E merkure, 14.01.2026, 11:06 PM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: 115 vjet, O Ded Gjo’ Luli

E merkure, 14.01.2026, 06:57 PM


Përgatiti Fritz RADOVANI – Pjesa I

115 VJET

O, Ded Gjo’ Luli

Ded Gjo’ Luli (1840–1915)

Po emni i yt asht i përjetshëm!

Një emën që, tue mos pasë pranë asnjë epitet, nënkupton në vetvete: Shqipninë, Flamurin, Malësinë, Hotin, Burrninë, Trimin e Traboinit, nderën, vetflijimin për Atdhe dhe, së fundit, “shpifjet dhe harresën”...

Kur mësuem këtë emën, na dukej se bahej fjalë për një person që e kishim ndigjue dikund… ndoshta ndër përralla, mbasi nuk kishim ide se një malësor nga Hoti mund të detyronte një sulltan të Stambollit me i kërkue “marrëveshje”… e ndoshta edhe me e peshue me monedha ari. Asnjëherë nuk shihej as flamuri i tij, edhe pse Foto Kel Marubi e kishte fiksue në xhamat e vjetër të studios së tij.

Dikund ndër skuta të shtëpisë e kishim edhe një fotografi “të mbetun”, ma shumë se të ruejtun, mbasi kontrollet e vazhdueshme të sigurimit komunist kishin marrë me vete çdo foto që kishte një njeri me armë ose të veshun ushtarak. Për fat, Deda ishte i veshun me çakçir; nuk ua pat tërheqë synin e tyne “vigjilent”.

Herën e parë këtë emën e pata ndigjue nga një grue e veshun me rroba të zeza, që pat ardhë për vizitë në shtëpinë tonë. Ajo ishte jo aq plakë sa e bante shamija e zezë mbi kokën e saj dhe fytyra e lodhun nga qendresa për mos me kja për vrasjet e djelmëve të saj, nga stuhija e ardhjes së komunistave me ernat rrënuese të Serbisë, që ajo i njihte me kohë, kur ishte kenë vajzë e re. Ishte Katrinë Tomja… edhe sot kujtoj ata dy sy shqiponje, apo të ndonjë sfinksi – nuk mund ta përcaktoj – por pa i shtue asgja nga fantazia ime fëminore, ata ishin sa një filxhan kafeje dhe të zezë si futa, që i mbështillte fytyrën e skalitun si ndër vepra arti që shfletojshe në libra, por gati pa kuptue asgja.

Ajo i foli nanës sime për qëndresën e saj, se “grueja apo vajza malësore e ka për turp me u pa një pikë loti tue i ra nëpër faqet e saj, kjoftë edhe për djalin e vetëm…”. Kjo bisedë më tërhoqi vëmendjen, mbasi nuk ishte larg nga koha e vdekjes së babës dhe unë po mendojshe se cilit fis i përkiste nana eme, që porsa zente me gojë emnin e babës, i shkonin lotët rrëkajë. Kur iku, e pyeta nanën pse nuk i shkonin lotët asaj kur bisedonte për djelmët e vet të vramë nga partizanët, dhe nana më tha shkurt: “Ajo asht një nga burrneshat që ka luftue vetë me armë në dorë… ndër male kundër serbëve!”

Ma vonë jam kujtue pse ndër male nuk qajnë femnat tona: se atyne u asht pjekë syni nga duhma e barotit në beteja të rrebta përkrah trimave të vet malësorë.

Ishte viti 1961 kur pata fatin me kalue ndër duert e mia një nga gazetat ma të njohuna shqiptare, “Ora e Maleve”, aso kohe rrebtësisht e ndalueme me u lexue. Por për me dashtë me ditë kush asht kenë ai burrë me emnin Dedë Gjo’ Luli, aty mundesh me gjetë esencën e veprës së tij, të shprehun në pak rreshta, por të saktë, ashtu si të gjithë dokumentat që përfshihen ndër ato faqe. Sigurisht, tue lexue aty gjen edhe fakte ende të panjoftuna ose të lanuna më njëanë me qëllim të keq, që ma vonë me u arkivue në “harresë”.

Deri këtu do të ishte diçka edhe e pranueshme me rrugën e vështirë që vazhdon me ecë historia e vërtetë e popullit shqiptar, ende e pashkrueme, por ajo ma e keqja asht shtrembnimi i fakteve historike. Kjo më ka shty me u ulë me shkrue këta pak rreshta për mikun e shtrenjtë të të parëve të mi, që në ato ditë të shenjta të marsit 1911 ishin përkrah Dedë Gjo’ Lulit.

Dedë Gjo’ Luli asht le aty rreth vitit 1840. Kur mungon data e saktë në artikujt e klerikëve, ajo datë asht e pamundun me u gjetë. Edhe ata e tregojnë jetën e tij nga goja e njerëzve të afërt të Dedës, në gazetën “Ora e Maleve”, dokument të cilit i jam referue pa frikë. Vendi ku çeli shqipja këtë vigan asht Mali i Traboinit. Ishte djalë i vetëm. Gjithmonë Shqipnia ka pasë fatin e saj me u mburrë me “relike” të vetme…

Koha e Miletit asht ajo që zen fillë emni i tij, kur me Preng Bibdodën, Çun Mulen e Hotit, Hodo Begun, të famshmin Marash Ucin e sa perla tjera të “Lahutës së Malësisë”, me të cilat At Gjergj Fishta i vuni në gjoksin e nanës së vet Shqipni gjerdanin e artë të lavdishëm dhe të përjetshëm të tyne, në betejat e përgjakshme kundër turkut.

Atëherë kur Hafiz Pasha i Turqisë së plotfuqishme u pat kërkue armët malësorëve, bash ato “dreq” armësh me të cilat u ka dalë punë të gjithëve, Deda mori malet bashkë me disa burra që historia e sotme e Shqipnisë nuk i njeh: Sokol Bacin, Smajl Martinin, Dedë Preçin, Keqa Prelen, Dulo Staken. Për dy vjet patën shkue ndër bjeshkë të Krasniqes, në shtëpinë e një tjetër emni të “harruem”, Qazim Binakut.

Pas formimit të Lidhjes së Prizrenit, qetësia e Perandorisë Osmane kishte marrë fund njëherë e përgjithmonë. Malësorët nuk i mbante ma as frika, as huni, as “premtimi”. Lufta e tyne për liri ishte ndezë në të katër anët. Flaka kishte përfshi Hotin, Grudën dhe Kastratin.

Të gjithë kishin rrokë armët. Beteja ma e rrebta u ba në Traboin, në Qafën e Kishës dhe në Spi, ku Dedë Gjo’ Luli u pat tregue anmiqve të Shqipnisë se kush asht shqiptari i “ringjallun”.

Asht pragu i një ringjalljeje të madhe. Po rilindte një popull i nëpërkëmbun, për mos me u shtrue e mos me u shue kurrë. Ky ishte populli shqiptar që trandi Ballkanin.

Ishte viti 1910, kur Trimi i Traboinit, me vullnetin e tij prej çeliku, ndodhej mes kryengritësve të Malësisë së Madhe (Malësisë së Mbishkodrës), dhe len trollin e vet për mos me u kthye kurrë, më 29 korrik.

Melbourne, 14 janar 2026

Vazhdon Pjesa II



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx