E hene, 12.01.2026, 11:43 PM (GMT)

Kulturë

Prend Buzhala: Ramiz Kelmendi, udhët e krijimit

E hene, 12.01.2026, 06:57 PM


RAMIZ KELMENDI, UDHËT E KRIJIMIT

(Shkrimtar zhanresh)

NGA PREND BUZHALA

Përkundër zhvillimit të letërsisë shqipe në Shqipëri, e cila kishte traditë dhe përvojë të konsoliduar periudhash, metodash letrare, stilesh e formacionesh stilistike etj, Letërsia shqipe në Kosovë menjëherë mbas luftës në Kosovë kishte ende një varfëri e mungesë temash, idesh, interesimesh e preokupimesh krijuese, pa përvojë individuale a të përbashkët, apo shkrimtarë që do të ishin shquar e njohur në shtresat e lexuesve me ndonjë vepër. Shkaqet do kërkuar në pengesat që kanë sjellë pushtimet e gjata turke e serbe, ndërsa kujtesa për Letërsinë e Vjetër Shqipe, apo për shkrimtarë si Gjeçovi me shokë, ishin të zbehta, ndërkohë që autorët e mirëfilltë ose u ndoqën, ose u penguan ose u pushkatuan, ose u dëbuan. Proza u nënshtrohej didaktizmit e patosit, disponimit politikisht revolucionar e moralisht utilitar[1] me elementin e entuziazmit që e përshkonte prozën e Sitki Imamit, Hivzi Sulejmanit, Sinan Hasanit, Rexhai Surroit, Zekeria Rexhës etj[2] në skenë kërkohej të dilte gjenerata e re, kësaj artdhe, e përfaqësuar nga emra si Ramiz Kelmendi, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Din Mehmeti, Anton Pashku etj. Që do ta përbëjnë etapën e realizmit e të lirizmit[3], të cilët, me krijimtarinë e tyre në prozë (ashtu sikundër edhe në poezi), do ta shprehin botën e personazheve të ngarkuar me brenga e gjymtime psikike e mendore, ku, si veçori e shprehjes, shquhet monologu i brendshëm[4], kryesisht në trajtën e rrëfimit në veten e parë. Te këta krijues hetohet “njëfarë tendence për shprehje moderne... që ka bazën e letërsisë së angazhuese.”[5] Letërsia shqipe e Kosovës ishte vënë në rrugën e zhvillimit sadopak dinamik, kurse proza e Ramiz Kelmendit, në këtë kohë, e përfaqësuar së pari me librin “Vija e vrragë” e, më vonë, me atë “Dy rrëfime”, po i hapte, si është thënë me të drejtë, hapësira të reja tematike e shprehëse tregimit shqiptar ndër ne. Nuk haset këtu ballafaqimi socrealist i të vjetrës me të renë a anasjelltas, nuk haset as etika socrealiste e njeriut të punës. S’është më ai njeriu i entuziazmit e i vrullit revolucionar, ai ballafaqimi i botës së re me të vjetrën, i dënimit të zakoneve të vjetra, prapanike, e i afirmimit të virtyteve kombëtare, i etikës së re shoqërore e i njeriut të punës. Jo, pra. Ky personazh tashmë është i ngarkuar me dilema tjera, i dalë shpesh prej një situate tragjike, i kapluar prej dhembjes, vetmisë, pikëllimit e prej ankthit, nga i cili vështirë çlirohet; i kapluar prej një të kaluare të ankthshme dhe, në mënyrë të theksuar, për herë të parë në këtë letërsi haset në tregimin artistik të Ramiz Kelmendit. Këtë mënyrë të shprehjes shkrimtari do ta përdorë deri në vitin 1966, kur do të botohet vepra satirike “Letra prej Ulqini”.

1. Ramiz Kelmendi tregimtar

Në letërsinë e sotme shqipe ka një dorë shkrimtarësh, të cilët vokacion kryesor ideokrijues e kanë tregimin artistik, sikurse janë Naum Prifti, Anton Pashku, Sotir Andoni, Tajar Hatipi, Tedort Laço, Agim Cega, Daut Demaku etj. Në veprimtarinë pasur të tregimit të sotëm shqiptar, zë vepra letrare e Ramiz Kelmendit. Tregimi i tij artistik është i lidhur me, pothuajse, të gjitha fazat e letërsisë shqipe në Kosovë[6] si shkrimtar i brezit të dytë[7] është i lidhur me ngjarje e situata që kanë ngjarë tek ne mbas Luftës së Dytë Botërore, për shkak se ky tregim është bërë përcjellës i këtyre ngjarjeve e situatave. Ky tregim është i lidhur, po ashtu, me fatin e me formimin e lexuesit të këtyre trevave etnike, me afirmimin e prozës sonë në relacione jashtëkosovare, si dhe me ndikimin e saj që mund të ushtrojë kjo prozë te tregimtarët tjerë shqiptarë.

2. Veprat, proza tregimtare

Në arsenalin e tregimit tonë, Ramiz Kelmendi hyri si krijues në fillim të viteve ’50 të shekullit XX. Tregimi i parë që e botoi më 28 mars të vitit 1954 në gazetën “Rilindja”, mban titullin “Barka e peshkatarit”[8]. Mbas botimit të këtij tregimi, ai do të jetë bashkëpunëtor i rregullt (kur edhe zë ta formojë individualitetin krijues) i faqeve të prozës nëpër të gjitha revistat e gazetat që botoheshin te ne. Takimin me lexuesin mban gjithnjë të gjallë, sado që nganjëherë “është tjetërsuar nga krijimtaria dhe aq herë i është kthyer rishtazi me pasione të reja dhe me mundësi të reja të shprehjes”[9]. Në një mënyrë ose tjetër, këtë gjë e dëshmojnë edhe vitet e botimit të librave: libri i tregimeve “Vija e vrragë” është botuar më 1958, kurse novelat “Dy rrëfime” më 1962, tregimet satirike “Letra nga Ulqini” më 1966, vëllimi me tregime “Ahmet Koshutani” më 1972, kurse dy vëllimet tjera “Njerëzit dhe kërmijtë” dhe “Suzana” më 1978. Përvoja e pasur letrare dhe individualiteti krijues i Ramiz Kelmendit, është kompletuar dhe pasuruar edhe me forma të tjera të krijimtarisë letrare e jetësore. Kështu, gjasë viteve ’50 botonte në vazhdime në revistën “Jeta e re”, romanin “Kur kositen livadhet”, i cili u botua i ripunuar më 1971, me titullin “Heshtja e armëve”. Më 1967 kishte botuar udhëpërshkrimet me titull “Rrugët”, ndërsa libri i tregimeve të zgjedhura “Abrakdadabra” (1974) rrumbullakëson një përvojë të pasur tregimtare, por është rrumbullakësim edhe i një shprehjeje që është përsosur e ngritur vazhdimisht, por që e ka ruajtur vazhdimisht, por që e ka ruajtur gjithnjë atë zërin e vet personal, origjinal, atë artin ramizian, do të thoshim. Ndërkaq, më 1975 ka botuar studimin serioz e të vlefshëm “Tregimi ynë humoristiko-satirik”, më 1978 prozën “Suzana”, kurse më 1981 veprën “Kapuç me mëngë”, në të cilën janë përfshirë lojëra skenike, monodrama, pjesë me një akt, skeçe e monologë. Ndërkaq, më 1990 “Rilindja” ia boton kompletin e veprave në tetë vëllime, në të cilin komplet për herë të parë botohen veprat “Kokrra kripe” dhe “Fytyra dhe turinj – polemika në letrat shqipe”. Është jashtëzakonisht i pasur arsenali i tij publicistik edhe gjatë viteve ’90, i cili vazhdon të pasurohet edhe sot.

Të gjitha shkrimet e Ramiz Kelmendit, pa marrë parasysh zhanrin e tyre, i karakterizon uniteti e afria stilistiko-gjuhësore e kompozicionale, po edhe uniteti i domethënies. Afria qëndron si në aspektin tematik, pra, si edhe në atë stilistik; si aspektin origjinal të vrojtimit të problemeve, ashtu edhe në atë të preokupimeve krijuese. Ky unitet lexohet edhe në aspektin e përsosjes, të fisnikërimit e të thellimit të shprehjes. Pra, kemi të bëjmë me zërin e me stilin që, lirisht, mund të quhet ramizian.

Shikuar kjo shumësi aspektesh, përvoja prej tregimtari prej disa deceniesh, shtron probleme të shumta e interesante edhe për studim e interpretim të prozës së tij tregimtare. Është thënë me të drejtë se Ramiz Kelmendi është shkrimtar karakteristik dhe i talentuar, se “asnjë prozator në këtë pjesë të letërsisë shqipe, nuk është zhvilluar sipas një gradacioni kaq të thelluar dhe kaq të dukshëm në rritjen e vet krijuese” Kritikë dhe studiues jo të paktë kanë shkruar për veprën letrare të këtij shkrimtari dhe secili prej tyre i ka vërejtur këto faza zhvillimi, sidomos në llojin e tregimit të shkurtër. Kjo gjë edhe është e arsyeshme, kur kemi parasysh atë që e përmendëm më parë.

Për deri sa proza e Anton Pashkut i mbetej besnike procedeut modern, kjo e Ramiz Kelmendit gërshetonte si procedeun modern, si atë tradicional realist, po gjithnjë vjen duke e thelluar atë bashkëkohor; kurse tregimi i Sotir Andonit që ndjek procedeun tradicional realist, është i mbarsur edhe me një humor të gjallë, të hollë, me një thjeshtësi kompozicionale e me një grumbullim problemesh brenda hapësirës së një tregimi.

Të vështrosh profilin e tregimtarit Ramiz Kelmendi, do të thotë të vësh në pah jo vetëm rrugën krijuese, zhvillimin e ligjërimit narrativ-tregimtar, rrathët gjithnjë të zgjeruar të temave, ideve e problemeve, ideve e problemeve, apo motivikën e motivacionin e nduarnduartë; por kjo do të hetosh edhe unitetin krijues. Së këndejmi, do të vëresh se të gjitha këto tregime, të përbashkët e kanë vizionin satirik për botën jetën dhe njeriun. Mbase, shkrimtari e konsideron tregimin, ndër të tjera, edhe si trajtë të veçantë të angazhimit letrar, dhe, pse jo, edhe si trajtë të angazhimit shoqëror, me misionin e veçantë për fisnikërimin e shpirtit të njeriut.. Aty rri shprehja tregimtare e zhvillimi i saj, por aty janë edhe zgjerimi e pasurimi i preokupimeve tematike e problemore, si për botën e veçantë dhe specifike të protagonistëve të kësaj proze,. Më në fund, kjo rrugë krijuese shtron edhe domosdoshmërinë e vështrimit të aspekteve të shumta të poetikës së këtij tregimi. Ai do ta detyrojë lexuesin ta përjetojë katarzën e tij: ja, këto ishin jeta e kohët tona, këta janë njerëzit që ishin pjellë e këtyre kohëve; e ti, mos u zhyt në vrragët e saj, mos u bëj “kërmill” i saj, por luftoji vrragët me shpirtin dhe ndërgjegjen e njerëzve të kohës, luftoji njerëzit kërmij që zhyten në pellgun e pasioneve të ndyta e të ulëta! Zaten, ky mesazh përbën edhe patosin human të artit letrar, por e përbën edhe angazhimin specifik të tregimtarit.

3. Romansieri

Ramiz Kelmendi deri më tash ka botuar dy romane: "Heshtja e armëve"[10] dhe "Shtatë persona ndjekin autorin"[11]. Kur po botohej në vazhdime në faqet e revistës "Jeta e re" (në vitet 1959-1960) romani me titull "Kur kositen livadhet", lexuesit pritën gjatë për ta pasur në dorë këtë roman. Në të vërtetë, ky roman është shijuar edhe në një formë tjetër, të dramatizuar e të emituar në trajtën e radiodramës në Radio Prishtinë, në ato vite kur nuk kishte Kosova rrymë elektrike, por, së paku dy-tri radio aparate mund të gjendeshin në një fshat. Dhe të rinjtë, kur ishte koha e emetimit të kësaj radiodrame, mblidheshin për ta dëgjuar emetimin e saj; e përjetonin thellësisht frymën tematike e sidomos atë erotike, mu në kohën kur erotika ishte tepër e ndrydhur dhe e mënjanuar nga jeta shoqërore e familjare, në kushtet e një patriarkalizmi të thellë e të një analfabetizmi ende evident. E folura e rugovasve, e barinjve dhe bareshave, ishte mjaft tërheqëse, si me paraqitjen e realitetit, si me vjeljen e frazave, formulësimeve dhe urtive popullore. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh përplasjet e një mendësie të re emancipuese kundruall prapambeturish shekullore, autori nuk kishte se si të mos e trajtonte temën e fejesave të dhunshme që në djep, atë të hakmarrjes në bazë të Kanunit, nga njëra anë, si dhe depërtimin e së resë, arsimimin e sidomos dashurinë e lirë, e cila bëhet shkas tematik e i përjetimeve dramatike të këtij romani.

Vitet ’70 në letërsinë shqipe të Kosovës shënojnë një renesancë të papërsëritshme të romanit bashkëkohor. Në radhën e romansierëve që zunë të formojnë individualitetin e tyre krijues prej prozatori, me zëra të veçantë si Anton Pashku (me romanin “Oh”), Rexhep Qosja (“Vdekja më vjen prej syve të tillë”), apo me romanet e Murat Isakut, Abdylaziz Islamit; apo me ato të një brezi më të ri të atyre viteve si ato të Teki Dërvishit, Musa ramadani, Beqir Musliut, Jusuf Buxhovit, Zejnullah Rrahmanit, Ibrahim Kadriut, Ymer Shkrelit etj; Ramiz Kelmendi po vinte me një roman të ri me titullin “Shtatë persona ndjekin autorin”, me të cilin shënon një fazë të re krijuese të këtij zhanri letrar jo vetëm në kuadër të krijimtarisë së tij në prozë, por përgjithësisht në suazat e rrjedhave të letërsisë shqipe bashkëkohore.

Duke qenë autor që krijon zhanrin, që përfill larminë e zhanrit, si prirje moderne e postmoderne, një zhanërkrijues i mirëfilltë; Ramiz Kelmendi ia lë në dorë lexuesit që akëcilën vepër ta lexojë lirshëm edhe si roman-kronikë humoristike, sikundër është vepra “Suzana”.

4. Përkthimet

Aktivitetin e gjithanshëm në fushën e letrave, Ramiz Kelmendi e ka ushtruar edhe me anën e përkthimeve të shumta të veprave të shkrimtarëve të shquar të letërsisë botërore, krijimtaria e të cilëve, në një mënyrë ose tjetër, i përgjigjet edhe vokacionit krijues të tij. Përktheu Franc Kafkën, Heminguejin, Zhan Pol Sartrin, shkrimtarin e njohur kolumbian Markezin, po edhe shkrimtarë jugosllavë si shkrimtarin slloven Prezhihov Voranc, atë kroat Marinkoviq etj.

Ja si duket pasqyra e pasur e këtyre përkthimeve, nga letërsia botërore e nga ajo jugosllave:

I. VËLLIME ME TREGIME:

1. Bernard Sho: Aventurat e zezakes derisa ka kërkue zotin,“Jeta e re”, nr. 5-6/1950, f. 358-366.

2. Ranko Marinkoviq: Duert,“Jeta e re”, nr. 1-2/1955. f. 66-67.

3. Ivo Andriq: LOJA, “Jeta e re”, nr. 6/1956, f. 507-511.

4. Ernest Heminguej: PLAKU E DETI DHE TREGIME TË TJERA, “Mustafa Bakija” Prishtinë, 1958, f. 336 (bashkë me Masar Murte­zain).

5. Tregime moderne amerikane, “Rilindja”, Prishtinë, 1958, f. 336 (bashkë me Masar Murtezain).

6. Xhejms M. Bari: PJETËR PANI “Rilindja”, Prishtinë, 1959, f. 100.

7. Prezhihov Voranc: MUNDQARËT, “Rilindja”, Prishtinë, 1963, f. 210.

8. Ranko Marinkoviq: Duert, “Rilindja”, Prishtinë, 1963, f. 264.

9. Mishko Kranjec: NOVELA, “Rilindja”, Prishtinë, 1963, f. 269.

10. Xhek London: JEHU I EGËRSISË, “Rilindja”, Prishtinë, 1964, f. 100.

11. Antonije Isakoviq: FIERI DHE ZJARRI, “Rilindja”, Prishtinë, 1965, f. 265.

12. Jurij Kazakov: ADAMI DHE EVA, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 221.

13. Danillo Kish: ENCIKLOPEDIA E TË VDEKURVE, “Rilindja”, Prishtinë 1988, f. 180.

II. ROMANE

1. Franc Kafka: PROCESI, “Rilindja”, Prishtinë, 1972, f. 236.

2. Mihail Sadoveanu: DEGA E ARTË, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 213.

3. Gabriel Garsia Markes: NJËQIND VJET VETMI, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 437.

4. Milan Kundera: SHAKAJA, “Rilindja”, Prishtinë, 1979, f. 357.

5. Xhorxh Oruel: 1984, “Rilindja”, Prishtinë, 1980, f. 341.

6. Ranko Marinkoviq: BANJA E PËRBASHKËT, “Rilindja”, Prishtinë, 1981, f. 190.

7. Gynter Gras: DAULLJA E LLAMARINTË I-II, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, f. I-391 dhe II-343.

8. Oskar Daviço: FSHEHTËSITË, “Rilindja”, Prishtinë, 1985, f. 495.

9. Karlos Kastaneda: DHUNTIA E SHQIPONJËS, “Rilindja”, Prishtinë, 1986, f. 321.

10. Ernesto Sabato: MBI HERONJTË DHE VARREZAT, “Rilindja”, Prishtinë, 1987, f. 6l3.

11. Mesha Selimoviq: TRISHTIMI DHE GAZI, “Jeta e re” nr. 5/1982, f. 821-832.

12. Hana Dalipi: NJË FUNDJAVË TE NËNA, “Buzuku”, Prishtinë, 2010.

13. Natali Sarot: PORTRETI I NJË TË PANJOHURI, gazeta “Rilindja” (në vazhdime), 1981, “Buzuku”, Prishtinë, 2010.

III. DRAMA

1. Zhan-Pol Sartër: DUART E NDYTA, “Rilindja”, Prishtinë, 1971, f. 261.

2. Zhan-Pol Sartër: KATËR DRAMA (bashkë me Eqrem Bashën), “Rilindja”, Prishtinë, 1982, f. 308.

3. Miroslav Kërlezha: GOLGOTA, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, f. 156.

4. Alber Kamy: KALIGULA, luajtur në TPK.

5. Zhan-Pol Sartër: LAVIRJA E DENJË PËR RESPEKT”, luajtur në TPK.

6. Domenik Smole: ANTIGONA, luajtur në TPK.

7. Mesha Selimoviq: DËRVISHI DHE VDEKJA, luajtur në TPK, etj.

IV. PUBLICISTIKË

1. Svetozar Markoviq: SERBIA NË LINDJE, “Rilindja”, Prishtinë, 1982, f. 142.

2. Karlo Shtajner: KTHIMI NGA GULAGU, “Rilindja”, Prishtinë, 1983, f. 364.

Pos këtyre veprave, ka përkthyer mbi 20 drama të autorëve të ndryshëm, jugosllavë e botërorë, që janë luajtur në skenat e Teatrit Popullor të Prishtinës dhe të Teatrit të Kombësive në Shkup.[12] Kritika letrare e kohës, sidomos ajo e Hasan Mekulit[13], duke i prezantuar shumicën e këtyre veprave të përkthyera në shqip nga Ramiz Kelmendi, veçojnë kënaqësinë e përjetimit të leximit nëpërmes përkthimeve të zhdërvjellëta e me frazeologjizma të pasura të shqipes, sidomos në fazën, kur ende shqipja nuk ishte e standardizuar, kurse më vonë Ramiz Kelmendi këtë frazë do ta pasurojë edhe me shprehje më standarde të vjela nga të folmet jugore të shqipes (toskërishtja). Me këtë rast do veçuar prirjen tjetër të Ramiz Kelmendit: që të përkthejë autorë e vepra që kanë vlera të shquara letrare, si dhe vepra publicistike që kanë rëndësi për të vërtetën shqiptare. Po qe se ndalojmë për një çast dhe bëjmë një përqasje kohësh, dje dhe sot, do thënë që ofrimi i këtyre autorëve e veprave lexuesit shqiptar, nga ana e Ramiz Kelmendit, e ka luajtur rolin e vet të jashtëzakonshëm e të shumëfishtë kulturor dhe historiko-letrar. Nëse tek mbas viteve ’90 e këndej përkthyes të shumtë nga Shqipëria ia ofrojnë publikut tonë veprat e autorëve botërorë, këto vlera estetike e letrare lexuesi shqiptar i Kosovës i kishte përjetuar disa dekada më parë. Së këndejmi, dhe një emancipim estetik. Dhe një histori e repetimit letrar, nesër, nuk do të mund të shkruhej, pa evidentimin dhe zbërthimin e kësaj pune, pse jo, edhe titanike, të Ramiz Kelmendit. Mirëpo, ndryshe nga përkthyesit e shumtë të sotëm që i hasim në institucione me peshë, që kanë mbushur qarqet e autoritetshme me të huaj, apo që përkthejnë çfarëdo materiali politik, apo duke përkthyer ligje, dokumente, shkresa, me përmbajtje qytetare, demokratike, apo kulturore, politike etj et; Ramiz Kelmendi ka lëshuar që moti thirrmën e tij për njohjen e shqipes standarde, për vjeljen e pasurisë frazeologjike të saj, për pasurimin e frazës me regjistra të pasur leksikorë. Sado që të gjitha veprat e autorët janë përkthyer nga gjuhët kroate e serbe, megjithatë, lexuesi do ta vërejë prirjen e Ramiz Kelmendit për t’i dhënë veprës artin e tij të thënies; e ku gjuha fiton në dinamikë, me forcën e komunikimit artistik. Ndryshe, Ramiz Kelmendi nuk do t’ia kishte arritur kësaj veprimtarie kaq të përgjegjshme, sikur të mos e kishte kultivuar me aq kujdes njohjen e kulturës, psikologjisë, historisë e trashëgimisë së atij populli, prej nga vjen vepra me autorin e saj. Ndërkëmbimi, në këso rastesh, arrihet i plotë, i ndërmjetvetshëm: së andejmi merr kodet e fshehta të vlerave gjuhësore, së këndejmi ato mveshen me shpirtin e filozofinë gjuhësore të kombit tonë. Nuk është e habitshme, prandaj, përse Heminguej, apo tregimtarët amerikanë, autorë të shquar botërorë si Xhek London, Danillo Kish, Franc Kafka, Gabriel Garsia Markez, Milan Kudnera, Ranko Marinkoviq (shkrimtar kroat), Gymtert Gras, Ernesto Sabato, Karlos Kastaneda, Mesha Selimoviq (shkrimtar boshnjak), Natali Sarrot, Zhan Pol Sartr, Miroslav Kërlezha, Alber Kamy etj ligjërojnë e flasin shqip me qartësi, me finesë, me kthejlltësi, me thellësi përshkrimi a meditimi, me nuancat aq të ndjeshme stilistike që mund të hasen tek vepra origjinale. Kësisoj, veprat e autorëve të shquar evropianë, amerikanë, jugosllavë e të regjioneve të tjera gjuhësore, sado që vinin nëpërmes përkthimit të një gjuhe të dytë, ato po sillnin tek lexuesi ynë vlerën dinamike të shqipes, në një anë, ndikimin jashtëzakonisht produktiv tek krijuesit letrarë për të njohur vlera të epërme artistike, nga ana tjetër. Shqipja po gjallërohej, po hynte në radhët e vlerave të përbotshme! Këtë filozofi gjuhe, filozofi vlerash, gjithsesi që e bënte të mundshme një hapje e realitetit të atëhershëm të federatës jugosllave karshi kulturave perëndimore, por edhe karshi literaturave, letërsive dhe trashëgimive nga Orienti, apo nga Lindja e Largët, sipas asaj formulës së Karl Poperit për Mendimin e Hapur e Shoqërinë e Hapur. Në tryezën e lexuesit shqiptar bota po komunikonte lirshëm dhe natyrshëm, me ato shtrëngesa e pengesa të kohës: mungonte përkthyesi i specializuar nga gjuhët europerëndimore apo orientale. Vetë autori rrëfen:

Nisa punën si reporter i lirë në gazetën “Rilindja”. Vijova të shkruaj tregime dhe t’i botoj në revistën letrare “Jeta e re”, nën përkujdesjen dhe ndihmën prindërore të Esad Mekulit. Zura të merrem dhe me përkthime të kryeveprave të letërsisë botërore, të cilat ishin rreptësisht të ndaluara asokohe në Shqipëri, si “Procesi” i Kafkës (1972), “Njëqind vjet vetmi” i Markesit (1978), “Shakaja” i Kunderës (1979), “1984” i Oruelit (1980), “Daullja e llamarintë”, në 2 vëllime, i Gynter Grasit (1982), “Dhuntia e shqiponjës” i Kastanedes (1986), “Mbi heronjtë dhe varrezat” i Ernesto Sabatos (1987) etj., etj.”[14]

Këtë mungesë institucionale, po e mbushullonte me punën e tij titanike në lëmin e përkthimeve, kush tjetër –por vetë shkrimtarit tonë Ramiz Kelmendi! Dhe atij tashmë i ishin bashkëngjitur emra përkthyesish nga provenienca letrare, si Vehap Shita, Musa Ramadani, Jusuf Gërvalla (Që përkthente nga serbokroatishtja e nga sllovenishtja), apo Fadil Bujari (ky i fundit përkthente nga rusishtja Dostojevskin), në kohën kur në Tiranë as që kishin dëgjuar për këto vepra e këta autorë, të shpallur të padëshiruar për publikun “shtetëror” të Shqipërisë! Te e fundit, këta përkthyes shqiptarë të Kosovës kishin formim modern kulturor e letrar dhe nuk e kanë lënduar ndjeshmërinë artistike të veprave e autorëve e as shijen e lexuesit. Përkundrazi. Kanë dhënë më të mundshmen si “kopje e kopjes”, me regjistrin, fondin, leksikun, pasurinë frazeologjike e me prirjet krijuese stilistike që kishin ata.

5. Publicistika

Ramiz Kelmendi ka shkruar edhe artikuj të shumtë publicistikë, reportazhe, studime e shkrime kritiko-letrare. Pothuajse, duke pasur parasysh shkrimin e parë letrar, të botuar më 1954, ai është i pranishëm tek publiku ynë lexues qe afro shtatë dekada, mbasi kishte nisur të botonte shkrime të tjera publicistike e recensioniste që para viteve ’50:

Saktësisht, unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim të parë në këtë gazetë - dy vjet më vonë.”[15]

Ai do të jetë një kronik besnik i realiteteve, situatave e ngjarjeve që janë zhvilluar në Kosovë për kaq e kaq dekada. E tërë vepra e tij letrare, publicistike, apo studimore-publicistike, etj, është një kronikë e gjallë e këtyre kohëve. A nuk ishte një kronik që iu rezistoi të gjitha kohëve, Marin Barleti me veprat e tij madhore për Skënderbeun dhe për Rrethimin e Shkodrës? Ne vetëm mund ta përfytyrojmë shkretëtirën dokumentare e dëshmuese që do të ishte krijuar, po qe se nuk do t’i kishim veprat e kronistit humanist Barletit. Barleti na shfaqet si sinonim i epokës kastriotiane. Kështu është edhe me kronistin Ramiz Kelmendi. Kosova e kaq e kaq kthesave historike, nuk mund të përfytyrohet pa kronikën e tij të gjallë nëpër kohë e dekada:

Nuk jam as historian. As etnopsikolog. As sociolog. (Në veçanti: nuk jam dashakeqës, madje as në mend më vete të kurdis urrejtje për serbët dhe, tërthorazi të rrah gjoks me gjithë të mirat që, ndryshe nga Ata, shquakan e nderuakan Shqiptarët!).

Pa asnjë modesti të rreme, që në krye po e them se këtu nuk bëj gjë tjetër pos kryej detyrën e një - kroniku. Të një regjistruesi të paanshëm. Të një ndërmjetësi (dhe përkthyesi) për ata që nuk i kanë lexuar. Të një, eventualisht, shpjeguesi të dhënash më se të domosdoshme për autorët dhe burimet. Shkurt: të një informuesi.”[16]

Në fakt, që më 1953, mu në Beograd, si student, ai me një grup shokësh, kishte nisur botimin e gazetës “Zani i rinis shqiptare” (gazeta e sotme “Zëri” ka trashëguar këtë revistë me titujt “Zani i rinisë”, “Zëri i rinisë”, “Zëri”):

që më 1953, një lajm, thuaj alarm, ngase i pabesueshëm, u përhap ndër ne, studentët e Universitetit të Beogradit, së pari, e mandej edhe ndër shkollarët dhe mbarë rininë në Kosovë: po bëhen përgatitjet e fundit për të filluar botimin e një reviste të ilustruar për të rinjtë!”[17]

Duke evokuar këto bëma e ngjarje, do theksuar se publicisti ynë, nëpër dekadat që pasuan; ashtu sikundër ai kishte mësuesit e mbështetësit e tij (“TRE ETËRIT E MI: Babai gjenetik Jakup Rugovci, Masar Murtezai, babai im i gazetarisë dhe Esad Mekuli babai im i letërsisë”), po ashu ai ishte një si “kumbar” i shumë medieve, gazetave, promovues e popullarizues i shumë emrave nga fusha e kulturës, artit dhe shkrimeve, sidomos

i emrave të rinj. Tek shkrimi “Treshet e mia”[18] ai, ndër të tjera, përmend dhe tri dashuritë e tij të mëdha: librin, gazetën dhe televizionin. Nuk do të reshtë të jetë gazetar, kronist, redaktor, kryeredaktor revistash e gazetash, publicist, themelues i Fakultetit të parë të Gazetarisë që në vitet ’90 në Prishtinë me emrin e Faik Konicës, etj. Mirëpo, individualiteti i shkrimit publicistik, i shkrimit të zhanreve të gazetarisë, ka kodin e vet intelektual si mjeshtri e shkrimit. Edhe publicistika është krijimtari e mirëfilltë, është art më vete. “Arti gazetaresk mishërohet në tërësinë e proceseve të organizimit të këtij prodhimi; të zgjedhjes e të hartimit të trajtëformave të shprehjes publicistike; ecuri e zhvillime ku del në pah mjeshtëria e gazetarit e karakteri krijues i saj.”[19] Metoda e zgjedhur publicistike, njohja e thellë e procese shoqërore e historike, njohja e procesit praktikës së gazetarisë e shkrimit të tillë, nacionaliteti i ndërthurur me artin e thënies, shfrytëzimi dhe vënia në veprim e fushave t tjera, si historisë, dijeve letrare, dokumentit, veprave të autorëve të shquar botërorë e kombëtarë etj, përbëjnë disa nga vlerat e tekstit artistik publicistik të Ramiz Kelmendit. Në këtë drejtim, përbërësit krijues të subjektit letrar e publicistik, shfaqet tek vëllimet “Kokrra kripe”, “Jeta erotike e shkrimtarëve shqiptarë”, “Shqipëria e Marie Shllakut” dhe sidomos te fejtonistika e tij.

6. Studimet e shkrimet kritiko-letrare

Nuk themi asgjë të tepruar, po qe se pohojmë se Ramiz Kelmendi është ndër veteranët e rrallë të gjallë të letërsisë shqipe në lëmin e kritikës letrare. Madje, përpara se ta botonte shkrimin e parë në prozë, ai ka botuar recensionin e parë letrar që më 1950 dhe nja tetë shkrime të tilla deri më 1954.[20] Në bibliografinë e tij letrare, deri në fillimvitet ’80, shfaqen të publikuara rreth 47 këso njësish kritiko-letrare, ndërsa universi i tillë, i shkrimit ramizian, përplotësohet edhe me botimin e dy studimeve monografike me shumë vlerë, sikundër janë “Tregimi ynë humoristiko-satirik (1944-1974)”[21] dhe ”Fytyra dhe turinj: polemika në letrat shqipe”[22] gjatë viteve ’90 ai do të publikojë shkrime për autorë të panjohur e të anatemuar në letrat shqipe, për Faik Konicën, Ernest Koliqin, për letërsinë arbëreshe, Lumo Skëndon,[23], ndërsa te gazeta “Shqip” e Tiranës, shkroi për Mustafa Krujën[24], për figurat tona të shquara nga e kaluara e tarditës sonë,[25] për Umberto Ekon,[26] e të tjerë. Në kuadrin e rubrikës së herëmbashershme "Emra që nuk harrohen”, pos figurave nga publicistika, gazetaria, filmi, arsimi etj, ai do të shkruajë dhe për Esad Mekulin[27], Hasan Mekulin[28], kurse te libri “Nga ditari im” do të përfshihen shkrime me karakter evokues e vlerësues për Martin Camajn, Vehap Shitën, Dushko Vetmon, Ismail Kadarenë, apo edhe për autorë problematikë serbë e të huaj. Nga shtypi i kohës arritëm të nxjerrim dhe këto shkrime: “Gjuha shqipe dhe polemikat rreth saj në letrat shqipe”[29], “Poezi për ata që nuk lexojnë poezi[30]”, Mirë se erdhe, e qeshur!”[31], “Kështu foli...Kadareja”[32].

7. Shumësia e aspekteve të shkrimit dhe angazhimit

Sado që merret me rrethanat e përshkrimet e dokumentimet autoriale, me vlerën dëshmuese e qëmtuese, me mjeshtërinë e shkrimit, porosinë a përshkrimet e ambientit, ai te këto vepra kërkon lëndën e “përmbajtjes” a të boshtit tematik, duke u thelluar herë-herë edhe në leximet tjera shumështresore që provokojnë veprat, duke interpretuar, me pak fjalë, të veçantën, poetikën individuale të autorit, ashtu si  e diferencon, me anë të ligjërimit kritik, procedeun tradicional prej atij modern, gërshetimet e procedeut artistik të reales me arealen, a të dokumentit me imagjinatën artistike.

Interes për lexim e interpretim zgjuan edhe tekstet e tij dramatike në trajtë monodramash dramash televizive, radiodramash, skeçesh etj. Ishte i popullarizuar radiodramatizimi i veprës “Kur kositen livadhet” dhe ai i tregimit “Rrëfimi i studenteshës”. Ndër të tjera, dallohen teksti dramatik “Njeriu që mendoi se është vetëm”, monodrama “Viti me katër pranvera” etj. I njohur edhe si skenarist filmash, skenarist programesh artistike, dokumentarësh televizivë, ky autor do të mbetet, po ashtu, i pashkëputshëm me skenën dhe teatrin e me format tjera dramaturgjike-skenike.[33] Në lëmin e botimit të monografive dokumentare, fejtonistike e historike, do përmendur veprat “Jeta erotike e shkrimtarëve shqiptarë”[34], “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë” (bashkë me Viktor Gashin)[35], si dhe një sërë fejtonesh: FEMRAT TONA PRIJATARE, 10 vazhdime, “Kosovarja”, Prishtinë, 1983/1984.

2. POLEMIKA NË LETRAT SHQIPE, 50 vazhdime, në gazetën “Rilindja”, Prishtinë, 6 korrik 1983 – 26 gusht 1983.

3. LETËRKËMBIMI YNË NË SHEKUJ, 18 vazhdime, “Zëri i rinisë”, Prishtinë, tetor 1983 – shkurt 1984.

4. LETRA AUTOGRAFE, 13 vazhdime, “Fjala”, Prishtinë, prill-tetor 1985.

5. AMAZONA SHQIPTARE MARIJE SHLLAKU, 16 vazhdime, “Zëri”, Prishtinë, 21 nëntor 2009 deri 10 dhjetor 2009.

6. Ç’NUK DUA TË MË KUJTOHET – NGA KUJTIMET E PASHKRUARA, “Zëri”, Prishtinë, 10 tetor 2009 deri 14 tetor 2009.

7. Bashkëbisedim mbi politikën, gazetarinë dhe femrën, “Zëri”, Prishtinë, 20 tetor 2009 deri 23 tetor 2009.[36] Ndërkaq, vazhdimin e botimit të këtyre fejtoneve, Ramiz Kelmendi e vazhdon edhe pas luftës, si: “Fletëza të shkëputura”[37], “Shkrimtarët”[38], etj.

Veprimtari të gjerë letrare, ky autor ka zhvilluar edhe si antologjist i shumë përzgjedhjeve letrare në gjuhën shqipe e në gjuhë të tjera; si redaktor i veprave të panumërta, si hartues tekstesh shkollore, përpilues veprash të shkrimtarëve shqiptarë[39] etj. Me këtë rast, do përmendur listën e veprave të përpiluara, që kanë rëndësi për kulturën dhe letërsinë tonë:

1. PANORAMË E LETËRSISË BASHKËKOHORE SHQIPE NË JUGOSLLAVI (bashkë me E. Gjerqekun dhe H. Mekulin), Enti për Botimin e Teksteve, Prishtinë, 1964, f. 443.

2. TREGIME TË SOTME SHQIPTARE, Enti i Botimeve Shkollore, Prishtinë, 1969, f. 755.

3. Josip V. Rela: VEPRA I-II, “Rilindja”, Prishtinë, 1969, f. 551 dhe 289.

4. FEMRAT SHKRUAJNË, vëllim me shkrime letrare të femrave shqiptare, “Rilindja”, Prishtinë, 1969, f. 246.

5. Adelina Mamaqi: ËNDËRRA VASHËRIE, zgjedhja me një parathënie, “Rilindja”, Prishtinë, 1961, f. 109.

6. Ismail Kadare: QYTETI I JUGUT, zgjedhja me një parathënie, “Rilindja”, Prishtinë, 1971, f. 165.

7. Teodor Laço: TREGIME, “Rilindja”, Prishtinë, 1971, f. 174.

8. Thoma Kacorri: TREGIMET E JUGUT, “Rilindja”, Prishtinë, 1971, f. 165.

9. Anastas Kondo: KIO, “Rilindja”, Prishtinë, 1972, f. 167.

10. DRAMA E SOTME JUGOSLLAVE, zgjedhur, përkthyer, shkruar një parathënie të gjatë dhe shoqërur me shënime përkatëse bio-bibliografike, “Rilindja”, Prishtinë, 1981, f. 698.

11. Shtjefën Gjeçovi – Kryeziu: VEPRA 1-4, (bashkë me F. Gungën), “Rilindja”, Prishtinë, 1985, f. I-188, II-306, III-308, IV-332.

12. Frano Anton Santori: LEKË DUKAGJINI, melodramë, “Jeta e re”, Prishtinë, nr. 3/1983, f. 503-522.

13. Frano Anton Santori: EMIRA, dramë e parë shqiptare, tekst integral me të pesë aktet, i vënë në gjuhën e sotme letrare, përkrah origjinalit, “Rilindja”, Prishtinë, 1994, përfshirë në kompletin dyvëllimësh dhe i ribotuar disa herë në Prishtinë, Shkup dhe Tiranë.

14. Osman Kelmendi: RUGOVA – LEGJENDË DHE REALITET, “Renesansa”, Prishtinë, 1995.


[1] Rexhep Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ASHAK, Prishtinë, 1979,  f. 259.

[2] Po aty; Ibrahim Rugova, Kah teoria, “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 97.

[3] Të njëjtit, po aty; R. Qosja, po aty, f. F.  264; I Rugova, po aty, f. 97.

[4] Të njëjtit; Hasan Mekuli, Rrugët e zhvillimit të letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugosllavi, në: Panoramë e letërsisë bashkëkohore shqipe në Jugosllavi”, Enti për botimin e teksteve, Beograd, 1964, f. 14.

[5] Hasan Mekuli, po aty, f. 14.

[6] Me termin Letërsi shqipe në Kosovë, kuptohen edhe autorët që krijojnë në Maqedoni, Preshevë apo Mal të Zi.

[7] Shih shkrimet e Rexhep Qosjes, Mark Krasniqit, Ali Aliut, Isak Shemës, Masar Stavilecit, Ibrahim Rugovës, Agim Vincës etj për çështje të periodizimit të letërsisë shqipe, - në “Gjurmime albanologjike – seria e shkencave filologjike” III/1973, Prishtinë 1975.

[8] Shënimet bio- bibliografike, janë shfrytëzuar nga shkrime të ndryshme. Për këtë shih literaturën në funt të këtij studimi.

[9] Rexhep Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe ASHAK, Prishtinë, 1979, f. 278.

[10] Ramiz Kelmendi: “Heshtja e armëve” – “Rilindja”, Prishtinë, 1971, f. 195.

[11] Ramiz Kelmendi: “Shtatë persona ndjekin autorin” – “Rilindja”, Prishtinë, 1975, f. 257.

[12] Shih: Bibliografia për Ramiz Kelmendin, në “Fytyra dhe turinj: polemika në letrat shqipe”, f. 366-368; tek: Ramiz Kelmendi: Shkrime të zgjedhura, Buzuku, Prishtinë 2010, në përgatitje të botuesit Abdullah Zeneli.

[13] Hasan Mekuli: “Letërsi botërore, autorë dhe vepra”, Shtëpia Botuese “Libri shkollor”, Prishtinë 2002.

[14] Ramiz Kelmendi: “Nga ditari im” (kujtime), Buzuku, Prishtinë 2011, f., 238.

[15] Ramiz Kelmendi: “Nga ditari im” (kujtime), f. 114.

[16] Ramiz Kelmendi: “Nga ditari im” (kujtime), f. 140-141.

[17] Po aty, f. 46.

[18] Po aty, f. 15.

[19] Hamit Boriçi: Gazetaria 2, Shtëpia botuese e Librit Universitar, Tiranë 2004, f. 16.

[20] Ramiz Kelmendi: l. Mbesa e krahinarit, “Jeta e re”, Prishtinë, nr. 3/1950, f. 223-224. 2. Post scriptum nji recensioni mbi librin “Nga proza Jugosllave”, “Jeta e re”, Prishtinë, nr. 1/1953, f. 87. 3. Nga shënimet e nji përkthyesi dhe kritiku, “Jeta e re”,           Prishtinë, nr. 1/1953. 4. Kangët popullore shqiptare të Kosovë-Metohisë, “Zani i rinisë”, Beograd, nr. 5, qershuer 1953. 5. Libri i parë i prozës origjinale te na, “Zani i rinisë”, Beograd, nr. 8, tetuer (2) 1953. 6. Nji libër i ri për fëmijë, “Jeta e re”, Prishtinë, nr. 5/1953, f. 388-390. 7. Disa margjina tue lexue librin e Sitki Imamit, “Jeta e re”, Prishtinë, nr. 6/1953, f. 467-480. 8. Nji libër i bukur për fëmijët tanë, “Jeta e re”, Prishtinë, nr. 2/1954, f. 239-241.

[21] Ramiz Kelmendi: “Tregimi ynë humoristiko-satirik (1944-1974) – “Rilindja”, Prishtinë, 1975, f. 134.

[22] Ramiz Kelmendi: “Fytyra dhe turinj- polemika në letrat shqipe”, Rilindja, Prishtinë 1990, f. 380.

[23] Prof.  Ramiz Kelmendi “Lumo Skëndo-shkrimtar që do rivlerësuar dhe riinterpretuar” në “Fjala”, Nr.6. 25 qershor, 1994, faqe, 26-27. Në: “Zëri”, Prishtinë, 27 shkurt 2010, f. 8.

[24] Ramiz Kelmendi: “A (po) harrohet Mustafa Kruja?!, gazeta Shqip, 24 maj 2010.

[25] Ramiz Kelmendi: “Korifenjtë tanë për të tjerët e jo për vete”, gazeta “Shqip”, 30 mars 2010.

[26] Ramiz Kelmendi: “Umberto Eko dhe shqiptarët”, gazeta “Shqip”, 19 gusht 2010.

[27] Ramiz Kelmendi: “Letërsia kosovare doli nga mëngët e Esad Mekulit”, në “Kosova sot”, Prishtinë, 27 mars 2010, f. 15.

[28] Ramiz Kelmendi: “Hasan Mekuli – kritiku pa libër”, në “Zëri”, 20shkurt 2010, Prishtinë, f. 8.

[29] Në “Jehona”, Preshevë, dhjetor 1992, f. 11-12.

[30] Në Kosova sot”, Prishtinë, 30 qershor 2000, f. 9.

[31] Në “Kosova sot”, 30 dhjetor 1999, Prishtinë, f. 9.

[32] Në “Kosova sot”, 9 dhjetor e 16 dhjetor 1999, Prishtinë, f. 9.

[33] Bie fjala, vështrimi si “Simbiozë e tragjikës me komikën” (Ivo Breshan: “Shfaqja e Hamletit në Katranicën e Poshtme”), “Fjala”, Prishtinë, 1 dhjetor 1985, f. 9. Ka botuar dhe vështrime të tjera për teatrin në ato vite. Ose pas luftës në Kosovë, shkrimi “Ofelia e Drita Agollit e priti Godonë”, në Epoka e re”, Prishtinë, 5 shkurt 2011, f. 17. Apo: “Aleksandër Moisiu ose fatalizmi dhe lavdi shqiptar”, në Koha ditore”, Prishtinë 23 nëntor 1999, f. 13.

[34] Ramiz Kelmendi: “Jeta erotike e shkrimtarëve shqiptarë” , “Intermedia”, Prishtinë, 1996.

[35] “Shqipëria e Marije Shllakut – Katër martirë shkodranë” (bashkë me Viktor Gashin), “Dukagjini”, Pejë, 1995.

[36] Shih referencat tek Bibliografia.

[37] Botuar në vazhdime gjatë muajve tetor-nëntor te e përditshmja prishtinase “Epoka e re”, Prishtinë 2010.

[38] Po aty, qershor 2010.

[39] Shih Bibliografinë



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx