxjerrë nga dheu një Flamur të balsamosun me
gjakun e Heronjve e të ruejtun mbrendë thellë në vorrin e Gjergj Kastriotit, në
atë Vorr që asht edhe sot, i ruejtun nga Ata besnikë të përjetshëm, që me
duertë e tyne të Shugurueme tashti edhe Ata kishin rrokë Armën e Lirisë,
Kryqin, e Arma e Lirisë në duert e Shugurueme me Bagmin Shejtë nuk përdhoset
kurrma,.. kurrma!
Plasi
Toka Arbnore e mbi një Shkamb me emnin Deçiq u vue një Flamur i harruem ndër
shekuj. Vërtetë i harruem gati sa mos me u njohë, por i ruejtun dhe i mbrujtun
me Gjak të freskët Herojsh, që me një guxim të pashoq, e nxorën nga Vorri i
Shejtë, ku dhunuesi turk mendoi se aty e ka vendin, ku Ai do të kalbet e do të
shuhet përgjithmonë.
100 vjet ma parë, me 6
Prill 1911...Me Dedë Gjo’ Lulin...
Mbarë
Malësia me armë në dorë u rreshtue me e mbajtë nalt!
I
madh e vogël pa kursye as jeten e vet u banë mburojë!
Atdheun
filloi me e rrah flladi i freskët i Lirisë!
Fitorja
e shpërblyeme me gjak ndër shekuj erdhi!
Urata,
lutja, kanga e falnderimi ndaj të Madhit Zot s’ pushonin!
Secili,
sa kishte forcën, me një kurban i rrinte pranë shtizës...
Pikë
lotit nuk shihej n’ Atë vend, veç gaz e hare në sytë e Atyne Burrneshave që
këndonin e shkrepshin armët...
Edhe
gratë me të zeza e gjetën një “shenjë” me u gazmue!
Aty
pranë në trungun e një gështenje gjuhej në shej një kapicë...
Sa
andej këndej kriste bataria e Malësorëve e zanet ma të forta e të fuqishme thenin heshtjen
shekullore me ushtimën e tyne ndër ato maje malesh, tue jehue e tue u derdhë me
jone hyjnore drejt Qiellit paster me një Kushtrim të pafund, që zbriti ndër ato
lugina të prarueme e u bashkue me valët e dallgët e harrlisuna të Adriatikut...tue
zgjue mbarë një Europë:
“Oooo...
Burra bre... çonju se Flamuri i Gjergj Kastriotit u ngrit edhe njëherë në Tokën
Arbnore!...”
Ai u ngrit për mos me zdrypë kurrma,..kurrma!
Tingujt e Lahutës...vazhdonin Kangët e veta...
Melbourne, 14 Janar
2026 Vazhdon Pjesa II.









