E enjte, 31.10.2024, 11:11 PM (GMT)

Kulturë

Alfred Papuçiu: ''Ëndërra ime bëhet realitet''

E diele, 22.02.2009, 11:23 AM


«Ëndërra ime bëhet realitet»

Nga Alfred Papuçiu

« Të flasësh për Kosovën në një roman, është një përçapje, nga pikpamja perendimore, pothuajse origjinale. Kosova është një fjalë që nuk tingëllon në veshë si sinonim i lumturisë…Dhe megjithatë, Provinca, e përshkruar këtu- nëpërmjet tregimit të bashkëshortit të ri në kërkim të një vendi në diellin zviceran- duket tërheqëse, gjithashtu poetike ». Me këto fjalë e niste parathënien e tij, vite më parë, shkrimtari Ismail Kadaré për romanin e shkrimtares zvicerane Liliane Perrin « Një i martuar pa rëndësi ». Kjo shkrimtare e shquar zvicerane, që kam pasur fatin e mirë ta njoh e të bisedoj disa herë me të për letërsinë dhe artin shqiptar, e shkroi romanin e frymëzuar nga martesa e saj me një të ri shqiptar nga Kosova. Vitet ikin, Liliana e paharruar, nga Kantoni i Vaudit, romanciere dhe gazetare, bashkëpunëtore e Radio Suisse Romande ku nuk mungonte të fliste edhe për shqiptarët me respekt e dashuri, nuk është më. Ajo iku në moshë pak a shumë të re, por la pas veprat e saj, romane të botuara tek shtëpia botuese « Gallimard » et « Metropolis », komedi e komedi dramatike, si ajo me titull : « Jeta e bukur » e përshtatur nga shqipja, si edhe biografi e dëshmi të shumta, përfshirë dhe kushtimin në librin e saj të bukur për shqiptarët : « Familjes së bashkëshortit tim nga Kosova, që siç duket nuk do ta shoh kurrë »….
E bëmë këtë digresion për të treguar se krahas atyre « qoftëlargëve » që vetëm kanë si synim të ndërmarrin anatema dhe sharje ndaj shqiptarëve, një populli me histori të lashtë, gjuha e të cilit është një nga 9 gjuhët indo-evropiane, që ka mbetur e paprekur, si edhe karakteri i vetë banorëve autoktonë shqiptarë, janë sa vjen e më tepër ata shkrimtarë, gazetarë apo qytetarë perendimorë, që flasin me realizëm për Shqipërinë, Kosovën e shqiptarët. Ashtu siç kanë bërë shumë vite më parë Georges Gordon Bajroni, Edith Durham, Julien Emery, vitet e fundit kanë shkruar edhe zviceranët si Liliane Perrin, Francine Koch, Marcel Cellier, Pierre Barde etj., që respektojnë shqiptarët. Kjo është një shenjë dinjiteti dhe emancipimi. Këtë ndjenjë pata edhe së fundi kur lexova librin e shkrimtares Anne-Lise Thurler me titull : « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave ». Ky libër që u paraqit me sukses me rastin e festës sonë kombëtare,  e ka nismën nga takimi i Selajdin Dolit me shkrimtaren Anne-Lise Thurler. Ai është shkruar me vërtetësi dhe humanizëm, është si një biografi përfaqësuese e mijra e mijra shqiptarëve nga Kosova, të cilët si rezultat i dhunës dhe torturave të pësuara nga pushtuesit serbë, u detyruan të shkojnë në mërgim për të patur një jetë më të mirë për familjet e tyre. Selajdin Doli që është dhe bashkëautor i librit, i torturuar dhe i burgosur për vite të tëra, mbasi u lirua, u vendos në Zvicër me të shoqen dhe djalin e gjymtuar.
Libri « Agimi i errët tek fusha e mëllenjave » është një tregim i arrirë, ku autorët flasin për vuajtjet e një populli martir. Siç shprehet vetë shqiptari nga Kosova Selajdin, «  fusha e mëllenjave është një vend i njohur mirë në Kosovë. Një betejë që u zhvillua në kohën e Perandorisë Otomane ». Ndërsa shkrimtarja Anne-Lise Thurler thekson : « Ndërkaq, nënat shqiptare mendonin se shpirtrat e djemve të tyre shndroheshin në mëllenja »…Libri përshkruan rrugën e ndjekur nga shqiptarët si Selajdini plot me vuajtje, por edhe me gëzime. Aty ndërthuren e kaluara dhe e tashmja, nëpërmjet tregimit të vetë shqiptarit, dhe sidomos çastet më prekëse të jetës së tij. Kapitujt e librit përmbajnë kronika të dy bashkëbiseduesve të përfytyruar, një komandanti policie dhe një mësuesi. Këto personazhe janë krijesa e vetë shkrimtares zvicerane ku ndërthuren tregime dhe fakte historike që ajo i mblodhi gjatë vizitës së saj në Kosovë. Përshkrimi realist i mjedisit shqiptar shpreh një ndjenjë përgjegjësie dhe respekti të autores për vendasit. Vetë Selajdin Doli ëndërron një agim më të ndritur… »Ëndërra ime u bë realitet » ; shprehet ai me rastin e botimit të librit në Zvicër tek shtëpia botuese « Clé de Sel ». Libri ka 242 faqe dhe mund të themi me bindje se hyn tani së fundi në fondin e veçantë të bibliotekës së autorëve të huaj për shqiptarët.
Pas leximit të librit, më vijnë ndërmend fjalët e Ismail Kadaresë, në tetor 1992,  i cili në parathënien e  romanit të Liliane Perrin ka shkruar ndër të tjera : « Realiteti kafkajan dhe i
përditshëm i këtyre të rinjve shqiptarë të Kosovës që përpiqen t’i shpëtojnë me ikje dhe migrim fatit të keq të një populli që nuk duket se mund të imponojë vendin e tij të ligjshëm në hartën e Ballkanit dhe të Evropës. I vetmi komb i kontinentit të vjetër i ndarë në dy, që është akoma përballë Golgotës së tij ». Dhe më tej shkrimtari vazhdonte : « Nëse këto faqe të shquara janë larg çdo ambicje apo zhargoni politik, ato shkojnë më larg se sa një trillim i thjeshtë, më larg se sa një takim pa të ardhme ».
Libri « Agim i errët tek fusha e mëllenjave” i përngjan si dy pika uji realitetit të shprehur tek « Një i martuar pa rëndësi », pasi paraqet realitetin e hidhur të mijra e mijra kosovarëve që u detyruan për shkak të terrorit, si dhe luftës mizore, të lenë tokat e tyre amtare, por që një ditë, do të mund të kthehen me optimizëm, siç kanë vepruar familje të tëra që tashmë kanë filluar një jetë të re, jo pa mundime, por me rreze shprese, në Kosovën e tyre martire.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora