Kulturë
Baki Ymeri: Këto ditë u botua në Bukuresht vepra e parë dramatike nga Kosova
E diele, 22.02.2009, 02:14 PM
Këto ditë u botua në Bukuresht vepra e parë dramatike nga Kosova
Jusuf Zenunaj
Nga Baki Ymeri
Pas librit me poezi Prej shkëmbit rrjedhin lotë, këto ditë e pa dritën e botimit në Bukuresht drama Me fat Martesa, e poetit dhe dramaturgut kosovar, Jusuf Zenunaj. Është vepra e parë e një autori nga Kosova, të cilit i botohet një dramë në gjuhën rumune. Libri Me fat Martesa, praktikisht del në dy gjuhë (shqip dhe rumanisht), duke patur për ideator Jeton Kelmendin, redaktor të versionit në gjuhën rumune, Mihai Antonescun, autor të pikturës në ballinë, Ramë Ukajn, ndërsa autorë të përkthimit, Adriana dhe Sherban Tabaku. Libri del në dritë nën përkujdesjen e autorit të këtij shkrimi. Nga Përmbajtja citojmë: Bibliografia në gjuhën rumune, drama e Jusufit në gjuhën rumune, drama e tij në gjuhën shqipe, dhe bibliografia në gjuhën shqipe. Subjekti i dramës ndërlidhet me jetën e shqiptarit në Kosovë dhe në diasporë. Drama fillon në një pijetore në Bernë të Zvicrës. Sadiku dhe Bardhi qëndrojnë të ulur në një tavolinë pranë dritares. Rrushja shërben aty si kamariere. Në këtë kontekst gërshetohen elemente të korupcionit, të mashtrimit, të tradhëtisë bashkëshortore, të mallit ndaj atdheut dhe tema tjera që ndërlidhen me Kosovën dhe jetën e shqiptarit në mërgim.
Drama në gjuhën rumune mban titullin Casa de piatra, që i përshtatet shqipes Me fat martesa, edhepse në versionin rumun don të thotë: Paçi shtëpinë prej guri! Personazhet e dramës janë: Sadiku, punëtor stinor në Zvicër, Gabriela, infermiere, e dashura e Sadikut, Gabriela, e fejuara e Sadikut, Ujkani, babai i Sadikut, Kristovi, i dashuri i parë i Gabrielës, Kristina, nëna e Gabrielës, Bardhi, i papunë, shok i Sadikut, Selmoni, punëtor, daja i Bardhit, Nusha, punëtore, shoqja e Selmonit, Mërgimi, djali i Selmonit dhe i Nushës, Hansi, pronar restoranti, dashnori i Nushë, Rrushja, kamariere, dhe Rudolfi, publicist, i afërm i Kristinës. Në aktin e dytë paraqitet Kristina duke fshirë dritaret. Sheh Sadikun teksa i afrohet hyrjes së banesës. Ajo mbyll dritaret dhe ulet në divan. Hyn Sadiku. Kristina e pret me përzemërsi, për të pasuar pastaj dialogu, duke e bërë dramën joshëse dhe interesante deri në aktin e fundit, që është akti i pestë, pesë akte të mbrujtura me mjeshtri artistike që e mbajnë gjallë kutiozitetin e lexuesit sot, dhe të shikuesit në teatër nesër.
Jusuf Zenunaj, përndryshe, u lind në Novoselë të Pejës (1958). Kreu studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kosovës, ku ndoqi edhe studimet pasuniversitare. Profesor i gjuhës shqipe në Pejë (1983/92). Që nga viti 1992 jeton dhe krijon në Belgjikë. Krijimet e para filloi t’i botojë në shtyp, që nga viti 1980, në Shqipëri, Kroaci, Slloveni, Zvicër. Më 1989 prezantohet me poezi në librin Roje drite, të Klubit Letrar Karagaçi, në Pejë. Është laureat i Çmimit të Shoqatës së Letrarëve të Rinj të Kosovës (Prizren, 1991). Shkruan për fëmijë dhe të rritur. Brenda një viti (1996), Toena e Tiranës ia botoi veprat: Klithmë e këngë (poezi), Ma falin një varr (dramë) dhe Rrugët m’i dhe ti (dramë). Më 2008 iu botua në gjuhën rumune vëllimi poetik Din stânc? curg lacrimi/Prej shkëmbit rrejdhin lotë, versioni shqip i së cilës iu botua edhe në Tiranë (GlobusR, 2009). Në përmbledhjen poetike Klithmë kënge ka përmbledhur poezi motivesh të ndryshme që shquhen për origjinalitet. Ka botuar poezi të panumërta në gjuhën franceze, në revistat Les Elytres du Hanneton dhe Les reflet de chez nous. Është anëtar i Shoqatës letrare Grenier Jane tony dhe i Shoqatës së Shkrimtarëve Frëngjishtfolës të Mbretërisë Belge. Më 2007 është prezentuar në Antologjinë e poezisë frënge, botim i revistës Les Elytres du Hanneton. Shkruan për fëmijë dhe të rritur, poezi e drama. Ka botuar 4 libra për fëmijë: Pse nuk vjen Diellza në Shkollë (dramë), Dielli e ka fajin (poezi), Jam çadër në ajër (gjëegjeza), Mos e harro qytetin e lashtë (poemë).