Kulturë
Blerim Rrecaj: Një libër brilant që e demaskon një ide të mbrapshtë
E merkure, 24.12.2025, 04:54 PM
Një libër brilant që e demaskon një ide të mbrapshtë
Nga
Blerim Rrecaj
Lexova
në ekranin e telefonit, librin e Xhevat Hasanit me titull: "S'ka dhe
s'mund të ketë komb kosovar" me
nëntitullin (Kundër ideve komb-ndarëse të N. Spahiut).
Që
nga titulli e nëntitulli i tij, ndjeva që bëhet fjalë për një libër që mbart me
vete një temë që ka kohë që është bërë shqetësim serioz shoqëror e kombëtar
tash e sa kohë, dhe përgjatë leximit të tij, pashë se bëhej fjalë për një libër
mirë të strukturuar, mirë të argumentuar, nga faqja në faqe nga kapitulli në
kapitull, të shkruar me gjuhë të qartë e të rrjedhshme, të saktë e shpjeguese,
sa për të na kujtuar një shprehje të shkrimtarit Dritëro Agolli, që thotë se
shumë gjëra që ju i lexoni me lehtësi janë shkruar me vështirësi.
Shprehja
e shkrimtarit të njohur merr kuptim sidomos edhe për këtë libër kur tema që
trajtohet, siç është kjo e ideve komb-ndarëse, komb-përçarëse, mes pjesëtarëve
të të njejtit komb siç janë shqiptarët, ka kohë që na rri mbi kokat tona duka
na shkaktuar huti e bezdi të panevojshme duke u munduar për të na shpërqëndruar
energjinë nëpër ca tema që kanë si synim goditjen dëmtimin e kombit shqiptar
kur, ku , si e me çfarë të munden. Kjo gjë
nga armiqtë e shovenistët është pritur e pritet, por e çuditshme kjo të
ndodh edhe nga një grumbull shqiptarësh
që përpiqen të na cysin kundër njëri tjetrit, e vetë të ëndërrojnë feude
e fonde, a të bëhen mbretër e baballarë që t'u shkojmë pas.
Të
tillë janë disa shqiptarë të lëkundur, (Spahiu me ca shokë) që kanë dyshime për
identitetin e historinë e tyre, që ndërrojnë fjalët orë e çast, qoftë nga
mosdija, qoftë nga një egoizëm ekstrem, nga ndonjë narcisizëm i llojit të vet,
dëshirën për bajraktarizëm a parcializëm, qoftë duke parë nga ndonjë kockë
fondi e hedhur diku, nga diç tjetër, apo
të gjitha ngapak duke krijuar ca personazhe absurde, të përçudnuara pa dinjitet
e identitet njerëzor e kombëtar.
Libri
na shpjegon dukuritë që na përbashkojnë por edhe ato që na largojnë nga njëri
tjetri e si përfaqësues që nuk e ka ndërmend ta lëshojë frontin ka mbetur
personi me emrin Nexhmedin Spahiu. Një pyetje që na bije në mend është: Kah
piku si prej qielli ideja e kombit kosovar, për çfarë arsye dhe pse këmbëngulet
në të?! Ose kah po pikojnë idetë që të sulmohen vlerat më të larta të kombit
siç janë gjuha, kultura, simbolet, personalitetet, dëshmorët, heronjtë, të
vdekurit e të gjallët?!
Pastaj
ne e dijmë se çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes por kjo liri mbart me
vete edhe përgjegjësinë.
Pikërisht
për këto përgjegjësi flitet në këtë libër të shkruar me përkushtim e dashuri.
Në
faqet e këtij libri ne shohim përballjen e autorit të librit Xhevat Hasani me Nexhmedin Spahiun,
përfaqësuesin e "kombit kosovar".
Xhevat
Hasani i çjerr maskën N. Spahiut i cili me zell të pashoq shpif, gënjen, shtrembëron, mjegullon,
trillon, stis, mashtron me libra, akte e dokumente, deklarata, me rilindasit e
ndritur, me personalitete politike, kulturore shqiptare e botërore e çka jo
tjetër se kinse ata janë referenca të fuqishme të tij në idenë e tij për
jetësimin e përhershmërinë e "kombit kosovar".
Secili
le ta ndjekë udhën e vet, e siç duket përfaqësuesi i "kombit
kosovar", i cili kur me kaq entuziazëm i njeh flamujt nëpër manifestime të
ndryshme se sa janë kombëtar e sa shtetëror, duke urryer flamurin kombëtar, dhe
heq atë shtetëror të Republikës së Kosovës sapo takohet nëpër zyra me zyrtarët
serbë, ka vendosur ta ndjekë rrugën e turpërimit të tij.
Në
anën tjetër procesi i zgjerimit të lirisë kombëtare shqiptare është i
pandalshëm siç ka qenë gjithmonë.
Në
kohën e turbullimeve kaq të mëdha globale, rajonale, në kohën e krizave e
problemeve të mëdha që kërkojnë zgjidhje, ky libër është ogur i mirë, i pasur
me informacione për procesin e formimit dhe bashimit të kombeve, shembujve që
duhen ndjekur, atyre që na përshtaten për të vazhduar rrugën drejt zhvillimit,
përparimit e përbashkimit, dhe një libër që heq dilemat se shqiptarët janë një
komb në mesin e kombeve të qytetëruara e që përpiqen ta zgjidhin çështjen e
tyre kombëtare për të jetuar në paqe e liri me veten dhe të tjerët.









